
Vendimi u mor më 25 qershor, disa orë pasi kryeministri Edi Rama publikoi në Facebook dy fotografi të Hudutit: njërën gjatë protestave kundër qeverisë në Tiranë dhe tjetrën pranë ish-presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad.
“Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e ‘diasporës’ së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllanë e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani. Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmadinexhadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës,” shkroi Rama.
Vendimi i Ministrisë së Brendshme vjen në javën e katërt të protestave kundër qeverisë, gjatë të cilave Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë argumentuar se lëvizja po ndikohet ose shfrytëzohet nga aktorë të jashtëm.
Në një intervistë për ABC News të enjten pasdite, Lamallari tha se masa ndaj Hudutit ishte bazuar në informacione të mbledhura nga institucionet ligjzbatuese.
“Kur veprimtaria e një personi përbën kërcënim për sigurinë kombëtare, sigurinë e vendit dhe sigurinë publike, kjo çon në vendimmarrje të tilla,” deklaroi ai.
Ministri sugjeroi gjithashtu se protesta po përdorej për qëllime që, sipas tij, nuk lidhen me interesat e Shqipërisë.
Gjatë javëve të fundit, Rama i është përgjigjur protestave me akuza se ato po nxiten ose amplifikohen nga faktorë të jashtëm, duke përmendur në raste të ndryshme ndikime greke, iraniane, fushata dezinformimi dhe aktivitete të influencerëve në rrjetet sociale.
Huduti reagoi ndaj vendimit përmes një postimi në Facebook, ku sfidoi masën e marrë ndaj saj.
“Nuk kam çfarë të humb, sepse moti i kam humbur ato gjëra që zullumqarët mendojnë se unë kam vuajtur për to. Krejt çka kam humbur është frika ndaj zullumqarëve, asgjë tjetër, sepse edhe shpirtin, edhe jetën, edhe zemrën time moti ia kam falur Dikujt që m’i ka falur,” shkroi ajo.
Autoritetet shqiptare nuk kanë bërë publike provat apo informacionet konkrete mbi të cilat është mbështetur vendimi për shpalljen e Hudutit person i padëshiruar dhe për ndalimin e hyrjes së saj në Shqipëri për 15 vjet.







