
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ILD ka përfunduar hetimin disiplinor të filluar ndaj anëtarit prokuror të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Olger Eminaj dhe depozitoi më 1 qershor pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, kërkesë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj tij lidhur me denoncimin e kryer në emisionin “Stop”, ku u shfaqën foto dhe mesazhe me përmbajtje intime dhe erotike, të dërguara prej tij një qytetareje përmes telefonit. Kjo e fundit kishte kryer ankesa pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pjesë e të cilit është dhe Eminaj, duke ngritur pretendime ndaj hetimeve të kryera në Prokurorinë e Tiranës lidhur me kallëzime të kryera prej saj.
“Kemi nisur hetim kryesisht bazuar në denoncimin e publikuar nga emisioni ‘Stop’ dhe raportin hetimor e kemi dorëzuar pranë institucionit kompetent”, i thanë BIRN burime zyrtare të ILD-së mbrëmjen e të enjtes.
Deri më datë 17 qershor, kompetencat për shqyrtimin e kërkesave të tilla të ILD-së i kishte Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA. Pas përfundimit të mandatit të KPA-së, shqyrtimi i çështjeve të papërfunduara është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, ku sipas të dhënave të publikuara në faqen online, më datë 18 qershor është regjistruar kërkesa për procedimin disiplinor të Eminajt. Relatore e çështjes është gjyqtarja Marjana Semini.
Hetimi disiplinor ndaj Eminajt është kryer nga ana e ILD-së lidhur me dyshimet për disa shkelje disiplinore të rënda që kanë të bëjnë me përdorimin e pozitës, ndikim të padrejtë, konflikt interesi, si dhe me diskretitimin e figurës së anëtarit të KLP-së, të parashikuara në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sitemit të drejtësisë”.
Konkretisht, kërkohet procedimi disiplinor për shkeljet që parashikohen në nenin 103/1, shkronja (a): “mosparaqitja e kërkesës për heqje dorë nga pjesëmarrja në mbledhjen plenare ose në mbledhjet e komisioneve, kur është e detyrueshme, sipas ligjit, nëse anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka dijeni ose duhet të kishte dijeni për rrethana të tilla”, shkronja (c):“ndërhyrja ose ndikimi i padrejtë në ushtrimin e funksionit të një anëtari tjetër të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”; shkronja (j): “mosrespektimi i detyrimeve ligjore, që diskreditojnë pozitën dhe figurën e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe shkronja (k): “shkelja e rregullave të papajtueshmërisë ose të parandalimit të konfliktit të interesit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi”.
Po ashtu, kërkohet dhe për shkeljet e parashikuara në nenin 103/2, të shkronjës (a) “përdorimi i pozicionit të anëtarit të Këshillit për krijimin e përfitimeve të pajustifikuara për veten ose për të tretët” dhe sipas shkronjës (d): “raste të tjera të sjelljes që diskrediton pozitën dhe figurën e anëtarit dhe dëmton besimin e publikut te prokuroria, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës”.
Anëtari prokuror i KLP-së, Olger Eminaj i pyetur nga BIRN lidhur me hetimin disiplinor dhe kërkesën e ILD-së, tha se nuk do të prononcohet për sa kohë që çështja është ende në gjykim.
Prokurori i Korçës, Olger Eminaj u zgjodh anëtar i KLP-së në tetor të vitit 2023. Ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 31 mars të po atij viti.







