
Në Serbi, gjermanët nganjëherë quhen Švabe, nga fjala gjermane Schëaben për banorët e rajonit historik të Shvabisë. Është një term disi i pasjellshëm, por jo aq fyes sa, për shembull, termi Kraut i përdorur nga britanikët, një referencë jo fort e këndshme ndaj pëlqimit të gjermanëve për lakrën sauerkraut.
Prandaj ishte tregues i afërsisë së tyre fakti që, në shkurt të vitit 2023, presidenti i Serbisë iu referua publikisht Jörg Heeskens-it si moj Švaba, ose “Shvabi im”.
“Unë e quaj ‘Shvabi im’ dhe ai më quan ‘serbi im i egër’,” tha Aleksandër Vuçiç gjatë inaugurimit të një fabrike të gjigantit gjerman të gomave Continental në qytetin verior serb të Novi Sadit. “Kështu i shkëmbejmë komplimentet.”
Vuçiçi po e falënderonte Heeskens-in për kontributin e tij në arritjen e marrëveshjes.
Ishte pikërisht lloji i kontributit për të cilin Heeskens paguhet nga fondet publike gjermane, ndërsa punon në të njëjtën ndërtesë me Vuçiçin. Dhe ai e ka bërë këtë për 13 vjet, në role të ndryshme të Vuçiçit në drejtimin e Serbisë – nga ministër i Mbrojtjes te zëvendëskryeministër, kryeministër dhe, që nga viti 2017, president i republikës.
Si kreu i shtetit, Vuçiçi duhet të luajë thjesht një rol ceremonial në jetën publike serbe. Kjo është ajo që kërkon Kushtetuta e Serbisë.
Por Vuçiçi e ka përmbysur logjikën kushtetuese, duke e përqendruar pushtetin në zyrën e presidentit, qoftë në çështjet e politikës së jashtme, mbrojtjes, ekonomisë apo edhe prerjes së shiritit në një fabrikë gomash të Continental-it.
Dhe asnjë nga këto projekte nuk është më i madh se miniera e litiumit e kompanisë Rio Tinto, të cilën Gjermania e ka mbështetur fuqishëm, duke synuar prodhimin e tij për bateritë e nevojshme për tranzicionin e industrisë gjermane të automobilave larg karburanteve fosile.
Një sasi e madhe dokumentesh zyrtare nga autoritetet gjermane që mbulojnë periudhën 2020–2026, të siguruara dhe analizuara nga BIRN dhe Der Spiegel gjatë gjashtë muajve, zbulojnë manovrat e Gjermanisë prapa skenave për të vënë në funksion minierën përballë kundërshtimit të gjerë nga qytetarët serbë – si dhe shpërfilljen e saj ndaj minimit të demokracisë nga Vuçiçi, për sa kohë që projekti realizohej.
Në qendër të gjithë kësaj qëndron Heeskens, 49 vjeç, një “ekspert afatgjatë” i punësuar zyrtarisht nga Ministria Gjermane e Ekonomisë dhe Energjisë, i cili gëzon besimin e Vuçiçit, ka një aktivitet të vetin në Serbi të quajtur Happy Hazelnuts dhe zotëron një apartament me vlerë të paktën gjysmë milioni euro në një kompleks luksoz në stilin e Dubait në Beograd, i zhytur në polemika që nga fillimi i ndërtimit.
Kritikët thonë se ndjekja për vite me radhë e Vuçiçit nga Heeskens pasqyron një shpërfillje në Berlin ndaj mënyrës se si duhet të funksionojë demokracia serbe.
“Qeveria gjermane në fakt po mbështet abuzimin kushtetues që Vuçiçi po kryen duke kontrolluar gjithçka,” tha Florian Bieber, profesor i Historisë dhe Politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, i cili ka përdorur termin “stabilokraci” për të përshkruar mbështetjen e Perëndimit ndaj qeverive jodemokratike në Ballkan, pavarësisht shpërfilljes së tyre për sundimin e ligjit dhe liritë demokratike.
Fakti që Heeskens “është zhvendosur së bashku me presidentin nga një zyrë në tjetrën tregon se kjo ishte projektuar si një lidhje e drejtpërdrejtë me një person, jo me një institucion”, tha Bieber për BIRN/Der Spiegel.
“Mendoj se është tepër shqetësuese që një person i vetëm, i financuar nga Gjermania, të qëndrojë në atë pozicion, me qëllimin e qartë për të pasur akses te presidenti.”
As Vuçiçi dhe as Heeskens nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Djalli që e njeh

Angazhimi profesional i Heeskens-it në Serbi daton që nga viti 2009, kur ai u emërua këshilltar i Sasa Vuçiniçit, kryetarit të atëhershëm të Suboticës, një qytet në veri të Serbisë.
Vuçiniçi ishte anëtar i Partisë Demokratike, një prej shumë partive që u bashkuan për të rrëzuar liderin serb Sllobodan Millosheviç në vitin 2000, në fund të një dekade luftërash të humbura dhe izolimi ndërkombëtar. Heeskens u punësua si pjesë e një projekti të drejtuar nga Agjencia Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, një organizatë shtetërore për zhvillim ndërkombëtar. Në vitin 2011, ai iu bashkua ekipit të ministrit serb të ekonomisë së asaj kohe, Mladan Dinkiç.
Si një nacionalist i ri dhe me qëndrime të ashpra, si dhe ministër famëkeq i Informacionit gjatë luftës së Kosovës në vitet 1998–1999, Vuçiçi ishte pjesë e elitës së epokës së Millosheviçit që u rrëzua nga pushteti në vitin 2000. Në vitin 2008, ai u shkëput nga Partia Radikale, themeloi Partinë Progresive Serbe (SNS) dhe përqafoi objektivin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në vitin 2012, SNS-ja hyri në qeveri dhe, në shtator 2013, Heeskens u bë këshilltar i ministrit të Mbrojtjes – Vuçiçit.
Heeskens u angazhua në këtë rol në bazë të një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Ministrisë Gjermane për Zhvillim Ndërkombëtar (BMZ), e cila i tha BIRN/Der Spiegel se ai ishte një “ekspert i integruar”, i vendosur brenda ministrive të qeverisë serbe për të promovuar investimet dhe për të ndihmuar në zbatimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe punësim.
Kur Vuçiçi u bë kryeministër në vitin 2014, Heeskens shkoi me të. Dhe kur Vuçiçi u bë president në vitin 2017, Heeskens u zhvendos përsëri, këtë herë në Pallatin e Ri, selinë e Presidencës.
Nëntë vjet më vonë, Vuçiçi dhe Heeskens janë ende aty, gjatë një periudhe të karakterizuar nga kapja graduale e shtetit, lidhje të dokumentuara midis zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe krimit të organizuar, tkurrje e lirisë së medias dhe përparim i ngadalshëm në përmbushjen e kritereve të vendosura nga BE-ja për anëtarësimin e ardhshëm të Serbisë në bllok.
Që nga fundi i vitit 2024, Vuçiçi dhe SNS janë përballur – ndonjëherë edhe me dhunë – me protesta masive të udhëhequra nga studentët, të zemëruar nga mungesa e përgjegjësisë për vdekjen e 16 personave pas shembjes së një strehe prej betoni në një stacion hekurudhor të saporinovuar në Novi Sad.
Dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, qeveritë evropiane kanë ndjekur politikën e njohur si “më mirë djallin që e njeh”, duke mos parë asnjë alternativë të besueshme ndaj Vuçiçit mes opozitës së fragmentuar dhe të dobësuar serbe.
Por protestat e udhëhequra nga studentët nuk janë të parat me të cilat përballen Vuçiçi dhe SNS-ja.
Pesë vjet më parë, serbët dolën në rrugë për të denoncuar planin e gjigantit britaniko-australian të minierave Rio Tinto për të nxjerrë litium në Luginën e Jadarit, nga frika për ndikimin në mjedis. Gjermania ka qenë një mbështetëse entuziaste e projektit, e etur për litiumin e nevojshëm për prodhimin e baterive që do të mbështesin kalimin e industrisë së fuqishme gjermane të automobilave drejt automjeteve elektrike.
Në atë kohë, Heeskens klasifikohej si një “ekspert afatgjatë” në Zyrën e Presidentit, sipas një marrëveshjeje të datës 25 gusht 2020 midis Presidencës dhe Ministrisë Gjermane të Ekonomisë dhe Energjisë, të siguruar nga BIRN/Der Spiegel. Ai është i punësuar nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, një ndërmarrje federale në pronësi të shtetit gjerman që zbaton projekte të bashkëpunimit për zhvillim, si ai me presidentin e Serbisë.
Qëllimi i marrëveshjes ishte krijimi i një “partneriteti institucional” që do të forconte politikën industriale të Serbisë “në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së” dhe do të integronte “kompanitë dhe institucionet arsimore serbe në zinxhirët e furnizimit të ekonomisë gjermane”.
Në një dokument përgatitor për marrëveshjen pasuese, roli i “ekspertit afatgjatë” përkufizohej si kontribut në “përfaqësimin e drejtpërdrejtë të interesave të ekonomisë gjermane përpara Vuçiçit”.
Sipas Kushtetutës së Serbisë, Vuçiçi, si president, nuk duhet të ketë asnjë rol në politikën ekonomike.
Marrëveshja u nënshkrua nga Vuçiçi dhe ministri i atëhershëm gjerman për Çështjet Ekonomike dhe Energjinë, Peter Altmaier. Që atëherë ajo është zgjatur dy herë, më së fundi në janar 2025, dhe është planifikuar të zgjasë deri në fund të vitit 2026. Ministria gjermane i tha BIRN/Der Spiegel se buxheti total për këtë “partneritet institucional”, ku përfshihet edhe Heeskens, është pak më shumë se 1.3 milion euro për periudhën nga gushti 2020 deri në fund të vitit 2026.
“Mendoj se, nëse ka ndonjë dokument që mishëron vërtet konceptin e ‘stabilokracisë’, është pikërisht ky,” tha Bieber. “Në kuptimin që ai dërgon mesazhin: ‘Në të vërtetë nuk na intereson, nga pikëpamja ligjore, kush është përgjegjës.’”
“Natyrisht, nga këndvështrimi kushtetues, presidenti nuk ka asnjë lidhje me Marrëveshjen e Gjelbër, me minierat apo edhe me politikën ekonomike.”
Por Gjermania po mbështetej te presidenti për ta çuar përpara projektin e minierës së litiumit.
Kontakti i drejtpërdrejtë i Vuçiçit me Kancelarinë gjermane për çështjen e litiumit

Në raportin e parë të aktivitetit në kuadër të partneritetit institucional, të dyja palët – zyra e Vuçiçit dhe ministria gjermane – deklarojnë: “Një aspekt i rëndësishëm i politikës së industrisë së gjelbër dhe i investimeve të gjelbra mund të jetë përdorimi optimal i burimeve natyrore të Serbisë, si litiumi, për prodhimin evropian të baterive dhe tranzicionin drejt elektromobilitetit.”
Raporti, i siguruar nga BIRN/Der Spiegel, mbulon periudhën nga dhjetori 2020 deri në shkurt 2021.
Gjatë periudhës pasuese të raportimit, mars–korrik 2021, u zhvilluan dy “sesione konsultimi” me zyrën e Ana Brnabiçit, pasardhëses së zgjedhur nga Vuçiçi në postin e kryeministres, ndërsa Ministria Gjermane e Ekonomisë dhe Energjisë, së bashku me Institutin Federal për Gjeoshkenca dhe Burime Natyrore, kryen një “vlerësim mjedisor të zonës minerare dhe objekteve përkatëse”.
Një raport i mëvonshëm, që mbulon periudhën dhjetor 2021 – qershor 2022, thotë se Vuçiçi e kishte emëruar “ekspertin afatgjatë” – Heeskens-in – si “kontaktin e tij të drejtpërdrejtë me Kancelarinë Federale gjermane për çështjen e litiumit”.
Kundërshtimi publik ndaj minierës së planifikuar po rritej, i nxitur nga ajo që kritikët e përshkruanin si anashkalim procedurash dhe mungesë transparence nga ana e qeverisë. Përballë protestave dhe bllokadave rrugore në fund të vitit 2021 dhe fillim të vitit 2022, qeveria dukej sikur u tërhoq, duke shfuqizuar një rregullore mbi planin hapësinor të projektit.
Një raport aktiviteti mbi partneritetin institucional, që mbulonte periudhën korrik–dhjetor 2021, deklaronte se mbështetja gjermane për “Minierat e Gjelbra” duhej të “rivlerësohej pas protestave të fundit kundër projektit Jadar”.
“Kjo bëhet për t’i dhënë qeverisë serbe kohë të mjaftueshme për t’iu përgjigjur protestave.”
Në janar 2022, Brnabiç reagoi: “Kësaj i është vënë një pikë përfundimtare. Absolutisht,” deklaroi kryeministrja.
Megjithatë, koha e kësaj “pike përfundimtare” dukej e dyshimtë, pasi erdhi vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi. SNS-ja dhe Vuçiçi fituan.
Muajin pasues, Vuçiçi dhe Heeskens udhëtuan në Berlin për t’u takuar me kancelarin e ri gjerman, Olaf Scholz.
Më pas, më 27 qershor 2022, zyra e Scholz-it informoi Ministrinë Gjermane të Ekonomisë dhe Energjisë se: “Presidenti Vuçiç dëshiron të vazhdojë projektin e eksplorimit në Jadar, pavarësisht shqetësimeve të një pjese të popullsisë serbe”, sipas një dokumenti të ministrisë të titulluar “Bashkëpunimi Gjermano-Serb në Fushën e Litiumit”.
Dokumenti e përshkruan nxjerrjen e litiumit si “shumë të diskutueshme nga pikëpamja mjedisore” në Serbi, por potencialisht “me rëndësi të madhe për furnizimin e Evropës me litium”.
Për një kohë, litiumi u zhduk nga titujt kryesorë të mediave. Pastaj, në korrik 2024, Gjykata Kushtetuese e Serbisë shpalli antikushtetuese “pikën përfundimtare” të qeverisë ndaj projektit të Rio Tinto-s.
Tetë ditë më vonë, Scholz u shfaq në Beograd në ceremoninë e nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet BE-së dhe Serbisë për lëndët e para të qëndrueshme, ku litiumi zinte vend qendror.
Megjithëse nuk ishte nënshkrues i memorandumit, kancelari gjerman shfrytëzoi rastin për të deklaruar në konferencën për shtyp: “Ne kemi nevojë për litium për bateritë, të cilat janë thelbësore, dhe ky material luan një rol po aq të rëndësishëm sa ka luajtur nafta deri më tani.”
Menjëherë pas kësaj, banka shtetërore gjermane për zhvillim KfË nënshkroi një letër qëllimi për bashkëpunim në projektin e minierës së litiumit, ashtu si edhe gjiganti gjerman i automobilave Mercedes-Benz.
Dokumentet e siguruara nga BIRN/Der Spiegel tregojnë qartë se anëtarët e ekipit të Vuçiçit, me Heeskens-in në krye, dhe qeveria gjermane kishin planifikuar ceremoninë e nënshkrimit që të paktën që nga marsi 2024 – shumë përpara vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Bieber theksoi se Gjykata Kushtetuese, ashtu si sistemi gjyqësor serb në përgjithësi, është larg të qenit e pavarur.
“Ajo vendos çfarëdo që dëshiron qeveria,” tha ai në anglisht. “Nuk fton një komisioner të BE-së dhe kancelarin gjerman të vijnë në Serbi nëse nuk e di që kjo do të ndodhë me siguri.”
Komisioni Evropian përfaqësohej nga Maros Sefcovic, i cili në atë kohë ishte nënkryetar ekzekutiv për Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, por disa muaj më vonë u bë Komisioner për Tregtinë dhe Sigurinë Ekonomike.
“Ajo që bie në sy është se ky bashkëpunim sugjeron se Gjermania ishte bashkëfajtore – se qeveria gjermane e dinte që Serbia nuk e kishte braktisur kurrë projektin dhe ishte pjesë e tij. Në thelb, kjo ishte një mbulim i së vërtetës, sepse qeveria serbe pretendonte se projekti ishte pezulluar,” vazhdoi Bieber.
Sipas Bieber-it, çdo qeveri gjermane që do të kapej duke fshehur nga publiku një projekt me përmasa të tilla do të rrëzohej. Jo ajo e Serbisë.
Sipas raportit të aktivitetit për partneritetin institucional për periudhën mars 2023 – korrik 2024, ceremonia e nënshkrimit duhej të “komunikohej ndërkombëtarisht si rinisja zyrtare e projektit Jadar” dhe kërkonte bashkëpunim më të madh me kabinetin e Vuçiçit për të krijuar “pranim më të lartë publik për këtë projekt”.
Një burim diplomatik, i cili foli në kushte anonimiteti, sugjeroi se Heeskens kishte luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e projektit të minierës së Jadarit, edhe pse ambasada gjermane në Beograd vazhdonte të mbante një qëndrim zyrtarisht neutral.
“Serb i egër” apo lider autoritar i besueshëm?

Vuçiçi e ka parë prej kohësh Berlinin si qendrën e vërtetë të pushtetit në Evropë, adresën më të rëndësishme ku duhen shtyrë përpara interesat e Serbisë.
Po ashtu, Gjermania e sheh Serbinë si një zonë të rëndësishme ekonomike në Ballkan: gjeografikisht të afërt, me një fuqi punëtore të lirë dhe me një shtet që ofron subvencione të mëdha për investitorët e huaj.
Ajo gjithashtu e di se Serbia është kyçe për stabilitetin rajonal përmes ndikimit që ushtron mbi serbët në shtetet fqinje – Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi, anëtar i NATO-s.
Në këtë kuptim, edhe termi që përdorej për Vuçiçin si “serbi im i egër” ishte gjithashtu domethënës. Në një rajon që Perëndimi ende e sheh përmes prizmit të shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë në vitet 1990, kur Serbia dërgoi njerëz, para dhe armë për të zhvilluar luftëra në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, kthimi i vetëshpallur i Vuçiçit drejt kauzës evropiane u pa si një ndryshim i madh.
Ai kishte kredencialet për t’i mbajtur nën kontroll elementët më radikalë, pavarësisht sjelljes së tij në politikën e brendshme. Ai ishte konservator, por pro-evropian.

“Ky kombinim është ai që bëri që Angela Merkel, paraardhësja e Scholz-it, të mbetej një mbështetëse e fortë e Vuçiçit edhe pasi u bë e qartë se ai nuk po sillej në mënyrë demokratike,” tha Bieber.
Heeskens e njeh mirë rajonin. Në një intervistë, ai tha se kishte studiuar dhe punuar në kryeqytetet e Bosnjës, Kroacisë dhe Serbisë. Bashkëshortja e tij është serbe dhe, sipas të dhënave kadastrale, ai zotëron të paktën dy apartamente në Beograd.
Njëri prej tyre ndodhet në kompleksin Belgrade Waterfront, në bregun e djathtë të lumit Sava, një nga projektet infrastrukturore më emblematike të Vuçiçit, për të cilin parlamenti pezulloi kuadrin normal ligjor për 100 vitet e ardhshme.
I kritikuar nga arkitektët si një projekt që dëmton panoramën eklektike të Beogradit të vjetër, Belgrade Waterfront është një zhvillim gjigant me pallate luksoze, lëndina të mirëmbajtura dhe butikë ekskluzivë, ku disa prona kushtojnë më shumë se 5,000 euro për metër katror. Kjo ndodh në një vend ku paga mesatare neto në mars të këtij viti ishte rreth 790 euro në muaj, që do të thotë se 50 për qind e popullsisë fiton aq ose më pak.
Sipas çmimeve aktuale të tregut, apartamenti i Heeskens-it vlen më shumë se 500,000 euro.
Gjermani zotëron gjithashtu 41.6 për qind të aksioneve të kompanisë Happy Hazelnuts, të cilën e bashkëthemeloi në vitin 2021, sipas Regjistrit të Bizneseve të Serbisë. Kompania është e regjistruar në sektorin e bujqësisë, por nuk ka raportuar të ardhura të konsiderueshme.
Në kartën e tij të biznesit, Heeskens identifikohet si “Savetnik predsednika Republike” (“Këshilltar i Presidentit të Republikës”), megjithëse zyrtarisht është punonjës i Shoqatës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, në kuadër të një projekti të miratuar nga Ministria Gjermane e Ekonomisë dhe Energjisë.
Pasi BIRN/Der Spiegel e kontaktoi për koment, Heeskens hoqi nga profili i tij në LinkedIn përshkrimin si këshilltar presidencial dhe e ndryshoi atë duke deklaruar thjesht se punon në zyrën e presidentit.

Nemanja Nenadiç, drejtoreshë ekzekutive e Transparency Serbia, tha se sipas ligjit Heeskens nuk është këshilltar presidencial.
Këshilltarët presidencialë duhet të emërohen nga presidenti dhe emërimi i tyre duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare të Serbisë. Ata paguhen nga buxheti shtetëror serb. Institucionet shtetërore mund të angazhojnë konsulentë përmes procedurave të prokurimit publik ose donacioneve, por puna për të cilën kontraktohen duhet të bjerë brenda kompetencave të institucionit përkatës, tha Nenadiç për BIRN/Der Spiegel.
Sipas Kushtetutës, Vuçiçi ka autoritet të emërojë, promovojë dhe shkarkojë oficerë të ushtrisë, të shpërndajë parlamentin dhe të caktojë zgjedhje. Roli i tij është në thelb ceremonial dhe nuk ka të bëjë me drejtimin e përditshëm të vendit.
“Çështja më problematike këtu është se presidenti i republikës – pra kabineti i tij – merret me këto tema dhe, rrjedhimisht, pse marrëveshja me ministrinë gjermane nuk u lidh nga qeveria serbe ose nga një prej ministrive të saj,” tha Nenadiç.
E pyetur pse kishte nënshkruar një marrëveshje të tillë drejtpërdrejt me presidentin serb, i cili nuk ka kompetenca në çështjet ekonomike, Ministria Gjermane e Ekonomisë dhe Energjisë i tha BIRN-it: “I takon qeverisë serbe të përcaktojë partnerin e duhur brenda strukturave qeveritare për bashkëpunimin dypalësh.”
Si president, Vuçiçi nuk ka rol formal në qeveri dhe përfaqëson një shtyllë të veçantë, jopartiake, të demokracisë. Megjithatë, ministria gjermane deklaroi se partneriteti me Vuçiçin “ka qenë shumë i suksesshëm në krijimin dhe zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme gjermane” dhe në ofrimin e “këshillimit intensiv për qeverinë serbe në zhvillimin e kuadrit administrativ për rregulloret minerare, procedurat e lejeve dhe vlerësimet e ndikimit mjedisor”.
Edhe këto janë fusha që bien nën përgjegjësinë e qeverisë dhe jo të presidentit.
E pyetur nëse Heeskens paguhej edhe nga Serbia, Shoqata Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), punëdhënësi i tij zyrtar, i tha BIRN/Der Spiegel: “Sipas dijenisë sonë më të mirë, zoti Heeskens nuk merr asnjë kompensim shtesë.”
“Çdo punonjës i GIZ-it është i detyruar të veprojë me integritet. Parimet e integritetit janë pjesë e kontratës së punës,” shtoi organizata.
Pas 13 vitesh pune kaq të afërt së bashku, Vuçiçi dhe Heeskens janë bërë miq, tha për BIRN një burim i njohur me marrëdhënien e tyre, duke kërkuar të mbetet anonim. Ndoshta kjo shpjegon edhe lavdërimet e shumta publike që Heeskens i ka bërë presidentit, në një masë që mund të ngrejë pikëpyetje duke pasur parasysh pozitën e tij formale si përfaqësues i një ministrie të qeverisë gjermane.
“Në Serbi, dy milionë njerëz votojnë për presidentin sepse janë ekonomikisht më mirë, jo sepse shikojnë ato kanalet ‘e çuditshme’ televizive,” tha Heeskens gjatë një tryeze të rrumbullakët në Berlin, të organizuar nga Oda Ekonomike e Serbisë, sipas raportit të vetë Odës mbi aktivitetin.
Raporti thoshte se Heeskens po i përgjigjej “imazhit të thjeshtuar të Serbisë që shpesh paraqitet nga politika dhe mediat perëndimore, i cili nuk merr parasysh realitetet serbe.”
Tensionet
Në nëntor 2024, ndërsa deputetët përlesheshin në parlament për shkak të shembjes fatale të strehës prej betoni në stacionin hekurudhor, Heeskens “inicioi dhe përgatiti vizitën e 15 kompanive gjermane të sektorit minerar në Beograd, si dhe vizitën në terren në Luginën e Jadarit, në Serbinë perëndimore”, sipas raportit të aktivitetit mbi marrëveshjen e partneritetit për periudhën korrik 2024 – janar 2025.
Më pas, më 27 janar 2025, ndërsa studentët bllokonin një nga arteriet kryesore të trafikut në Beograd për të kërkuar përgjegjësi për tragjedinë, një delegacion i Ministrisë Gjermane të Ekonomisë dhe Energjisë mbërriti në Serbi për, ndër të tjera, t’u takuar me përfaqësues të Rio Tinto-s.
Në një memorandum të ministrisë lidhur me këtë vizitë, të siguruar nga BIRN/Der Spiegel, citohet Rio Tinto duke kërkuar mbështetje gjermane për komunikimin me shoqërinë civile serbe dhe për forcimin e kapaciteteve të qeverisë serbe.
Në dokument thuhet se Ministria Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim kishte vënë në dispozicion rreth 4.9 milionë euro për mbështetjen e projektit Jadar, duke shtuar: “Fondet synojnë kryesisht punën këshillimore dhe ngritjen e kapaciteteve të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë civile në fushën e vlerësimit të ndikimit mjedisor, si dhe mbështetjen e negociatave ndërmjet qeverisë serbe dhe Rio Tinto-s.”
Në përgjigje për BIRN/Der Spiegel, ministria tha se synimi ishte të mbështeste Serbinë në zbatimin e standardeve më të larta sociale dhe mjedisore, për të mundësuar nxjerrjen e përgjegjshme dhe të qëndrueshme të lëndëve të para, përfshirë litiumin. Nga 4.9 milionë eurot e premtuara, tha ajo, “është zbatuar vetëm një pjesë”.
Dokumentet e siguruara nga BIRN/Der Spiegel përfshijnë edhe përmbledhjen e një videokonference të zhvilluar pas vizitës në Serbi, ku theksohej “mungesa e ekspertizës dhe kapacitetet e kufizuara të palës serbe”, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes së Mjedisit, si dhe konstatohej se “kritikat e forta nga shoqëria civile po e ndërlikojnë më tej projektin”. Gjithashtu thuhej se, sa i përket mbetjeve minerare dhe menaxhimit mjedisor, Rio Tinto “e kishte përmirësuar ndjeshëm cilësinë e projektit të planifikuar”.
Në qershor 2025 pati një tjetër vizitë në Serbi nga përfaqësues të ministrisë gjermane. Me këtë rast, delegacioni dhe një punonjës i ambasadës gjermane në Beograd u takuan me Heeskens-in, shefin e kabinetit të Vuçiçit, Ivica Kojiç, si dhe me Milan Novakoviçin, shefin e kabinetit në Ministrinë serbe të Minierave dhe Energjisë.

Sipas përmbledhjes së takimit, të hartuar nga ministria gjermane dhe të siguruar nga BIRN/Der Spiegel, Novakoviçi deklaroi se Rio Tinto “është shumë e kënaqur me bashkëpunimin me Ministrinë serbe të Minierave dhe Energjisë. Ndërtimi planifikohet të nisë në verën e vitit 2026, ndërsa nxjerrja e mineralit pritet të fillojë në fund të vitit 2028 ose në fillim të vitit 2029.”
Në atë kohë, marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Vuçiçit ishin nën tension të madh për shkak të reagimit të qeverisë serbe ndaj protestave të udhëhequra nga studentët. Kjo përfshinte raste të dokumentuara të brutalitetit policor, pretendime se policia kishte kërcënuar protestuesit me vdekje dhe dhunë seksuale, si dhe përdorimin e tabloideve pranë qeverisë për të diskredituar kritikët. Vuçiçi kishte fyer gjithashtu deputetë të Parlamentit Evropian dhe kishte akuzuar Kroacinë, republikën e fundit ish-jugosllave që iu bashkua BE-së, se po nxiste protestat për ta dobësuar atë.
Megjithatë, raportet e vazhdueshme të aktivitetit mbi “marrëveshjen e partneritetit”, ku përfshihej edhe Heeskens, pothuajse nuk e përmendnin këtë krizë politike.
Një nga referencat e rralla erdhi gjatë vizitës së qershorit 2025, kur përfaqësuesit e qeverisë gjermane u takuan edhe me ambasadoren gjermane në Serbi, Anke Konrad. Sipas një tjetër përmbledhjeje të takimit, u vlerësua se “situata aktuale midis qeverisë serbe dhe lëvizjes protestuese ndodhet në një ngërç, të karakterizuar nga mosbesim i ndërsjellë dhe mungesë dialogu.”
Gjithashtu thuhej: “Edhe marrëdhëniet e ambasadës me qeverinë serbe janë të vështira dhe Gjermania po përballet me akuza se mbështet lëvizjen protestuese.” Megjithatë, kjo nuk e ndali bashkëpunimin për litiumin.
Një shënim i brendshëm i Ministrisë Gjermane të Ekonomisë dhe Energjisë, i datës 6 tetor 2025, theksonte mbështetjen e Gjermanisë për “ndërtimin e kapaciteteve administrative në Serbi për miratimin e projekteve minerare, edhe në situatën aktuale politikisht të ndërlikuar të vendit.”
Në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa Vuçiçi dhe SNS-ja ndodheshin nën presion të madh për shkak të shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor dhe po shtoheshin thirrjet për zgjedhje të parakohshme, Rio Tinto njoftoi se po e vendoste projektin e minierës së Jadarit “nën kujdes dhe mirëmbajtje”, një term korporativ që nënkupton kufizimin e shpenzimeve dhe, në praktikë, ngrirjen e projektit. Megjithatë, kompania theksoi se ruante të gjitha të drejtat ligjore për të zhvilluar minierën.
Kundërshtarët e projektit janë skeptikë ndaj këtij pezullimi, duke kujtuar “pikën përfundimtare” të Brnabiçit në vitin 2022, e cila në fakt rezultoi të ishte vetëm një presje.
Në të vërtetë, më 25 nëntor të vitit të kaluar, vetëm pak ditë pasi Rio Tinto pezulloi projektin, Ministria Gjermane e Ekonomisë dhe Energjisë nënshkroi një marrëveshje me autoritetet e landit të Saksonisë, sipas së cilës ky land i Gjermanisë Lindore do t’i ofronte Serbisë ekspertizë në fushën e “Minierave të Gjelbra”. Në kuadër të marrëveshjes, ekspertët zhvilluan dy vizita në Serbi, në dhjetor dhe më pas në mars, megjithëse në prill qeveria gjermane i deklaroi Bundestagut se “nuk kishte pasur diskutime me qeverinë serbe” lidhur me projektin e propozuar të minierës së litiumit në Jadar pas njoftimit të Rio Tinto-s në nëntorin e vitit të kaluar.
Duke ushqyer më tej skepticizmin, në prill të këtij viti Parlamenti i Serbisë miratoi një Strategji të re për Menaxhimin e Burimeve Minerare dhe Burimeve të Tjera Gjeologjike, e cila e përmend shprehimisht projektin në Luginën e Jadarit.
Më pas, më 22 maj, në një opinion të botuar në Fox Neës, ku shprehte vlerësime të shumta për presidentin amerikan Donald Trump, Vuçiçi promovoi rezervat e “shfrytëzueshme” të litiumit të Serbisë si të dytat më të mëdha në kontinentin evropian.
Këto rezerva, shkroi ai, “janë një burim jetik për pavarësinë industriale të Perëndimit – dhe ne po kërkojmë partnerë që vlerësojnë efikasitetin dhe rezultatet.”
Vuçiçi luan me kartën e ekonomisë, tha Bieber, “sepse e di që partnerët e tij janë shumë më të interesuar për këtë sesa për demokracinë.” “Të dyja palët përfitojnë në kurriz të qytetarëve dhe të demokracisë.”
Thellimi i lidhjeve ekonomike mes Gjermanisë dhe Serbisë
Lidhjet ekonomike midis Gjermanisë dhe Serbisë janë thelluar në mënyrë të vazhdueshme gjatë qeverisjes së Vuçiçit dhe Partisë Progresive Serbe (SNS).
Një nga raportet e aktivitetit të hartuar në kuadër të “partneritetit institucional”, ku përfshihet edhe Heeskens, përmend një rritje prej 63 për qind të tregtisë dypalëshe ndërmjet viteve 2015 dhe 2019, duke arritur në një vlerë totale prej 5.16 miliardë eurosh.
Rritja vazhdoi edhe pas ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia e COVID-19 dhe, sërish sipas raporteve të aktivitetit, tregtia dypalëshe “është pothuajse dyfishuar” që nga nënshkrimi i “partneritetit institucional” në vitin 2020.
Sipas të dhënave më të fundit, kompanitë gjermane në Serbi punësojnë rreth 80,000 persona, megjithëse disa nga raportet e aktivitetit theksojnë se rritja e pagave po bëhet një shqetësim në rritje për investitorët gjermanë, duke detyruar disa prej tyre të largohen nga Serbia ose të reduktojnë aktivitetin e tyre.
Megjithatë, anketa më e fundit e zhvilluar nga Oda Ekonomike Gjermano-Serbe tregon se 77 për qind e kompanive gjermane do ta zgjidhnin sërish Serbinë si destinacion për investimet e tyre.






