Ish-kreu i portit të Durrësit, Eduard Ndreu dhe tre ish-zyrtarë të tjerë janë nën hetim për abuzime me tenderat, por kompania e tyre e biznesit po shton fitimet dhe zgjeron aktivitetin nën dyshime të thella të konfliktit të interesit.
Pasi drejtoi për tetë vite autoritetin portual të Durrësit-porti më i madh i Shqipërisë, Eduard Ndreu u përfshi në telashe me drejtësinë pak kohë pas lënies së detyrës. Ai u akuzua se i shkaktoi 22.8 milionë lekë dëme buxhetit të shtetit përmes shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tre tendera; akuza të cilat e mbyllën për disa javë në qeli.
Pranverën e vitit 2015, Prokuroria e Durrësit urdhëroi arrestime edhe për dy ish-zyrtarë të lartë të portit përveç Ndreut; Mehmet Borshi, ish-kreu i drejtorisë inxhinierike dhe Agron Çopja, ish-shef i drejtorisë operacionale.
Megjithatë procesin hetimor në vazhdim dhe burgosjen e përkohshme, tre ish-zyrtarët e portit të Durrësit ia kanë dalë të shënojnë sukses në sipërmarrjen e tyre më të re; një kompani private e cila ofron projekte inxhinierike dhe konsulencë portuale dhe detare.
Engineering Maintenance Center, EMC, është një kompani e themeluar më 5 prill të vitit 2012 nga Aleksandër Gavoçi, një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimeve. Megjithatë, timoni i kompanisë EMC ndërroi drejtim, pak javë pasi Eduard Ndreu humbi punën si drejtor i Autoritetit Portual të Durrësit.
Më 24 tetor 2013, Ndreu u emërua administrator i EMC. Tre bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në portin e Durrësit, Mehmet Borshi, Agron Çopja dhe Halisa Duro e ndoqën atë në këtë biznes dhe në mars të vitit 2014, secili prej tyre bleu 25 për qind të aksioneve.
Për shtatë muaj, ish-drejtuesit e portit të Durrësit punuan të pashqetësuar për fuqizimin e kompanisë. Por më 30 maj 2014, Kontrolli i Lartë i Shtetit i kallëzoi ata penalisht në Prokurori për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.
Sipas raportit të KLSH, një kopje e të cilit disponohet nga BIRN, ish-drejtuesit e portit të Durrësit akuzohet se kanë kryer shkelje ligjore në tenderin për remontin e dy elektrovincave me vlerë 199 milionë lekë dhe tenderin e blerjes së pjesëve të këmbimit me vlerë 58.9 milionë lekë. Sipas KLSH, dëmi total në buxhet kap vlerën e 22.8 milionë lekëve.
Megjithatë, pozita e 4-ish-drejtuesve të portit u rëndua, kur u zbulua se kompania e tyre e biznesit, EMC ishte themeluar nga një biznesmen që kishte fituar tender multi-milionësh nga porti i Durrësit. Prokuroria dyshon gjithashtu se klientët e rinj të EMC janë ish-biznese që kishin kontrata me portin, në kohën që ai drejtohej nga Eduard Ndreu.
Një zyrtar i Prokurorisë së Durrësit i tha BIRN në kushtet e anonimatit se hetimi kundër Ndreut dhe tre ish-vartësve të tij vazhdon, edhe pse ka kaluar 1 vit e gjysmë nga kallëzimi penal i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
I kontaktuar nga BIRN, Eduard Ndreu refuzoi të komentojë akuzat e Prokurorisë për shpërdorimin e detyrës dhe shkeljen e barazisë në tendera. Ai refuzoi gjithashtu t’i përgjigjej pyetjes së BIRN mbi arsyet që e shtynë të blinte kompaninë e themeluar nga një biznesmen që kishte fituar tendera në Autoritetin Portual të Durrësit.
Abuzimet me tenderat
Eduard Ndreu njihet si një ndër drejtorët më jetëgjatë të autoritetit portual të Durrësit. Ai e ka drejtuar institucionin nga viti 2005 deri në vitin 2013, kohë kur Partia Demokratike humbi pushtetin. Por një audit i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbuloi shkelje të shumta me tenderat e zhvilluar nga ky institucion përgjatë periudhës 2010-2013.
Në qendër të akuzave, KLSH vuri ish-drejtorin e Autoritetit Portual Durrës, Eduard Ndreu dhe tre ish-vartësit të tij, Borshi, Çopja dhe Durro, të cilët dyshohet se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 22 milion e 800 mijë lekë. Ndaj tyre u depozitua një kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit. Shkeljet ku vëreheshin elementë penale, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit iu përcollën për hetim Prokurorisë së Durrësit më 30 maj të vitit 2014.
Pas verifikimeve të para, Task Forcë në Prokurorinë e Durrësit më 1 korrik 2014 regjistroi procedimin penal për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Më 7 mars 2015, Prokuroria doli me 3 urdhër-arreste për Ndreun, Borshin dhe Çopjen, duke konfirmuar dyshimet fillestare të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ndreu rifitoi lirinë pak javë pas arrestimit në Gjykatën e Apelit, ndërsa ish-vartësit e tij u liruan më pas. Megjithatë, dosja e tyre është ende e hapur në Prokurorinë e Durrësit, e cila nuk ka vendosur ende nëse do t’i çojë ish-zyrtarët përballë gjykatës.
Sipas KLSH-së dhe Prokurorisë, Eduard Ndreu konsiderohet përgjegjës për dy tendera, remonti i përgjithshëm i dy elektrovinçave me vlerë mbi 199 milion lekë të reja dhe “blerje pjesë këmbimi elektrike, elektronike për elektrovinça 16-27 ton” me vlerë pa tvsh 58.920.000 lekë.
“Në këto dy tendera, kualifikimi, shpallja fitues i një bashkimi operatorësh si dhe lidhja e kontratës është kryer në kundërshtim me kuadrin ligjor përkatës”, thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Duke detajuar shkeljet në tendera KLSH thotë se për këtë procedurë prokurimi nuk është hartuar projekti teknik i zbatimit edhe pse është planifikuar në plan biznesin e vitit 2011 në vlerën e 4.2 milion lekëve.
“Mungesa e një projekti të tillë ka sjellë si pasojë anomali në remontin e dy vinçave 16-27 ton, duke amenduar kontratën, çka ka sjellë dëm për shtetin dhe ka shkelur barazinë në tender”, thuhet në raport.
“Nuk janë zbatuar termat e referencës për të përgatitur një plan të detajuar të remontit, para se të fillonte remonti i vinçave, i cili duhej të miratohej nga departamenti teknik i Autoriteti Portual Durrës”, pretendon prokuroria, duke iu referuar procedurave të tenderit për remontin e dy elektrovinçave.
Paralelisht me këtë shkelje, Prokuroria konfirmoi edhe anomali të tjera në procedurat prokuroruese. Prokuroria evidentoi si shkelje tre amendime që i ishin bërë kontratës së nënshkruar mes Autoritetit Portual Durrës dhe bashkimit të përkohshëm të tre operatorëve ekonomikë, fitues të tenderit. Këto amendime ishin bërë në kundërshtim me shtojcën dy të dokumenteve të tenderit duke shkelur kështu sipas prokurorisë barazine në tender.
Ish-drejtori i Autoritetit Portual u akuzua se elektrovinçat që do i nënshtroheshin remontit të plotë ishin transferuar nga një kompani që operonte në Portin e Durrësit kundrejt një pagese e cila sipas prokurorisë është 22 milionë e 800 mijë lekë.
“Transferimi i 2 elektrovinçave 16-27 ton është bërë me një diferencë nga shpenzimet e kryera për remontin e tyre në vleren 22,800,000 leke”, argumentoi prokuroria, duke e faturuar këtë shumë si dëm kundër buxhetit të shtetit.
Ish-zyrtarët e Autoritetit Portual Durrës janë nën hetim nga Prokuroria e Durrësit që prej datës 1 korrik të vitit 2014.
Të kontaktuar nga “BIRN”, burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme thanë se kjo çështje vijon të jetë nën hetim për shkak të kompeksitetit që ka, pa dhënë një datë se kur ajo do të dërgohet në gjykatë.
Kompania e dyshuar
Paralelisht me hetimin për tenderat në autoritetin portual të Durrësit, Prokuroria e Durrësit nisi verifikimet edhe për kompaninë e biznesit me ortakë 4-ish-zyrtarët e akuzuar, Engineering Maintenance Center.
Sipas regjistrit tregtar, EMC është regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Biznesit më prill 2012 nga pronari i “Vega Group”, Aleksandër Gavoci. Në kohën e themelimit të kësaj kompanie të re, “Vega Group” ishte në marrëdhënie kontraktuale me autoritetin portual të Durrësit.
Sipas të dhënave në faqen e saj të internetit, Vega kishte fituar tenderin për rikonstruksionin e kalatës nr.10, ML 270 në portin e Durrësit. Afati i punimeve zgjaste deri në vitin 2013, ndërsa vlera e kontratës i kalonte 1 miliardë lekët.
Kompania e vogël EMC nuk ka pasur aktivitet tregtar deri më 7 tetor 2013, kohë kur pronari i saj vendos ta shesë për 100 mijë lekë. Blerësja e kompanisë ishte shtetasja Valentina Ndreu, një e moshuar për të cilën Prokuroria e Durrësit ka vërtetuar se njihej me Eduard Ndreun.
Kompania ka qëndruar nën administrimin e Valentina Ndreut për 3 javë dhe i ka kaluar Eduard Ndreut më 24 tetor 2013. Ndërsa në mars të vitit 2014, Ndreu bashkë me tre ish-zyrtarët e tjerë kanë blerë 100 për qind të aksioneve nga Valentina Ndreu.
Secili prej tyre ka marrë 25 për qind të aksioneve dhe ka paguar 25 mijë lekë. Ky transaksion ka krijuar dyshime te prokuroria, e cila ka përfshirë në hetime aktivitetin e kompanisë “EMC” pasi dyshohet se ka përfituar para nga tenderat e Autoritetit Portual gjatë kohës që ky institucion drejtohej nga Eduard Ndreu dhe tre ish-vartësit e tij, tashmë pronarë të kompanisë.
Në seancën për caktimin e masës së sigurimit, prokurori i çështjes insistoi përpara gjykatës per njohjen e mëparshme mes Eduard Ndreut dhe Valentina Ndreut, që zotëronte kompaninë e cila iu shit ish-zyrtarëve të Portit.
Edhe pse hetimet ishin në proces, prokurori Dritan Gina pohoi para gjykatës se kompania “EMC” ka përfituar para publike në periudhën kur Autoriteti Portual drejtohej nga shtetasi Eduard Ndreu.
Një zyrtar i Prokurorisë së Përgjithshme i tha BIRN në kushtet e anonimatit se ka disa elemente që hedhin dyshime të forta për përfshirjen e ish-zyrtarëve të Portit në aktivitetin e mëparshëm të kompanisë EMC. Nga ana tjetër, bilancet e kompanisë, të pasqyruara në QKR tregojnë një rritje të menjëhershme të aktivitetit monetar, që prej kohës kur EMC u mor nën administrim nga Ndreu.
“Deri në momentin e shitjes kompania nuk kishte asnjë aktivitet tregtar. Sapo ajo u ble nga të dyshuarit, bilancet e saj kapën shifrën e 500 mijë eurove”, tha zyrtari i prokurorisë në kushtet e anonimatit.
Kompania EMC ka si aktivitet shërbimet inxhinierike në fushën e transportit, dizenjimin dhe projektimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e mjeteve me motor dhe rimorkio. Gjithashtu, kjo kompani ofron konsulencë Portuale dhe Detare mbi inxhinierinë, menaxhimin, programimin dhe zhvillimin si dhe shërbime portuale.
Administratori i kompanisë “EMC” Eduard Ndreu më 1 shator të këtij viti ka vendosur të hapë adresën dytësore të kompanisë, e cila tashmë ushtron aktivitet edhe në Portin e Durrësit, në ofiçinën e mirëmbajtjes së mjeteve në terminalin lindor.
Bilancet e saj, të pasqyruara në QKR vazhdojnë dhe rriten, pavarësisht faktit se 4 aksionerët e kompanisë ndodhen në një proces të gjatë hetimor me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera.
Leonard Bakillari është marrës i grantit hulumtues të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri, BIRN Albania, bërë i mundur me mbështetjen e USAID. Opinionet e autorit të shprehura në artikull jo domosdoshmërish reflektojnë ato të USAID apo të qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës