Duke e konsideruar operacionin “Laguna e Vilunit” “sukses”, ministria tha se do të nisë hetime për nxjerrjen e dokumenteve sekrete në media pa mohuar vërtetësinë e tyre.
Ministria e Brendshme deklaroi sot se “është e shqetësuar për nxjerrjen e sekretit hetimor” në rastin e publikimit një dokumenti sekret të policisë nga ABC Neës, dokument që tregon se deputeti KristianDemokrat Mark Frroku fshehu një person të kërkuar për trafik droge në makinën e tij duke përdorur imunitetin parlamentar për të parandaluar arrestimin e të dyshuarit nga policia.
“Jemi të shqetesuar në lidhje me dokumentacionin sekret që është nxjerrë në media, duke dekonspiruar punonjesit e policisë që kanë vepruar në këtë operacion, si dhe detaje të procedimit, gjë që rrezikon jetën e këtyre punonjesve dhe mbarevajtjen e hetimit”, deklaroi ministria në një njoftim për shtyp, pa mohuar vërtetësinë e dokumentit, por duke sugjeruar se prokuroria e krimeve të rënda qe bashkëpërgjegjëse për operacionin. “Për këtë Policia e Shtetit do te inicojë ndjekje penale,” vijon më tej deklarata.
ABC News publikoi të hënën një raport të nënshkruar nga 9 punonjës policie në lidhje me një operacion policor të njohur si “Laguna e Vilunit”. Në dokumentin e publikuar thuhet se në natën mes 1 dhe 2 tetorit, një grup policor po mbante nën vrojtim një person të kërkuar në lidhje me operacionin kundër trafikut të drogës “Laguna e Vilunit”.
Një makinë nisi rrugëtimin e daljes nga Tirana dhe u ndalua nga forcat policore në Kamzë.
” …Reth dy minuta automjeti ka qëndruar pa lëvizur dhe dyert janë konstatuar nga ana jonë të mbyllura, më pas nga pjesa e pasme e automjetit është ulur xhami i krahut të pasagjerit dhe një person rreth moshës 40- 45 vjeç i veshur me kostum ngjyrë blu e errët është prezantuar si deputet i parlamentit të Shqipërisë me emrin Mark Frroku, pas kontaktit vizual i njohur nga ana jonë, ai gjithashtu ka sqaruar shprehimisht ndër te tjera se: Automjeti mund të kontrollohet vetëm me vendim të parlamentit pasi unë jam deputet, automjeti është në pronësinë time”, thuhet në dokumentin e publikuar.
Sipas dokumenteve, Frroku përdori imunitetin e tij parlamentar për të penguar policinë të hyjë në makinën e tij ndërkohë që policët e përfshirë në operacion komunikuan me prokurorinë dhe me përgjegjësit e tyre ku nuk morën leje për të ndërhyrë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 73, thotë se deputeti nuk mund të ndalohet apo të kontrollohet pa lejen e parlamentit në hetimet e zakonshme, por ky imunitet bie në rast se bëhet fjalë për gjendjen e flagrancës. “Deputeti mund të ndalohet ose të arrestohet pa autorizim kur kapet në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi,” thuhet në kushtetutë. Mbetet e paqartë se pse policia dhe prokuroria nuk vlerësoi si “kushte flagrance” fshehjen e një të kërkuari për trafik ndërkombëtar droge në makinën e një deputeti.
Mark Frroku mohoi ngjarjen. Në një deklaratë në faqen e tij në Facebook: “Nuk kam përdorur imunitetin për t’i dhënë ndihmë asnjë personi që është i përfshirë në aktivitete kriminale, apo që ka qenë në listën e personave të kërkuar nga drejtësia”.
Nga ana e saj, Ministria e Brendshme deklaroi se: “për sa i përket insinuatave me natyrë politike, për veprimet operacionale policore, Policia e Shtetit sqaron se vendimet gjatë çdo faze të operacionit Laguna e Vilunit, jane marrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me të cilën ka ndjekur këtë prej më shumë se një viti procedimin penal për veprimtarinë e këtij grupi kriminal”.
Partia Demokratike deklaroi se ngjarja e 1 tetorit 2014 është përdorur nga qeveria si shantazh ndaj Frrokut në mënyrë që ky i fundit t’i qëndrojë vijës së qeverisë në lidhje me hetimet aktuale mbi akuzat e deputetit Tom Doshi ndaj kreut të kuvendit Ilir Meta.
Doshi pretendon se ai u paralajmërua fillimisht për tentativën për vrasje nga Mark Frroku. Frroku mohoi publikisht që kjo ngjarje të ketë ndodhur.
“Trafikanti u la i lirë, dhe deputeti Frroku gjithashtu nuk pati asnjë pasojë, sepse e gjitha kjo është në funksion të manipulimit të hetimit, dhe fshehjes së të vërtetës, në lidhje me akuzën më të rëndë të 25 viteve të fundit, që Kryetari i Parlamentit ka porositur vrasjen e dy deputetëve,” deklaroi Arben Ristani, deputet i Partisë Demokratike.