Përfshirja e teknologjisë në mjetet shkollore nuk është një zgjidhje e mirëqenë e problemit të performancës së ulët të nxënësve në shkolla. Të tjera mundësi duhen marrë parasysh për të pasur sukses në uljen e hendekut mes nxënësve shumë të mirë dhe atyre që hasin vështirësi në nxënie.
Është diçka që biem pothuajse të gjithë dakord se arsimi më i lartë është i mirë për shoqërinë. Por rezulton se disa politika të njohura të arsimit arrijnë shumë pak, ndërsa të tjera të cilat shpërfillen, mund të bëjnë një ndryshim të madh.
Pakësimi i klasave duket se sjell një përmirësim të qartë, por në vetvete, klasat më të vogla në përmasa nuk kanë treguar se shtojnë performancën e edukimit. Po kështu, zgjatja e ditës së mësimit duket si një mënyrë e lehtë për t’u siguruar se nxënësit do të mësojnë më shumë, por kërkimet zbulojnë se koha e kaluar në shkollë ka më pak rëndësi nga aktiviteti që zhvillohet atje.
Dhe kërkimi i ri nga Qendra e Konsensusit të Kopenhagenit, një grup analistësh që unë drejtoj, nënvijëzon faktin intuitiv se pajisja e klasave me libra shkollorë shtesë apo kompjuterë nuk është garanci për më tepër arsim, gjithashtu. Si pjesë e projektit që kërkon zgjedhjet më të zgjuara politike për Bangladeshin, Atonu Rabbani i Universitetit të Dhakës tregon se mësimi i ndihmuar nga teknologjia ka një reagim të ndryshëm. Ofrimi i kompjuterëve te nxënësit pati ndikim në Indi, por ndikoi shumë pak në Kolumbi. Në Shtetet e Bashkuara, prezantimi i kompjuterëve ka qenë i dënshëm kur nuk është mbështetur nga mbikëqyrja prindërore dhe udhëzimet e mësuesve.
Ky zbulim është mbështetur nga një studim i fundit i OSBE, që zbuloi se gjatë dekadës së fundit, nuk ka pasur “përmirësim të ndjeshëm” në arritjet e nxënësve në vendet e pasura që investuan më shumë në teknologji për arsimin.
Çuditërisht, e njëjta gjë është e vërtetë kur vjen puna për gjërat themelore, si përmirësimet tradicionale të shkollimit duke ofruar libra shtesë dhe duke ndërtuar biblioteka. Në kërkimin vlerësues të politikëbërësve në Bangladesh, Rabbani zbuloi se vetëm në një rast shtimi i teksteve shkollore kishte përmirësuar ndjeshëm rezultatet në teste – dhe vetëm nxënësit më të mirë përfituan.
Projektet moderne si ofrimi i laptopëve për nxënësit tërheqin më tepër mbështetje financiare, por nuk janë gjithnjë para të shpenzuara mirë. Peruja, që ka marrë një të tretën e të gjithë laptopëve të ofruar përmes organizatës Një Laptop për Fëmijë, mirëpriti të parin test kontrolli për të parë nëse fëmijët me një kompjuter dilnin më mirë në mësime sesa ata që nuk kishin të tillë. Përfundimi? “Nuk ka ndikime mbi arritjet akademike dhe aftësitë konjitive”. Në fakt, mësuesit raportuan se fëmijët që morën laptopë kishin më pak gjasa të angazhoheshin në shkollë.
Por si mund të bëjnë politikëbërësit më tepër mirë? Një studim i ngjashëm në Xhamajkë sugjeroi se ndërhyrjet e hershme në fëmijëri mund të bëjnë shumë ndryshim.
Studimi xhamajkian u përqendrua te fëmijët që vuanin nga kequshqimi kronik që preku 171 milionë fëmijë në shkallë në vitin 2010. Rritja e pakët që vjen prej ushqimit të keq nga ana e mëmës dhe cilësia e dobët të ushqimit, fillon që përpara lindjes. Pasojat afatgjata mund të përfshijnë zhvillim të vonuar konjitiv, produktivitet të ulët dhe rritje të rrezikut të prekjes nga disa sëmundje.
Në mes të viteve 1980, punonjësit social xhamajkianë vizituan fëmijët me vonesa në zhvillim në shtëpitë e tyre për një orë çdo javë për dy vite, duke u mësuar nënave si të luanin me fëmijët e tyre dhe të promovonin zhvillimin. Në fillim, fëmijët kishin probleme të zhvillimit në testet e kryera krahasuar me bashkëmoshatarët. Por pas dy viteve të vizitave në shtëpi, zhvillimi i fëmijëve u përmirësua. Dhe kur kërkuesit u kthyen 20 vite më pas, rezultatet ishin fantastike. Fëmijët me probleme zhvillimi fitonin po aq sa bashkëmoshatarët e tyre. Ata që nuk kishin qenë pjesë e programit fitonin 25 për qind më pak.
Në Bangladesh, gjashtë millionë fëmijë vuajnë nga zhvillimi i vonuar – katër në çdo dhjetë fëmijë nën moshën pesë vjeç, krahasuar me mesataren globale prej 25 për qind.
Ngritja e qendrave të edukimit të hershëm në fëmijëri në Bangladesh mund të transformojë jetët, me një kosto rreth 300 dollarë për nxënës. Bazuar në studimin xhamajkian, të ardhurat e përfitimit që sjell ky investim shkojnë deri në 10,000 dollarë përgjatë jetës së çdo fëmije. Në një vend ku të ardhurat për frymë janë vetëm pak mbi 1000 dollarë, kjo ka rëndësi. Çdo dollar i shpenzuar do të ndihmonte fëmijët në disavantazh të bëheshin 35 dollarë më produktivë.
Një tjetër qasje arsimore që është premtuese, është “kanalizimi”, ku nxënësit cakohen në grupe sipas niveleve të tyre arsimore. Kjo mund të jetë kontraversale sepse perceptohet si margjinalizim i nxënësve që nuk janë shumë të mirë. Por gjithnjë e më shumë po pranohet fakti se mësuesit mund të përqendrojnë përpjekjet më mirë kur klasat kanë një hendek më të vogël mes fëmijëve që performojnë mirë dhe atyre që nuk performojnë edhe aq mirë.
Në Indi dhe Kenia, kanalizimi ka ngritur notat në teste. Për Bangladeshin, vlerësohet se shpenzimi i 100 dollarëve në ndarjen e nxënësve (dhe me gjasa në shtim të mësuesve) do të rriste nivelin e performancës me dy deviacione standarde. Bazuar në studime të tjera, kjo do të shtonte fitimet vjetore deri me 8 për qind. Ky është një investim që sjell mjaft përfitime. Për çdo dollar të shpenzuar, vijnë 12 dollarë përfitime shoqërore.
Qoftë për Bangladeshin apo për diku tjetër, leksionet e vërteta që nxjerrim nga ky kërkim është se duhet të shohim përtej politikave trendi si shtimi i teknologjisë në klasa. Çelësi për progresin arsimor është të përqendrohemi në ndërhyrjet e mbështetura nga provat e besueshme shkencore.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Evidence on Education Reforms