Lajm26 Apr 2016

Rrugët e Shqipërisë, së shpejti 360 gradë në shërbimin Street View

Makinat e Google do të eksplorojnë nga 29 prilli rrugët kryesore dhe pikat turistike të Shqipërisë për të aktivizuar shërbimin e pamjes virtuale 360 gradë për përdoruesit shqiptarë.

Autor: BIRN Tiranë
Printo

Makinat e Google Street View | Foto nga : Google

Makinat e Google Street View | Foto nga : Google

Kompania Google njoftoi të martën se do të fillojë udhëtimet dhe fotografimin e rrugëve të Shqipërisë për të përmirësuar shërbimin “Pamje të Rrugëve”, të Hartave të Google, një shërbim mjaft i përdorur në Shqipëri.

“Nga 29 prilli, automjetet e Google do të fillojnë udhëtimin dhe shkrepjen e fotografive 360° nëpër qytetet e mëdha si Tiranë, Durrës, Sarandë dhe nëpër zonat turistike e historike të Shqipërisë” tha kompania në deklaratën për shtyp.

Shërbimi në fjalë, i lançuar në vitin 2007, është i disponueshëm në 76 shtete të ndryshme të botës dhe u mundëson përdoruesve në kompjuter dhe celular të bëjnë një eksporim virtual të rrugëve përmes fotografive panoramike.

“Kemi dëgjuar nga shumë prej përdoruesve tanë në Shqipëri se mezi presin ta përdorin shërbimin ‘Pamje të rrugëve’. Prandaj, sot jemi shumë të lumtur që ju njoftojmë për nisjen e udhëtimit si dhe për zbulimin e rrugëve dhe pikave më të bukura të Shqipërisë, për përdoruesit tanë anembanë botës. Kompanitë dhe përdoruesit shqiptarë do të përfitojnë gjithashtu nga te mirat e këtij shërbimi”, tha Antony Mcloughlin, Menaxher i Shërbimit “Pamje të Rrugëve” pranë Google.

Fotografimi në Shqipëri do të fillojë nga Tirana dhe do të përhapet përgjatë muajve në vazhdim në qytete dhe atraksione turistike. Shërbimi është mjaft i dobishëm për të përcjellë imazhe koherente të peizazhit shqiptar që nga qytetet bregdetare dhe malore deri te trashëgimia kulturore.

“Ky mjet do t’ua bëjë jetën e përditshme më të lehtë qytetarëve shqiptarë, duke u dhënë informacion të saktë mbi destinacionet, planet e udhëtimit dhe vendet me interes për t’u vizituar,” deklaroi Milena Harito, ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Për shkak se shërbimi do të transmetojë imazhe nga zonat e populluara të Shqipërisë, të dhënat personale dhe privatësia janë një temë mjaft e ndjeshme. Google është i detyruar të respektojë të gjitha ligjet shqiptare që mbrojnë privatësinë, për këtë arsye imazhet e “Pamje të rrugëve” do të mjegullojnë fytyrat dhe targat e automjeteve.

Pas marrjes së imazheve nga makinat e Google në rrugët shqiptare, do të duhen disa muaj për përpunimin e tyre dhe bërjen të disponueshme për përdoruesit.