Luftërat për qarkullimin e gazetave dhe përpjekjet e vazhdueshme për vlerësimet e larta të televizioneve kryesisht të privatizuara janë duke e shtyrë gazetarinë kulturore drejt humnerës.
Nga Jovan Ristic, Aida Sunje, Masha Durkalic, Biljana Nestoroska, Dejan Bugjevac , Nevena Madzarevic, Ersejla Murati dhe Ben Andoni
Beograd, Sarajevë, Tiranë
Bojan Bosiljcic është një viktimë e asaj që duket si një makinë e pastrimit të mediave të Ballkanit nga të gjitha mbulimet serioze të kulturës dhe në vend të kësaj të mbështeten në një regjim të programeve argëtuese dhe të reality shows (programe televizive nga jeta e përditshme).
Deri në vitin 2005, ai ishte redaktor i kulturës në sallën e lajmeve për transmetuesin publik të Serbisë, Radio Televizionin e Serbisë, RTS, që prodhonte tetë programe televizive mujore dhe dy javore, me një kohëzgjatje të përgjithshme mujore prej 720 minutave.
Por e gjithë kjo ndryshoi kur udhëheqësia e re e RTS-së e zbrazi Kanalin e Parë, kanali me shikueshmërinë më të lartë, nga e gjithë përmbajtja kulturore, duke zhvendosur programet në Kanalin e Dytë. Koha që më parë i ishte kushtuar kulturës në Kanalin e Parë tani shfrytëzohet nga reality shows siç është dasma 48 orësh.
Kohëzgjatja e përgjithshme mujore e shfaqjeve televizive kulturore që mbijetoi në Kanalin e Dytë ishte prerë në gjysmë për 360 minuta, dhe transmetimeve ju jepej një transmetim në orët e vona “të varrezave”. Meqë Kanali i Dytë gjithashtu transmeton raporte nga parlamenti, këto programe, sipas Bosiljcicit, shërbejnë vetëm për të mbushur boshllëqet në mes të programeve të tjera.
Kur u bënë ndryshimet në vitin 2005, Bosiljcic, në një intervistë për TV Novosti, tha se koha kryesore në RTS tani «ishte rezervuar për vajza, cilësia e vetme e të cilave është një kërthizë e zhveshur, ndërsa kultura është shtyrë në orët e vona». Menjëherë pas kësaj, atë e larguan nga puna. Që nga ajo kohë ai është në një proces ligjor, dhe sot punon si redaktor i lajmeve për Agjencinë e lajmeve Beta.
“Shërbimi publik ka një detyrim publik për të prodhuar programe edukative dhe kulturore, por ajo që ne kemi këtu tani nuk është kultura. Ajo çfarë tani shitet si kulturë nuk ka qenë kulturë për 15 vitet e fundit,” thotë ai.
“Të gjitha vlerat janë zhdukur në vitet nëntëdhjetë, kur ‘demokratizimi’ radikal [i mediave] doli në skenë,” shton ai. “Ne kemi arritur në një pikë ku media, e kontrolluar nga politikanët dhe manjatët dhe e lodhur nga kriza ekonomike, nuk kërkon as cilësi, as hulumtime.”
Bosiljcic ankohet rreth vlerave në ulje e sipër të medieve dhe mospërfillja e re ndaj kulturës së lartë nuk është aktuale vetëm në Serbi. E njëjta porosi mund të dëgjohet në të gjithë rajonin, në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë, Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë.
Media dhe mbulimi kulturor në veçanti kanë qenë të prekura në mënyrë dramatike nga tranzicioni në pronësi që ka rezultuar nga një ndryshim më i gjerë ekonomik nga një ekonomi socialiste në ekonomi të tregut të lirë.
Pronarët e rinj të shtëpive botuese dhe stacioneve televizive duken të bindur se vetëm formatet e stilit tabloid (sensacional) do t’ju krijojnë qarkullime të larta dhe vlerësime nga publiku. Hakmarrjet politike, skandalet e korrupsionit dhe tensionet etnike absorbojnë atë hapësirë nuk u jepet «info-argëtimit».
Stacionet televizive janë duke e zvogëluar numrin e minutave që i përkushtohen kulturës, ku kjo përfshinë transmetuesit publik që përdorin fondet publike, të cilët janë të detyruar të punojnë për <interesin publik>. Gazetat, të goditura rëndë nga kriza ekonomike, janë duke e ulur numrin e faqeve ose duke kaluar on-line në internet. Një pasojë është se aftësitë gazetareske më nuk janë duke u zhvilluar për punë analitike dhe investigative.
Së fundi, qeveritë nuk kanë vendosur politika kulturore që do të i dërgonin një mesazh të qartë publikut rreth vlerave që shoqëritë pritet të ushqejë.
Shumë kritikë frikësohen se pas dy dekadave të kësaj qasje populliste, publiku është mësuar me konsumimin ekskluziv të këtij lloji të mediave dhe oreksi i tij nuk mund të zgjerohet tani. Zëra të tjerë më optimistë thonë se çështjet mund të ndryshojnë me udhëzime më të mira nga qeveritë, dhe ku ministritë e kulturës do të ishin në krye të këtij ndryshimi.
Ndërkohë, në rajon, gazetarët që mbulojnë kulturën po humbin vendet e punës apo e lëshojnë vendin e punës në kërkim të pagave më të mira, shpesh jashtë fushës së kulturës dhe jashtë gazetarisë. Ata që qëndrojnë përballen me probleme në rritje lidhur me vendosjen e artikujve në gazetat dhe stacionet televizive ku punojnë. Edhe në qoftë se ata kanë sukses në mbajtjen e punës së tyre, ata gjithnjë e më shumë punojnë me përshkrime të reja të punës, që tani quhen departamente të «lifesyle», «show biznesit» ose «argëtimit».
Viktimë e luftës për audiencë:
Në Serbi, një dekadë pas rënies së Sllobodan Millosheviçit, qeveria ende ka punë për të përcaktuar politikën dhe prioritetet e saj kulturore. Në mungesë të këtyre, tabloizimi i mediave është në rritje të shpejtë, hapësirat e rezervuara për çështje kulturore po zvogëlohen dhe RTS-ja e financuar nga publiku vazhdimisht mburret se ka “vlerësimet më të larta” nga të gjitha stacionet televizive.
Vesna Milosavljeviç, drejtoreshë e portalit SEECult.org, thotë se RTS-ja ka dështuar «në dhënien e vëmendjes së duhur kulturës në lajmet e saj», gjë që demonstohet tani nga numri jodomethënës i programeve kulturore, të cilët edhe transmetohen në kohë të papërshtatshme.
Dragan Joviçeviç, kryeredaktor i gazetës së përditshme Danas, pajtohet me këtë. Situata e përgjithshme e mediave në Serbi është “tragjike” dhe mediat “kanë arritur nivelin më të ulët dhe kanë nevojë për infuzion të konsiderueshëm për t’i kthyer në jetë,” thotë ai.
Mbulimi kulturor ka vuajtur më shumë se kurrë. “Kultura këtu gjithmonë është trajtuar si diçka më pak e rëndësishme,” shpjegon ai, “por në këto rrethana është degraduar edhe më tej, duke humbur betejën kundër një fluksi të reality shows and argëtimeve të jetës së ulët.”
Në Serbi, redaksitë e mbetura të kulturës janë të vogla dhe të pazhvilluara, nëse ka mbetur ndonjë, thotë Valentina Bullatoviç, redaktore e kulturës në Agjencinë e lajmeve Beta. “Kjo është veçanërisht e vërtetë për televizionin. Atje nuk ka redaksi të kulturës me përjashtim të RTS-së dhe Studio B dhe në mesin e gazetave të shtypura vetëm Politika, Danas, Blic, Vecernje Novosti kanë redaksi të tilla.”
Dekoratë para fillimit të sportit:
Situata e rëndë është përkeqësuar më tej nga kriza ekonomike. Bosët e mediave janë duke i ulur shpenzimet, pagat dhe pagesat për konsulentët. Disa gazetarë që punojnë në fushën e kulturës i kanë lëshuar vendet e punës. “Disa revista që janë të specializuara për art dhe kulturë janë zhdukur tërësisht ose paraqiten vetëm herë herë, duke mbijetuar kështu vetëm nga entuziazmi personal,” tha Bullatoviçi.
Në Maqedoni, Biljana Tanurovska-Kulafkovski, themeluese e Qendrës Lokomotiva për iniciativa të reja për art dhe kulturë, gjithashtu mendon se mbulimi i ngjarjeve kulturore në televizionet maqedonase është po aq zhgënjyes.
“Gazetarët vetëm informojnë për çështje sensacionale, ku në ballinat e gazetave e tëra që shohim janë aferat, skandalet, aksidentet tragjike, ose ngjarjet politike të cilat promovojnë vlera të rreme në lidhje me atë që kultura është në të vërtetë,” thotë ajo.
Zvezdan Georgievski, redaktor për kulturën në gazetën javore maqedonase Globus, ngrit një pikë të ngjashme. “Përveç përpjekjeve të disa gazetave siç është Utrinski vesnik ose Dnevnik … në përgjithësi kultura dhe arti në Maqedoni i janë nënshtruar përmbajtjes së famshme, ato shërbejnë vetëm si një dekoratë para fillimit të lajmeve të sportit.”
“Situata më e keqe është me televizionet, ku vetëm TV Telma ka 15 minuta në ditë për zhvillimet kulturore,” shton ai. “Stacionet e tjera televizive injorojnë plotësisht kulturën, e cila është e rëndësishme, sepse Maqedonia është një nga vendet e pakta të Europës Lindore me më shumë stacione televizive shtetërore sesa gazeta të përditshme.”
Në Shqipërinë fqinje, mbulimi nga media i kulturës po ashtu është sipërfaqësore, sipas Ruben Shimës, drejtor i Galerisë Kombëtare të vendit. “Lajmet e vërteta kulturore mungojnë; lloji i artikujve që shkon thellë dhe tej fakteve, që ju bën të dini më shumë rreth artistëve dhe artit të tyre,” thotë ai.
Sipas analizave të botuara këtë vit nga gazeta e përditshme Shqip, hulumtimet dhe mbulimi analitik i kulturës «mbeten të pazhvilluara në mediat shqiptare», ku gazetat kryesisht mbështeten në intervista të rralla apo lajme rreth ndonjë premiere në teatër apo ekspozitë arti.
Një tjetër analizë, e botuar në gazetën Libertas në tetor të vitit 2009, shpreh keqardhjen se televizioni në Shqipëri “nuk është një opsion kur është fjala për investigime, apo edhe për mbulimin e kulturës,” ku shfaqen vetëm pak emisione për kulturën.
Disa gazeta ende kanë pjesë për kulturën, siç është shtesa javore Milosao e Gazetta Shqiptare, që fokusohet në letërsi në 16 faqet e saj. Koha Jonë gjithashtu ka një shtesë javore. Javorja Shekulli e Shqipërisë, ditorja Shqip dhe Gazeta 55 gjithashtu i dedikojnë nga dy ose tre faqe për kulturën. Por rëndësia e perceptuar në teren në gazetat e vendit ka rënë në vitet e fundit, sipas një analize tjetër të bërë nga Instituti Shqiptar i Medias në vitin 2007.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, çështjet kulturore gjithashtu janë të margjinalizuara nga fërkimet e vazhdueshme politike mes dy “njësive”, Republikës Serbe dhe Federatës së BiH-së. Kështu që përleshjet politike marrin hapësirën më të madhe në media.
“Ekziston një mungesë e interesimit nga ana e publikut, e redaktorëve, dhe nganjëherë nga vet aktivistët kulturor,” thotë Nihad Kresevljakovic, drejtor i festivalit teatror të njohur MESS, që mbahet në Sarajevë çdo vjeshtë.
Shumica e të përditshmeve në Bosnje kanë vetëm një ose dy faqe për kulturën, ndonëse disa revista, siç është Dani dhe Slobodna Bosna, i kushtojnë më shumë rëndësi ngjarjeve kulturore.
Një vështrim i shkurtër mbi oraret e stacioneve televizive të Bosnjes, duke përfshirë tre transmetuesit të shërbimit publik (dy për entitetet dhe i treti për të gjithë vendin), tregon dominimin e madh të botës së showbizit, argëtimit dhe reality shows. Si në Serbi, portalet në internet përpiqen që të plotësojnë zbrazëtirat, duke postuar lajme të shkurtura dhe lajmërime mbi ngjarjet kulturore.
Pronarët e rinj kanë prioritete të reja:
Dejana Milloviq Buha, një gazetare nga Beogradi, sugjeroi se transformimi e mediave, që ka sjellë pronarë të ri të mediave me një preferencë të madhe për tabloidizimin, po vazhdon. Buha punon për B92, medium i pavarur që u shfaq në vitet e nëntëdhjeta në kundërshtim me kultura popullore nacionaliste të mediave pro-Millosheviçit.
Por që nga mesi i viteve 2000, B92 nuk ka pasur redaksi për kulturë, duke preferuar transmetimin e reality shows të tregut masiv siç është “Big Brother”. “Ne nuk jemi një televizion publik, kështu që ne nuk jetojmë nga licencat e televizioneve por nga vlerësimet,” thotë Buha.
“Vlerësimet e larta arrihen nga reality shows. Ato shikohen në mënyrë masive, kështu që të gjithë dëshirojnë të reklamuar aty. Ne do të dëshironim të kemi programe kulturore por ato nuk kanë audiencë të gjerë, dhe më nuk ka fonde dhe donacione të jashtme për atë lloj të programeve, “shton ajo.
“Prodhimi i programeve të kulturës është gjithashtu i shtrenjtë … dhe ne kemi shumë punonjës që duhet të paguhen rregullisht. E doni apo jo kulturën, ju jetoni nga vlerësimet.”
“Kultura nuk është viktima e vetme e tregut. Çdo program do të anulohet në qoftë se nuk ka vlerësime të mira. Është kaq e thjeshtë,” përfundon ajo.
Mladen Bundalo, nga kompania artistike «Tac.ka», nga Prijedori, në veri-perëndim të Bosnjës, pajtohet se ndryshimet në shijet e tregut përbëjnë një problem të madh. “Media mund të ketë stafin kulturor, gazetarë të cilësisë më të lartë dhe pajisje teknike të shkallës më të lartë, por … kush ka nevojë për artet bashkëkohore në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ku është qëllimi i prezantimit të tyre në televizionin e shërbimit publik?” pyet ai. “Kujt do t’i pëlqente një përmbajtje e tillë, e huaj për publikun e gjerë? Ndoshta ekzistojnë 20 apo më shumë artistë … të cilëve do të ju pëlqente.”
Besim Spahiç, profesor në fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, thotë se tabloizimi ka të bëjë më shumë se me shitjen, ai ka një axhendë. “Bëhet fjalë për ikje nga realiteti, pasivizimi, duke tërhequr vëmendjen në tema dhe çështje të parëndësishme dhe duke mbajtur qetësi për temat e rëndësishme në lidhje me superioritetin e kapitalit financiar botëror, i cili gjendet në duart e rreth 20 familjeve,” thotë ai. Procesi është edhe për ‘depolitizimin’ e mediave.
Spahiç pohon se ajo që ai e quan një “revolucion plehrash” në media i përshtatet shumë mirë interesave politike, duke i dhënë anestezion masës kundër të vërtetave të ashpra ekonomike. Nëpërmjet emisioneve televizive të tregut të gjerë dhe artikujve tabloid, njerëzit “e lartësojnë jetën e tyre në ato të ikonave nën-mesatare të mediave dhe të yjeve”.
Dragan Joviçeviç, nga Danas në Beograd, thotë se ndërsa gazeta e tij nuk e ka shkarkuar asnjë gazetarë si rezultat i krizës së tanishme, gjendja e përgjithshme e keqe e gazetës ka bërë që disa ta lënë vendin e punës.
“Papritmas ti e kupton se njerëzit po largohen në kërkim të një pune të re, sepse ata nuk kanë të holla,” thotë ai. “Danas gjithnjë ka këmbëngulur në një nivel të lartë të lexueshmërisë dhe për rubrika dhe artikuj të menduar mirë dhe gjithnjë i është drejtuar lexuesve të arsimuar,” kujton ai. “Kjo strategji e ka krijuar profilin e kësaj gazete, por ka kufizuar qarkullimin e saj.”
Vesna Milosavljeviç, nga portali SEECult.org, pajtohet se një gjendje e keqe në mediat serbe në lidhje me mbulimin e çështjeve kulturore është rënduar nga kriza financiare dhe ekonomike.
“Disa nga mediat që i kanë kushtuar vëmendje kulturës, kanë hequr dorë, si Remont-Art, një nga disa revistat e rralla që u përqendrua vetëm në artin bashkëkohor dhe kritikën e artit, është mbyllur,” tha ajo.
Popboks, revista më e madhe rajonale në internet për kulturën popullore, me bazë në Beograd, gjithashtu është goditur rëndë. Kryeredaktori i saj, Nebojsha Maric, thotë se ata është dashur që t’i lirojnë njerëzit nga kontratat e tyre. “Me zvogëlimin e editorialit, u zvogëluan edhe pagesat autoriale. Në të njëjtën kohë, ne jemi duke u përpjekur për të mbajtur niveleve të prodhimit të para-krizës. Është e vështirë të motivohen njerëzit në rrethana të tilla. ”
Piktori dhe skulptori Stefan Taçi përshkruan një situatë të ngjashme në Shqipëri. “Ata nuk paguajnë dhe nuk ka ndonjë pagesë për komente apo kritika. Në këtë gjendje askush nuk mund të bashkëpunojnë,” thotë ai.
Pesimistët kanë frikë se gazetaria kulturore tashmë e ka humbur betejën, por edhe luftën, kundër tabloidizimit, duke punuar në redaksi të vogla kulturore, të pavlerësuara, ku gazetarët e paguar me pagesa të ulëta bëjnë përpjekje, me hapësirë të vogla për botimin e artikujve. Ndërkohë, titujt bombastik dhe fotografitë nga paparacët marrin gjithnjë e më shumë hapësirë, duke krijuar histori të tyre.
Valentina Bullatoviç, nga agjencia e lajmeve Beta, pajtohet që në përgjithësi, përmbajtja nga showbiznesi dhe “drita” dominojnë në media. “Gazetarët që punojnë në fushën e kulturës … pengohen nga trajtimi i temave serioze në baza të rregullta dhe në mënyrë cilësore, duke mos pasur kohë as hapësirë për atë, “thotë ajo.
Gazetarët duhet të ndajnë fajin:
Ndërkohë, Nihad Kresevljakovic nga festivali MESS në Sarajevë thotë se gazetarët e specializuar nga fusha e kulturës shpeshherë nuk ndihmojnë në sajimin e shkakut.
Në Bosnjë, madje edhe kur hapësira vihet në dispozicion, ai thotë se, «raportet shpeshherë janë të shkruara në atë mënyrë që lexuesi mesatar thjesht do të kalon artikullin. Ka shumë njerëz që duket se duan të bëjnë kulturën të pakuptueshme”.
Kresevljakovic është i kënaqur me mbulimin e festivalit MESS nga ana e mediave, por shton: “Ekziston një mungesë e raportimit që merret me thelbin e asaj që ne e prezantojmë. Zakonisht të dhënat që ne i ofrojmë riciklohen, kritikat e shfaqjeve dhe e të vetë festivalit janë të rralla. ”
Mladen Bundalo, nga Tac.ka nga Prijedori, pajtohet. “Problemi më i madh lidhur me raportimin mbi kulturën në Bosnjë-Hercegovinë është analfabetizmin dhe injorancën e gazetarëve”, e cila ai thotë “shihet më së miri kur një gazetar ka për të raportuar mbi praktikat e artit bashkëkohor.”
Por Piro Misha, botues dhe kreu i Institutit të Dialogut dhe të Komunikimit nga Tirana, thotë se nuk ka asnjë arsye për të fajësuar gazetarët.
“Gazetari i njëjtë, dhe nganjëherë është vetëm një gazetar kulturor për botimin periodik, ka për të kryer shumë gjëra dhe mbi të gjitha të mbushë faqet e revistës së tij apo gazetës çdo ditë.”
Valentina Bullatoviçi thekson një problem tjetër, qëndrimi shpesh i padobishëm i zyrtarëve të qeverisë dhe institucioneve. Ministria e Kulturës e Serbisë, thotë ajo, “ende ju ka borxh gazetarëve përgjigje të sakta në lidhje me Muzeun Kombëtar në Beograd, i cili është mbyllur për shtatë vite për t’u rindërtuar, që kushton dhjetëra miliona euro”.
Një e ardhme të zymtë?
A ka mbulueshmëria e fushës së kulturës ndonjë të ardhme në Ballkan? Situata duket e zymtë.”Në përgjithësi, kultura në Ballkan gjatë kësaj periudhe tranzicioni është ballafaquar me sfida dhe ka humbur rrjedhën e saj,” sipas Shaqir Foniqit, redaktor i kulturës për transmetuesin publik të Kosovës, Radio Televizionin e Kosovës, RTK. Tranzicioni nuk është justifikim për këtë, thotë ai, “Kultura nuk mund të presë për kohëra më të mira.”
Dragan Joviçeviçi nga Danas thotë se “vetë termi e ka ndryshuar kuptimin e tij në shumë mënyra dhe shumë gjëra që dikur nuk do të futeshin në kuadër të saj sot konsiderohen si kulturë”.
Ai shton: “Çështjet e përmbajtjes kulturore po ndryshojnë në përputhje me ndryshimet tek njeri dhe kohën në të cilën jetojmë. Megjithatë, mënyra në të cilën kultura po ndryshon sot, sidomos në Serbi, nuk është në drejtim të një të ardhme të ndritur, por plotësisht në të kundërtën. ”
Bojan Bosiljcic është më shpresëdhënës.”Gazetaria investigative në fushën e kulturës mund të rikthehet nëse shoqëria i nënshtrohet një ripërtëritje të plotë morale dhe ekonomike, si rezultat i të cilës objektivat strategjike të redaksisë së kulturës nuk diktohen nga manjatët, por nga ana vetëdijesimit të ringjallur dhe të ringritur të gazetarëve dhe komentuesve që punojnë në fushën e kulturës,” thotë ai.
Ky artikull është financuar në kuadër të projektit BICCED, i mbështetur nga Programi Kulturor Zviceran.