Kisha katolike që do shohë papa Françesk të djelën do jetë krejt ndryshe nga ajo që dëshmoi paraardhësi i tij Gjon Pali II dy dhjetëvjeçarë më parë
Piktura që nis ciklin e Pjerin Sheldisë mbi peripecitë e françeskanëve shqiptarë, ndërthurur me sekuencat e Udhës së Kryqit në Kishën e Fretënve në Shkodër, paraqet një djall me brirë që nxit partizanin komunist t’u hakërrehet dy fretërve me tufë armësh në duar.
Piktura i referohet një ngjarje të ndodhur në nëntor 1945, kur komunistët me sa duket futën armë në kuvendin françeskan natën që t’i akuzonin fretërit ditën se po nxisnin një kryengritje të dhunshme anti-komuniste.
Një tjetër pikturë e Sheldisë në kishë, e quajtur “Fe e dëshmueme me gjak”, përshkruan se si u ruajt feja katolike në këtë qoshe të Ballkanit megjithë presionin për t’u konvertuar në Islam që solli Perandoria Osmane.
Piktura tregon dy fretër të kryqëzuar përpara një burri me feste të kuqe me kordele dhe një shpatari të zhveshur nga mesi e lart.
Në të majtë, nën mermerin e dyshemesë, gjenden ç’mbeti nga eshtrat e Gjergj Fishtës, françeskanit poliedrik nacionalist që konsiderohet nga shumë shqiptarë poet kombëtar.
Shqipëria staliniste nuk ua fali priftërinjve si Fishta. Gjatë sundimit të dhunshëm të komunizmit, si anëtar i Akademisë fashiste të Shkencave të Romës fill pas pushtimit të Shqipërisë nga Musolini, atij iu ndaluan librat dhe iu fshi emri nga tekstet e letërsisë.
Kisha dhe kuvendi në Shkodër, si gjithë vendet e kultit, u rrënuan dhe u profanuan në depo, u mbyllën apo u shkatërruan – për t’u ringritur pas rënies së regjimit.
Ateizmi fundamentalist i komunizmit shqiptar gjatë gjysmës së dytë të shekullit 20 u përjetua në mënyrë traumatike nga katolikët.
Regjimi asgjësoi krejt praktikimin e fesë dhe i detyroi të gjithë t’u bindeshin ortekut anti-fetar nën kërcënimin e burgut.
“Gjatë komunizmit baja ‘partizanin e mirë’,” kujton piktori Sheldija. “Tash, për pendesë, po baj partizanin e keq. Në fillim, me ba dhe këtë e kam pasë të vështirë.”
Komunizmi u shpërbë dhunshëm pas gati pesëdhjetë vitesh në 1991. Besimtarët u lanë vetëm me disa klerikë tetëdhjetë e kusur vjeç, një pjesë e madhe e të cilëve sapo kishin dalë nga kampet e internimit apo burgjet.
Këtë fundjavë, Shqipëria do jetë vendi i parë evropian që do vizitojë në detyrë Papa Françesk, i cili thotë se do që të shohë ringjalljen e një kishe dhe kombi të martirizuar.
Është vizita e dytë papnore në vend pas udhëtimit historik të Karol Vojtilës në 1993.
Katolikët përbëjnë një të dhjetën e popullësisë tre-milionëshe të Shqipërisë. Shqiptarët me prejardhje myslimane sunite përbëjnë pak më shumë se gjysmën ndërsa pjesa tjetër ndahet mes ortodoksëve dhe sekteve shiite të dominuara nga bektashinjtë.
Ndër besimtarët katolikë ka nga ata që janë konvertuar këto vite nga religjione të tjera, përfshirë dhe një pjesë të vogël të vetë klerit. Prifti që shërbente deri vonë në zonën thellësisht katolike të Fanit të Mirditës, për shembull, quhet Kemal, një version shqip i emrit arab Gamal.
Katolikët kanë luajtur rol mjaft më të madh se përqindja që zënë në rilindjen nacionale të shqiptarëve nën Perandorinë Osmane në fillim të shekullit XX.
Shumë klerikë themeluan traditën letrare të vendit, ndërsa nga kori i së dielës apo orkestrat e lagjeve dolën kompozitorët, muzikantët apo aktorët e parë të shoqërisë shqiptare. Fotografia dokumentare u zhvillua nga një familje katolike, Marubët, të cilët punuan në Shkodër prej fundit të shekullit XIX.
Katolikët kanë banuar në veriperëndim të Shqipërisë, zonë që në masë të madhe përbëhej nga malësorë tradicionalë besimet e të cilëve për ndëshkim “sy për sy”, të arësyetuera me kanunin e mitologjizuar mesjetar të Lekë Dukagjinit, ekzistonin përkrah dogmës konvencionale të fesë.
Shkodra ka qenë historikisht qendra urbane e katolicizmit shqiptar. Pas sundimit të dhunshëm komunist, besimi këtu po ringjallet fort këto dy dekada.
Martesat mes katolikësh dhe njerëzish me fe tjetër kanë qenë të rralla dhe të ndëshkuara nga komuniteti dhe katolikët ende banojnë paksa veçmas në gjysmën veriore të këtij qyteti të ndarë përgjysëm.
Ndërtesat dikur të rrënuara të lagjes katolike të Gjuhadolit në qendër tani janë riveshur me suva, janë rinovuar, janë lyer me të verdhë parme apo rozë. Ato janë kthyer në atraksion turistik dhe dëshmojnë jetën dhe gjendjen e re ekonomike të lagjes.
Jezuitët administrojnë një seminar të madh. Qëndra komunitare e Don Boskos mbledh fëmijë me prejardhje fetare të ndryshme dhe kisha mban disa prej shkollave më të mira në qytet.
Këmbanorja e Kishës së Fretënve, e cila bashkë me kuvendin ngjitur u rindërtuan viteve 90, rivalizon minaret e xhamisë së madhe të qytetit në anën tjetër të rrugës, e financuar kjo nga Arabia Saudite.
Megjithatë, Sheldija, i cili dëshmoi masat e para të njerëzve kur u rihapën kishat në Shkodër dhe ka ndjekur rregullisht meshat e së djelës, thotë se ato fillime dihej më pak se ç’ishte feja por kishte më shumë devocion.
“Tash, njerëzit e dinë si me e praktikue, por praktika asht ma sipërfaqësore,” thotë ai.
Edhe Shkodra sikur po humb statusin si kryeqyteti i katolikëve shqiptarë.
Sipas Patër Gjergj Metës, zëdhënësit karizmatik të kishës, një e treta e katolikëve të vendit tani jetojnë në rajonin mes Tiranës dhe Durrësit, kryesisht të ardhur nga zonat e varfëra të veriut por dhe kuadro urbane të veriut.
Ai vë re se kisha ka ndryshuar dhe i është përshtatur ambientit të ri që kanë gjetur besimtarët. Në këto zona të përzjera është shtuar shumë numri i martesave mikste, aq sa martesat e negociuara në kishë me njerëz me origjina të tjera fetare përbëjnë masën më të madhe të ceremonialeve të të djelave për Patër Gjergjin.
Ndryshimi demografik ka transformuar perceptimin e kishës për rolin e vet.
“Më parë doktrina e ka pasur rëndësinë më të madhe,” thotë Patër Gjergji në dhomën e tij të pritjes ngjitur me Kishën e Shën Luçisë në Durrës.
Shën Luçia gjendet në një zonë tradicionalisht myslimane të qytetit me shumë familje rome dhe vetëm dy familje katolike, tregon ai.
Sipas tij, shërbimi ndaj komunitetit tani ka përparësi ndaj propagandimit të fesë. “Tani po kthehemi në kishë që në rradhë të parë u shërben njerëzve në nevojë.”