Një grup mjekësh u arrestua me dyshimin se kanë abuzuar me detyrën duke i shtyrë pacientët të ikin nga shërbimi publik dhe të shkojnë në klinikat private duke marrë ryshfet.
Policia e Kosovës ndaloi nëntë mjekë dhe tre punonjës të tjerë të sektorit të shëndetësisë të enjten me dyshimin se kanë abuzuar me pozicionin duke krijuar biznes për spitalet private.
Ata dyshohen se kanë bërë marrëveshje me spitalet private për të dërguar pacientë për mjekim atje në një kohë kur spitalet publike kanë kapacitet të bëjnë të njëjtat trajtime falas.
“Të akuzuarit ndihmuan spitalet private për të përfituar duke marrë pagesa nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë për koston e trajtimit të pacientëve që u dërguan në këto spitale në kundërshtim me udhëzimet zyrtare,” njoftoi prokuroria.
Procedurat në diskutim qenë më së shumti ndërhyrje kirurgjikale në zemër. Një nga spitalet private me të cilat të akuzuarit patën nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim madje nuk kishte as leje për shërbim kardiokirurgjik.
Prokurorët nuk kanë kërkuar ndalimin e tri zyrtarëve të tjerë që u hetuan, përfshirë Ministrin e Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish drejtorin e Klinikës Universitare të Kosovës.
Hetimi për mashtrim filloi në qershor.
Besnik Berisha, një avokat për Nexhmi Zeqirin, një nga mjekët, tha se qe e çuditshme që prokuroria ka kërkuar arrest me burg vetëm për drejtorët dhe jo për zyrtarët e tjerë.
“Ata të gjithë janë të dyshuar për të njëjtat akuza por prokurorët kanë kërkuar arrest me burg vetëm për mjekët,” tha Berisha për BIRN.