Të paktën 20 persona janë arrestuar pas një grindje mes refugjatëve nga Kosova dhe Bosnja në kampin më të madh të refugjatëve në Malin e Zi, ku pati edhe të shtëna.
Policia e Malit të Zi ka nisur një hetim pas përleshjes masive të së dielës, gjatë së cilës u qëlluan disa të shtëna me pushkë automatike nga një person i panjohur në ndërtesën e barakave që strehon refugjatë në kampin Konik në periferi të Podgoricës.
Dhuna, që përfshiu dhjetëra persona dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme por jo të plagosur, shpërtheu për shkak të armiqësisë së gjatë midis refugjatëve serbë nga Bosnja dhe romëve nga Kosova, raportoi media e Malit të Zi.
Mosmarrëveshja shpërtheu për shkak të grindjeve se cili grup do të merrte strehim më të mirë në kampin që është shtëpi e mijëra refugjatëve.
Ndarja e ndihmës nga jashtë dhe parave ka nxitur një seri mosmarrëveshjesh dhe armiqësish mes refugjatëve.
Kreu i lidhjes së romëve dhe egjiptianëve të zhvendosur nga Kosova, Ganija Pajazitaj, tha se ishte fat që nuk pati të lënduar nga të shtënat e armës.
“Ishte si një zonë lufte. Një numër të shtënash u qëlluan në drejtimin e barakave, ku kishte edhe fëmijë. Po sikur të vritej dikush?” tha Pajazitaj për median të dielën.
Sipas të dhënave qeveritare, mbi 4500 persona, kryesisht rom nga Kosova, jetojnë në kushte të këqija në kampin Konik të refugjatëve. Në qershor 100 familje refugjatësh të cilëve iu dogjën barakat dy vite më parë, u ristrehuan në kontenierë metali derisa t’i gjenden shtëpi të mirëfillta.
Vitin e shkuar, Komisioni Europian kundër Racizmit dhe Intolerancës, një organ këshillues i të drejtave të njeriut pranë KE, i përshkroi kushtet në kampin Konik në periferi të Podgoricës si “çnjerëzore dhe të rrezikshme.