Një vit pasi u zbulua varri më i madh masiv i Bosnjës në Tomasicë, historia e pabesueshme e zbulimit të tij thekson përpjekjet e dëshpëruara të familjeve të viktimave për të marrë drejtësi nga autoritetet.
Ndodhi në verën e vitit 1992 kur Hava Tatarevic pa gjashtë djemtë e saj dhe bashkëshortin për herë të fundit. Që atëherë, ajo po kërkon të vërtetën e fatit të tyre. Deri vitin e shkuar, kur trupat e tyre u gjetën të shtrirë njëri pas tjetrit, të shpuar nga plumbat, në një varr që nuk ishte menduar kurrë se do zbulohej – në Tomasicë.
“Tomasica është tashmë një provë sesi ata vranë fëmijët e mi. I pashë kur i morën dhe e dija se do t’i vrisnin,” tha Tatarevic.
Për mbi dy dekada, Tomasica ka qenë një fakt që askush nuk donte t’i drejtohej, për të cilën të gjithë e dinin por vazhdonin t’i shmangeshin me vetëdije.
535 kufoma burrash, por edhe grash e fëmijësh, u zbuluan në varr pasi atje u kryen gërmimet në tetor 2013. Deri më tani, 284 banorë të vrarë të fshatrave përreth qytetit boshnjak të Prijedorit janë identifikuar dhe varrosur. Historia e plotë e Tomasicës megjithatë mbetet e papërfunduar.
Sipas Mujo Begic, drejtorit rajonal të Krajinas boshnjake pranë Institutit të Personave të Zhdukur për Bosnje-Hercegovinën, hetimi që kishte si qëllim të lokalizonte varrin Tomasica ishte shumë i gjerë. Teksa kërkonin për personat e zhdukur nga zona Prijedor, ai dyshoi se një varr më i madh duhej të ekzistonte. Por dukej se nuk kishte dëshmitarë. Përgjigjja që mori nga banorët në zonën e Tomasicës ishte e thjeshtë: “Nuk di asgjë.”
Por është e vështirë të imagjinosh se vendi i një varri masiv me përmasat e një fushe futbolli ishte i panjohur për vendasit që i kishin shtëpitë vetëm 300 metra larg.
Tomasica ndodhet në të dalë të Prijedorit, qytetit të shtatë më të madh në Bosnje, në veri-perëndim të vendit dhe është pjesë e Republikës Srpska, entitetit serb në Bosnje.
Gropa ku u gjendën eshtrat e viktimave është nëntë metra e thellë dhe zona mbulon 100 metra katrorë. Dhjetëra ushtarë duhet të kenë ndihmuar për të hapur një gropë të një gjerësie e gjatësie të tillë dhe për të transportuar të gjitha trupat e vdekur deri aty. Edhe pas 22 vitesh, rruga për në zonë është ende e dukshme nga fotografitë ajrore.
Në vitin 1996, një gazetar suedez i quajtur Bengt Norborg raportoi rreth mundësisë së ekzistencës së një varri masiv pranë Prijedorit.
Norborg mblodhi informacion rreth mizorive të kryera në Bosnjës veri-perëndimore nga dëshmitarët, që – së bashku me raportet nga Roja e të Drejtave Njerëzore dhe gazetarë të tjerë – rezultuan në përllogaritjen se rreth 1000 njerëz u zhdukën në atë zonë në vitin 1992.
“Historitë që bëmë ne (Tonci Percan dhe unë) atë dimër të vitit 1996 në Bosnjën qendrore erdhën të gjitha për shkak të fjalëve që dëgjuam në Zagreb nga Zvonimir Cicak, një anëtar i Komitetit të Helsinkit Kroat, fjalë sipas së cilave ishin më shumë varre masive dhe kampe përqendrimi në zonën Prijedor sesa ato që ishin zbuluar tashmë,” shpjegoi Norborg.
“Tomasica ishte një tjetër kompleks minierash me fshatra të vogla përreth zonës. Ne pyetëm njerëzit në fshatrat më të afërta rreth ekzistencës së varreve masive dhe për fjalët e vrasjeve gjatë verës ’92 dhe ’93. Fshatarët të gjithë mohuan të kishin dëgjuar për të (ato ishin fshatra serbe), por ekzistonte ndjesia, pasi flisje me ta, se kjo nuk ishte e vërteta e plotë,” tregonte gazetari suedez.
“Ne vazhduam të pyesnim dhe më në fund u hasëm me njerëz që jetonin jashtë fshatrave. Këta ishin kroatët që kishin mbetur pavarësisht pastrimit etnik. Ata ishin të tmerruar por folën në anonimitet dhe na treguan dhe transportimit të njerëzve. Ata kishin dëgjuar të tjerët (serbët nga fshati) të flisnin për vrasjet dhe varrosjet dhe kishin dëgjuar kundërmimin nga zona,” tha ai.
Një sekret i njohur nga të gjithë
Fakti që Tomasica u zbulua vonë në vitin 2013 është edhe më i pakuptueshëm për shkak se Gjykata Ndërkombëtare Penale për Ish Jugosllavinë (ICTY) me bazë në Hagë pati hetuar sakaq disa nga krimet e kryera në Prijedor dhe zonën përreth gjatë kohës së luftës.
Ish kryebashkiaku i Prijedorit, Milomir Stakic, u dënua me 40 vjet burg për shfarosjen dhe vrasjen e popullatës joserbe të zonës dhe krijimit të kampeve të përqendrimit.
Deri tani, 26 njerëz nga zona e Prijedorit janë dënuar për krime të ngjashme nga gjykatat vendore dhe nga ICTY.
Tomasica u shfaq gjithashtu në ditarët famëkeq të Ratko Mlladiç si një vend ku qenë hedhur trupat për të fshehur dhunën e Prijedorit në vitin 1992.
Gjatë luftës, ka patur vrasje masive të bosnjakëve dhe kroatëve nga Ushtria e Serbëve të Bosnjës në komunën e Prijedorit. Kampet famëkeqe të përqendrimit Trnopolje, Omarska dhe Keraterm qenë pranë qytetit.
Qendra për Kërkim dhe Dokumentim me bazë në Sarajevë vlerëson se mbi 5,400 njerëz u vranë në Prijedor dhe në zonat përreth.
Menjëherë pas luftës, dëshmitarët e krimeve u frikësuan apo i vranë nëse ata folën. “Askush nuk dëshiron të jetë tradhtar i kombit,” tha Mujo Begic, duke shpjeguar se pse ka ende kaq shumë ngurrim në ofrimin e ndonjë informacioni mbi varret masive që vijojnë të gjenden në Bosnjë. Kur pyeten, asnjë banor i vetëm serb i Prijedorit dhe fshatrave përreth nuk është i gatshëm të ndajë opinionin e vet mbi Tomasica.
Një veteran boshnjak lufte në aftësi të kufizuar e shpjegoi këtë duke përdorur një shprehje boshnjake: “Suti, moze te cuti” – “Hesht, dikush mund të të dëgjojë”.
Norborg tha se njerëzit nuk guxojnë të flasin për shkak se janë të tmerruar nga frika e reprezaljeve.
“Kjo qe një luftë dhe njerëzit u vranë për asgjë. Ti kishe banda paraushtarakësh që bridhnin në zonë duke kërkuar për arsye për të vrarë dhe vjedhur. Mendoj se edhe shumë serbë të zakonshëm qenë frikësuar,” shpjegoi ai.
“Pra shumica e njerëzve e dinin por i mbajtën gojët të mbyllura – qoftë për shkak të frikës, qoftë për shkak të besnikërisë ndaj të vetëve.”
Në fund, një ish ushtar i serbëve të Bosnjës, i cili qe pjesëmarrës drejtpërsëdrejti në vrasje, vendosi të flasë dhe kontaktoi Institutin për Njerëzit e Humbur.
“Atij i dilnin makthet e syve të një vajze që pati vrarë,” shpjegoi Begic. Por sërish u deshën dy vite negociata për ta bindur dhe për të gjetur vendndodhjen e saktë.
Të drejta dhe njohja
Deri tani, 22 mijë njerëz të humbur janë identifikuar që nga fundi i luftës. Por sa më shumë kohë kalon, më e vështirë do të jetë të gjenden trupat e 9 mijë të humburve që mbeten për t’u gjetur. Dëshmitarët dhe kryesit e krimeve do të vdesin dhe bashkë me ta do të ikë çdo shpresë për gjetjen e vendeve ekzakte të varreve. Kjo ndoshta është ajo që kriminelët e padënuar shpresojnë se do të ndodhë.
Kjo është edhe çështja që gjendet në mes të debatit shumë më të gjerë mbi fajtorët dhe ndëshkimin në Bosnjë.
Viktorija Ruzicic-Tokic, zyrtare programi në Komisionin Ndërkombëtar të Njerëzve të Humbur tha se një fond për të kompensuar familjet e njerëzve të zhdukur nuk është krijuar kurrë për shkak të mosmarrëveshjeve që vijojnë mbi pyetjen se cili qe përgjegjës për konfliktin.
“Sipas ligjit, një fond për familjet e të zhdukurve do të duhet të krijohet nga buxheti i shtetit. Kjo do të thotë se asnjëra nga entitetit [Republika Srpska e serbëve dhe federata Boshnjako-Kroate, dy entitetet politike që përbëjnë Bosnjën] nuk do të ketë kontroll të drejtpërdrejtë mbi çështjen se kush do të përfitojë kompensim dhe kush jo,” shpjegoi Ruzicic-Tokic.
Fondi në thelb do të duhet të shpërndajë para për të gjitha familjet e të zhdukurve pavarësisht se cilës palë i përkasin. Kjo do të sjellë një ndryshim të paprecedent në trajtimin e përgjithshëm të luftës së viteve 1990, duke i bërë humbjet e të gjitha viktimave të barabarta – qofshin ato serbë, kroatë apo boshnjakë. Një lëvizje që me të vërtetë mund të revolucionarizojë Bosnjën.
Bosnja nuk ka një sistem të nivelit shtetëror për kompensimin e viktimave civile të luftës dhe mbështetja për familjet e të humburve varion, veçanërisht në bazë të faktit se ku ata jetojnë. Viktimat civile boshnjake që jetojnë në Republika Srpska shpesh ekspozohen para diskriminimit dhe pengesave; situata për serbët e Bosnjës që jetojnë në Federatën Boshnjako-Kroate mund të jetë e ngjashme.
Hava Tatarevic doli në lajmet kryesore në Bosnjë këtë vit në korrik si nëna që ka humbur gjashtë fëmijë dhe bashkëshortin dhe që jeton me vetëm 150 marka boshnjake (75 euro) – pensioni i bashkëshortit të saj – që nga fundi i luftës.
Por autoritetet e Republika Srpska patën vendosur më herët në vitin 2014 se ajo nuk kishte të drejtë të përfitonte ndihmë. Që ajo të fitojë statusin e një viktime civile të luftës, gjë që mund t’i japë ndihmë financiare, ajo duhet të provojë ekzaktësisht se si vdiqën fëmijët e saj. Shtëpia e Tatarevic në fshatin e vogël Zecevi, rreth 20 kilometra nga Tomasica, është dekoruar me një flamur të Ushtrisë së Bosnjës dhe fotografi të fëmijëve dhe bashkëshortit të saj.
Në fushatën para zgjedhjeve të këtij muaji në Bosnjë, ajo u vizitua nga shumë politikanë që përpiqeshin ta paraqisnin veten si simpatikë të kauzës së saj dhe nga gazetarë të magjepsur nga historia e saj. “Ata erdhën pothuajse çdo ditë, duke bërë fotografi dhe duke më pyetur për shëndetin,” thotë ajo.
Raportimet e medias shkaktuan që boshnjakët e diasporës të ofronin donacione, të cilat e kanë përmirësuar situatën e saj financiare, por vëmendja duket se e ka lodhur atë. Ajo nuk mban më mend ekzaktësisht datat e lindjes së fëmijëve të saj. Më i riu ka lindur më 1975. Apo ’76? Jo, mendoj se qe ’75,” tha ajo duke vuajtur për të gjetur vitin.
Tatarevic ka dorëzuar kërkesën në Republika Srpska, duke i kërkuar të përkufizohet si viktimë civile e luftës, një proces që kërkon një hetim në vrasjet dhe një përkufizim të krimit të kryer.
Por ndërsa gërmimet në Tomasica do të vijojnë, tashmë zgjedhjet kanë kaluar dhe rasti i saj nuk ka gjasa të hetohet ndonjëherë siç duhet apo të zgjidhet, gjë që ndodh shpesh në Bosnjë.