
Kreu i misionit të BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë refuzoi një prej pretendimeve të prokurores së vet se misioni e ka injoruar dyshimin për korrupsion të brendshëm dhe këmbënguli se po i hetonte dyshimet e ryshfetit.

Gabriele Meucci, kreu i misionit të BE për sundimin e ligjit në Kosovë, tha në një konferencë për shtyp në Prishtinë të enjten se EULEX po i hetonte dyshimet nga prokurorja e pezulluar Maria Bamieh se një nga ish-gjykatësit mori ryshfet.
“Punë e kujdesshme dhe e vazhdueshme është bërë, në linjën e asaj që përbën zemrën e përpjekjeve të EULEX, luftës kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë,” tha Meucci.
Bamieh këtë javë akuzoi kolegun e saj të EULEX, gjykatësin italian Francesco Florit, se ka marrë ryshfet prej 300.000 euro për të liruar një burrë nga Kosova të akuzuar për vrasje, po ashtu për një ryshfet për një çështje tjetër korrupsioni kundër një zyrtari të ministrisë së transportit në Kosovë.
Por Meucci refuzoi pretendimin e Bamieh se EULEX nuk kishte vepruar pas dyshimeve të saj.
“Ato nuk u shpërfillën,” tha ai.
Ai shpjegoi megjithatë se nuk mund të jepte detaje rreth hetimi, që është ende në hetim nga autoritetet e Kosovës.
“Si hetim kriminal, nuk dua të komentoj se në cilën fazë të procedurave është çdo etapë e hetimit,” tha ai.
Por Florit, i cili tani punon si një gjykatës në Udine në Itali, tha për BIRN në një intervistë se EULEX e hetoi atë dhe nuk gjeti prova se ai ishte i korruptuar.
“Unë nuk kam marrë kurrë dhe nuk më është ofruar kurrë, asnjë ryshfet nga askush,” tha Florit.
Bamieh gjithashtu e akuzoi EULEX për dështim të vazhdueshëm për të adresuar dyshimet e saj rreth Florit; dhe në vend të kësaj e pezulloi atë nga puna.
“Ata po shpërndajnë mesazhin se nuk janë serioz rreth korrupsionit, sepse nëse do të ishin, do të përballeshin me të në EULEX,” tha Bamieh për BIRN në një intervistë të mërkurën.
Akuzat për marrje ryshfeti u bënë publike në dokumente të botuara nga gazeta e Kosovës Koha Ditore këtë javë.
Por Bamien e mohoi t’ia ketë dhënë dokumentet gazetës dhe tha se ajo vendosi të fliste publikisht vetëm sepse EULEX e pezulloi nga detyra.
“Ata më pezulluan për akuza se i dhashë shtypit dokumente, gjë që nuk e kam bërë. Unë kurrë nuk i dhashë dokumente Kohës Ditore. Pezullimi shkatërroi imazhin tim në Kosovë, ndaj duhet të shfaqesha në publik,” tha ajo.
EULEX merret me çështje të krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të luftës që konsiderohen shumë të rëndësishme ose të ndjeshme për t’u përballuar nga gjyqësori i Kosovës.