Historitë e dy gjeneratave të lojtarëve Olimpikë të vaterpolos reflektojnë ndryshimet në sport dhe në shoqëri në territorin e Jugosllavisë së Vjetër.
Për shkrimtarin francez Stendalin, i cili vizitoi Rijekën në janar 1831, kur qyteti qe pjesë e Perandorisë së AustroHungarisë, “ngrohtësia dhe pozicioni qenë madhështore”. Por ai qe gjithashtu edhe “pika e fundit e qytetërimit”.
Për Zdravko-Ćiro Kovačić, ky port i Kroacisë është thjeshtë qyteza që ai dashuron.
Nëse dëshiron të shijosh diellin e mëngjesit në kopshtin e hotelit të stilit të vjetër Continental, ti mund ta takosh atë atje. Lëvizjet e tij të prera fshehin shumë vitet që kurrizi i tij pak i përkulur ka kaluar. Ai ankohet se i dhembin këmbët. Dhe këmbët janë më të rëndësishmet në vaterpolo, sporti të cilit ai i dha aq shumë.
“Unë uroj që çdokush të marrë nga sportet të gjitha gjërat e mira që mora edhe unë,” thotë ai butë.
Një nga vetëm dy anëtarët ende gjallë të gjeneratës që i dha Jugosllavisë medaljen e parë Olimpike në vaterpolo më 1952, Kovačić është një dëshmitar i asaj se si ndryshoi sporti në Ballkan sipas klimës politike. Historia e vaterpolos në këtë rajon, ku ai është shumë më tepër popullor se sa në pjesën tjetër të botës, është gjithashtu historia e trazirave më të gjera politike.
Kovačić është një kroat nga lindja dhe një kozmopolitan nga ajo që ka zgjedhur të jetë. “I shtrenjti sinjor Ćiro,” e thërrasin banorët e qytetit të Rijekës atë, me një gjuhë që reflekton historinë e gjatë të ndikimit italian këtu.
Ai është mes medalistëve olimpikë më të vjetër ende gjallë në Ballkan. Fjalët e tij sjellin në jetë shumë njerëz, vende dhe ngjarje… Shumë janë shkruar në historinë e jetës së tij prej 89 vjetësh.
“Më trishton të mendoj për të gjithë miqtë e mi që kanë ikur,” thotë ai gati duke pëshpëritur ndërsa një lot rrokulliset në faqen e tij.
Vaterpolo qe një fiksim në skenën sportive të Ballkanit gjatë kohës së komunizmit dhe luftërave nacionaliste të viteve 1990 dhe mbetet i tillë edhe sot, në një epokë përmirësimi të ngadaltë të marrëdhënieve mes kombeve të ish-Jugosllavisë.
Në tetor të këtij viti, klubet nga Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi, skuadrat e të cilave qenë mes katër më të mirave në Lojërat Olimpike të Londrës, filluan të konkurrojnë në një ligë të përbashkët për herë të parë në shumë dekada.
Nga vaterpoloja te Apollo
Përmes të gjitha ndryshimeve përgjatë viteve, marrëdhënia mes Kovačić dhe ish anëtarit të skuadrës së tij, Dragoslav Šiljak ka qenë gjithmonë e fortë, e paprekur nga distanca e madhe.
Šiljak u zhvendos në Shtetet e Bashkuara në mes të viteve 1960 dhe u bë një inxhinier elektrik i mirënjohur, duke ndërtuar një karrierë akademike dhe duke punuar në raketat Saturn V të përdorura në programin hapësinor Apollo – i vetmi shkencëtar nga një vend komunist që arriti deri aty.
Šiljak, një serb i lindur në Beograd 81 vjet më parë, tashmë jeton në Saratoga, Kaliforni. Ai rikujton ende me dashuri gjeneratën e jashtëzakonshme të lojtarëve të vaterpolos së cilës i përket.
“Që të gjithë ata kishin personalitet të fortë. Unë kam kujtime madhështore me ta. Kapiteni i skuadrës, Ćiro Kovačić, është ende kapiteni im,” thotë Šiljak.
Të dy u takuan për herë të parë në fillim të viteve 1950 dhe që të dy u përzgjodhën nga trajneri i Jugosllavisë Božo Grkinić për Lojërat Olimpike të Helsinkit më 1952. Kovačić qe një portier me eksperiencë, udhëheqës i skuadrës. Šiljak, ende një adoleshent, qe anëtari më i ri i skuadrës. Ai qe gjithashtu lojtari i vetëm nga Serbia në një sport që dominohej nga kroatët.
“Kroacia kishte një traditë të gjatë në vaterpolo. Unë erdha i përgatitur dhe i vendosur për të mësuar si të luaja mirë në atë mjedis,” rikujton Šiljak përmes emailit.
Kishte shumë njerëz nga të cilët ai mund të mësonte. Dy vjet më herët, skuadra e Jugosllavisë pati fituar medaljen e bronzit në Kampionatin Europian në Vienë.
Vëllazëri dhe bashkim
Sportet konsideroheshin një mjet i rëndësishëm për integrimin shoqëror në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore, e cila pati qenë veçanërisht komplekse në rajon për shkak se përfshinte elementë të revolucionit komunist, një konflikt brutal serbo-kroat dhe luftime mes njerëzve të të njëjtës etni.
“Skuadrat sportive në Jugosllavi shërbyen për të demonstruar se qe e mundur zhvillimi i një shoqërie të suksesshme multietnike dhe multikulturore bazuar në idetë e socializmit dhe se koncepti i vëllazërimit dhe bashkimit po funksiononte,” thotë Ivan Djordjević, një antropolog në Universitetin e Beogradit.
Vëllazërim-Bashkimi mes kombeve dhe minoriteteve kombëtare qe slogani i Partisë Komuniste të Jugosllavisë të udhëhequr nga Josip Broz Tito.
“Vëllazërim dhe bashkim – a ka fjalë që mund të jenë më të bukura?” pyet Kovačić . “Në thelb këto fjalë simbolizojnë filozofinë e sportit në përgjithësi”.
Edhe në atë epokë, disa tensione etnike sërish vërviteshin nën sipërfaqe. Si i vetmi serb në skuadrën kombëtare, Šiljak tregon se në ditët e para pati disa “sfida nacionaliste”.
“Unë i injorova ata, për shkak se mbështetja e shumicës së lojtarëve qe gjithmonë pozitive. Ndërsa koha kaloi, marrëdhëniet u zbutën dhe sot unë kam vetëm kujtime të paharrueshme nga ajo kohë,” thotë ai.
Nëntë kroatë, një serb dhe një malazez përbënë skuadrën e vaterpolos të Jugosllavisë që mbërriti në Helsinki në korrik 1952 për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike XV.
Pamje pa zë nga gjysmëfinalja e vaterpolos në Lojërat Olimpike të vitit 1952 mes Jugosllavisë dhe Hungarisë
“Ne qemë të uritur për çdo gjë. Në vendin tonë nuk kishim fruta tropikale, nuk kishim ëmbëlsira, nuk kishim çokollata. Asgjë,” thotë Kovačić.
“Ne pinim litra të tërë lëng portokalli apo ananasi… Shërbyesja që punonte në kuzhinë na paralajmëroi se kjo nuk qe shumë e shëndetshme,” thotë ai.
Por shoku i tij i skuadrës Veljko Bakašun iu përgjigj: “Mos u shqetësoni zonjë. Finlanda është lartë në veri, Jugosllavia është poshtë në jug. Këto janë fruta jugore: ne pimë këto lëngje në shtëpi në vend të ujit.”
Në pishinë, skuadra arriti gjashtë fitore dhe dy barazime për të marrë medaljen e argjendtë – medalja e parë Olimpike e vaterpolos për Jugosllavinë. Krahas kanotazhit dhe futbollit, vaterpolo qe një nga vetëm tri sportet në të cilat vendi mori medalje në Helsinki.
Kjo qe edhe hera e fundit kur Kovačić dhe Šiljak luajtën sëbashku në Lojërat Olimpike. Katër vjet më vonë, në Melburn, Kovačić udhëhoqi skuadrën kombëtare për një medalje tjetër argjendi dhe u tërhoq nga sporti më 1957. Šiljak, i cili i humbi lojërat në Australi për shkak të një dëmtimi, luajti sërish në Romë më 1960. Pas kësaj ai ia dedikoi veten shkencës.
[fact title=”Suksesi në Helsinki shënoi fillimin e traditës së Ballkanit
“]Jugosllavia socialiste filloi traditën e saj të gjatë Olimpike duke fituar medaljen e argjendtë më 1952 në Helsinki. Vendi fitoi në total tri medalje ari dhe tri medalje të tjera argjendi në Lojërat Olimpike që pasuan dhe nuk u rendit kurrë më poshtë se sa në vend të pestë.
Që nga rënia e Jugosllavisë së vjetër, Kroacia ka fituar një medalje ari dhe një medalje argjendi në vaterpolo për meshkuj dhe Serbia ka fituar dy medalje bronzi. Serbia dhe Mali i Zi fituan një medalje argjendi dhe një bronzi kur konkurruan si një shtet i vetëm.
Vetëm Hungaria, me 15 të tilla, ka fituar më shumë medalje në vaterpolo për meshkuj se sa Jugosllavia dhe shtetet që dolën prej saj, të cilat kanë fituar në total 13 medalje.[/fact]
Kjo qe edhe hera e fundit kur Kovačić dhe Šiljak luajtën sëbashku në Lojërat Olimpike. Katër vjet më vonë, në Melburn, Kovačić udhëhoqi skuadrën kombëtare për një medalje tjetër argjendi dhe u tërhoq nga sporti më 1957. Šiljak, i cili i humbi lojërat në Australi për shkak të një dëmtimi, luajti sërish në Romë më 1960. Pas kësaj ai ia dedikoi veten shkencës.
“Populli im, problemi im”
Lojtarët e kësaj gjenerate qëndruan shokë, gjithsesi. Duke filluar nga viti 1983, me propozimin e Kovačić, ata takohen çdo verë, duke sjellë me vete edhe familjet. Takimi i tyre i fundit u zhvillua në Klagenfurt në Austri më 1990. Ata ranë dakord të takoheshin në Beograd një vit më vonë. Por nuk qe e thënë.
Sapo Muri i Berlinit pati filluar të rrëzohej, ishin njerëzit e Jugosllavisë që filluan të ndërtojnë mure.
Në 13 maj 1990, një përleshje mes tifozëve të futbollit të Dinamos së Zagrebit dhe Yllit të Kuq të Beogradit në stadiumin Maksimir të Zagrebit, u pa si varrimi simbolik i shtetit të Jugosllavisë, një shenjë paralajmëruese e luftës mes serbëve dhe kroatëve që filloi vitin që pasoi dhe që zgjati deri më 1995.
Sportet, pasi u përdorën për të ndërtuar ura, tashmë po shfrytëzoheshin për të hapur llogore. Politikanët e vijës së ashpër mbështetën huliganët. Ambientet sportive u bënë qendra të nacionalizmit.
“’Nacionalizmi’ i skemës politike qe më i lehtë të promovohej dhe arrihej përmes diçkaje që qe e njohur për çdokënd,” thotë Djordjević nga Universiteti i Beogradit.
Konkluzioni i Çurçillit se “Ballkani prodhon më shumë histori nga sa mund të konsumojë” u bë një profeci e realizuar. Bosnja dhe Kosova u zhytën gjithashtu në konflikt.
Gjashtë vjet pasi lufta mes Serbisë dhe Kroacisë përfundoi, qyteti kroat i Dubrovnikut mikpriti katër ndeshjet finale të vaterpolos për Ligën e Kampionëve të Europës. Kovačić qe i ftuar nderi në gjysmëfinalen mes skuadrës vendase Jug dhe kampionëve të Serbisë Bečej. Shpejt pasi ndeshja filloi, tifozët vendas filluan të ulërasin: “Vrite Serbin!” Kovačić u ngrit menjëherë dhe u largua.
Gjatë kësaj periudhe, shpjegon Kovačić, tifozët serbë të sportit në Beograd bërtisnin shpesh “Vrit Ustashin!” – duke i thirrur kroatët nga emri i regjimit fashist që qeverisi vendin gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por për Kovačić, nuk kishte vend për justifikime.
“Ti e sheh, nëse dikush çmendet në ndonjë vend shumë larg prej këtu, ky nuk është problemi im. Gjithsesi, nëse populli im çmendet, ky është problemi im. Kjo qe arsyeja se pse ika.”
Histori suksesi
Bashkë me futbollin dhe kanotazhin, vaterpolo është sporti më i vjetër në skuadër që është luajtur në Lojërat Olimpike. E luajtur fillimisht në mes të shekullit të 19 në Britani, loja tashmë është popullore pothuajse ekskluzivisht në Mesdhe, Europë, Serbi dhe Hungari.
[fact title=”Ndeshja më e egër në botë?
“]Në vaterpolo, dy skuadra përpiqen të shënojnë duke hedhur topin në portën e kundërshtarit. Çdo skuadër përbëhet nga gjashtë lojtarë dhe një portier. Asnjë lojtar, me përjashtim të portierit, nuk lejohet të kapë topin me të dy duart. Loja ndahet në katër pjesë me nga tetë minuta.
Lojtarët notojnë në ujë përgjatë të gjithë lojës dhe kanë nevojë për sasi të stërmëdha stamine dhe fuqie për të arritur në nivelet më të larta. Në renditjen e përpiluar nga faqja sportive Bleacher Report më 2011, vaterpolo vlerësohet si sporti më i egër në botë – përpara Futbollit Australian dhe boksit.
Vaterpoloja për burra hyri për herë të parë në Lojërat Olimpike të vitit 1900 në Paris. Që nga ajo kohë është përfshirë në të gjitha programet e Lojërave Olimpike verore me përjashtim të Lojërave në Sen Luis më 1904, ku në vaterpolo luajtën vetëm skuadrat amerikane.
Vaterpoloja për femra u bë pjesë e programit Olimpik në vitin 2000 në Sidnei.[/fact]
Edhe në vendet e Ballkanit të cilat e shohin atë si sport kombëtar, vaterpolo nuk mund të krenohet për shumë lojtarë apo turma të mëdha tifozësh gjatë ndeshjeve. Kroacia, e cila fitoi medaljen e arit në Lojërat Olimpike të fundit, ka vetëm 37 klube të regjistruara. Fakti që vendi ka 12 herë më shumë klube peshkimi tregon se aktivitete të tjera dëfrimi janë shumë më popullore.
Serbia, Kampione Europiane, ka 46 klube vaterpoloje – një shifër e vogël përballë faktit që ky vend ka edhe 2,096 klube futbolli.
Por ky sport ka një histori suksesi në rajon dhe miliona njerëz ndizen kur vijnë turnetë e mëdhenj ndërkombëtarë.
Dy klubet e vaterpolos që kanë fituar shumicën e trofeve të Europës, Mladost Zagreb dhe Partizani i Beogradit, vijnë respektivisht nga Kroacia dhe Serbia.
Çfarë e bën vaterpolon kaq të fuqishme në Ballkan? Suksesi ushqen sukses. Sapo Jugosllavia filloi të fitojë tituj dhe medalje, njerëzit në rajon qenë të etur të fitonin më shumë. Të qenit më të mirët në botë është çështje krenarie kombëtare, nuk ka rëndësi se sa popullor është sporti përkatës në rang botëror.
Në Serbi, në janar 2012, rreth 2.74 milionë njerëz, më shumë se një e treta e popullsisë, ndoqën transmetimin televiziv të finales së Kampionatit Europian nga Eindhoveni, ku skuadra kombëtare e Serbisë fitoi ngushtë përballë Malit të Zi.
Në të njëjtin vit, në gusht, në sheshet e Zagrebit, Rijekës dhe Dubrovnikut, dhjetëramijëra tifozë dolën për të përshëndetur skuadrën kroate që fitoi medaljen e artë olimpike në Londër.
Dy shokë
Mes 13 lojtarëve të vaterpolos me të cilët Kroacia festoi, qe Damir Burić, një 33 vjeçar i bëshëm dy metra i gjatë nga qyteti i Pulës. Katër javë më vonë, ai nënshkroi një kontratë me Radničkin, një klub nga qyteza serbe e Kragujevacit. Kjo e bëri atë sportistin e parë nga një skuadër kombëtare kroate që luan për një klub serb që nga shpërbërja e Jugosllavisë.
Një kroat në Serbi? Mund të mos ngjajë aq romantike sa një amerikan në Paris, apo aq e sofistikuar sa një anglez një Nju Jork. Por nuk qe gjë e rrezikshme, pavarësisht historisë së konfliktit mes dy kombeve.
“Çfarë do të thotë të jesh i huaj në një tokë të huaj? Të ndjehesh i huaj? Unë nuk ndjehem si i huaj këtu,” tha Burić në Kragujevac verën e kaluar. “Në fund të fundit, ne të gjithë flasim të njëjtën gjuhë.”
Disa gjuhëtarë serbë dhe kroatë mund ta vënë në diskutim këtë konkluzion. Por gjuhët janë së paku kaq të ngjashme sa Burić nuk ka nevojë për përkthyes për të kuptuar lavdërimet që vijnë nga shoku i tij i skuadrës Aleksandar Ćirić, një ish lojtar ndërkombëtar serb dhe fitues i tri medaljeve olimpike.
“Një person i jashtëzakonshëm dhe një lojtar i shkëlqyer,” thotë 36 vjeçari i lindur në Beograd për Burić.
Ćirić, i cili ka një figurë të hollë dhe relativisht të dobët për një lojtar vaterpoloje është bredharak i sporteve. Ai ka luajtur për shtatë skuadra nga pesë vende të ndryshme.
Ndërsa ata buzëqeshën dhe i hodhën krahun njëri-tjetrit për të pozuar për fotografi në pishinën e Kragujevavit, askush nuk do ta mendonte që 11 vjet më parë ata luajtën kundër njëri-tjetrit në një ndeshje që u mbyll aq dhunshëm sa mbetet më famëkeqja në historinë e sportit.
Kroacia u përball me Serbinë dhe Malin e Zi, një skuadër e dominuar nga lojtarë serbë, në finalen e Kampionatit Europian të vitit 2003. Për t’i shtuar akoma më shumë peshë simbolike, ndeshja u luajt në territorin e një tjetër republike ish-Jugosllave, në Slloveni.
Tym nga uji
Kampionati filloi pa shumë vëmendje në fillim të qershorit. Dy skuadrat kombëtare qëndruan madje edhe në të njëjtin hotel gjatë kohës që shkuan drejt finales.
“Atmosfera në përgjithësi dhe marrëdhëniet mes anëtarëve të dy skuadrave kombëtare qenë goxha normale,” rikujton Dejan Stevović, zëvendëskryeredaktor i gazetës Sportski Žurnal të Beogradit, i cili mbuloi turneun.
Por një stuhi masive po përgatitej. Qyteza pritëse e Kranj kishte një popullsi serbe të konsiderueshme prej rreth 2 mijë banorësh. Kryeqyteti i Kroacisë, Zagrebi, është vetëm 170 kilometra larg dhe huliganët kroatë panë mundësinë për të shkaktuar telashe. Organizatorët sllovenë e nënvlerësuan rrezikun.
Më 16 qershor, ditën e finales, rreth 3 mijë kroatë, më së shumti tifozë futbolli, mbërritën nga Zagrebi.
“Ata huliganë nuk kishin interes fare për vaterpolon, ata nuk ia kishin idenë se çfarë qe vaterpolo,” thotë Dean Bauer, një gazetar te e përditshmja Sportske Novosti në Zagreb, i cili qe gjithashtu në Kranj.
“Arsyeja e vetme se pse erdhën qe që të shkaktonin trazira, të shkatërronin gjysmën e qytezës dhe për të gjetur tifozët serbë për sherr.”
Ata gjetën rreth njëqind mbështetës të Serbisë në pishinën e hapur. Rreth 2 mijë spektatorë gjendeshin brenda ndërsa rreth 1 mijë u mblodhën jashtë. I gjithë vendi u bë një fuçi baruti.
Pati thirrje fyese dhe slogane nacionaliste; muzika e zakonshme për aktivitetet sportive në Ballkan dhe rreth 250 policët e patën të vështirë të mbanin tensionin nën kontroll.
Në pishinë, gjithsesi, gjërat mbetën të qeta.
“Nuk pati probleme, nuk pati duele fizike apo grushte. Asgjë jashtë asaj që mund të pritej në çfarëdolloj ndeshjeje finale,” rikujton Burić.
Ćirić konfirmon: “Sjellja e lojtarëve qe brenda limiteve të lojës, nuk kishte grushte apo provokime.”
Burić dhe skuadra e tij filluan pjesën e katërt të lojës duke udhëhequr 7 me 4. Por Serbia dhe Mali i Zi arritën të përmbysin rezultatin në mënyrë dramatike duke fituar 9 me 8 dhe duke marrë titullin kampion. Pas kësaj, tifozët e “Barrakudave”, siç njihet skuadra e Kroacisë, vendosën të tregojnë dhëmbët.
“Ferri u hap,” thotë Stevović. “Ata filluan të hedhin gurë kundër çdokujt që qe në pishinë.”
Jo vetëm gurë, por edhe karrige, shishe, bomba tymosëse… Mes gjithë atij tymi, lojtarët e të dyja skuadrave qenë njësoj të rrezikuar. Me ta qe edhe Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi Goran Svilanović, i cili zemëroi më tej huliganët duke u hedhur në pishinë për të festuar fitoren.
Një gur goditi në kokë portierin e Serbisë dhe Malit të Zi, Nikola Kuljača. Gjaku u derdh në ujë.
Ćirić qe gjithashtu viktimë e dhunës.
“Në kaos, në përpjekje për të ikur nga turma, unë rrëshqita drejt cepit të pishinës. Dëmtova ligamentin krucial të gjurit dhe m’u desh të bëja një operacion,” rikujton ai.
Dhunshëm, duke përdorur gaz lotsjellës, policia arriti të mposhtë huliganët. Epilogu: katërmbëdhjetë tifozë të dhunshëm të arrestuar. Medaljet u shpërndanë privatisht në hotel.
Dhuna në finalet e Kampionatit Europian të vitit 2003 në Kranj, Slloveni
Reagim “Ballkanasish”
Nuk ndodhi shumë dhe ana tjetër u përgjigj në të njëjtën mënyrë. ‘Gëzimi’ i tifozëve serbë në Novi Sad dhe Beograd përfshiu djegien e flamujve kroatë dhe sulmimin e ambasadës së Kroacisë. Qeveria e Kroacisë protestoi ashpër dhe ministri i jashtëm i këtij vendi anuloi një vizitë në Serbi dhe Mal të Zi.
Politika në Beograd, gazeta më e vjetër në Ballkan, publikoi një artikull të gjatë mbi këto incidente me titullin: “Ballkani ashtu siç është”.
“Nuk ke se si të mos shtrosh pyetjen nëse ndeshjet mes dy vendeve do të bëhen ndonjëherë ashtu siç janë, thjesht ngjarje sportive. Nga këtu ku jemi tani, nuk shoh shumë arsye për optimizëm,” konkludoi autori anonim i këtij artikulli.
Sherri intrigoi edhe të përditshmen italiane Corriere della Sera.
“Nëse kjo do të kishte ndodhur disa vite më parë, ndoshta ne do të përjetonim të parën “luftë të vaterpolos”, shkroi gazeta në një koment.
Dikur, më 1969, El Salvador dhe Hondurasi bënë një luftë të shkurtër me njëra-tjetrën të njohur si Lufta e Futbollit pasi tensioni u rrit në një ndeshje mes dy kombeve. Por Serbia dhe Kroacia nuk u rikthyen në luftë pas vaterpolos. Relativisht shpejt, zemërimi u zëvendësua nga fjalë shumë më të qeta. U kërkua ndjesë nga të dyja palët.
Dy skuadrat kombëtare u takuan sërish një vit më vonë në Lojërat Olimpike të Athinës dhe luajtën një ndeshje në një mjedis shumë më miqësor, pa asnjë aksident.
Ujëra më të qeta
Një dekadë më vonë, duket se një epokë që dukej kaq e largët për komentatorin e Politikas ka mbërritur – ndeshjet mes skuadrave serbe dhe kroate janë ngjarje sportive normale.
Mladost nga Zagrebi dhe Radnički nga Kragujevaci organizuan një seri ndeshjesh parapërgatitore në maj për fazën finale të kampionateve të tyre kombëtare.
Në tetor këtë vit, tri klube serbe u bashkuan me shtatë klube kroate, tri malazeze dhe një sllovene në një turne të rigjallëruar të Adriatikut. Për herë të parë në 23 vjet, skuadrat nga Serbia dhe Kroacia po luajnë në një kampionat të përbashkët vaterpoloje.
Ndeshjet mes skuadrave kombëtare të Kroacisë dhe Serbisë tashmë janë më të shpeshta dhe, sipas fjalëve të Burić, të çliruara nga “dimensioni tjetër”. Burić thotë se madje këto ndeshje kanë edhe një efekt zbutës mbi disa skuadra serbe.
“Shumë nga anëtarët e skuadrës kombëtare të Serbisë janë miqtë e mi, kështu që është e natyrshme që unë pëlqej skuadrën e tyre më shumë se sa disa rivalë të tjerë,” thotë ai.
Transferimet mes klubeve serbe dhe kroate po bëhen punë rutinë. Pas dy sezonesh me Radnički Kragujevac në Serbi, Burić është rikthyer në shtëpi për të luajtur në Kroaci për klubin Primorje të Rijekës. Radnički ka marrë një lojtar tjetër kroat, Josip Vrlić.
Dikur kishte vëllazërim-bashkim, por tashmë kjo ka ikur. Pas vitesh trazirash, marrëdhëniet mes kombeve të ish-Jugosllavisë po normalizohen gradualisht – pavarësisht se ka shpërthime të herëpashershme, si përleshjet e tetorit në ndeshjen ndërkombëtare të Serbisë kundër Shqipërisë.
Së paku në vaterpolo, bashkëpunimi mes njerëzve është zhvendosur nga fusha ideologjike në atë praktike.
“Sporti, arti, kultura – këto janë gjërat që na kanë lidhur ne gjithmonë. Dhe ato do të vijojnë të na lidhin,” deklaron Ćirić.
Ky artikull u prodhua si pjesë e Programit të Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.