Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të humbasin avantazhin e vet ushtarak. Forcat e armatosura amerikane mund të jenë ende më të përparuarat në botë; në fund të fundit, SHBA-të shpenzojnë më shumë se dy herë në kërkime dhe zhvillime ushtarake se çdo fuqi tjetër madhore si Franca e Rusia apo nëntë herë më shumë se sa Kina dhe Gjermania. Por lidershipi teknologjik i Amerikës në të ardhmen nuk është tërësisht i sigurt.
Që nga viti 2005, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve ka shkurtuar shpenzimet për kërkim dhe zhvillim me 22 për qind. Në vitin 2013, si pjesë e një marrëveshjeje për të shmangur konfliktin mbi tavanin e borxhit, Kongresi i SHBA-ve porositi rreth 1.2 trilionë dollarë shkurtime shpenzimesh automatike. Lëvizja, e cila kërkon shpenzime të reduktuara ngë shumë programe, përfshirë shumë iniciativa kërkimore për mbrojtjen, qe përshkruar nga administrata e Presidentit të SHBA-ve Barack Obama si “thellësisht shkatërruese për sigurinë kombëtare.”
Nëse novacionet e mbrojtjes së SHBA-ve vijojnë të gëryen, nuk është që thjeshtë kapacitetet mbrojtëse të Amerikës do të vuajnë; vendi rrezikon gjithashtu të humbasë në termat e novacioneve tregtare dhe konkurrueshmërisë.
Kufizimet buxhetore përbëjnë disa nga sfidat më madhore të ushtrisë amerikane për të ruajtur avantazhin e saj teknologjik. Ushtria dhe Agjencia e Mbrojtjes Raketore kanë qenë veçanërisht të goditura rëndë, ku shpenzimet për kërkim dhe zhvillim pothuajse janë përgjysmuar që nga viti 2005. Buxheti kërkimor i Marinës është shkurtuar me rreth 20 për qind ndërsa buxheti i Agjencisë së Projekteve Kërkimore të Avancuara të Mbrojtjes (DARPA) – organizata që ka detyrën të mbajë ushtrinë amerikane përpara në betejën teknologjike – është detyruar të shkurtojë shpenzimet e sak kërkimore me 18 për qind. Edhe Forcat Ajrore, ku shpenzimet kërkimore kanë qenë tradicionalisht prioritet në kongres, janë detyruar të shkurtojnë buxhetin me afërsisht 4 për qind.
Kur paratë shpërndahen, presionet nga kostot shumë shpesh nxisin investime në projektet që premtojnë rezultate të shpejta – një tendencë që vjen në kurriz të novacioneve afatgjata që mund të japin avantazhe strategjike. Edhe DARPA ka rënë pre e presionit për kërkime që mund të demonstrojnë progres sa më parë.
Për t’i bërë gjërat më keq, përpjekjet për novacione të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara përballen me shumë probleme strukturore. Gjashtë dekada përpjekjesh për të reformuar proceset e blerjeve të mbrojtjes nuk janë dhënë ende fryte. Shumica e dizenjimit, zhvillimit dhe prodhimit të sistemeve ushtarake kryhet nga industria civile, por vendimmarrja mbetet rreptësisht në duart e zyrtarëve ushtarakë, të cilët mund të mos jenë në gjendje të gjejnë balancën e duhur mes shkurtmit të kostove dhe novacionit.
Rivalitetet brenda dhe mes shërbimeve ushtarake dikur imitonin funksionin e konkurrencës në sektorin privat: ato nxisnin novacionin. Por me fundin e Luftës së Ftohtë, presioni për të mbetur një hap përpara është dobësuar, duke ia hequr sektorit të mbrojtjes një motor thelbësor për progres. Për më tepër, shpenzimet për kërkim zhvillim të kompanive private kryesore të mbrojtjes si përqindje e shitjeve të tyre ka rënë me gati një të tretën mes viteve 1999 dhe 2012. Sa për krahasim, gjigandët amerikanë të teknologjisë investojnë katër deri në gjashtë herë më shumë në kërkim dhe zhvillim.
Ndërkohë, SHBA-të po vuajnë nga hollimi i bazës së saj të industrisë së mbrojtjes. Rritja e konkurrencës nga Kina dhe ekonomitë e tjera të mëdha në zhvillim kanë gërryer kapacitetet prodhuese amerikane duke vënë në rrezik aftësinë e Amerikës për të zhvilluar platformat më të sofistikuara teknologjike të mbrojtjes. Industria e mbrojtjes dikur krijoi teknologji të reja – lazerat, sistemin e pozicionimit global, internetin, për shembull – krijime që ndihmuan zhvillimin e ekonominë amerikane. Sot, në shumicën e fushave, teknologjia civile ka gjasa do të udhëheqë.
Rezultati mund të shihet në rritjen e konkurrencës së hyaj në tregun ndërkombëtar të armatimeve. Prodhuesit amerikanë po e gjejnë veten gjithnjë e më të dobët në fusha që dikur ata dominonin, – përfshirë platformat ajrore pa pilot sistemet e informacionit të mbikëqyrjes dhe rikonjicionit, raketave dhe satelitët – për shkak se konkurrentët me kosto më të ulëta po fitojnë një pjesë të tregut. Në vitin 2013, eksportet ruse të armëve kapërcyen eksportet amerikane me më shumë se 2 miliardë dollarë.
Në nëntor, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së Chuck Hagel njoftoi një iniciativë të re për të “ruajtur dhe përparuar dominimin ushtarak amerikan në shekullin e njëzet e një.” Në një kohë buxhetesh të shkurtuara dhe sfidash strategjike që ndryshojnë, ai u përqendrua te novacionet. “Presioni i vijuar fiskal ka gjasa do të kufizojë aftësinë e ushtrisë sonë për t’iu përgjigjur sfidave atafgjata përmes rritjes së përmasave të forcës sonë apo thjeshtë duke shpenzuar më shumë se sa kundërshtarët tanë potencialë në sistemet aktuale,” tha ai. “Kështu, për të kapërcyer sfidat ndaj superioritetit tonë ushtarak, ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si krijojmë novacione, veprojmë dhe bëjmë biznes.”
Nëntë ditë më vonë, Hagel dorëzoi dorëheqjen e tij, e cila do të hyjë në fuqi shpejt sapo Senati i SHBA-ve të konfirmojë zëvendësuesin e tij. Një politikë që sunon të rikthejë novacionin në mbrojtje dhe prodhimin në Amerikë mund të sigurojë që SHBA-të të mbajnë udhehqësinë teknologjike botërore dhe konkurrueshmërinë tregtare. Për fat të keq, pasardhësi i Hagel ka gjasa që do të zbulojë se, në një epokë buxhetesh të kufizuara dhe shkurtimesh shpenzimesh automatike, lloji i strategjisë tërësore për novacionet që Hagel parapa, ka gjasa nuk do të jetë e mundur.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Decline of US Military Innovation