Prokuroria urdhëroi arrestimin e kryebashkiakut të Vlorës dhe shefes së urbanistikës për falsifikimin e lejes së ndërtimit për një pallat 11-katësh. Akuzat, të ngjashme me çështjen e parë, për të cilën Gjika u shpall i pafajshëm.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika arrestohet për “shpërdorim detyre” dhe “ndërtim të paligjshëm”, dy muaj e gjysmë pasi fitoi pafajësinë në Gjykatën e Tiranës për të njëjtat akuza.
Së bashku me Gjikën, Prokuroria urdhëroi edhe arrestimin e shefes së Urbanistikës në bashkinë e Vlorës, Doriana Sulaj dhe ndërtuesin Artur Haxhi. Arrestimet u realizuan në mesditë nga policia e Vlorës, pas një hetimi të nisur në vitin 2013 nga kallëzimi i një shtetaseje.
Kabineti i Prokurorit të Përgjithshëm njoftoi të premten se ndaj kryebashkiakut janë ngritur 4 akuza për procedurat e ndjekura në ndërtimin e një pallati 11 katësh në qytetin bregdetar të Vlorës. Përveç shpërdorimit të detyrës dhe ndërtimit të paligjshëm, Gjika akuzohet edhe për “falsifikim dokumentash” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Prokuroria e akuzon Gjikën dhe vartësen e tij, Doriana Sulaj se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë përpiluar 4 dokumente të falsifikuara, të cilat i hapën rrugën ndërtimit të pallatit 11 katësh për llogari të biznesmenit Artur Haxhi.
Hetimi ka zbuluar më tej se dokumentet për miratimin e sheshit të ndërtimit, të destinacionit të tij, të lejes së ndërtimit dhe asaj të përdorimit nuk kanë kaluar në mbledhjen e Këshillit të Territorit të Vlorës të datës 17 janar 2011.
“Në protokollin e kësaj mbledhjeje nuk rezulton të jetë marrë në shqyrtim ndonjë kërkesë për shesh apo leje ndërtimi, në favor të pronarëve të truallit apo subjektit ndërtues,” pretendon Prokuroria.
Gjatë hetimeve paraprake, Prokuroria thotë se ka kërkuar në gjykatë sekuestrimin e protokollit të mbledhjeve të KRRT-së së Vlorës. Ajo e akuzon kryebashkiakun se ka refuzuar të vërë në dispozicion të grupit hetimor këtë protokoll, duke i shtuar edhe akuzën e pengimit në zbulimin e së vërtetës.
Ky është procedimi i dytë penal për kryetarin e Bashkisë së Vlorës, por ndryshe nga vjeshta e vitit 2013, Prokuroria ka vendosur të aplikojnë masën e arrestit me burg për Gjikën.
Në çështjen e parë penale kundër tij, Prokuroria e akuzoi Gjikën se kishte falsifikuar lejet e ndërtimit për dy pallate në Vlorë, sipas së njëjtës procedurë. Gjykata e Tiranës i rrëzoi këto akuza, duke e shpallur Gjikën të pafajshëm, ndërsa çështja ndodhet në Gjykatën e Apelit, pas kundërshtimit të Prokuroria.
Shpëtim Gjika është njëri prej 21 kryetarëve të bashkive dhe komunave që akuzohet nga Prokuroria për shpërdorim detyre. Drejtuesit vendorë nën akuzë ndodhen në faza të ndryshme të proceseve hetimore dhe gjyqësore. Megjithatë, Prokuroria ka mundur të mbrojë akuzat fillestare në gjykatë vetëm për 3 kryetarë komunash, të cilët janë dënuar me 1 ose 2 vjet burg.