Lufta ka ndryshuar përgjithmonë në planetin tokë. Nga Napoleoni te Blitzkrieg, lufta e ardhëshme duket se do të jetë pa fronte.
Në takimin e përvitshëm së fundi të Forumit Botëror të Ekonomisë në Davos, unë mora pjesë në një panel të liderëve të mbrojtjes për të diskutuar të ardhmen e ushtrisë. Çështja që iu drejtuam është kritike: Çfarë lloj lufte duhet të përgatiten të luftojnë sot ushtritë?
Qeveritë kanë një të shkuar shumë të varfër kur vjen puna për t’iu përgjigjur kësaj pyetje. Pas luftës së Vietnamit, për shembull, forcat e armatosura të Shteteve të Bashkuara e shtypën çfarë patën mësuar për kundër-kryengritjen, vetëm për ta rizbuluar sipas mënyrës së vështirë në Irak dhe Afganistan.
Ndërhyrjet ushtarake të Amerikës në këto vende japin një tjetër shembuj për një sfidë kyç të luftimit modern. Siç e theksoi Sekretari Amerikan i Mbrojtjes në largim, Chuck Hagel, në një intervistë të fundit, në luftë, ‘gjërat mund të dalin nga kontrolli dhe t’i marrë rrjedha’ në mënyra që mund të shkaktojnë që një ushtri të bjerë në një përdorim më ‘të intensifikuar’ të forcës nga sa ishte parashikuar fillimisht. Në këtë drejtim, nocioni se vetëm forca mund të transformojë shoqëritë e copëtuara nga konflikti në Lindjen e Mesme dhe gjetkë është një falsitet i rrezikshëm.
Por, ndërsa lufta dhe forca mund jenë ulur, ato nuk janë përjashtuar. Ato thjesht po evoluojnë në një ‘gjeneratë’ të re rregullash dhe taktikash.
Gjenerata e parë e betejave moderne luftarake përbëhej nga luftime me fuqi njerëzore në masë, duke përdorur rreshtat Napoleonik dhe formacione kolonë. E dyta, që e arriti kulmin në Luftën e Parë Botërore, drejtohej nga fuqia në masë e armëve dhe u shpreh në thënien, që mendohet se doli në Betejën e Verdunit në 1916, “artileria mposht, këmbësoria pushton”. Dhe gjenerata e tretë – e perfeksionuar nga Gjermania me metodën ‘blitzkrieg’ ndodhi në Luftën e Dytë Botërore –vë manovrën përpara forcës, me ushtritë që përdornin infiltrimin për të shmangur armikun dhe për ta mundur nga pas, në vend të sulmit ballor.
Luftimi i gjeneratës së katërt e çon këtë qasje të decentralizuar një hap më tej, pa fronte të përcaktuara. Në vend të kësaj, përqendrohet në shoqërinë e armikut, duke arritur thellë në territorin e tij për të shkatërruar vullnetin politik. Dikush mund të shtojë edhe një brez të pestë, në të cilin teknologjitë si dronët dhe taktikat kibernetike sulmuese i lejojnë ushtarët të jenë një kontinent larg nga shënjestrat civile.
Teksa ndarjet e veçanta të gjeneratave janë disi arbitrare, ato reflektojnë një trend të rëndësishëm: mjegullimin e fontit ushtarak dhe prapavijën civile. Përshpejtimi i këtij ndryshimi është zëvendësimi i luftës ndërshtetërore me konflikte të armatosura që përfshinë aktorë joshtetërorë si grupet kryengritëse, rrjetet terroriste, milicitë dhe organizatat kriminale.
Çka e ngatërron më shumë çështjen është mbivendosja e këtyre grupeve, ku disa marrin madje mbështetje shtetërore. Forcat e Armatosura Revolucionare të Kolumbisë – grupi gueril më i vjetër i Amerikës Latine – formoi aleanca me kartelet e narkotikëve. Disa grupe talibane në Afganistan dhe gjetkë zhvilluan lidhje të ngushta me terroristët ndërkombëtarë të al-Kaedës. Kryengritësit në Ukrainën lindore po luftojnë krah trupave ruse (pa emblema).
Të tilla organizata shpesh përfitojnë nga shtetet që kanë mungesë legjitimiteti ose kapacitet për të administruar me eficensë territorin e tyre, duke nisur një përzierje të operacioneve politike dhe të armatosura, që me kalimin e kohës, i japin atyre kontroll shtrëngues mbi popullatën vendase. Rezultati është ai që Gjenerali Sër Rupert Smith, një ish-komandant britanik në Irlandën Veriore dhe në Ballkan, e quajti ‘luftë mes njerëzve’ – një lloj beteje që rrallë vendoset në fushëbetejat konvencionale nga ushtritë tradicionale.
Këto luftëra hibride luftohen duke përdorur një varietet të gjerë armësh – ku jo të gjitha janë armë zjarri. Me kamera në çdo celular dhe softuerë rregullues të fotove në çdo kompjuter – për të mos përmendur mbizotërimin e medias sociale – gara e informacionit është bërë një aspekt kritik i luftimit modern, ku shembujt janë luftërat aktuale në Siri dhe Ukrainë.
Në luftimet hibride, forcat konvencionale dhe jokonvencionale, luftëtarët dhe civilët, shkatërrimi fizik dhe manipulimi i informacionit janë gërshetuar. Në Liban në 2006, Hezbollahu luftoi Izraelin përmes qelizave të stërvitura mirë që kombinuan propagandën, taktikat ushtarake konvencionale dhe raketat e hedhura nga zona me popullim të dendur të civilëve, duke arritur atë që shumë në rajon e konsideruan një fitore politike. Më së fundmi, Hamasi dhe Izraeli kanë kryer operacione nga ajri dhe toka në Rripin me popullsi të dendur të Gazës.
Ky lloj luftimi u shfaq në përgjigje të përparimit të madh konvencional ushtarak të Amerikës pas rënies së Bashkimit Sovjetik, i theksuar nga fitorja e saj në luftën në Irak në 1991, me vetëm 148 të vrarë amerikanë dhe nga ndërhyrja në konfliktin e vitit 1999 në Kosovë, ku asnjë jetë amerikani nuk humbi. Përballë kësaj asimetrie, kundërshtarët e Amerikës – aktorë shtetërorë ashtu edhe ata jo shtetërorë – filluan të tërhiqnin vëmendjen ndaj taktikave jokonvencionale.
Në Kinë, për shembull, planifikuesit ushtarakë zhvilluan një strategji të ‘luftimit të pakufizuar; që kominon mjetet elektronike, diplomatike, kibernetike, të delegimit terrorist, ekonomike dhe propagandistike për të mashtruar dhe dobësuar sistemet amerikane. Siç e thotë një zyrtar ushtarak kinez, “rregulli i parë i luftimit të pakufizuar është se nuk ka rregulla”.
Nga ana e tyre, grupet terroriste, duke e ditur se nuk kanë mundësinë të mundin një ushtri konvencionale në një luftë direkte, përpiqen të përdorin vetë fuqinë e qeverive kundër tyre. Me performanca të dhunshme, Osama bin Laden cenoi dhe provokoi SHBA-në, duke e nxitur të mbireagojë në mënyra që shkatërruan besueshmërinë e saj, dobësuan aleancat e saj me botën myslimane dhe së fundmi i dobësoi ushtrinë – dhe në një farë mënyre – shoqërinë.
Shteti Islamik po zbaton tani një strategji të ngjashme, duke përzier operacione ushtarake të ashpra me një fushatë nxitëse në median sociale, të përbërë nga foto dhe video të ekzekutimeve brutale përfshirë prerjen e kokave të shtetasve amerikanë dhe perëndimorë. Këto përpjekje kanë mobilizuar armiqtë e Shtetit Islamik, ndërsa kanë frymëzuar një numër në rritje të individëve dhe grupeve të pakënaqur që të vetë-rekrutohen nën flamurin e tij.
Evolucioni i paparashikueshëm i luftimit paraqet një sfidë serioze për planifikuesit e mbrojtjes. Për disa shtete të dobëta, kërcënimet e brendshme japin objektiva të qarta. SHBA-ja nga ana e vet, duhet të balancojë mbështetjen e vazhdueshme për forcat e veta konvencionale ushtarake, që mbetet një sigurues i rëndësishëm në Azi dhe Europë, me investimet në një portofol të gjerë të kapaciteteve alternative që konfliktet në Lindjen e Mesme kërkojnë. Në një kohë të ndryshimit të paparashikueshëm, SHBA-ja dhe fuqitë e tjera madhore – duhet të jenë të gatshme për çdo gjë.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. The Future of Force