Kryetari i PD-së, Lulzim Basha kërkoi dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, pas akuzave se ai fshihet pas një plani për vrasjen e dy deputetëve. Simpatizantët e LSI, antimiting në mbrojtje të Metës.
Mijëra protestues të opozitës kërkuan nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” largimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, pas akuzave se ai ka porositur vrasjen e dy deputetëve.
Protesta e organizuar nga Partia Demokratike nisi në orën 11.00 nga sheshi “Skëndebej” dhe kulmoi para godinës së Kryeministrisë, me thirrjet për dorëheqje të Metës dhe largimin e kriminelëve nga Kuvendi i Shqipërisë.
“Shqiptarët e pushuan sot nga puna Ilir Metën. Opozita nuk do të ndalet, derisa Meta dhe Rama të largohen,” tha kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Kjo qeveri ka rënë sot moralisht,” shtoi ai përballë protestuesve që thërrisnin “Meta ik”.
Në të njëjtën kohë me tubimin e opozitës, dhjetëra simpatizantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim zhvilluan një antimiting në mbrojtje të liderit të kësaj partie, Ilir Meta.
“LSI dhe Shqipëria nuk bëjnë pakte me krimin. LSI është e vendosur ta bëjë Shqipërinë europiane,” tha deputeti i LSI-së, Luan Rama.
Protesta e opozitës u paralajmërua në kulmin e debatit të shkaktuar nga akuzat e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Tom Doshi se kryetari i Kuvendit kishte planifikuar një atentat për vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat, Mhill Fufi.
Me deklarimin e tij publik, deputeti i përjashtuar nga Partia Socialiste nxiti Prokurorinë të niste hetimet dhe të merrte dëshmitë e krerëve më të lartë të shtetit, përfshirë edhe atë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Gjatë protestës, kryetari i Partisë Demokratike i bëri thirrje Prokurorisë të mos u nënshtrohet shantazheve dhe ta çojë hetimin e akuzave deri në fund. Ai i kërkoi kryeministrit Rama që të mos i bëjë më presion Prokurorisë dhe të çojë ministrin e tij të Brendshëm, Saimir Tahiri në ndjekje penale për fshehjen e krimit.
Kreu i PD-së, Basha shtoi më tej në fjalën e tij se opozita nuk do të ndalet derisa vendi të pastrohet nga krimi dhe drejtësia të bëhet.
Mitingu i opozitës u shoqërua me masa të rrepta sigurie, por Policia e Shtetit e ruajti traditën, duke vendosur një kordon policesh femra përballë kryeministrit. Megjithatë, protesta u mbyll pa asnjë incident.
Para thirrjes së mijëra qytetarëve në bulevard, Partia Demokratike ka bojkotuar komisionet parlamentare, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, në mënyrë që t’i hapë rrugën hetimit të plotë të akuzave të deputetit Tom Doshi.