
Të ardhurat për komaninë nxjerrëse të naftës në Shqipëri u rritën në 853 milionë dollarë (€544 milionë) më 2014, por rrëzimi i çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar sugjeron se tendenca rritëse tashmë ka përfunduar.

Kompania me bazë në Kanada Bankers Petroleum shënoi prodhimin më të lartë të naftës në të gjithë dekadën që ka punuar në fushat naftëmbajtëse të Shqipërisë më 2014, duke arkëtuar $583 milionë dollarë si të ardhura, me rritje 3 për qind në krahasim me vitin 2013. Prodhimi mesatar i naftës qe 20,690 fuçi në ditë (1 fuçi është afërsisht 159 litra), me rritje 14 për qind në krahasim me vitin 2013, tha kompania në një njoftim për shtyp. Bankers shtë aktualisht kompania më e madhe në Shqipëri me të ardhura vjetore sa afro 5.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Gjithsesi, rënia e çmimeve ndërkombëtare të naftës që nga mesi i vitit 2014 ka gërryer aftësinë e kompanisë për të investuar dhe për të mbajtur nivelin aktual të lartë të prodhimit ndërkohë që të ardhurat pritet të jenë shumë më të ulëta këtë vit.
Prodhimi mesatar i naftës deri tani për vitin 2015 është 19,500 fuçi në ditë dhe kompania ka reduktuar planin e vet të investimeve për këtë vit.
Fushat naftëmbajtëse shqiptare u zbuluan gjatë luftës së Parë Botërore dhe u zhvillua veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore. Fusha aktuale kryesore në prodhim, Patos – Marinza, u zbulua në vitet 1960.
Prodhimi shqiptar i naftës arriti kulmin e parë më 1976 në nivelin 2.6 milionë tonë. Çmimet shumë të ulëta të naftës në tregun ndërkombëtar gjatë viteve që pasuan dhe niveli i ulët i investimeve sollën rënien e shpejtë të prodhimit deri në pak qindramijëra tonë në mes të viteve 2000. Në vitin 2004, Bankers Petroleum mori fushat ekzistuese të naftës dhe arriti të rrisë prodhimin duke përdorur teknologji të reja. Gjithsesi, prodhimi i vitit 2014 prej rreth 1.3 milionë tonë, është ende shumë më i ulët se sa kulmi i shënuar në vitin 1976. Ndërkohë, teknologjitë e reja janë të kushtueshme dhe kanë nevojë për çmim të lartë nafte për të qenë me leverdi.
Çmimet ndërkombëtare të naftës ranë me rreth 55 për qind nga 110 dollarë për fuçi gushtin e kaluar në më pak se 50 dollarë për fuçi në mes të janarit. Çmimet janë rritur sërish në rreth 60 dollarë për fuçi, por kjo është ende e ulët për të mbuluar investimet e nevojshme për të mbajtur prodhimin aktual të lartë të naftës në Shqipëri.
Gjatë vitit 2014, Bankers Petroleum pagoi 86 milionë dollarë si rentë minerare te qeveria shqiptare, afërsisht 15 për qind e të ardhurave totale.