A është e drejtë që të lëmë ekosistemet detare të shkatërrohen prej pangopësisë njerëzore të shteteve që nuk marrin përsipër nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për interesa të ngushta? Cilat janë masat e reja që do të shpëtojnë speciet dhe vetë njerëzit? Derek Tittensor, shkencëtar i lartë i biodiversitetit detar në programin mjedisor të OKB argumenton.
Peshkaqenët dhe kushërinjtë e tyre rajat, datojnë përpara dinozaurëve. Ata i mbijetuan zhdukjes katastrofike në masë që i dha fund Tyrannosaurus Rex dhe pjesë tjetër, si dhe zhdukjes Premian-Triasik që fshiu nga faqja e dheut rreth 96 për qind të specieve të detit. Edhe peshkaqenët e familjes së evoluar më me vonesë, si kokëçekiçët, kanë ekzistuar për më shumë se 30 milionë vjet.
Sidoqoftë në pak dekada, një çerek i të gjithë peshkaqenëve dhe rajave janë kërcënuar prej zhdukjes. Ky është faji ynë – dhe është përgjegjësia jonë për ta ndrequr.
Popullatat e peshkaqenit dhe rajës nuk janë të vetmet. Shumë komponentë të tjerë të biodiversitetit detar – veçanërisht koralët, gjitarët e detit, shpendët e detit dhe breshkat – gjithashtu po luftojnë për t’i rezistuar presioneve njerëzore.
Prej rangut të gjerë të kërcënimeve që ka përballë jeta detare – përfshirë peshkimin e tepërt, ndryshimin klimatik, ndotjen dhe zhvillimin bregdetar – është e lehtë, ndoshta edhe e arsyeshme, të jemi pesimistë. Megjithatë ky vit mund të shënojë fillimin e një qasje më e fuqishme për ruajtjen e ekosistemeve të oqeaneve, veçanërisht për peshkimin e tepërt, që është përgjegjës për pakësimin e thiktë të shumë specieve.
Sfida që kemi përpara nuk duhet nënvlerësuar. Arritja e saj do të kërkojë tejkalimin e një prej pengesave më të vështira të ruajtjes detare: sigurimin e qëndrueshmërisë së biodiversitetit në afërsisht 60 për qind të oqeaneve të botës që shtrihet përtej juridiksionit të shteteve individuale.
Brenda kufirit 200-milje detare që përbëjnë zonat e tyre ekskluzive ekonomike (EEZ-ët), pak shtete kanë përdorur një kombinim të legjislacionit të fortë, menaxhimit të mirë dhe
Detyrimit efektiv për të ruajtur rezervat e peshkut dhe ekosistemet. (Ka pasur shumë kundër-shembuj).
Përtej EEZ-ve, megjithatë ngrihet një problem i rrezikshëm: shumica e burimeve të jetesës janë de facto me akses të hapur, duke i lënë ato të ekspozuara ndaj mbishfrytëzimit. Ndërsa ka pasur shumë përpjekje me qëllim të mirë për të përmirësuar menaxhimin e këtyre burimeve, të gjitha mbështeten në gatishmërinë e aktorëve individualë për të hequr dorë nga përfitimet ekonomike afatshkurtra të burimeve intensive për hir të të mirës së përgjithshme afatgjatë.
Kurdo që lind një kosto nga angazhimi me një proces ndërkombëtar, ka gjithnjë një stimul për të mos luajtur sipas rregullave, për t’i zbatuar pak ose për të mos marrë pjesë fare. Kjo është veçanërisht e vërtetë për çështjet mjedisore, ku kapitali politik i kërkuar është i lartë; nevoja për mbështetje gati unanime është thelbësore; çështjet mund të jenë të diskutueshme; dhe përfitimet janë të shpërndara në mënyrë ç’proporcionale dhe realizohen në një shtrirje afatgjatë.
Një ngjashmëri kalimtare me politikën reale të ndryshimit klimatik sugjeron se kjo është një sfidë frikësuese – nëse jo e vështirë – që shfaq elemente të vështirësisë më të madhe politike dhe sociale: dilemën e të burgosurit, problemin qylaxhiut dhe tragjeditë e të përbashkëtave.
Në të tashmen, një rrjet legjislacioni – përfshirë Konventën për Ligjin e Detit të Kombeve të Bashkuara, udhëzimet e Organizimit të Ushqimit dhe Bujqësisë, dhe Marrëveshja e Rezervës së Peshkut, si dhe Konventa mbi Speciet e Egra Migratore – drejton aktivitetet që mund të ndikojnë në biodiversitetin e detit të hapur. Ende mbrojtja e ofruar te gjallesat mbetet e kufizuar – dhe e mbushur me defekte.
Për shembull, për shkak se jo të gjitha vendet janë nënshkruese të këtyre marrëveshjeve, anijet mund të zgjedhin cilin flamur të valëvisin për të shmangur kufizimin nga rregullat (një ‘flamur komoditeti’). Disa markata peshku mbeten jashtë juridiksionit të çdo organi rajonal që luan një rol në menaxhimin e burimeve. Si rezultat, peshkimi ilegal, i paraportuar dhe i parregulluar vlen miliona dollarë çdo vit.
Një hap premtues, i rekomanduar nga një grup pune në OKB në janar, është zhvillimi i një marrëveshje ligjore detyruese mbi biodiversitetin e detit të hapur, që të jetë gati për rishikim nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në shtator.
Një kornizë pune kaq e koordinuar dhe e harmonizuar mund të ndihmojë në mbylljen e boshllëqeve rajonale në qeverisje; për të detyruar organet ekzistuese të peshkimit të punojnë për të përmirësuar rezultatet ; dhe së fundmi të mundësojë zhvillimin e organeve të reja që janë të përqendruara në menaxhimin dhe mbrojtjen e ekosistemeve, jo vetëm në rezervat e peshkut. Kjo, nga ana e saj, do të kanalizojë bashkëpunimin e nevojshëm për të krijuar zona detare të mbrojtura në det të hapur, që do t’i japë mundësi ekosistemeve të dëmtuara apo të varfëruara të marrin veten.
Sigurisht, për të qenë efektive, zona të tilla duhet të monitorohen. Një zhvillim premtues ka qenë përdorimi i teknologjisë satelitore për të zbuluar dhe adresuar shkeljet e peshkimit nga anije individuale. Kjo mund të sjellë një ndryshim të thellë për mirë në menaxhimin e oqeanit, veçanërisht për vendet me EEZ të mëdha dhe kapacitet detar të kufizuar.
Një sistem i koordinuar për përgjigjen ndaj shkeljeve është gjithashtu jetësor. Mbyllja e porteve për anijet që shkelin rregullat mund të arrihet përmes Marrëveshjes së Masave të Portit Shtetëror aktualisht në pritje të ratifikimit.
Qeverisja dhe ruajtja e oqeaneve është në një pikë kritike. Burimet detare nuk mund të shfrytëzohen më shumë seç duhet pafundësisht. Marrëveshja e ardhshme e ‘biodiversitetit përtej juridiksionit kombëtar’ e mbështetur nga mënyra të reja të monitorimit të pajtueshmërisë, do të përmirësonte menaxhimin e oqeaneve në mënyrë të ndjeshme.
Vështirësia është se, në çdo skenar, menaxhimi më i mirë do të thotë që ne të zgjedhim qëndrueshmërinë mbi përfitimet afatshkurtra. Nëse do të tejkalojmë prirjen tonë për të zgjedhur të kundërtën, kjo mbetet për t’u parë.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Death and Hope on the High Seas.