Pushtimi i kinemasë së rrënuar Zvezda në Beograd nga aktivistët e Lëvizjes për Pushtimin e Kinemasë, që ngacmoi publikun kulturor të Serbisë dhe rajonit, edhe një herë vuri gishtin te privatizimi i dëmshëm i asaj që dikur qe një rrjet i fuqishëm kinemash të njohura si Beograd Film.
Prej gati pesë muajsh kinemaja Zvezda në Beograd është e hapur për vizitorët, pas një ndërprerjeje prej shtatë vjetësh gjatë të cilave, më e mira e rrjetit të kinemave, krahas 14 kinemave të tjera publike u la të rrënohej.
Gjithsesi, pavarësisht fillimit entuziast, muajt e dimrit sollën vetëm një grusht vizitorësh të rregullt për shfaqjet e përditshme të një repertori që varionte nga filmat klasikë të luajtur nga YouTube te filmat alternativë – që të gjitha falas.
Zvezda e rilindur, e cila deri në privatizimin e saj më 2007 qe selia qendrore e rrjetit të kinemave Beograd Film, është e pakrahasueshme me kinematë e tjera të sotme të qytetit, repertori i të cilave karakterizohet nga interesat tregtarë dhe që shpesh gjenden nëpër qendra komerciale grandioze.
Diferenca nuk është vetëm repertori alternatif apo pamja e ndërtesës së shkatërruar që qe ngritur fillimisht në vitin 1903, gjithsesi. Vizitorët e rregullt thonë se aty gjendet një atmosferë specifike, të cilën e konsiderojnë si simbol të një rilindjeje kulturore dhe qytetare në Serbi.
Që kur Lëvizja për Pushtimin e Kinemave, e udhëhequr nga Mina Djukic, Luka Bursac dhe kineastë të tjerë të rinj e pushtoi atë në nëntor me ndihmën e rreth 300 vullnetarëve, ata kanë hequr pluhurin, malin me plehra dhe minjtë e ngordhur. Instalimet janë riparuar bashkë me tavanin që pikonte.
Siç thanë ata në një intervistë për BIRN, dëshira e tyre nuk qe thjeshtë rivendosja e rendit nëpër zyrat e mbuluara nga pluhuri apo nxjerrja në pah e zyrave të mbushura me karrike të thyera, kompjuterë, makina shkrimi dhe pajisje kinematografike të ndryshkura, por edhe për të ngritur pikëpyetje mbi privatizimin kriminal të kinemave.
Mina Djukic, 32 vjeç, një kineaste që bën pjesë në këtë lëvizje thotë se për ta Zvezda është bërë një pikë nisjeje në luftën për të rikthyer hapësirat publike dhe për t’i dhënë atyre qëllime të reja kulturore.
Duke rikujtuar arsyet fillestare të pushtimit, ajo tha se pa për një vend të përshtatshëm për të dhënë premierën e filmit të saj të parë, “I Pabinduri” (“Neposlusni”), kur ajo u përplas me disa kolegë që sakaq e kishin ndarë mendjen për të nisur aksionin që për një çast ia doli të trondisë skenën kulturore në Serbi dhe rajon.
“Shumë njerëz na këshilluan të heqim dorë nga ky veprim, për shkak se kishte gjasa që nuk do të zgjaste shumë,” tha Djukic, ndërsa qe ulur në zyrat e sajuara në katin e dytë të ndërtesës që gjendet pikërisht përballë Bashkisë së Beogradit. Muaj më parë, aty nuk kishte asgjë më shumë se sa një derë e mbyllur me një tabelë të pistë të shkruajtur me alfabet cirilik ku shkruhej Zvezda – Ylli.
“Në anën tjetër, ne menduam se nuk duhet të mjaftoheshim me një bisedë të kotë pijetoreje mbi tragjedinë e kinemave të Beogradit të cilat u mbyllën, por për të bërë diçka për të zgjuar kuriozitetin e njerëzve dhe për t’i angazhuar ata në këtë përpjekje,” shton ajo, duke shpjeguar se si ajo dhe Luka Bursac morën me vete miq dhe të njohur dhe pastaj tërhoqën një lum me njerëz të bashkuar me të njëjtin qëllim.
Pyetur nëse veprimi i tyre qe në fakt një shkelje e pronës private dhe shkelje e kushtetutës, ajo këmbënguli se drejtësia është shumë më e rëndësishme se sa ligji – dhe se qe shteti ai që lejoi në vitin 2007 që 14 kinema që gjendeshin në vendet më të shtrenjta të qytetit, të privatizoheshin dhe të liheshin në harresë.
Rrjeti i kinemave Beograd film u shit për 8 milionë euro te Nikola Djivanovic, një biznesmen i cili pesë vjet më vonë u arrestua dhe u dënua për abuzim me postin, përfitimin e paligjshëm të 4 milionë eurove dhe shkaktimin e 2 milionë eurove dëme ndaj shtetit.
Nga kjo kohë, të gjitha kinematë e ish Beograd film qenë mbyllur sakaq ndërsa shumë prej tyre qenë shitur e nuk funksiononin më si kinema. Pronari i tyre pati arritur një marrëveshje me prokurorinë dhe kaloi dy vite në burg.
Në këtë kinema, në të cilën Djivanovic është ende pronar, Djukic dhe miqtë e saj kanë bërë plane të tjera për lëvizjen e tyre. Ajo thotë se këto plane sillen rroturll anulimit të privatizimit të rrjetit të kinemave Beograd Film dhe ruajtjen e Zvezda si një kinema alternative me përmbajtje edukative.
“Ne nuk kemi për qëllim të bëhemi pronarë të kinemasë,” vëren ajo.
“Ne shpresojmë për ndonjë lloj modeli kreatv për funksionimin e saj i cili nuk do të fshehë interesat privatë përtej iluzionit të aktiviteteve kulturore, dhe as që do të ruajë status quo-në ekzistuese,” shtoi aji, duke nxitur autoritetet të pranojnë pasojat e dëmshme të privatizimit të rrjetit si përgjegjësi e tyre.
Pushtimi bën jehonë:
Aftësia me të cilën lëvizja ka kundërshtuar shkatërrimin e hapësirave publike dhe ka promovuar hapësirat kulturore alternative ka frymëzuar artistë, organizata jofitimprurëse dhe njerëz të zakonshëm nëpër të gjithë Serbinë si dhe në rajon. Ata me të cilët BIRN foli, e shohin lëvizjen si fillimin e një rilindjeje më të gjerë civile, gjë për të cilën “pushtuesit” besojnë se është misioni i tyre.
Media nëpër rajon raportoi mbi “guerilasit” e kinemave të Beogradit dhe kërkesat e tyre për anulimin e privatizimit të Beograd Film. Filozofi francez Alain Badieu vizitoi pushtuesit në mes të janarit ndërsa Alexis Cipras, kryeministri aktual grek erdhi në Zvezda dhjetorin e kaluar, pak para se të fitonte zgjedhjet e përgjithshme të Greqisë.
Srecko Horvat, filozofi dhe sociologu kroat, shkroi mbi Zvezda-n një artikull të publikuar në New York Times, ndërsa Michel Gondry, regjisori frances që ka fituar Oscar, bëri një film të shkurtër fizatimor si nderim për lëvizjen.
Shumë protagonistë të skenës kulturore të pavarur, kineastë si dhe mendimtarë vendës dhe të huaj e kanë mbështetur lëvizjen dhe mënyrën në të cilën ajo “çliroi” Zvezdën nga kalbja dhe zhdukja.
Djokica Jovanovic, një profesor në Universitetin e Beogradit me specializim në sociologjinë e kulturës, thotë se pushtimi përfaqëson një “akt të ushtrimit të lirisë”.
“Hapësira e kinemasë pas privatizimit përfundoi në errësirë, siç ndodhi me shumë hapësira të tjera publike. Nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër. Njerëzit sollën me vete elektrikë dore dhe fshesa, pastruan katrahurën dhe filluan të shijojnë idenë e të bukurës, artit dhe lirisë,” tha Jovanovic për BIRN.
Jovanovic ndjen se Lëvizja për Pushtimin e Kinemave përfaqëson një dëshirë edhe më të madhe në shoqëri për t’u çliruar nga “kthetrat e autoritetit absolutist të mishëruar në strukturën e politikanëve, oligarkëve dhe klerikëve”.
“Kjo strukturë po pezullon lirinë nga privatizimi i të gjitha burimeve publike, nga kultura te industria,” shtoi ai.
Regjisori Srdjan Dragojevic i cili është gjithashtu deputet i Partisë Socialiste në pushtet, e mbështet këtë. Ai rikujton se rrjeti i Beograd Film përbëhej nga 14 kinema dikur.
“Zvezda është një shkëndijë fillestare që shtyu përpara. Por unë nuk do të jem i lumtur nëse publikut do t’i mbyllen sytë dhe një kompromis i kalbur të arrihet vetëm në lidhje me Zvezdën ndërsa 13 kinematë e tjera lejohen të zhyten në harresë,” tha Dragojevic për BIRN.
Ngjarjet në Zvezda janë bërë një frymëzim për të rinjtë në qytete dhe qyteza të tjera dhe shumë prej tyre kanë ardhur aty për të marrë këshilla se si mund të rikrijohen “qendrat kulturore të shkatërruara apo një kinema që ndërkohë është bërë një sallë bastesh, një klub nate apo një rrënojë,” vëren ai.
Darka Radosavljevic, nga organizata jofitimprurëse Remont, lavdëron mënyrën se si hapësirat e harruara publike janë vendosur sërish në qendër të vëmendjes së publikut duke shtuar se kjo përfaqëson një vijimësi të një tendence drejt themelimit të qendrave kulturore alternative në Beograd dhe më tutje.
[fact title=”Kohështrirja: Nismat kulturore të ndërmarra në lidhje me hapësirat publike në Serbi”]
– Beograd, Janar 2011– BIGZ – Një koloni artistësh u themelua në ndërtesën e vjetër të shtëpisë botuese BIGZ në Beograd në fillim të shekullit të 21 u kthye në një qendër kulturore kur pronarët filluan të japin me qira zyra në mënyrë që të ngadalësonin vjetërimin e vendit. Gjithsesi, qiramarrësit, më së shumti artistë të rinj, u larguan në masë nga ndërtesa më 2014 kur kontratat e tyre u anuluan për shkak të ndërtimit të një hoteli luksi në afërsi të BIGZ.
– Beograd, Prill 2011 – Inex Film – Një grup aktivistësh themeluan një qendër kulturore në ndërtesën e braktisur të Inex film, të gjendur në lagjen Karaburma të Beogradit. Pasi pastruan ndërtesën, anëtarët e lëvizjes Ekspedita Inex Film filluan të organizojnë ngjarje të ndryshme kulturore, të cilat vijojnë edhe sot.
– Beograd, Dhjetor 2011 – Qendra Komunitare – Rreth 200 njerëz hynë në një kazermë ushtarake të braktisur në Novi Sad, duke kërkuar që Ministria e Mborjtjes t’i lërë ata ta kthejnë në një hapësirë publike për kulturën, sportin dhe aktivitetet edukative. Gjithsesi, më 13 janar, policia dhe ushtarët hynë në kazermë dhe urdhëruan pushtuesit të largoheshin, gjë që ata e bënë.
Beograd– 2011 deri më 2013 – Beograd Film – Një nismë qytetare organizoi disa protesta dhe shfaqje para kinemave që qenë dikur pjesë e rrjetit të Beograd Film, duke i rikujtuar publikut dhe autoriteteve se të 14 kinematë qenë mbyllur që nga koha e privatizimit.
Beograd – 2015 – Magacin (Magazina) – Në fillim të këtij viti, Shoqata “Skena Kulturore e Pavarur” vijoi bisedimet me autoritetet e qytetit për përshtatjen e një magazine pranë stacionit hekurudhor të Beogradit për të organizuar aktivitete kulturore. Megjithëse ndërtesa qe shpallur qendër kulturore publike në vitin 2007, ajo nuk qe përdorur kurrë për shkak të problemeve procedurale. [/fact]
“Nismat kulturore cilësore janë organizuar më së shumti jashtë kuadrit institucional në vitet e fundit, por autoritetet dhe strukturat politike nuk kanë patur kapacitetet për t’u përshtatur me këto ndryshime,” vëren Radosavljevic.
Ajo shpreson për më shumë pika reference të tilla si Zvezda të cilat duhet të krijohen gjatë viteve të ardhëshme, “dhe që politikanët do të pranojnë se perceptimi i tyre është në mënyrë domethënëse i ndryshëm nga nevojat reale të qytetarëve”.
Milica Pekic, president i bordit të Skenës Kulturore të Pavarur, NKSS, një shoqatë që përfshin disa dhjetëra organizata jofitimprurëse të përqendruara te kultura, tha se lëvizja për pushtimin e kinemasë përshtatet me profilin e organizatave të tjera të ngjashme nëpër Europë dhe përfaqëson një shenjë të një ndërgjegjeje civile të rilindur, emancipuese për njerëzit dhe frymëzuese për ta për të marrë përgjegjësinë për interes shoqëror më të gjerë.
“Një numër i madh organizatash që merren me prodhimin artistik bashkëkohor po bëjnë programe të rëndësishme dhe domethënëse për skenën dhe audiencën por ata nuk kanë hapësirën për të punuar apo ekspozuar,” shpjegoi Pekic, duke shtuar se pushtimi i Zvezda është vetëm një nga një numër nismash të lidhura me shqetësimet për [mungesën] e hapësirave publike në Beograd dhe nëpër Serbi.
“Është një reagim normal i qytetarëve ndaj shtypjes dhe margjinalizimit të kulturës,” tha ajo, duke rikujtuar se privatizimi në praktikë i shkatërroi kinematë, ndërsa muzetë nëpër Beograd janë mbyllur e institucionet janë de-profesionalizuar.
Dobrica Veselinovic, nga organizata Ministria e Hapësirës, e cila synon të krijojë sa më shumë hapësirë të jetë e mundshme për aktivitete kulturore të pavarura, thotë se pushtimi i Kinemasë Zvezda është fryt i një fushate që ka zgjatur prej shumë vitesh dhe që synon të paralajmërojë njerëzit për pasojat shkatërrimtare të privatizimit “kriminal dhe barbar” të Beograd Film.
VIDEO: Një nga veprimet ndërgjegjësuese të kinemasë
“Çlirimi i kësaj kinemaje tregon se është e mundur të përmbyset tendenca negative e mbylljes dhe kolapsit kulturor – dhe për të vënë gishtin te problemet më të thella shoqërore në të njëjtën kohë,” tha ai. Zvezda është për rrjedhojë thjeshtë një simbol i një përpjekjeje më të gjerë.
“Në njërën anë, ne kemi një numër të madh hapësirash publike që janë të zbrazura dhe të braktisura për një kohë të gjatë dhe nga ana tjetër, një numër të madh organizatash dhe individësh që kanë nevojë për këto hapësira,” thotë Veselinovic. “Për fat të keq, nuk ka vullnet politik mes elitës sunduese për të lidhur këto dy pole.”
Autoritetet e qytetit janë më pak entuziaste. Ata gjithashtu vizituan kinemanë në fillim dhe i dhanë lëvizjes mbështetje verbale. Por, ata nuk ndërmorrën hapa konkretë përpara dhe as që e vunë në diskutim privatizimin e Beograd film, dhe as nuk u përpoqën për të gjetur një model të ri për drejtimin e kinemasë së pushtuar. Lëvizja është lënë me “status quo-në”, ose një “vakum krijues” në të cilin ata kanë në plan të funksionojnë për aq kohë sa munden.
Liri brenda fluskës:
Duke u kthyer te kinemaja, Djukic thotë se rreth një dyzinë të rinjsh janë në zemër të lëvizjes, përfshirë atë vetë, japin shfaqje gjatë ditës dhe natës, duke e kthyer kinemanë e shkatërruar në një shtëpi të dytë, ndërkohë që qindra të tjerë vijnë për të ndihmuar kur kanë kohë.
“Ky aksion ka kthyer një grup individësh të zemëruar në një bashkësi që kundërshton trajtimin që kultura merr në ditët tona në Serbi,” thotë Djukic me krenari, duke shtuar se ndërsa ajo mbështet të tjerët që dëshirojnë të zbatojnë skenarin e Zvezdës në qendra të tjera kulturore, ata duhet të mos e shohin si formulë dhe duhet të ndjekin idetë e veta.
“Mes anëtarëve të lëvizjes ka kaq shumë dashuri, solidaritet dhe kujdes, me përkushtim të plotë ndaj misionit tonë të përbashkët – mbrojtja e kinemave të Beogradit,” predenton ajo.
Djukic thotë se ndërsa ajo dhe shokët e saj organizohen me turne për të ruajtur kinemanë, pronari, biznesmeni Djivanovic gjendet diku në Bahamas, ku ata pretendojnë se e kanë gjetur përmes rrjeteve të medias sociale.
“Ai është një njeri inteligjent dhe cinik, në disa raste i mprehtë, ai është njëkohësisht një ushtar i kapitalizmit dhe gjithashtu një njeri që nuk ka sistem vlerash. Marrëdhënia jonë është një përleshje filozofish – ne jemi këtu për të bërë një deklaratë dhe për të hedhur dritë në errësirë, ndërsa ai kujdeset vetëm për metrat katrorë të zyrave,” thotë ajo.
Ajo thotë se lëvizja i kërkoi atij t’i japë hapësirë falas dhe ai u përgjigj “do të mendohem për këtë”, por nuk u bë i gjallë pas kësaj.
“Qe në ditën e Vitit të Ri kur ai na telefonoi për të na thënë se ne mund të shkojmë në paqe në shtëpi për të kaluar pushimet me familjet tona dhe se asgjë nuk do të ndodhë te kinemaja nëse ne e linim atë për një ditë. Ne nuk e dëgjuam këshillën e tij,” tha Djukic për BIRN.
Ajo thotë se lëvizja, e cila nuk ka hierarki të përcaktuar, struktura apo financierë, do të qëndrojë brenda kinemasë për aq kohë sa të jetë e mundur, në përpjekje për të zgjidhur problemet një nga një, duke investuar paratë e tyre apo duke pranuar donacione informale nga mbështetësit.
“Ne planifikojmë në detaje funksionimin e kinemasë sëbashku dhe çdokush ka litinë për të sugjeruar idetë e tyre të tjerëve. Ne po i mbajmë gjithashtu dyert e hapura për anëtarë të rinj,” thotë Djukic, duke mohuar që pushtimi i Zvezdas ka ngjura të së majtës apo ndonjë ideologjie tjetër apo që ajo përfaqëson anarkinë apo shthurjen, por thotë se ajo përfaqëson një mënyrë të emancipimit kulturor apo rilindjen qytetare si dhe po riparon dëmet e shkaktuara nga privatizimet e errëta.
Ky artikull është financuar nga projekti Arti i Padukshëm, mbështetur nga Prince Claus Fund.