Këtë javë, Komiteti për Arktikun në Këshillin Kombëtar të Naftës, komitet që drejtohet nga drejtori ekzekutiv i ExxonMobil, publikoi një raport ku i bënte thirrje qeverisë së SHBA-së të fillojë punën me shpimet për naftë dhe gaz në Arktik, pa përmendur ndryshimet klimaterike. Kjo është thjeshtë kujtesa e fundit të kërcënimit që përbën modeli i biznesit të ExxonMobil për botën.
Modeli aktual i biznesit të ExxonMobil përbën rrezik për aksionerët e vet dhe për botën. Ne na u rikujtua ky fakt edhe një herë në një raport të Komitetit për Arktikun të Këshillit Kombëtar të Naftës, komitet që drejtohet nga drejtori ekzekutiv i ExxonMobil, Rex Tillerson. Raporti i bën thirrje qeverisë së SHBA-së të fillojë shpimet për naftë dhe gaz në Arktik – pa përmendur pasojat e ndryshimeve klimaterike.
Ndërsa kompanitë e tjera të naftës po fillojnë të flasin hapur dhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë mbi ndryshimet klimaterike, modeli i biznesit të ExxonMobil vijon të mohojë realitetin. Ky model nuk është thjeshtë moralisht i gabuar; ai është edhe financiarisht i dështuar.
Viti 2014 qe më i nxehti që është matur në histori, një rikujtesë e zymtë për rrezikun planetar për bisedimet botërore për ndryshimet klimaterike, të cilat pritet të arijnë kulmin në Paris në dhjetor. Qeveritë e botës kanë rënë dakord ta mbajnë rritjen botërore të temperaturës që shkaktojnë njerëzit nën limitin e 2 gradëve celsius (3.6 Fahrenheit) Megjithatë trajektorja aktuale sugjeron se do të kemi ngrohje shumë përtej këtij limiti, ndoshta mes 4 dhe 6 gradëve celsius nga fundi i këtij shekulli. Përgjigjja, natyrisht qëndron te kalimi nga energjitë fosile te energjitë me emetime të ulëta të karbonit si era dhe energjia diellore si dhe te makinat elektrike të furnizuara me elektricitet të prodhuar me burime me nivel të ulët karboni.
Shumë nga kompanitë më të mëdha të naftës në botë kanë filluar ta pranojnë këtë të vërtetë. Kompani si Total, ENI, Statoil dhe Shell po bëjnë thirrje për vendosjen e një çmimi mbi emisionet e karbonit (të tilla si një taksë apo një sistem licencimi) për të përshpejtuar tranzicionin te energjia me karbon të ulët si dhe po fllojnë përgatitjet e brendshme për këtë tranzicion. Shell ka rritur investimet e veta në teknologjinë e kapjes dhe bllokimit të karbonit (ÇS), për të testuar nëse lëndët djegëse fosile mund të bëhen të sigurta duke kapur CO2, i cili përndryshe do të çlirohej në atmosferë.
Kjo nuk do të thotë se është rënë dakord për gjithçka me këto kompani; ato kanë premtuar të deklarojnë pozicionin e tyre në lidhje me ndryshimet klimaterike si dhe politikat që kanë në plan të ndërmarrin para samitit të këtij viti mbi klimën. Megjithatë, së paku ata po flasin për ndryshimet klimaterike dhe po fillojnë të përballen me kushtet e reja të tregut. Për fat të keq, ExxonMobil po sillet ndryshe.
Menaxhmenti i kompanisë, i verbuar nga pushteti i vet i stërmadh politik, sillet me mospërfillje të paramenduar ndaj realiteteve botërore në ndryshim. Ajo jeton në fshikëzën e lobistëve të Uashingtonit dhe këshilltarëve politikë që kanë bindur udhëheqësit e kompanisë për shkak se Senati i SHBA-ve është aktualisht i kontrolluar nga republikanët dhe se rreziku në biznes nga ndryshimet klimaterike në një farë mënyre është hequr dhe se bota nuk do të ndryshojë pa ta ose pavarësisht atyre.
Në të njëjtën kohë, ExxonMobil nuk është një aktor i voël në dramën planetare. Ajo është një nga protagonistët kryesorë. Sipas një studimi të vitit 2013, ExxonMobil renditet i dyti mes kompanive më të mëdha të botës, menjëherë pas Chevron, në kontributet totale të emetimeve të CO2. Për më tepër, studimi zbulon se kjo kompani e vetme ka kontribuuar në më shumë se 3 për qind të emetimeve totale botërore që nga fillimi i epokës së energjive fosile!
Pra, çfarë thotë ExxonMobil mbi realitetet e reja klimaterike? Si i pajton ajo politikat e saj korporative me nevojat e planetit?
Për fat të keq, kompania thjeshtë e injoron problemin. Kur pyetet nga analistë të pavarur të tillë si Carbon Tracker se si ka në plan të përshtasë kërkesën e pafundme për shpime për naftë me limitet e planetit mbi konsumin e energjive fosile në mënyrë që ato të mbeten poshtë objektivit të ndryshimit klimaterik me më pak se 2 gradë celsius, kompania thjeshtë e injoron limitin. Ajo thjeshtë beson se qeveritë e botës nuk do ta respektojnë angazhimin e tyre (ose se ajo mund të lobojë për të shmangur realizimin e këtij objektivi).
Dhe kështu ne mbërrijmë te raporti i fundit mbi Arktikun. Departamenti i Energjisë pyeti Këshillin Kombëtar të Naftës, një grupim i industrisë, për këshillën e tyre mbi shpimet në Arktik. Ajo që mori nga Tillerson është një ushtrim në keqdrejtim. Zhvillimi i burimeve të naftës dhe gazit në Arktik do të kontribuojë në ngrohjen e planetit përtej kufirit prej 2 gradësh. Vetë Arktiku po ngrohet shumë më shpejt se sa mesatarja e planetit, gjë që ka potencialin të shkatërrojë çrregullime masive në shkallë botërore të klimës – përfshirë rrezikun për ndryshime moti ekstrem të tilla si ato që u vërejtën së fundmi në lartësitë e mesme të SHBA-së.
Për këto arsye, shkenca më e mirë e kohëve të fundit, përfshirë një studim të rëndësishëm të publikuar këtë vit te revista Nature, jem një mesazh të qartë dhe të fortë: Mbaje naftën e Arktikut nën tabanin e detit të thellë; nuk ka ende një sistem të siguritë klimaterik për atë energji.
Bota ka sakaq më shumë se sa nevojitet rezerva nafte dhe gazi; ne tani kemi nevojë të kalojmë te energjia me nivel të ulët karboni, duke shfrytëzuar shumicën e rezervave ekzistuese të provuara në vend që të zhvillojmë më tej rezerva të reja duke kërcënuar planetin. Siç e thotë studimi i Nature: “Zhvill“mi i burimeve në Arktik dhe çfarëdolloj rritjeje në prodhimin jokonvencional të naftës kanë të papajtueshme me përpjekjet për të kufizuar ngrohjen mesatare të planetit në 2 grade celsius.”
Ky do të duhej të qe një temë e përshtatshme për studimin mbi Arktikun të Këshillit Kombëtar të Naftës. Por raporti nuk trajton kurrë problemin nëse nafta dhe gazi i Arktikut janë të përputhshme me sigurinë klimaterike.
Paturpësia e ExxonMobil duhet të jetë thellësisht shqetësuese për aksionerët e vetë kompanisë. Menaxhmenti i kompanisë ka në plan të shpenzojë para të madhe – ndoshta dhjetëramiliardë dollarë – për të zhvilluar rezervat e naftës dhe gazit të Arktikut, të cilat nuk mund të përdoren në mënyrë të sigurt. Njësoj si zhvendosja botërore drejt energjisë së rinovueshme sakaq ka kontribuuar për një rënie masive të çmimeve të naftës, politikat klimaterike do të miratohen në vitet e ardhëshme dhe do ta bëjnë investimin në Arktik një keqpërdorim të stërmadh burimesh.
Fondet e pensioneve, universitetet polet e sigurimit dhe fondet e mirëqënies sovrane në të gjithë botën po përshtaten me këtë rrezik në rritje, i cili është njëkohësisht si moral ashtu edhe financiar, kur vendosin për të blerë aksione në kompanitë e naftës, gazit dhe qymyrit. Siç e shpjegoi Lisa Sachs dhe unë së fundmi, investitorët e përgjegjshëm duhet të pyesin urgjentisht këto kompani mbi planet e biznesit të përputhshme me tavanin prej 2 gradësh në ngrohjen globale.
Planet e biznesit që përfshijnë investime në Arktik, në detet super të thella apo në naftën ranore të Kanadasë nuk kanë vend në një botë të sigurt për klimën. Investitorët e ExxonMobil duhet të pyesin urgjentisht menaxhmentin e kompanisë se pse strategjia e tyre e biznesit është në kundërshti me nevojat botërore dhe marrëveshjet politike. Nëse ExxonMobil këmbëngul mbi strategjinë e vet të rrezikshme të biznesit, investitorët e kompanisë duhet të mendojnë se koha ka ardhur për të tërhequr investimet e tyre dhe për të ecur përpara.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. ExxonMobil’s Dangerous Business Strategy