Në rrugën pa krye të negociatave Greqi-BE, ku Greqia luan kërcënueshëm me strategjitë e daljes ose të tolerimit të mospagimit , ka dalë një dritë e re që mund të ndryshojë lojën dhe të shkojë deri aty sa të rrëzojë Syrizën nga qeverisja.
Edhe një herë, Greqia duket se i ka rrëshqitur grackës financiare. Duke tërhequr nga pasuritë e veta në një llogari rezerve në Fondin Monetar Ndërkombëtar, qe në gjendje t’i paguante 750 milionë euro – ironikisht te vetë FMN-ja – në periudhën kur pagesës po i mbaronte afati.
Kjo politikë e lojës me zjarrin nuk është aksident. Që nga ardhja në pushtet në janar, qeveria greke e udhëhequr prej partisë Syriza të kryeministrit Alexis Tsipras, ka besuar se kërcimi i mospagimit në kohë ofron një mundësi negocimi për të kompensuar mungesën e pushtetit ekonomik dhe politik të Greqisë. Muaj më vonë, Tsipras dhe ministri i tij i financës, Yanis Varoufakis, një ekspert akademik në teori loje, duken ende të angazhuar ndaj kësaj pikëpamje, pavarësisht mungesës së çdo prove për ta mbështetur atë.
Por llogaritjet e tyre bazohen në një premisë false. Tsipras dhe Varoufakis prezumojnë se një mospagim në kohë do ta detyronte Europën të zgjedhë midis vetëm dy alternativave: dëbim të Greqisë nga eurozona ose ofrim i një ndihme pakushte për borxhin. Por autoritetet evropiane kanë një opsion të tretë për mospagimin grek. Në vend që të detyrojnë daljen e Greqisë, BE-ja mund ta zërë Greqinë në grackë brenda eurozonës dhe ta lërë pa para, më pas mund të rrijë dhe të shohë se si bie mbështetja e brendshme politike për qeverinë e Tsipras.
Një strategji e tillë – pritja që Greqia të mbetet pa paratë që i duhen për të mbajtur funksionimin normal të qeverisë – tani duket si teknika më premtuese e BE-së për të thyer rezistencën greke. Ka gjasa të funksionojë sepse qeveria greke e sheh si gjithnjë e më të vështirë të mbledhë mjaftueshëm para për të paguar pagat dhe pensionet në fund të çdo muaji.
Për ta bërë këtë, Varoufakis ka përdorur masa gjithnjë e më të dëshpëruara, si sekuestrimi i parave kesh në llogaritë bankare të komunave dhe spitaleve. Pasoja është se mbledhjet e taksave janë goditur rëndë nga kaosi ekonomik që nga zgjedhjet e janarit saqë të ardhurat e qeverisë nuk janë të mjaftueshme të mbulojnë kostot ditë pas dite. Nëse kjo është e vërtetë – askush nuk mund ta thotë me siguri për shkak të mungesës së besimit mbi statistikat financiare greke (një nga ankesat e tjera të autoriteteve të BE-së) – strategjia e negocimit të qeverisë greke është me fund të keq.
Strategjia Tsipras-Varoufakis prezumoi se Greqia mund të kërcënonte besueshëm mospagimin, sepse qeveria, nëse detyrohej të vazhdonte, do të kishte ende mjaftueshëm para për të paguar pagat, pensionet dhe shërbimet publike. Ky ishte një arsyetim logjik në janar. Qeveria kishte buxhetuar një tepricë të madhe (përjashto pagesat e interesit), që u parashikua të ishte 4 për qind e PBB.
Nëse Greqia nuk do të paguante në janar, kjo tepricë primare (në teori) mund të ridrejtohej nga pagesat e interesit për të financuar paga, pensione dhe shpenzime publike më të larta, të cilat Syriza i kishte premtuar në fushatën zgjedhore. Prej kësaj mundësie, Varoufakis mund të ketë besuar se ai po i bënte një ofertë bujare ministrave të tjerë të financave të BE-së duke i propozuar një ulje të tejkalimit primar nga 4 për qind në 1 për qind të PBB, në vend të zeros. Nëse BE-ja do të refuzonte, kërcënimi i tij i nënkuptuar ishte ndalimi i pagimit të interesit dhe ofrimi i tepricës primare për shpenzime publike ekstra.
Por çfarë ndodh nëse teprica primare – karta e triumfit të qeverisë greke në strategjinë konfrontuese të negocimit – të jetë zhdukur tanimë? Në këtë rast, kërcënimi i mospagimit nuk është më i besueshëm. Me zhdukjen e tepricës, një mospagim nuk do ta lejonte më Tsiprasin të përmbushte premtimet e fushatës së Syrizas; përkundrazi, do të detyronte shkurtime më të mëdha të pagave, pensioneve dhe shpenzimit publik krahasuar me ato që po kërkon tani ‘trojka’.
Për autoritetet e BE-së, nga ana tjetër, një mospagim grek tani do të ishte më pak problematik seç mendohej më parë. Ato nuk kanë nevojë ta frenojnë mospagimin duke kërcënuar Greqinë me largim nga euro. Në vend të kësaj, BE-ja mund të mbështetet tanimë në qeverinë greke vetë për të ndëshkuar njerëzit e saj për dështimin në pagimin e rrogave dhe pensioneve dhe respektimin e garancive bankare.
Tsipras dhe Varoufakis duhet ta parashikonin këtë sepse e njëjta gjë ndodhi dy vjet më parë, kur Qipro, buzë krizës bankare u përpoq të kundërshtojë BE-në. Eksperienca e Qipros sugjeron se, me rënien e besueshmërisë së kërcënimit të mospagesës nga ana e qeverisë, BE-ja ka gjasa ta detyrojë Greqinë të qëndrojë në euro dhe ta bëjë të kalojë në një faliment bashkiak të stilit amerikan, si Detroiti.
Mekanizmat ligjorë dhe politikë për kërcënimin e Greqisë si një faliment bashkiak janë të qarta. Traktatet evropiane deklarojnë njëzëri se anëtarësia në euro është e pakthyeshme vetëm nëse një vend vendos të dalë jo vetëm nga valuta por nga e gjithë BE-ja. Ky është gjithashtu një mesazh politik se qeveritë e BE-së duan ta rrënjosin në shtetasit e tyre dhe investitorët financiarë.
Nëse Greqia nuk paguan, BE-ja do të jetë ligjërisht e justifikuar dhe politikisht e motivuar të këmbëngulë që euro të mbetet oferta e vetme ligjore. Edhe nëse qeveria greke vendos të paguajë rrogat dhe pensionet duke printuar IOU-të e veta ose ‘dhrahmitë e rinj”, Gjykata Europiane e Drejtësisë do të këmbënguli që të gjitha borxhet e brendshme dhe depozitat bankare të ripaguhen në euro. Kjo do të detyrojë një mospagim ndaj qytetarëve grekë, si dhe ndaj kreditorëve të huaj, sepse qeveria nuk do të jetë në gjendje të respektojë vlerën e euros në depozitat e siguruara në bankat greke.
Ndaj një mospagim grek brenda euros, në vend që të lejojë Syrizën të respektojë premtimet zgjedhore, do të imponojë masa më të mëdha shtrënguese mbi votuesit grekë sesa ato që duruan nën programin trojka.
Në këtë pikë, rënia e qeverisë do të bëhej e pashmangshme. Në vend daljes së Greqisë nga eurozona, Syriza do të largohej nga qeveria greke. Sapo Tsipras të kuptojë se rregullat e lojës mes Greqisë dhe Europës kanë ndryshuar, kapitullimi i tij do të jetë vetëm çështje kohe.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Why Syriza Will Blink