Një dokument i rëndësishëm për liritë e njeriut Magna Carta garantonte të drejtën për një gjykim të shpejtë dhe të bazuar në ligj. Në një kohë kur shumë shtete e perceptojnë kërcënimin e sigurisë kombëtare mbi çdo gjë, të drejtat e njeriut po anashkalohen.
Nëse fluturoni mbi Aeroportin Heathrow të Londrës mund të kaloni mbi një fushë të gjelbër të quajtur Runnymede. Tetëqind vjet më parë si në këtë muaj, në të ndodhej një spektakël shumëngjyrësh, i spikatur nga tendat e banorëve dhe luftëtarëve dhe nga pavijoni më i madh i mbretit Xhon të Anglisë, me pamjen e një cirku që i qëndron në majë standardi mbretëror.
Pavarësisht pamjes si paratë të mbledhjes, atmosfera ishte padyshim e tensionuar. Qëllimi ishte të zgjidhej një konflikt mes banorëve rebelë dhe mbretit të tyre, një sundimtar i përshkruar nga bashkëkohorët si “i mbushur me cilësi të këqija”.
Përpjekjet e Xhonit për të mbledhur para për rifitimin e tokave të humbura në Francë tejkaluan taksat e zakonshme dhe kuotat që fisnikët kishin pranuar nga paraardhësit e tij. Mbreti sekuestroi pasuritë dhe ndonjëherë personin, e lordëve të pasur ose tregtarëve dhe kërkoi pagesa të majme për lirimin e tyre.
Nëse vitet e tij të mbledhjes së parave do të kishin çuar në fitore, Xhon mund t’ia kishte hedhur me metodat e tij arbitrare; por kur ai u mund në Francë, një grup baronësh u ngritën kundër tij dhe pushtuan Londrën. Si pjesë e një marrëveshje paqeje të hartuar nga kryepeshkopi Canterbury, mbreti pranoi kërkesat e baronëve me anë të një dokumenti të quajtur Magna Carta ose “Karta e Madhe”.
Magna Carta nuk ishte vetëm karta e parë e dhënë nga një mbret anglez. Një shekull më parë, Henri I, duke lëshuar Kartën e Kurorëzimit, la të kuptohej se ai do të ishte më i respektueshëm ndaj privilegjeve të fisnikëve sesa paraardhësi i tij. Por pasardhësi i Henrit shpejt iu kthye rrugëve arbitrare të mbretërve të atyre kohëve.
Edhe Magna Carta, ngjante se do të kishte një jetë të shkurtër. Ajo u anulua së shpejti nga Papa Inoçenti III, që kishte formuar një aleancë me mbretin. Por Xhoni vdiq në vitin pasues dhe fisnikëria që mbështeste pasardhësin e tij, Henrin III 9-vjeçar, kishte nevojë për mbështetje kundër një pretenduesi rival për fronin. Për të fituar mbështetje, qeveria e Henrit lëshoi një version të tij të Magna Carta-s, që mbetet pjesë e ligjeve të Anglisë.
Iu bënë kopje dhe u shpërndanë në shumë katedrale të mëdha angleze. Origjinali në latinisht u përkthye së pari në frëngjisht, gjuhën e fisnikërisë, më pas në anglisht. Në fund të shekullit, fshatarët po e citonin atë në një luftë kundër padrejtësisë.
Verrsioni i parë i botuar u bë në 1508. Në vitet 1649, parlamentarët panë në të një bazë ligjore për rrëzimin nga pushteti të mbretit Karli I. Më vonë rebelët, përfshirë revolucionarët amerikanë dhe Nelson Mandelën, kanë justifikuar veprimet e tyre duke u mbështetur te Magna Carta.
Çfarë marrin këta luftëtarë për drejtësi dhe liri nga dokumenti me 3500 fjalë janë deklaratat për parimet e përgjithshme në përgjigje të kapjes arbitrare të Xhonit ndaj pronës dhe personit. Në kapitullin e 39, Magna Carta thotë: “Asnjë njeri i lirë nuk mund të arrestohet apo burgoset, të dëbohet, të përjashtohet apo përzihet dhe të shkatërrohet në një mënyrë, nuk do ta përndjekim dhe nuk do të çojmë të tjerë ta përndjekin, përveç gjykimit nga të barabartët e tij ose nga ligji i vendit”. Kapitulli 40 shpreh me saktësi një tjetër parim të fuqishëm: “Askujt nuk do t’ia shesim, askujt nuk do t’ia mohojmë apo vonojmë të drejtën ose drejtësinë”.
Këta dy kapituj kanë jehonën e tyre moderne në Amendamentin e 14 të Kushtetutës Amerikane, që dekreton se asnjë shtet nuk mund t’ia privojë ndokujt jetën, lirinë apo pronën pa një proces të drejtë ligjor dhe nuk mund t’ia mohojë kujt mbrojtjen e barabartë nga ligjet.
Megjithatë, Magna Carta nuk është një dokument demokratik. Ndonëse hodhi bazat për mirëkuptimin mbi taksimin, pëlqim që merrej nga një asamble e kontëve, baronëve, peshkopëve dhe abatëve – në kohën e kalorësisë, as luftëtarët nuk ishin të ftuar të merrnin pjesë.
Ideja se qytete si Londra duhej të përfaqësoheshin u shpreh në atë kohë, por nuk gjeti vend në tekstin final. Çfarë tregon Magna Carta është se “Kush sundon?” dhe “Cilat janë kufijtë e pushtetit politik?”
Për shkak se Magna Carta u përpoq të vinte kufij ndaj pushtetit politik pa i bazuar këto kufij në sovranitetin e popullit, ajo shfaqi një problem me të cilin filozofët janë përballur për më shumë se 800 vjet. Prej nga vijnë parimet që kufizojnë sundimtarët, nëse jo prej sundimtarëve dhe prej subjekteve të tyre?
Tradita e ligjit natyror ofron një përgjigje që është e njohur për studiuesit mesjetar, për të cilët ligji natyror është i njohur për ne nga arsyeja jonë natyrore. Parimet e Magna Cartës mund të shihen si të derivuara nga arsyeja sepse ideja e ligjit përjashton arrestimin dhe sekuestrimin, si dhe nxjerrjen e përfundimit mbi baza të tjera veç aplikimit të duhur të ligjit. Nëse A-ja ka detyrën ligjore t’i kthejë B-së lopën kur ajo shkel në tokën e tij atëherë kur lopa e C-së shkel në tokën e B-së në të njëjtat rrethana, B-ja duhet t’ia kthejë lopën C-së. C-ja nuk duhet t’i japë ryshfet gjykatësit për të marrë lopën e tij.
Nuk ka asgjë në Magna Carta që parandalon kalimin dhe imponimin e ligjeve të padrejta; por e ngre ligjin mbi vullnetin e sunduesit. Fatkeqësisht, ideja ende nuk pranohet në shumë vende. Për më tepër, siç tregon vazhdimësia e ekzistencës së burgut amerikan në Guantanamo, edhe shtetet që i kanë nxjerrë institucionet e tyre nga Magna Carta, dyshimet për kërcënime të sigurisë kanë dobësuar kërkesën që askush të mos arrestohet veçse në bazë të ligjit të vendit dhe që drejtësia të mos vonohet.
Botuar me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi nuk mund të bëhet pa lejen e Project Syndicate. Magna Carta at 800