Teksa më shumë imigrantë mbërrijnë në kufirin jugor të Maqedonisë nga Greqia, agjencitë humanitare po luftojnë për të shmangur një katastrofë njerëzore.
Rreth 500 deri në 1,000 imigrantë, shumica nga shtetet e Lindjes së Mesme të shkatërruar nga lufta, hyjnë në Maqedoni çdo ditë, tha për BIRN Mohammad Arif, nga Agjencia e Refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, UHNCR në Maqedoni.
“Fluksi i imigrantëve nuk është i ri por numrat janë rritur… situata është shumë serioze… njerëzit po vuajnë,” tha Arif.
Situata është më së shumti kritike në kalimin e kufirit me Greqinë rreth qytetit maqedonas të Gevgelijas, ku qindra refugjatë nga shtete si Siria, Iraku dhe Afganistani kanë ngecur në diellin e ngrohtë në zonën neutrale të kufirit. Ata presin atje për të hyrë në Maqedoni dhe për të vazhduar udhëtimin drejt Serbisë dhe më pas drejt Europës Perëndimore.
UNHCR së bashku me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ICRC dhe autoritetet lokale në Gevgelija së fundmi ranë dakord të vendosin atje një strehë të përkohshme, duke i ofruar imigrantëve të paktën një ditë qëndrim për të pushuar në hije, me kushte pastërtie, ushqim dhe ndihmë mjekësore.
“Kjo është Europa, ku gjërat supozohen të jenë më mirë, ndaj është shqetësuese se qindra, madje mijëra njerëz, përfshirë shumë gra dhe fëmijë, janë në qiell të hapur 24 orë në ditë,” tha Arif për BIRN.
Më 29 qershor, një refugjat sirian me moshë 42 vjeç, vdiq pranë Gevgelijas. Ai u çua në spital por vdiq nga i nxehti dhe rraskapitja, duke lënë pas djalin e tij të vogël në kujdesin e autoriteteve maqedonase.
UNHCR ndërkohë ka ngritur nivelin e emergjencës për Maqedoninë, që do të thotë se skuadrat e tyre kanë shkuar atje dhe po përpiqen të ndihmojnë për disa orë, duke sjellë ndihma në rast të një krize më të madhe humanitare.
“Duhet të jemi gati për të gjitha skenarët dhe të planifikojmë më përpara,” tha Arif.
Një tjetër pikë problematike ku emigrantët mblidhen dhe kanë nevojë për ndihmë është kufiri verior me Serbinë në Tabanovce, ku imigrantët përpiqen të largohen nga Maqedonia për në veri.
Rreth 120 vullnetarë nga Kryqi i Kuq Maqedonas janë të pranishëm në terren.
“Të gjitha skuadrat tona, përfshirë personelin mjekësor, janë të pranishëm çdo ditë në stacionet hekurudhore në Gevgelia dhe Tabanovce… njerëzit janë më së shumti të rraskapitur, kanë nevojë për ushqim, ujë dhe veshje,” tha Suzana Tuneva Paunovska, sekretare e përgjithshme e Kryqit të Kuq Shkup.
Maqedonia është vetëm për tranzit:
Muajin e shkuar, Maqedonia lejoi kalimin e ligjshëm të imigrantëve në vend për tre ditë, pasi mori kritika se i la ata të rrezikuar nga vjedhja, rrëmbimi apo vrasja ndërsa fshiheshin prej autoriteteve.
Synimi ishte të shmangej përdorimi i rrugëve të pasigurta nga imigrantët, që shpesh përfshijnë linjën hekurudhore jug-veri nga Greqia në Maqedoni dhe Serbi.
Më shumë se 25 imigrantë janë vrarë nga trenat kalimtarë ndërsa ecnin përgjatë hekurudhës dhe ka pasur raporte për rrëmbim të njerëzve nga kriminelët vendas.
Ligji tani i lejon imigrantëve të kërkojnë një formular që rregullon tranzitin e tyre në Maqedoni dhe i jep atyre 72 orë kalim të lirë.
Që kur ndryshoi ligji, mbi 5000 imigrantë kanë marrë azil të përkohshëm në Maqedoni, thotë policia. Autoriteti shton se imigrantët zakonisht qëndrojnë në Maqedoni për vetëm një deri në katër ditë.
Arif thotë se ndryshimi i ligjit në vetvete është një përmirësim i madh po është vetëm hapi i parë drejt ndërtimit të një sistemi azili që kërkon shumë përpunim.
“Ne duhet të ofrojmë kushte të duhura njerëzore për këta persona ndërsa janë këtu… qeveria maqedonase nuk është në një pozicion të mirë për të përballur një fluks refugjatësh, teksa ka shumë probleme vetë, por ne nuk duhet të harrojmë se këta njerëz nuk duan të bëhen refugjatë,” shtoi ai.
Gjatë muajve të fundit, zyra e avokatit të popullit, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe media ka ngritur shqetësime rreth kushteve nën standardin e qendrave të imigrantëve në Shkup në Gazi Baba, ku njerëzit mbahen në dhoma të mbipopulluara, në kushte të këqija higjienë dhe nuk lejohen të largohen pa leje.
Nova Tv në Maqedoni ka publikuar një video që pretendon se është marrë brenda Gazi Baba që shfaq kushtet e këqija.
Autoritetet thonë se ata po përpiqen të përballojnë fluksin e imigrantëve dhe se ngadalë po e zgjidhin problemin.
Straso Angelovski, kreu i qendrës maqedonase të azilkërkuesve, thotë se ata po përgatiten për të gjitha skenarët e mundshëm nëse shtohen refugjatët.
“Skenari më i keq do të ishte nëse më shumë migrantë hyjnë në Maqedoni nga Greqia dhe nëse Serbia fillon t’i kthejë ata në Maqedoni,” thotë ai.
“Më pas vendi ynë do të jetë në një situatë ku mijëra migrantë mund të bllokohen në tokën tonë… Ne kemi plane në raste të tilla për të akomoduar migrantët në kapacitetet tona në fshatrat Katlanovo, Cicino Selo, Saraj dhe Ljubanci,” shtoi ai.
T’i mbash migrantët në lëvizje:
Teksa Hungaria dhe Rumania, të ndodhura më në veri në rrugën e imigrantëve drejt Europës Perëndimore, lajmëruan planet për të ndërtuar mure që do t’i mbajnë ata larg, autoritetet maqedonase kanë frikë se kjo do t’i lërë ato me imigrantë të padëshiruar.
“Maqedonia mund të bëjë pak vetëm. Autoritetet duhet të mbeten vigjilente dhe të përpiqen të mbajnë në lëvizje refugjatët, duke lejuar kalimin e tyre në destinacionet që ata dëshirojnë,” tha një profesor i sistemeve të sigurisë në Fakultetin Juridik të Shkupit, Metodi Hadzi-Janev, për TV Telma.
Hadzi-Janev këmbënguli se Maqedonia duhet të shmangë mundësinë e qëndrimit të refugjatëve në vend pasi ‘getoizolim’ i tyre do të sillte telashe afatgjata.
“Përveç aspektit të rëndësishëm humanitar, askush nuk mund të garantojë se mes refugjatëve që po vuajnë nuk ka anëtarë radikalë të ISIS të cilët mund të infiltrohen ose janë përfshirë në valën e refugjatëve,” tha ai.
Maqedonia do të presë deri në shtator për çdo ndihmë të përqendruar nga Brukseli.
Në një konferencë të kohëve të fundit, Maja Kocijancic, zëdhënëse e Komisionerit të BE për Zgjerim, Johannes Hahn, tha se BE po finalizon programin 8 milionë euro për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë që do të zgjidhë problemet e migrantëve dhe që do të fillojë në shtator.