Me qindra familje të viktimave të Srebrenicës janë ende duke pritur të varrosirn eshtrat e njerëzve të tyre të dashur – por me kalimin e kohës, ka mundësi që të gjenden gjithnjë e më pak eshtra, në mos edhe fare.
Hajra Catic e pa për herë të fundit djalin e saj Nino më 11 korrik 1995, pasi forcat serbe të Bosnjës po zaptonin ‘zonën e sigurt’ të Srebrenicës, të deklaruar të tillë nga OKB-ja.
Ajo shkoi me gratë e tjera, fëmijët dhe të moshuarit në zonën e Potocarit, ku ishte vendosur një batalion holandez i OKB-së, dhe Nino tha se ai do të përpiqej të shkonte nëpër pyll me burrat e tjerë në qytetin e Tuzlës që kontrollohej nga boshnjakët.
Ai nuk arriti kurrë atje dhe eshtrat e tij nuk janë gjetur kurrë.
Hajra më vonë mori informacione se eshtrat e djalit të saj mund të jenë varrosur pranë një fshati të quajtur Bokcin Potok pranë Bratunacit, jo shumë larg nga Srebrenica, por ishte shumë e rrezikshme të kontrolloje nëse kjo ishte e vërtetë.
“Zona ishte e mbuluar me mina tokësore në Bokcin Potok. Shkova atje tre vjet më parë dhe u kam shkruar të gjithëve se duhet çminuar. Ata çminuan vetëm një pjesë të saj para Vitit të Ri në vitin 2014 dhe gjetën eshtrat e pesë njerëzve,” tha Hajra për BIRN.
“Para pesëmbëdhjetë ditësh pati një zhvarrim të ri dhe sigurisht që shkova, por ata gjetën vetëm një nofullë. Ishte një bizhuteri dhe disa rroba, por ata premtuan se do të vazhdojnë çminimin, ” tha ajo.
Ndërsa 20 vjetori i masakrave të Srebrenicës afronte, Hajra priste ende që të përfundonte procesi i identifikimit të ADN-së. Ajo po shpresonte që kocka e nofullës t’i përkiste djalit të saj në mënyrë që ajo më në fund të mund ta varroste në memorialin e Srebrenicës në Potocari së bashku me 136 viktimat e tjera që do të prehen aty në ceremoninë e përvitshme të këtij viti.
“Për mua është shumë e vështirë të pres. Sikur të gjenin edhe qoftë vetëm një gisht, do ta varrosja,” tha ajo.
Një skenë e madhe krimi
Djali i Hajrës është një nga rreth 1,200 njerëzit ende të përcaktuar si të zhdukur nga masakrat në Srebrenicë. Instituti Boshnjak për Personat e Zhdukur thotë se ka shumë pak informacione të besueshme në lidhje me varret masive dhe se ka shumë gjasa që disa trupa nuk do të gjenden kurrë.
Deri më tani, më shumë se 600 varre masive që përmbanin trupat e njerëzve të vrarë gjatë luftës së viteve 1992-1995 janë gjetur në Bosnjë dhe Hercegovinë – rreth 400 prej tyre kanë lidhje me masakrat e Srebrenicës.
Eshtrat e viktimave të ekzekutuara nga forcat serbe të Bosnjës në vende si Zvornik, Bratunac dhe Cerska janë gjetur në varre masive dhjetëra kilometra larg nga njëri-tjetri.
“Skena e krimit është e pabesueshme për nga madhësia – 70 kilometra nga veriu në jug dhe 40 kilometra nga lindja në perëndim,” tha për BIRN Jean-Rene Ruez, një hetues për prokurorinë e Gjykatës së Hagës në vitet 1995-2001.
Për ta bërë edhe më të vështirë kërkimin për viktimat, në tetor 1995, forcat serbe të Bosnjës filluan një mision të ri ku gërmuan shumë nga trupat dhe i transferuan ato në të ashtuquajtura “varre dytësore”.
Madje u ndanë edhe pjesë trupash, tha Amor Masovic nga Instituti Boshnjak për Personat e Zhdukur. Eshtrat e një të riu nga Srebrenica u gjetën në dy varre të ndryshme masive, 30 kilometra larg nga njëri-tjetri.
“Gjithashtu, brenda një varri, mbetjet e të njëjtit të ri u gjetën në një pjesë të varrit, në pjesën jugperëndimore të tij, dhe pjesët tjera në qendër të varrit, gjë e cila e ka ngadalësuar identifikimin dhe gjithashtu nënkupton se disa viktima nuk do të identifikohen kurrë,” tha Masovic.
Sipas prokurorisë së Gjykatës së Hagës, deri tani janë zbuluar 29 varre të tilla dytësore që përmbajnë eshtrat e viktimave të gjenocidit të Srebrenicës.
Varret më të mëdha masive janë gjetur në vende si Cerska, Glogova, Branjevo dhe Lazete, shumë prej tyre përmbanin eshtrat e më shumë se 100 viktimave.
Varret dytësore, sipas prokurorisë së Gjykatës së Hagës, janë gjetur disa vite pas luftës, kryesisht për shkak se Shtetet e Bashkuara siguruan pamje ajrore, të cilat tregonin pjesë të lëvizura toke gjatë operacionit rivarrimin të kryer nga forcat serbe të Bosnjës në vjeshtën e vitit 1995.
Sa i përket viktimave që nuk janë gjetur ende, Masovic vlerësoi se mund të ketë rreth 60 varre të tjera masive dhe disa qindra vende individuale varrimi. Por disa prej tyre nuk do të gjenden për shkak të mungesës së informacionit në lidhje me vendndodhjet e tyre, problemet me burimet dhe faktin se disa viktima janë hedhur nëpër lumenj dhe trupat e tyre tani nuk mund të gjenden më, tha ai.
Frangmente të një jete
Instituti Boshnjak për Personat e Zhdukur tha se këtë vit në Srebrenicë mund të ishin varrosur shumë më tepër viktima, nëse familjet do të kishin vendosur të varrosnin copa skelet që janë gjetur dhe identifikuar.
Lejla Cengic nga instituti tha se rreth 400 eshtra të cilat tashmë janë identifikuar duke përdorur testet e ADN-së aktualisht ndodhen në Qendrën e Identifikimit Podrinjes në Tuzla, por familjet janë kundër varrimit të tyre, sepse shpresojnë të gjejnë më shumë pjesë të trupave të njerëzve të tyre të dashur.
“Një numër i madh i viktimave të Srebrenicës nuk janë të plota, sepse janë gjetur në varre masive, kështu që shumë familje po presin të gjenden pjesët e tjera të trupit,” tha Cengic. Në disa raste, shtoi ajo, nga i gjithë trupi i viktimës është identifikuar vetëm një kockë.
Fatima Ahmic i shpëtoi forcave serbe të Bosnjës pasi ato pushtuan Srebrenicën në korrik 1995, por djali, vëllai dhe babai i saj nuk ia dolën dot.
Ajo tha se trupat e djali i saj dhe vëllait të saj u gjetën të plotë, duke e lejuar atë ‘i varroste, por trupi i babait të saj jo.
“Ata gjetën një pjesë të nofullës, një bërryl dhe pjesë të këmbëve. Këto pjesë u gjetën në tre varre masive,” tha ajo.
Pjesëve të trupit të babait të saj u gjetën në vitin 1996, por priti deri vitin e kaluar para se ajo të binte dakord ta varroste atë, duke shpresuar ende se do të gjendeshin pjesë të tjera të eshtrave të tij. “Ai ishte babai im, ishte një i tërë. Do të më kishte pëlqyer që ai të gjendej i plotë,” tha ajo.
Munira Subasic ndërkohë varrosi vetëm dy kockat vogla nga trupi i djalit të saj Nerminit. Ajo inkurajoi familje të tjera të bënin të njëjtën gjë. “Nuk e dimë nëse ata do të gjejnë pjesë të tjera, kështu është më mirë kështu,” shpjegoi ajo.
Camil Durakovic, kryetari i bashkisë së Srebrenicës dhe kryetari i komisionit organizator të përkujtimores së këtij viti dhe varrimit masiv, gjithashtu i bëri thirrje familjeve të varrosin më në fund njerëzit e tyre të afërm.
“Ne jemi të vetëdijshëm për procesin e fshehjes së trupave nga forcat serbe të Bosnjës dhe është e qartë që nuk do të gjenim disa. Prandaj u bëj thirrje familjeve të varrosin njerëzit e tyre të dashur. Është më mirë të kesh një varr dhe të varrosësh njeriun tënd të dashur në një qendër memoriali sesa ta kesh atë të listuar si të zhdukur, edhe pse disa pjesë të tij janë gjetur,” tha Durakovic për BIRN.
Për Hajra Catic, nuk ka më kohë më të gjatë sesa kjo para përkujtimores së ditës së shtunë për të mësuar nëse kocka e nofullës që u zhvarros i përket vetërtet djalit të saj, i cili u zhduk para 20 vjetësh.
Kur përkujtimorja e këtij viti të mbarojë, ajo do të kthehet të bëjë atë që ka bërë 20 vitet e fundit – duke pritur dhe shpresuar për lajmin se eshtrat e tij më në fund janë identifikuar.