Zyrtarët përsëri premtuan se do të zgjidhin çështjen e vrasjeve të vëllezërve Bytyqi në qendrën policore serbe në vitin 1999 – por fjalët e tyre thjesht jehojnë premtimet e ngjashme të pa mbajtura gjatë dekadës së fundit.
Vrasjet e vëllezërve shqiptaro-amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi 16 vjet më parë në një qendër policore në Petrovo Selo, mbeten një “problem i madh bilateral” midis Serbisë dhe SHBA-ve i cili duhet të zgjidhet, tha kryeministri serb Aleksandër Vuçiç ditën e dielë në një intervistë për gazetën “Politika”.
Në të njëjtën ditë, rastësisht apo me qëllim, kryeprokurori i krimeve të luftës Vladimir Vukçeviç gjithashtu bëri disa deklarata mjaft optimiste në një intervistë me gazetën “Danas” duke thënë se në çështjen Bytyqi “është bërë shumë progres”.
Këto premtime erdhën vetëm pak ditë pasi u njoftua se Vuçiç do të takohet me zv/presidentin e SHBA-së Joe Biden në shtator dhe një javë pasi sekretarja amerikane e shtetit Viktoria Nuland vizitoi Beogradin.
Ndoshta nuk ka arsye për të vënë në dyshim qëllimet e mira të kryeministrit dhe prokurorit nëse premtime të ngjashme nuk do të ishin bërë me dhjetëra herë që kur trupat e vëllezërve Bytyqi – luftëtarëve vullnetarë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së saj kundër forcave serbe – u gjetën në një varr masiv në vitin 2001.
Premtimi fundit erdhi nga Vuçiç në maj të këtij viti përpara vizitës së tij në SHBA. Atëherë, ai premtoi ngritjen e një komisioni të posaçëm për të zgjidhur çështjen, por më pas hoqi dorë nga ky plan dhe e la punën në dorë të prokurorisë. Ai bëri gjithashtu një premtim në nëntor të vitit 2014, se do ta zgjidhte çështjen deri në mars të këtij viti, kur pati një takim me familjen Bytyqi.
Në vitin 2013, Vukçeviç gjithashtu pohoi se ishte bërë përparim duke qenë se “ishin gjetur prova të reja”.
Që nga hapja e kësaj çështjeje në vitin 2006, zyrtarë serbë kanë dalë rregullisht me deklaratat duke njoftuar “progres”. Në vitin 2006, ministri i brendshëm në atë kohë, Dragan Jocic, tha se ai besonte “se Qeveria ka një tablo jo të plotë, por përgjithësisht të saktë, të asaj që kishte ndodhur”, dhe se ishte e qartë se urdhrat “kishin ardhur nga lartë”. Në të njëjtin vit, presidenti serb Boris Tadiç u zotua të gjente vrasësit.
Pastaj në vitin 2010, Ministri i Brendshëm Ivica Daçiç i tha qeverisë amerikane se ai “do të bënte të pamundurën për të zbuluar të vërtetën”. Daçiç pastaj u zhvendos në pozitën e kryeministrit dhe në vitin 2013 ai premtoi se do të gjente vrasësit e vëllezërve “edhe nëse qeveria im rrëzohet”.
Daçiç nuk është më kryeministër, por jo për shkak se qeveria e tij u rrëzua për shkak të çështje së vëllezërve Bytyqi (ai është tani ministri i jashtëm). Pasuesit e tij në Ministrinë e Brendshme po bëjnë të njëjtat premtime siç bëri ai dikur.
Nebojsa Stefanovic, ministri i brendshëm aktual, tha më 5 qershor se ai shpresonte se “prova të reja do të çonin në arrestimin e autorëve të krimit”. Stefanovic pranoi gjithashtu se testet balistikë mbi armën e vrasjes nuk ishin bërë si duhej herën e parë dhe se ekspertët tani po kryenin disa analiza të cilat supozohet se u përfunduan në vitin 2006.
Dëshmitarë të frikësuar
Si pjesë e lëvizjeve të fundit të premtuara nga autoritetet për të sqaruar çështjen, prokurori serb i krimeve të luftës Vukçeviç ditën et diele tha se që tani e tutje, në krye të hetimit do të ishte ai dhe jo zëvendësi i tij. Ai këmbënguli gjithashtu se një numër i konsiderueshëm dëshmitarësh – deri tanu 179 – janë marrë në pyetje.
Dëshmitarët megjithatë kanë qenë një problem i madh në çështjet e krimeve të luftës në Serbi. Eksperienca e deritanishme ka treguar se institucionet shtetërore janë më të zotët në mbrojtjen e autorëve të dyshuar të krimeve sesa në mbrojtjen e atyre që vendosin të flasin në lidhje me mizoritë e kryera gjatë viteve 1990, sidomos kur bëhet fjalë për krime kundër shqiptarëve të Kosovës.
Sipas dokumenteve shtetërore, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi u vranë në qendrën policore në Petrovo Selo në korrik 1999, kur njësitë speciale policore po organizonin seanca stërvitore. Disa prej këtyre policëve e panë krimin, disa dëgjuan se çfarë ndodhi. Disa prej tyre donin të tregonin për atë që panë, por u kanosën apo kërcënuan dhe shteti nuk bëri asgjë për t’i mbrojtur ata.
Edhe dy policë që u gjykuan dhe më pas u liruan për vrasjet e tre vëllezërve, më vonë kishin frikë të tregonin atë që ndodhi vërtet. Ata ndryshuan dëshmitë e tyre disa herë dhe kurrë nuk u zbulua se kush dha urdhrat për vrasjet.
Disa policë të tjerë dëshmuan si dëshmitarë në gjyq. Ata që folën ishin etiketuar si tradhtarë, ndërsa të tjerët nuk guxuan të tregonin atë që panë, sepse komandantët e tyre ishin në sallë gjatë gjyqit.
Gjyqi katërvjeçar megjithatë zbuloi se autorët e drejtpërdrejtë ishin anëtarë të njësisë speciale të policisë. Shumica e pjesëtarëve të njësive të tilla që ishin aktive gjatë luftës së viteve 1990 vazhduan të ishin të punësuar në shtet edhe pas rrëzimit të Sllobodan Millosheviçit, dhe janë ende aty edhe sot.
Të paktën me letër, njësitë u shpërbënë, por shumica e anëtarëve të tyre iu bashkuan policisë ose një njësie të re me një emër të ri – Xhandarmërisë.
Komandanti i parë i Xhandarmërisë ishte Goran Radosavljeviç, i njohur si Guri, i cili ishte kreu i trajnimit në Petrovo Selo kur u vranë vëllezërit dhe dyshohet nga familja e tyre si personi kryesor përgjegjës për vrasjet.
Disa nga anëtarët e njësive speciale policore në Petrovo Selo madje më vonë u bënë pjesë e njësisë për mbrojtjen e dëshmitarëve, ndërsa të tjerët tani janë pjesë e njësisë policore të ngarkuar me hetimin e krimeve të luftës. Burra të tjerë që të lidhur me vrasjen e vëllezërve kanë poste të larta në Xhandarmëri.
Do të ishte e vështirë të prisje që dëshmitarët të flasin lirshëm nëse njerëzit kundër të cilëve ata do të dëshmojnë janë më të fuqishëm se ata që duhet t’i mbrojnë ata. Në disa raste, oficerët e njësisë për mbrojtjen e dëshmitarëve kanë kërcënuar dëshmitarët dhe familjet e tyre.
Radosavljeviç u largua nga Ministria e Brendshme në vitin 2005, por tani është zyrtar i lartë në qeverisin e Partisë Progresive Serbe të Vuçiçit dhe drejton disa kompani private sigurimi në Beograd.
Ai mohon të ketë qenë i pranishëm në Petrovo Selo në kohën e vrasjeve apo të ketë qenë në dijeni të burgosjes së vëllezërve. Ai pretendon se e ka marrë vesh këtë gjë nga mediat në vitin 2001. Në gjyqin Bytyqi, ai u paraqit vetëm si dëshmitar.
Por Dragoljub Stankovic, prokurori krimet e luftës për këtë çështje, tha në vitin 2009 se “ekzekutimi i vëllezërve nuk mund të kryhej pa dijeninë e kreut të kampit të Petrovo Selos dhe komandantit të njësive speciale policore, Goran Radosavleviç“.
Prokurori Vukçeviç, i cili po udhëheq tani hetimet në vend të Stankovicit, tha të dielën se një nga 179 dëshmitarët që është marrë në pyetje deri më tani është Radosavljeviç.
Por, tha ai, Radosavljeviç u mor në pyetje tetë vjet më parë, si një “qytetar” i cili mund të ketë informacione – jo si i dyshuar apo edhe si i dyshuar i mundshëm.
Çështja Bytyqi, si çdo çështje krimesh lufte në Serbi, ka treguar se dëshmitarët mbeten objektiva të mundshëm për kërcënime dhe fkanosje, ndërsa autorët e dyshuar janë të mbrojtur.
Zyrtarët dhe policët me të kaluar të dyshimtë mbeten në pozicione të ndjeshme, duke ulur mundësinë e ndjekjeve të suksesshme penale dhe mundësinë që dikush të mbahet përgjegjës për krimet. Tani për tani, duket se premtimet e arrestimeve për çështjen Bytyqi mbetet vetëm të tilla – premtime.
Historia e vëllezërve Bytyqi
Qytetarët amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi iu bashkuan një dege vullnetare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të quajtur Brigada e Atlantikut, e cila ishte aktive gjatë konfliktit me forcat e Beogradit në vitin 1999.
Përkrahë anëtarëve të tjerë të Brigadës së Atlantikut, të cilët vinin kryesisht nga Shtetet e bashkuara, vëllezërit udhëtuan drejt Kosovës për të luftuar kundër Serbisë. Pas marrëveshjes së paqes së vitit 1999 që i dha fund luftës, ata ranë dakord të shoqëronin disa fqinjët romë në Serbi.
Por kur shkelën një kufi të pashënuar midis Serbisë dhe Kosovës, pranë Merdares, ata u arrestuan nga policia serbe se kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në atë që atëherë ishte Jugosllavia.
Pasi kryen dënimet e tyre, ndërsa largoheshin nga burgu në qytetin Prokuplje në jug të Serbisë, ata u arrestuan përsëri, u çuan në një qendër stërvitore të policisë në Petrovo Selo dhe u mbajtën në një magazinë atje.
Gjatë mbrëmje së 9 korrikut 1999, ata u lidhën nga njerëz të panjohur dhe u çuan në një vendgrumbullim plehrash, ku u ekzekutuan me plumba pas qafe.