Një tipar i vazhdueshëm i diskutimeve se si duhet të zgjidhet kriza europiane e borxheve ka qenë këmbëngulja e udhëheqësve të Gjermanisë në zbatimin e rregullave. Obsesioni gjerman me rregullat reflekton mënyrën se si sistemi i saj federalist i qeverisjes i ka dhënë formë vendim-marrjes si dhe reflekton gjithashtu eksperiencën historike të këtij vendi me krizat e borxheve.
Një temë persistente – madje lajtmotivi – i mënyrës se si udhëheqësit e Gjermanisë diskutojnë eurozonën është këmbëngulja e tyre në rëndësinë e zbatimit të rregullave. Refreni që pasohet nga një kor nga pjesa e tjetër e bashkimit monetar dëshiron të dijë se pse Gjermania ka një përqasje kaq jofleksibël. Përgjigjja, në fakt, reflekton mënyrën se si sistemi federal i qeverisjes në Gjermani i ka dhënë formë vendimmarrjes së saj si dhe gjithashtu eksperiencës historike të Gjermanisë me krizat e borxheve.
Obsesioni i Gjermanisë me rregullat është shumë më i vjetër se sa kriza aktuale e eurozonës. Politikëbërësit e vendit gjithmonë kanë këmbëngulur se Europa nuk mund të ketë një monedhë të përbashkët pa pasur më parë konvergjencë ekonomike. Por kjo duket sikur nuk po ndodh kurrë. Kështu, në vitet 1990, ndërsa Eurozona po themelohej, Gjermania argumentoi në mbështetje të zbatimit të rreptë të “kriterit të konvergjencës,” si kërkesa të domosdoshme për krijimin e euros.
Ekonomistët në të gjitha vendet e tjera u tallën me fiksimin teotonik për ndjekjen e rreptë të rregullave. Nuk ka arsye, për shembull, se pse raporti i borxhit me PBB-në në nivelin 59 për qind duhet të konsiderohet i sigurtë, por raporti 62 për qind duhet të konsiderohet si i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm. Por gjermanët këmbëngulën – dhe në fund morën atë që deshën.
Kjo përqasje rrodhi pjesërisht nga struktura politike e GJermanisë. Sa më federal të jetë sistemi i qeverisjes së një vendi, aq më shumë rregulla janë të nevojshme për të garantuar funksionimin siç duhet. Kur përgjegjësitë e niveleve të ndryshme të qeverisjes nuk janë të përcaktuara qartë, ekziston rreziku që zyrtarët do të përpiqen të hedhin përgjegjësitë te nivelet më të larta të qeverisjes. Në mënyrë që të shmanget kjo, federatat shpesh zbatojnë një përqasje të rreptë legaliste.
Me të vërtetë, ka një korrelacion shumë të lartë, historikisht, mes federatave të suksesshme dhe politikave të qëndrueshme monetare të realizuara përmes rregullave të qarta. Vonë në shekullin e njëzetë, Zvicra, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara – që të gjitha vende federale – qenë edhe vendet pionjere që zbatuan politika monetare të orientuara nga stabiliteti. Duke parë se eurozona është në shumë drejtime një strukturë federale, një angazhim i prerë për zbatimin e rregullave dukej në sytë e Gjermanisë se qe një parakusht për sukses.
Që të jemi të qartë, edhe gjermanët e dinë se rregullat në disa raste duhet të jenë të përkulshme. Mendimtarët që nga koha e Aristotelit argumentojnë se rregullat dështojnë kur ato janë tepër të rrepta. Te Etika e Nikomakenës, Aristoteli theksoi përdorimin nga skulptorët në ishullin e Lesbos të daltave të krijuara me plumb të përkulshëm dhe jo me hekur të papërkulshëm – për të gdhendur vijat e rrumbullakëta mbi gur. Aftësia për t’i ndryshuar formën daltave për t’iu përshtatur gurit shërbeu si një metaforë për nevojën për të përshtatur ligjet kur ndryshojnë rrethanat.
Por kur vjen puna te borxhi, gjermanët kanë këmbëngulur në përdorimin e rregullave më të ashpra. Që nga fillimi i krizës së eurozonës, qeveria e Gjermanisë vuri përpara rregullat e traktatit europian të cilat i interpreton si ndaluese të shpëtimit nga falimenti të shteteve apo të financimit monetar të borxhit të qeverive. Së fundmi, Gjermania reagoi ndaj një propozimi për të falur një pjesë të borxhit të Greqisë duke thënë se ajo pjesë e traktatit që ndalon shpëtimin nga falimenti të një shteti, ndalon gjithashtu edhe falimentimin e një shteti apo faljen e borxhit.
Leksioni që Gjermania ka mësuar nga historia e vet është që borxhi është një fushë në të cilën fleksibiliteti duhet të shmanget sa më shumë. Kjo mund të vijë si surprizë për komentatorët amerikanë, të cilët argumentojnë se Gjermania po vepron në mënyrë hiporite, pasi ka falimentuar përballë borxheve të saj më 1923, 1932-33, 1945 dhe 1953, vetëm për të këmbëngulur sot se të tjerët nuk duhet ta bëjnë.
E vërteta është se Gjermanët i shohin pothuajse të gjitha këto falimente si destabilizuese. Falimentimi i brendshëm më 1923, kryer përmes hiperinflacionit, dobësoi sistemin financiar të Gjermanisë dhe ndihmoi në shkaktimin e Depresionit të Madh. Falimentimet në fillim të viteve 1930 u bënë të pashmangshme kur Gjermania humbi aksesin në tregjet private të kapitalit dhe rrjedhimisht ku vend humbi besimin te e ardhmja. Në vend që të hidhte themelet për një rimëkëmbje ekonomike të qëndrueshme, deflacioni dhe falimentimi ndezën flakët e nacionalizmit – me pasoja shkatërrimtare.
Falimentimi i vitit 1945 qe pasojë e humbjes në Luftën e Dytë Botërore. Në të vërtetë, tradita e ashtuquajtur e Ordoliberalizmit që ka formëzuar politikën ekonomike të Gjermanisë së pasluftës qe përgjigje ndaj arbitraritetit shkatërrimtar të Nazizmit.
Vetëm falja e borxheve në vitin 1953 shikohet në dritë pozitive në Gjermani dhe nëse shikohen rrethanat në të cilat ajo ndodhi, zbulohen shumë gjëra në lidhje me përqasjen e këtij vendi ndaj krizës së eurozonës. Siç e ka demonstruar ekonomisti i Jellit Timothy Guinnane, borxhi që u fal nuk qe principal, por interesat e vonuara të akumuluara të cilat nuk qenë paguar mes Depresionit të Madh dhe Luftës së Dytë Botërore.
Më e rëndësishme nga perspektiva e Gjermanisë, qe konteksti politik në të cilin u zhvilluan bisedimet. Për fillestarët, ka pasur një ndryshim tërësor të regjimit në Gjermani. Aleatët fitues hoqën nga pushteti përgjegjësit për politikat shkatërrimtare dhe destabilizuese të së shkuarës, duke i dhënë vendit një ndarje të qartë me të shkuarën dhe kredidhënësve të saj besimin se Gjermania qe në një drejtim të ri. Për më tepër, politikëbërësit e rinj të Gjermanisë patën demonstruar seriozitetin e tyre financiar. Më 1950, vendi kaloi një krizë të rëndë të bilancit të pagesave. Disa zyrtarë po mbështesnin idenë e kontrolleve kapitale, por qeveria vendosi të zbatojë masa kursimi monetare.
Kjo eksperiencë shpjegon një obsesion tjetër të Gjermanisë: reformat në vendet debitorë. Gjermania pati nevojë për një ndryshim tërësor të regjimit të vet të brendshëm për të dalë nga cikli i borxheve të saj dhe për të falimentuar. Kjo mund të jetë një kërkesë e tepërt në kontekstin e eurozonës; por, pa një riorientim themelor të politikës së një vendi, mendohet në Gjermani, falja e borxheve do të mbetet gjithmonë një ushtrim i pavlerë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Rule, Germania