Njëzet vjet pasi avionët kroatë bombarduan një varg me refugjatë serbë, duke vrarë katër fëmijë dhe pesë të rritur pranë Bosanski Petrovacit në Bosnjë gjatë operacionit “Stuhia”, asnjë nuk është ndjekur penalisht për këtë.
“Mbaj mend vetëm që i hoqa letrën ngjyrë argjendi paketës së cigareve për ta hapur. Mendoj se vura re disa flakë dhe një shpërthim. Vetëm kaq mbaj mend, para se raketa të godiste vargun e njerëzve,” tha për BIRN Jovica Piplica, një refugjat serb, pasi kujtoi sulmin ajror kroat më 7 gusht 1995.
Piplica, së bashku me shumë nga miqtë dhe të afërmit e tij nga fshati i vogël serb Donji Lapac në rajonin Lika të Kroacisë, e gjeti veten në një nga vargjet e shumtë të refugjatëve që ikin me makinë, kamion dhe traktor nga avancimi i Ushtrisë Kroate gjatë operacionit “Stuhia”.
Në mes të njerëzve në kamionin e tij ishin miku i tij Krstan Vukovic dhe tre fëmijët e fqinjit të tij, të moshës nëntë, 11 dhe 13 vjeçare.
Pas shpërthimit, Piplica u zgjua në spital në qytetin e Bosanski Petrovacit në Bosnjë dhe Hercegovinën perëndimore. Më vonë atë ditë, ai zbuloi se të gjithë të tjerët në kamionin e tij ishin vrarë. Një total prej nëntë personash vdiqën kur një raketë e gjuajtur nga një avion kroat ra 80 metra larg.
Operacioni “Stuhia” filloi në agim të datës 4 gusht 1995, kur forcat kroate filluan një ofensivë ushtarake për të rimarrë një shtet të vetëshpallur serb rebel të quajtur Republika e Krajinës Serbe, i cili kishte mbajtur 18 për qind të territorit të Kroacisë për katër vjet.
Ndërsa forcat kroate avanconin dhe rebelët u dëbuan, mbi 200,000 serbë të zakonshëm filluan të largoheshin nga Kroacia të frikësuar, shumë prej tyre duke iu drejtuar kufirit me Bosnjën dhe Hercegovinën.
Pas Piplica dhe fshatarë të tjerë nga Donji Lapac kaluan kufirin, ata u sulmuan nga dy aeroplanë kroatë në fshatin Kapljuh afër Bosanski Petrovacit.
Fëmijët në kamionin ku ishe edhe Piplica ishin Nevenka 11-vjeçare dhe Zarko nëntë vjeçar, vajza dhe djali i mikut të Piplicas Spaso Rajic.
Rajis rikujton se si fëmijët iu lutën t’i lejonte të shkonin Krstan Vukovicin në kamionin e tij të bukur të madh, me përlhurë të gomuar të verdhë.
“Krle (nofka Vukovicit) më tha: “Ti s’ke besim t’i lejosh të vijnë me mua.” tha ai.
“I thashë: “Krle, ata do të shkojnë ku të shkosh ti.” Dhe ata ikën bashkë,” vazhdoi ai, pas një pauze të gjatë, pothuajse duke qarë.
Rajic shkoi në një makinë tjetër, e cila, siç doli më vonë, i shpëtoi jetën.
Pasi i la fëmijët të udhëtonin me Vukovicin dhe e la të takoheshin në një bar në fshatin Kravsko, Rajic vazhdoi rrugën me gruan e tij. Ai tha se ata kishin arritur te bari kur panë avionin që minuta më pas do të vriste fëmijët e tij.
Vetëm më 7 gusht ai zbuloi se Nevenka dhe Zarko kishin vdekur gjatë shpërthimit. “Nuk besoja asgjë që më thoshin. Isha i bindur që nuk ishte ashtu,” tha ai.
Familje të bashkuara në dhimbje
Fëmijët u varrosën në Apatin, një qytet i vogël serb në kufirin me Kroacinë, ku familjet Rajic dhe Piplica kanë jetuar që prej eksodit të vitit 1995.
Jovanka Vukovic, gruaja e Krstanirt, shoferi i kamionit i cili humbi jetën në bombardim, gjithashtu jeton në Apatin. Tre familjet kanë ndenjur bashkë që atëherë, të lidhura nga e njëjta tragjedi.
Jovanka nuk humbi vetëm burrin e saj, por edhe djali i saj 13-vjeçar Darkon, i cili ishte fëmija i tretë në kamionin e Krstanit.
Darko nuk duhej të largohej nga Doni Lapaci me kamion, por duhet të shkonte me gjyshen e tij. Por ai këmbënguli shumë të shkonte me të atin.
“Mamaja ime i tha: ‘Mos shko! Rri këtu me gjyshen tënde.’ Por më vonë ajo tha: ‘Si ta ndaloja të shkonte me babanë e tij?” tha Jovanka duke qarë.
Jovanka, në atë kohë 35 vjeçe, pa në televizor se një varg me refugjatë ishte sulmuar nga avionët dhe më vonë se bashkëshorti dhe djali i saj ishin vrarë atje.
Eshtrat u mblodhën në një qese plastike dhe u varrosën në varrezën në fshatin Han Kola, pranë Banja Lukës në Bosnjë.
Tashmë kanë kaluar 20 vjet, por atë e përndjekin ende humbjet e saj.
“Duhet të rri e qetë. Jeta vazhdon. Këtu vijnë vazhdimisht njerëz dhe kërkojnë deklarata, por nuk ndodh asgjë, asgjë nuk mbaron,” tha ajo me hidhërim.
‘Dhimbja nuk do të ikë’
[fact title=”Një krim fshehur në heshtje”] Që nga bombardimi i vargut të refugjatëve pranë Bosanski Petrovacit, i cili ndodhet në territorin që më vonë u bë Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, ai është nën juridiksionin e prokurorisë boshnjake.
Zyra e prokurorit të shtetit në Kroaci refuzoi të japë ndonjë informacion në lidhje me çështjen, duke e drejtuar BIRN-in te prokuroria boshnjake, edhe pse autorët e dyshuar janë ose kanë qenë anëtarë të forcës ajrore kroate, sipas dëshmitarëve.
Zyra e prokurorisë në entitetin serb të Bosnjës Republika Srpska megjithatë ka e hetuar çështjen, duke marrë dëshmi nga dëshmitarët dhe duke mbledhur prova.
Prokurori i Republikës Srpska, Branko Mitrovic, tha për BIRN se në prokurorinë shtetërore të Bosnjës është paraqitur një raport, por tha se nuk e di nëse ajo ia ka caktuar dikujt çështjen.
Mitrovic tha se Republika Srpska gjithashtu kërkoi nga prokuroria boshnjake t’ia përcjellë çështjen zyrës së prokurorit kroat në bazë të marrëveshjes së bashkëpunimit që të dy vendet nënshkruan, dhe e cila i detyron ata ta marrin përsipër çështjen në rast se autorët e dyshuar janë qytetarë të tyre.
Prokuroria boshnjake nuk pranoi t’i përgjigjet kërkesës së BIRN në lidhje me ecurinë e çështjes.[/fact]
Gjatë 20 viteve të fundit, familjet e viktimave thonë se u kanë dhënë disa deklarata zyrave të ndryshme të prokurorëve në lidhje me vrasjen e të afërmve të tyre, duke përfshirë Gjykatën Penale Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe prokuroritë serbe dhe boshnjake të krimeve të luftës.
Piplica dëshmoi para hetuesve nga Gjykata e Hagës, por bombardimi nuk u përfshi në aktakuzën për krime lufte të kryera gjatë Operacionit “Stuhia” – në çështjen kundër gjeneralëve kroatë Ante Gotovina, Mladen Markac dhe Ivan Cermak, të cilët u liruan të gjithë nga akuzat.
Asnjë s’është ndjekur penalisht, e jo më të dënohet, dhe familjet ende nuk e kanë idenë se kush ishte personi përgjegjës. “Të dinim se kush e bëri do të thotë shumë për ne,” tha Jovanka Vukovic.
Ata fajësojnë gjithashtu autoritetet serbe që s’i ndihmuan ata pasi iu arratisën Operacionit “Stuhia” 20 vjet më parë.
“Ata s’na kanë dhënë asgjë,” tha Rajic i zemëruar.
Si Rajic ashtu edhe Vukovic e vizitojnë Kroacinë herë pas here. Piplica thotë se ai s’është kthyer më kurrë atje që kur u largua më 7 gusht 1995 dhe s’ka ndërmend të kthehet kurrë.
Asnjë prej tyre nuk ka marrë kurrë ndonjë lloj kompensimi, qoftë për humbjen e njerëzve të tyre të dashur apo për pronën e lënë pas.
Rajic thotë se atij gjithsesi nuk i intereson shumë prona gjithsesi.
“Zemrat tona janë në dhimbje dhe ajo dhimbje nuk do të largohet. Ajo thjesht përkeqësohet me kalimin e kohës, sidomos kur afron 7 gushti,” tha ai.