Liderët botëror po përqendrohen në mënyrat që do të nxjerrin botën nga varfëria dhe që do të ndikojnë më mirë në planetin tonë në dekadat e ardhshme, por a ka një rrugë tjetër më të zgjuar që do të na çonte atje më shpejt? Bjorn Lomborg nga Shkolla e Biznesit në Kopenhagen arsyeton.
Në vitin 1950, njerëzit në Korenë e Jugut dhe Pakistan fitonin pothuajse të njëjtën sasi parash në vit. Sot, dy shtetet zor se mund të krahasohen. Të ardhurat për frymë të Koresë së Jugut janë rritur 23-fish që atëherë, ndërsa Pakistan ka përjetuar vetëm një rritje 3-fish.
Si mund të ndihmojmë vendet më të varfra të botës të arrijnë suksesin e Koresë së Jugut, kjo është një çështje e rëndësishme me të cilën përballemi sot. Të ardhurat më të mira ekonomike e furnizojnë popullatën me kujdes më të mirë shëndetësor, më tepër edukim, jetëgjatësi më të madhe dhe më pak prekshmëri nga katastrofat natyrore.
Shumë nga 169 objektivat e zhvillimit të propozuara nga Kombet e Bashkuara për 15 vitet e ardhshme lidhen me pakësimin e varfërisë. Por jo të gjithë objektivat janë njëlloj të mirë. Qendra e Konsensusit të Kopenhagenit, ku unë jam drejtor, së fundmi i kërkoi 60 skuadrave të ekonomistëve të vlerësonin përfitimet dhe kostot e këtyre objektivave të propozuar, të cilat do të zbatohen për të zëvendësuar Synimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit në shtator.
Një nga objektivat më pak të dëshiruar duket për t’u lavdëruar në pamje të parë: punësim për të gjithë. Fatkeqësisht, kjo është një ëndërr, jo një objektiv. Ekonomitë kanë nevojë për pak papunësi që t’i lejojnë punëtorët të ndërrojnë punë dhe shumica e qeverive tanimë është e fokusuar në krijimin e punëve. Kërkimi sugjeron se politikanët dhe grupet e interesit do të përdornin një shënjestër të punësimit të plotë për të mbështetur politikat e shtrenjta mbrojtëse që gjenerojnë punë të mira për disa, por që nxisin shumë të tjera të futen në ekonominë informale. Ndaj në fund do të bënte më pak mirë nga sa do kushtonte dhe me siguri nuk është mënyra e duhur për të pakësuar varfërinë ekstreme.
Rreth 14.5% e popullatës botërore ose rreth një miliard njerëz, jetojnë me më pak se 1.25 dollar në ditë. Ndaj përse të mos i japim fund varfërisë duke transferuar mjaftueshëm burime te këta një miliard njerëz që t’i japim atyre të paktën 1.26 dollarë në ditë? Më të varfrit në botë do të mund të ushqejnë dhe edukojnë fëmijët e tyre më mirë dhe të jenë më të shëndetshëm.
Por, përveç kostos financiare, do të ketë sfida të mëdha administrative, së bashku me korrupsionin dhe deficitet institucionale. Kur këto faktorë peshohen kundrejt përfitimeve në kuptimin monetar, çdo dollar i shpenzuar për t’i dhënë fund varfërisë ekstreme me transferta parash do të arrinte rreth 5 dollarë vlerë sociale. Nuk është një përfitim i keq, por ka mënyra më të mira për të ndihmuar.
Një mundësi është të trefishohet penetrimi i celularëve në vendet e zhvilluara. Kjo do t’ju ofronte biznesmenëve të vegjël si për shembull fermerëve dhe peshkatarëve më shumë informacion tregu, duke i ofruar mundësinë t’i shisnin produktet me çmimin më të lartë dhe – për të nxitur produktivitetin, rritur eficencën dhe gjeneruar më shumë punë. Kërkimi ynë tregon se përfitimet, do të kishin vlerën 17 dollarë për çdo dollar të shpenzuar – duke e bërë këtë një objektiv të mirë zhvillimi.
Një ndërhyrja më e mirë lidhet me migrimin. Më shumë se 200 milionë njerëz sot punojnë larg atdheut. Teksa shtetet e pasura plaken, ato kanë nevojë për më shumë punëtorë. Njëkohësisht, njerëzit nga shtetet në zhvillim janë më produktivë në një shtet të zhvilluar. Lehtësimi i kufizimeve mbi migrimin do t’i lejonte njerëzve nga shtetet e zhvilluara të zgjeronin forcën e punës në ekonomitë e industrializuara dhe të gjeneronin taksat e nevojshme për të paguar kujdes për të moshuarit.
Migrim i tillë dotë ishte i mirë edhe për vendet në zhvillim, sepse punonjësit në mërgim do të çonin në shtëpi remitanca. Në total, çdo dollar i shpenzuar në rritjen e imigrimit do të prodhonte 45 dollarë të tjerë në të mira sociale – ndoshta edhe 300 dollarë. Ndërsa në klimën politike të sotme, rritja e imigrimit mund të jetë e vështirë, ia vlen të theksohet se do të ndihmonte shumë më të varfit në botë.
Objektivi i vetëm i zhvillimit që do të kishte ndikimin më të madh mbi begatinë globale do të ishte përmbushja e raundit Doha të tregëtisë. Ulja e pengesave tregtare nënkupton se të gjitha vendet mund të përqendrohen për të bërë atë që bëjnë më mirë, duke i përmirësuar gjërat për të gjithë. Për më tepër, tregëtia më elirë do të rriste zhvillimin e konomik, për shkak të inovacionit në rritje dhe shkëmbimit të dijeve. Mbështetja e madhe mbi tregtinë në një treg global ishte një nga arsyet kryesore përse Koreja e Jugut u zhvilluar aq shpejt dhe mundi varfërinë në 65 vitet e fundit.
Modelet ekonomike tregojnë se një raund i suksesshëm Doha do ta bënte ekonominë botërore 11 trilionë më të pasur çdo vit deri në 2030, ku përfitimet më të mëdha do i shkonin shteteve në zhvillim. Çdo njeriu në botën në zhvillim do të fitonte 1000 dollarë më shumë çdo vit. Numri i njerëzve që jetojnë në varfëri të plotë do të binte me 160 milionë. Për çdo dollar të shpenzuar, kryesisht për të shlyer fermerët perëndimorë që po bllokojnë negociatat aktuale, bota do të fitonte më shumë se 2000 dollarë, duke e bërë tregëtinë e lirë një investim fenomenal.
Secili nga këto propozime – punësimi i plotë, tranfertat e parave, komunikimi mobil, emigrimi i lirë dhe ulja e pengesave tregtare – mbulohet nga të paktën një prej 169 objektivave të zhvillimit të KB. Dhe këtu shtrihet problemi.
Përpjekja që të bëhen 169 gjëra njëkohësisht është e kotë. Do të thotë të shpenzosh shumë kohë dhe burime në prioritete që kthejnë pak, në vend që të përqendrohesh në objektiva që premtojnë ndikimin më të madh mbi më të varfrit në botë. Në fakt, kërkimi ynë tregon se ka 19 objektiva fenomenal, të cilat si tregëtia më e lirë, duhet të kenë prioritet mbi të tjerat.
Vendimi përfundimtar rreth secilit objektiv do të bëhet politikë globale dhe do ndikojë në rrjedhën e trilionëve dollarë gjatë 15 viteve të ardhshme. Në shtator, kur liderët botërorë të mblidhen në Nju Jork, ata duhet të përqendrohen mbi mënyrat më të zgjuara për të nxitur mirëqenien globale. Duke e bërë këtë, më shumë shtete do ndjekin rrugën e Koresë së Jugut dhe do të nxjerrin nga varfëria popullin e tyre.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. The Best Ways to Fight Extreme Poverty