Përjetimi i krizës financiare greke nga vendasit dhe ndikimi i politikës së lënies pas dore të punëve publike, në një Blog nga gazetarja Fotini Barka nga Athina.
Atë natë porositëm ushqim kinez. Një mikeshë kishte ardhur te ne. Pas një periudhe papunësie ajo sapo kishte filluar punën për një sipërmarrje teknologjike. Ne u përpoqëm të kujtonim herën e fundit kur hëngrëm ushqim kinez. Nuk na kujtohej. “Ka kaluar shumë kohë,” thamë dhe iu futëm makaronave teksa fëmijët luanin me biskotat e fatit.
Do ta quanim mbrëmjen e mbyllur kur im shoq bërtiti: “Ndize televizorin!” Mezi po e ndiqnim se çfarë po thoshte moderatori. Kryeministri Aleksis Tsipras ishte në gjysmën e ekranit ndërsa në fund shkruheshin fjalët “Referendum më 5 korrik”. Tsipras do të mbante një referendum për kushtet e eurozonës për një tjetër borxh financiar.
Qetësi. Pastaj filluan telefonatat.
“Po shkoj në bankomat. Nuk kam para,” tha shoqja ime, nënë e dy fëmijëve dhe u largua përpara se t’ia shihnim lotët. Pak minuta më vonë ajo telefonoi për të thënë se mbi 50 njerëz po mbanin radhë përpara makinerisë së parave në lagjen time, një periferi relativisht e re dhe pak e populluar 15 kilometra në veri të qendrës së Athinës.
Pasi referendumi i lajmërua, rreth orës 1:10 të mëngjesit të shtunës më 27 qershor, asnjë nga ata që njoh nuk mundi të flinte rehat për një natë të vetme.
Atë fundjavë Tsipras u përpoq të siguronte asistencë emergjence likuiditeti nga BQE-ja – garanci financiare nga banka qendrore europiane se bankat greke do të operonin. U përpoqa të organizoj kërkimin tim mbi EMST dhe MOCAB – muze të artit bashkëkohor në Athinë dhe Beograd respektivisht, shqetësimet afatgjata të cilave po i hetoj. Asnjëra ndërtesë nuk është e hapur për publikun në këtë çast dhe pyetja është: përse?
Tsipras dhe unë, po merremi secili me akronimet tona. Por fatkeqësisht, asnjëri prej nesh nuk qe në gjendje ta arrinte synimin.
Frika e shkrirjes ekonomike ishte shumë e vërtetë. Qeveria lajmëroi se bankat do të mbylleshin dhe se tërheqjet e parave do ishin 60 euro dita. Kisha planifikuar të udhëtoja në Beograd më 1 korrik për të zbuluar arsyet e mbylljes prej vite të muzeut atje. Por një udhëtim dy orë dhe disa ditë larg papritur dukeshin si një rrezik i madh. Gjithçka mund të ndodhte kur unë të mos isha. Ishte koha e duhur të përqendrohesha te disa muze kur fati i vendit tim ishte në pikëpyetje?
Në fund, vendosa të merrja fluturimin.
Jeta normale në Beograd më bëri shumë mirë. Ishte çlirim të isha larg nga mjedisi i ethshëm në Greqi. Por nuk e imagjinoja kurrë se të shihja hapur bankat greke në kryeqytetin serb do të më bënte të ndihesha kaq keq. Alpha Bank, Piraeus dhe Eurobank ishin kudo në qytet dhe secili më kujtonte shqetësimet në shtëpi.
Serbët na admirojnë sepse ne “rezitojmë”. Gazetat mburreshin se serbët nuk i anuluan pushimet e tyre në Greqi, “ndryshe nga europianët e tjerë”.
Pasdite mbërrita në ndërtesën e mbyllur MOCAB. Vendi ishte super –pranë lumit Sava, në vendtakimin me Danubin, ku qytetarët bëjnë xhiro me biçikleta nën hijet e pemëve të gjata. Qetësia ishte shumë freskuese.
Dy roje të sigurisë te të 50-tat, një grua dhe një burrë më mirëpritën. Ata të dy donin të mësonin më shumë rreth Greqisë. Motra e gruas jetonte në Thesaloniki për më shumë se 20 vjet dhe ishte e martuar me një grek. Ajo e telefonoi dhe ma kaloi mua celularin. Ja ku isha, brenda muzeut të artit bashkëkohor, duke folur greqisht me një serbe që jetonte në Thesaloniki! E di që shumë artistë do të frymëzoheshin nga një kombinim i tillë. Nga biseda mësova se gruaja në Thesaloniki dhe unë nuk do të votonim njëlloj në referendum.
Muzeu i mbyllur për rinovim në 2007 dhe pas disa vonesave do të hapet në tetor të këtij viti. Por ndërtesa ende dukej në gjendje jo të mirë. Dy rojet nuk besonin se projekti do të përfundonte së shpejti, por atyre nuk u interesonte.
“Serbët dhe grekët kanë shumë të përbashkëta,” më tha gruaja, duke shprehur mosbesimin e saj për Europën. “Ne jemi ortodoksë,” tha ajo me krenari, sikur feja të ishte një faktor përcaktues i superioritetit tonë të përbashkët.
Në ditën e referendumi mendova për të dy ata. Refuzimi i propozimeve të eurozonës duhet t’i kënaqte ata. Të nesërmen, disa nga gazetat greke e krahasuan situatën e Greqisë me izolimin e Serbisë nga BE-ja gjatë luftrave në Ballkan në vitet 1990.
Sipas atyre që mendohet të jenë thënë nga një takim i ministrave të financës së eurozonës të shtunën e 11 korrikut, pajtueshmëria e Greqisë me standardet europiane u vu për herë të parë në pikëpyetje. Kjo më nxiti të shkruaj menjëherë. Për mua, kriza financiare greke reflekton një krizë më të thellë vlerash. Për shumë kohë, nocionet e transparencës, meritokracisë, llogaridhënies dhe interesi publik kishin pak kuptim për klasën politike. Kjo reflektohet gjithashtu në sagën e muzeut të Athinës që synonte të ishte një vitrinë për Greqinë moderne, por ende nuk është i hapur, gjashtë vite pasi ndërtimi duhej mbaruar. Duke eksploruar historitë e muzeve në Athinë dhe Beograd, shpresoj të zbuloj diçka rreth kulturës së jetës publike në të dyja vendet.
Për tani, një Grexit është shmangur, megjithëse me një marrëveshje që duket edhe më e ashpër për Greqinë sesa ajo e refuzuar me referendum. Më shumë dhunë dhe pasiguri shtrihet përpara. Por ndoshta zbulimi i mistereve të muzeve do të më ndihmojë më në fund të fle një gjumë të mirë natën.