Tani më shumë se kurrë, politika po luan një rol në skenën artistike të Malit të Zi, duke krijuar mundësi për disa artistë por duke i lënë të tjerët me ndjenjën e të qenit të përjashtuar.
Një krizë ekzistenciale, mungesë dëshire për të pranuar gjendjen aktuale të skenës së artit dhe fakti që ai nuk është artisti i parapëlqyer për elitën e re të Malit të Zi ka shtyrë piktorin e mirënjohur Zoran Petrusic të largohet nga kryeqyteti Podgoricë dhe të shkojë në Risan, një vend i vogël pranë Kotorit.
Në kryeqytet ai nuk qe në gjendje të shiste punët e veta apo të paguante qiranë dhe nuk priste asnjë mbështetje shtetërore për shkak të opinionit të tij të shprehur publikisht se artistët nuk duhet t’i shërbejnë interesave politike.
Në fshatin e tij të vogël që jeton me peshkim dhe turizëm, ai tashmë kalon ditët e mira dhe të këqija bashkë me 3 mijë banorët e tjerë të Risanit.
Këtu në Gjirin e Kotorit ai nuk ka gjithashtu mbështetje shtetërore, por ai thotë se është i lumtur që po qëndron larg të gjitha “kombinacioneve politike dhe spekulimeve” të skenës artistike të Malit të Zi.
Ai thotë se ai dëshiron të jetojë me motin se arti ka qenë dhe do të jetë gjithmonë privilegj i një minorance.
“Unë jam artist nga arsimimi dhe nga bindja, unë kam vendosur me vetëdije të plotë të ruaj energjitë e mija për objektiva të tjera, më të qarta të cilat nuk kanë asnjë lidhje me politikën,” tha Petrusic.
Piktori 50 vjeçar i cili ka marrë vlerësime të shumta ndërkombëtare dhe ka hapur ekspozita në të gjithë rajonin, është një nga shumë artistë të talentuar të Malit të Zi, të cilët po përpiqen të mbijetojnë me punët e tyre.
Ndërsa jeton në shtëpinë njëshekullore prej guri në kodrat që dikur i përkisnin gjyshit të tij, Petrusic kalon ditët në një studio shumë të vogël duke punuar me piktura që ndoshta nuk do të ekspozohen apo shiten kurrë në Malin e Zi. Gjatë pushimeve të rralla, ai shkon të peshkojë bashkë me peshkatarët vendës.
I vetmi kompromis që bën kur vjen puna te arti është që të pranojë komisionime nga rusë të pasur që frekuentojnë brigjet e Malit të Zi.
Besnikëria politike të çon përpara:
Në kontrast të prerë me Petrusic, artistë e shkrimtarë të tjerë janë tepër pranë elitës sunduese dhe Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila drejtohet nga kryeministri Milo Gjukanoviç.
Shtëpitë e tyre botuese janë duke lulëzuar dhe pikturat e tyre shiten për shifra domethënëse, shpesh te institucionet publike.
T’i bashkohesh politikës me art është një shteg i mirë për sukses dhe njohje. Në prill, shkrimtari i famshëm, Pavle Goranovic, u bë ministri i ri i kulturës, pasi pati kaluar tetë vjet si këshilltar i kryeministrit Milo Gjukanoviç.
Gjatë kësaj periudhe, ai fitoi dy nga çmimet më të mëdha letrare të shtetit, çmimin Miroslav Gospel (Miroslavljavo jevandjelje) dhe çmimin Risto Ratkovic.
Në një vend me vetëm 600 mijë banorë, ku poemat e ish-kryeministrit dhe ministrit aktual të Punëve të Jashtme Igor Lukisc janë të shumëshitura, besnikëria politike është pothuajse e detyrueshme si si një kusht për fitimin e mbështetjes shtetërore, thotë shkrimtari Balsa Brkovic.
Ata që nuk janë pranë zemrave të njerëzve në pushtet nuk kanë akses te financimet shtetërore për projektet e tyre apo te hapësirat për të ekspozuar. Punët e tyre nuk komisionohen.
Besnikëria politike është shpesh kriteri kryesor për sukses dhe njohje, njësoj siç ndodh në biznes, në arsim dhe në shkencë, thotë Brkovic.
Brkovic, i cili është gjithashtu aktivist i të drejtave të njeriut, thotë se kjo përqasje shpesh justifikohet përmes pretendimit se identiteti kombëtar i Malit të Zi, nëntë vjet pas pavarësisë, vijon të jetë i kërcënuar nga faktorë të jashtëm.
“Por përpjekja [për identitet kombëtar] nuk ka fare të bëjë me trashëgiminë kulturore të Malit të Zi, ka të bëjë tërësisht vetëm me mbijetesën e partisë [në pushtet] dhe udhëheqësit të saj,” thotë Brkovic.
Kriticizmi ndaj Ministrisë së Kulturës dhe mënyrës së shpërndarjes së fondeve shtetërore, thotë ai, shihet si një sulm ndaj vetë shtetit.
Debati më i fundit mbi çështje të artit u shkaktua nga një vendim i prillit të këtij viti nga ana e parlamentit për të blerë një pikturë me bojë vaji me temë nga shpallja e pavarësisë në vitin 2006.
Piktura gjendet tashmë në sallën kryesore të parlamentit dhe paraqet vetëm partinë në pushtet.
Pyetjet u ngritën mbi sasinë e parave që kjo pikturë kushtoi dhe për faktin që blerja nuk i qe nënshtruar prokurimit publik. U aludua edhe për lidhjet politike të autorit.
Parlamenti ka paguar gjithashtu 30 mijë euro në prill për një pikturë nga një artist shumë pak i njohur nga Tivati, Ljubomir Popadic.
Shifra të tilla janë vetëm ëndërr për shumicën e artistëve dhe mund të fitohen vetëm në raste të rralla nga disa nga piktorët më të famshëm të Ballkanit si Vojo Stanic dhe Dado Djuric.
Cilësia dhe vlera e veprave të Popadic u vlerësua nga Administrata e Pronave të Malit të Zi, një institucion që menaxhon pronat e luajtëshme të Malit të Zi dhe që nuk ka fare të bëjë me artin.
Popadic refuzoi të komentojë për BIRN ndërsa parlamenti, ku koalicioni qeverisës ka shumicën, këmbëngul se çdo gjë është bërë sipas rregullave.
Artistët e favorizuar marrin shumicën e parave:
Pas një gare publike të shpallur më herët këtë vit, Ministria e Kulturës publikoi në prill një listë me 162 projekte që do të mbështeten me fonde shtetërore.
Fondet në dispozicion qenë rreth 1.2 milionë euro, shumë më tepër se sa buxheti prej 670 mijë eurosh i vitit të kaluar.
Boris Raonic, nga organizata monitoruese vendëse Aleanca Civile, thotë se gati dy të tretat e fondeve janë shpërndarë që nga ajo kohë për vetëm katër persona, të gjithë pranë elitës politike dhe Gjukanoviçit, ndërsa pjesa tjetër u shpërnda mes 128 projekteve.
Raonic tha se nga e gjithë shuma në dispozicion prej 1,145,795 eurosh, regjisorë filmash dhe teatrosh, Marija Perovic, Branko Baletic dhe Sehad Cekic morën në total 550,000 euro.
Botueso dhe aktivisti politik Milorad Mijo Popovic mori dy herë më shumë se sa të gjithë botuesit e tjerë të marrë sëbashku, 63 mijë euro.
“Për rrjedhojë, katër njerëz morën 613 mijë euro, duke lënë 530 mijë euro për të 128 projektet e tjera dhe zero për disa të rinj të çmuar të cilët janë e ardhmja e skenës sonë kulturore,” tha Raonic për BIRN.
Vendimi u kritikua nga shoqata më e madhe e botuesve të vendit. Në një letër për Ministrinë e Kulturës të dërguar në prill, organizata tha se favorizimi i vazhdueshëm i treguar për “shumë autorë të dallueshëm nga ideologjia” qe “e papërshtatshtme”.
“Ministria nxit dhe mbështet projekte letrare në mënyrë jashtëzakonisht selektive dhe jo në përputhje me kriteret e cilësisë,” deklaroi shoqata.
Ajo tha se Ministria e Kulturës favorizoi vetëm disa shtëpi botuese, të cilat kanë përfituar fonde shtetërore prej dekadash, edhe pse vendi ka 50 shtëpi botuese të regjistruara.
“Përveç shtëpive botuese, ajo [ministria] favorizon në mënyrë të vazhdueshme shumë autorë të ngjashëm ideologjikisht të identifikueshëm”, shtoi shoqata.
Botuesi Miodrag Mijo Popovic mohon të ketë përfituar para nga Ministria e Kulturës thjeshtë për shkak të lidhjeve të tij politike, duke shtuar se puna e kompanisë së tij është “me rëndësi thelbësore” për shtetin.
“Ato para nuk qenë për mua, autorët i morën ato për të promovuar punën e tyre. Gjithashtu, fondet shkojnë për publikimin e të vetmes revistë të specializuar në vend, kontribuuesit e të cilëve janë autorët më të rëndësishëm bashkëkohorë në Malin e Zi,” tha Popovic për BIRN.
Ai tha se kriticizmi ndaj tij ka të bëjë me faktin që shtëpia e tij botuese është në konkurrencë me të tjera shtëpi botuese që operojnë në Malin e Zi por që i kanë selitë qendrore në Serbi dhe në Bosnjë.
Regjisorja Marija Perovic refuzoi të komentojë mbi pyetjen se pse asaj i dhanë më shumë se 100 mijë euro për prodhimin e filmit të saj të ri duke deklaruat vetëm se aludimet e Raonic përmbanin pasaktësi.
“Nëse dikush organizon një debat publik, unë jam gati të shpjegoj se nuk kam marrë asgjë nga këto para personalisht,” tha ajo.
Dy regjisorët e tjerë, Branko Baletic dhe Sehad Cekic, projektet e të cilëve morën gjithashtu shumat më të mëdha në garën shtetërore të prillit, nuk u arrit të kontaktoheshin për komente.
Ministria e Kulturës mohon akuzën që politika ka pasur ndikim mbi financimin e institucioneve kulturore.
Ajo thotë se kriteret për përzgjedhjen e projekteve të financuara nga shteti janë publike: cilësia artistike dhe rëndësia e projektit apo programit për zhvillimin e kulturës në Malin e Zi.
“Kur ne përzgjedhim… institucionet kombëtare të kulturës [për financim], ne kërkojmë dhe respektojmë profesionistët, jo referencat politike,” tha ministria për BIRN.
Puna e ministrisë është financimi i projekteve nga buxheti i shtetit në mënyrë transparente dhe vendimet merren nga komisionet e ekspertëve, shtoi ministria.
Të njohur në botë por jo në shtëpi:
Për shumë vite, media e pavarur dhe shoqatat e artit kanë përdorur termin “artistë të përkëdhelur” për të përshkruar piktorët, shkrimtarët dhe muzikantët dhe në veçanti, drejtorët e teatrove të cilët janë pranë qeverisë.
Puna e tyre raportohet në mënyrë të rregullt nga media pro-qeveritare, ata kanë hapësirat më të mira të ekspozimit, luiajnë në teatrot kombëtare dhe pikturat e tyre shpesh të blera për dhjetëramijëra euro, varen nëpër muret e institucioneve qeveritare.
“Ata që nuk kanë akses te “oborri” përballen me pengesa të mëdha për të arritur edhe kushtet më minimale të punës,” deklaroi Brkovic.
Disa janë njohur jashtë Malit të Zi në skenën e artit të Europës apo Shteteve të Bashkuara por sërish nuk kanë ndihmë nga vetë vendi i tyre.
Ndërsa artistët të cilët nuk e shkëmbejnë artin e tyre për mundësi politike duhet të presin të vendosen në listën e zezë, Brkovic tha, “kolegët e tyre me më pak skrupuj mund të shpresojnë të mbeten gjithmonë të përkëdhelurit e qeverisë të cilës ia detyrojnë karrierën e vet”.
Një shembull goditës i një artisteje që ka arritur më shumë njohje jashtë vendit se sa në shtëpi është “mbretëresha e artit të performuar”, Marina Abramovic.
Ajo u ndalua nga Mali i Zi të prezantojë ish-Jugosllavinë në Bienalen e Venecias më 1997.
Katërmbëdhjetë vjet më vonë, kur ajo u bë e njohur në skenën botërore, qeveria e Malit të Zi u përpoq të korrigjojë gabimin e saj dhe bëri një kërkesë zyrtare ndjese, duke i kërkuar Abramovic të përfaqësojë vendin e saj në Bienalen e vitit 2011.
“Piktorja Jelena Tomasevic vazhdimisht ekspozon në galeri të rëndësishme në Nju Jork, por ti nuk mund ta shohësh atë në Podgoricë për shkak se ajo nuk është në listën e tyre të të parapëlqyerve,” thotë Brakovic.
Lidhjet personale dhe politike përcaktojnë gjithashtu çmimet për veprat e artit, thotë kritiku dhe historiani i artit Alexander Cilkov.
“Gjëra absurde kanë ndodhur në tregun e artit në Malin e Zi. Një vepër nga piktori i jashtëzakonshëm Jovan Zonjic, një pionjer i artit modern në Malin e Zi, mund të blihet për 800 euro. Dhe pastaj, ndonjë piktor i ri shfaqet me lidhje politike dhe shet punën e tij për 15 mijë euro,” tha Cilikov së fundmi për median.
Shumë pronarë galerish arti në Podgoricë, të pyetur nga BIRN mbi situatën në tregun e arit, thanë se problemi qe që të dashuruarit e vërtetë me artin shumë rrallë janë në gjendje të përballojnë një blerje. Ata që kanë para, më së shumti ata pranë elitës, janë të interesuar vetëm për piktorët “e miratuar”.
“Në një farë pike, administrata publike qe blerësi më i madh. Shumë piktura nga artistë bashkëkohorë varen nëpër muret e institucioneve shtetërore,” tha një pronar galerie i cili këmbënguli të mbetet anonim.
Ndërkohë, në qytezën e vogël Risa, Petrusic nuk është pesimist.
“Nëse je me të vërtetë i mirë në atë që bën dhe nëse beson te ajo, herët apo vonë rezultati do të vijë. Por që të ndodhë kjo, duhet, pavarësisht se sa jopraktike të duket, të heqësh fjalën POLITIKË nga fjalori yt,” përfundoi ai.
Ky atikull u financua nga projekti Invisible Art, mbështetur nga Fondi Prince Claus.