Është kriza e migrantëve fundi i Europës, duke qenë se politikat e shteteve janë të ndryshme dhe jo të unifikuara, apo Bashkimi Europian ka ende shpresa të gjejë një emërues të përbashkët? Kemal Dervis, një ish-ministër i Ekonomisë në Turqi analizon.
Kriza ekonomike e Bashkimit Europian e gjysmës së dytë të dekadës së fundit ka nxitur emergjencën e një ndarje të thellë midis vendeve kreditore të veriut dhe debitorëve jugorë. Tani kriza e emigrantëve në Europë po krijon një ndarje lindje-perëndim midis vendeve që po mirëpresin kundrejt fluksit të vazhdueshëëm të refugjatëve dhe atyre që duan të bëjnë pak, ose aspak, për të ndihmuar. Shtojani këtë ndarjeve politike në rritje e sipër brenda vendeve anëtare dhe fillon e pyet veten: A PO I VJEN FUNDI EUROPËS?
Ndarja kreditor/debitor u ndje këtë verë, gjatë negociatave për marrëveshjen e tretë të shpëtimit të Greqisë. Gjermania, propozuesja kryesore e masave shtërnguese dhe kreditorja me më shumë ndikim, u akuzua për mungesë fleksibiliteti dhe solidariteti; Greqia, nga ana e saj, u kritikua për dështimin në vënien në zbatim të reformave që premtoi dy herët e para dhe u nxor nga balta. (Ishte Franca, as tërësisht “veriore” dhe as “jugore”, e cila përfundoi duke luajtur një rol tepër të rëndësishëm në lehtësimin e marrëveshjes.)
Gjermania tani po përpiqet të marrë në dorë gjithashtu drejtimin në krizën e emigrantëve, por këtë herë me bujarinë e saj. Kancelarja Angela Merkel është zotuar të marrë më shumë se 800,000 refugjatë vetëm këtë vit. Turma mikëpritëse njerëzish kanë mbushur rrugët dhe stacionet e trenit në qytetet e Gjermanisë, duke u ofruar pije, ushqim dhe veshje refugjatëve të lodhur, shumë prej të cilëve kanë ecur me mijëra kilometra dhe kanë rrezikuar jetën e tyre për të qenë të sigurt.
Ndërsa Merkeli deklaroi me forcë se Islami ishte gjithashtu një fe e Gjermanisë, disa në Europën Lindore kanë deklaruar se ata do të mirëpresin vetëm një numër të vogël refugjatësh – dhe vetëm nëse ata janë të krishterë. Një fanatizëm i tillë i shkon për mbarë të gjithë ekstremistëve islamikë në të gjithë botën.
Kriza e refugjatëve është edhe më sfiduese në fragmentimin e politikës së brendshme të vendeve anëtare të BE-së. Teksa ata në të majtë mbështetin pranimin e kujdesshëm të refugjatëve, sa më djathtas kalon aq më negativ bëhet qëndrimi. Edhe Unioni Kristiano-Social, partia simotër bavareze e Unionit Kristiano-Demokrat të Merkelit, ka rezultuar një partner ngurues në këtë fushë.
Një tjetër ndarje ekziston midis Mbretërisë së Bashkuar dhe pjesës tjetër të BE-së. Duke marrë parasysh rolin e Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me Francën, si një forcë kyçe në mbrojtjen europiane dhe një autoritet i rëndësishëm në çështjet botërore, sidomos në çështjet që kanë lidhje me klimën dhe zhvillimin, perspektiva e një tjetër ndarje duhet të jetë një burim shqetësimi serioz për BE-në.
Këto ndarje kanë krijuar dyshime të thella mbi ëndrrën për një bashkimi gjithnjë e më pranë në Europë, e mbështetur nga një sistem i ndarë qeverisje që lejon vendimmarrje me efikase. E megjithatë, ata nuk janë të dobishëm në vënien në zbatim të reformave të nevojshme për nxitjen e rritjes ekonomike.
E megjithatë është ende shumë herët për të shënuar progres kundrejt integrimit Europian. Në fakt, kur vjen puna te kohezioni i BE-së, ndasitë e shumta ndoshta janë më të mira sesa një ndarje e vetme. Kur vetëm pikëpamjet ekonomike po e dominonin debatin, Europa veriore e fiksuar pas masave shtrënguese, – afërmendsh pozitive ndaj çdo konsiderate keineziane – dhe Europës jugore në vështirësi, e dëshpëruar për hapësirë fiskale që të nxiste kërkesën –reformat strukturore të krijimit të vendeve të punës politikisht të realizueshme, ishin në pikën pa marrëveshje. Situata u bë aq e nxehtë saqë disa vëzhgues të respektuar propozuan krijimin e një “euro verior” për rajonin rreth Gjermanisë dhe një “euro jugor” në Mesdhe (ku pozicioni i Francës ishte i paqartë).
Në një eurozonë të tillë, Banka Qëndrore Europiane do të duhej të ndahej dhe euro verior do të kishte më tepër vlerë. Pasiguria e normës së këmbimit do të rishfaqej, jo vetëm mes dy eurove, por gjithashtu mes dy zonave veriore dhe jugore, për shkak të kolapsit të besimit në idenë e bashkimit valutor. Brenda bllokut verior, Gjermania do të luajë një rol më të madh se sa tani, një situatë kjo që me gjasa do të krijojë tensione të reja.
Ngjashmërisht, një ndasi e qartë midis perëndimit miqësor ndaj refugjatëve dhe një lindjeje të mbyllur do t’i jepte fund Marrëveshjes Shengen, sepse mosmarrëveshja politike do të kthehej në një barrierë fizike që bllokon lëvizjen e lirë të njerëzve brenda BE. Një ndarje e tillë do të ishte po aq e dëmshme ndaj kohezionit të Europës sa një eurozonë e ndarë.
Por çfarë ndodh nëse vendet që janë në anë të kundërta të copëtimi janë në të njëjtën anë të një tjetre? Gjermania, Italia, Spanja dhe Suedia mund të bien dakord në problemin e imigracionit. Franca, Polonia dhe Britania mund të jenë më të gatshme të shpenzojnë më shumë në mbrojtje, ndërsa Gjermania mbetet më pacifiste. Dhe Gjermania, vendet Skandinave dhe Britania mund të jenë në krye të luftës kundër ndryshimit klimatik.
Për më tepër, ‘familjet’ politike europiane të Kristian Demokratëve, Social Demokratëve dhe kështu me radhë, mund të jenë aleatë në disa politika dhe kundërshtarë në të tjera, duke tejkaluar kufijtë kombëtar apo rajonal dhe duke lëvizur përpara drejt politikave pan-Europiane, me PE që po e rrit debatin demokratik dhe funksionet e mbikëqyrjes.
Një Europë ku vendet nuk përfshihen komplet në një kategori apo në një tjetër dhe ku koalicionet freksibël shfaqen mbi çështje të caktuara, ndoshta ka një shans më të madh progresi sesa një Europë e ndarë në veri dhe jug apo lindje dhe perëndim. Sigurisht, mbetet sfida e forcimit të institucioneve në mënyrë që ata ta menaxhojnë këtë diversitet dhe ta përmbushë me efektivitet politik. Këtu, është thelbësor votimi i peshuar dhe shumica e dyfishtë. Por, për shoqëritë vërtetë demokratike, sfida e pajtimit mbi interesa të ndryshme nuk largohet kurrë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. E Pluribus Europe?