Festivali i filmit të animuar (vizatimor) Anibar në Pejë ka nevojë për më shumë para dhe mbështetje për të rindërtuar skenën e kalbur të artit dhe të filmit në Pejë, thonë organizatorët.
Qyteti i Pejës në Kosovën perëndimore nuk shihet zakonisht si një qendër artesh, megjithëse ai qe i tillë pas në vitet 1970, kur disa nga artistët më të rëndësishëm të ish-Jugosllavisë e quanin atë shtëpi.
Që nga ajo kohë, lufta e vitit 1999 dhe dhuna sporadike ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve në Pejë e ka dëmtuar imazhin e qytetit. Skena artistike është goditur gjithashtu si pasojë e vështirësive ekonomike ekstreme.
Nuk ka ndonjë gjë të madhe për të gëzuar apo për të zënë kohën e njerëzve, thotë 24 vjeçari Vullnet Sanaja, i cili refuzoi modën duke qenë një nga të paktët të rinj që qëndruan në qytet.
Shumica largohen sa më parë të jetë e mundur, duke kërkuar mundësi më të mira dhe të ardhme më të bukur përtej kufijve të Kosovës.
Sanaja nuk mbeti pas për shkak se i mungonte ambicia. Përkundrazi.
Gjashtë vjet më parë, ai dhe një grup miqsh, përfshirë Rron Bajri dhe Petrit Gora, që të gjithë në atë kohë kishin mes 16 dhe 18 vjeç, nisën Festivalin e Filmit të Animuar Anibar, me synimin e rigjallërimit të skenës artistike dikur të gjallë.
Sanaja dhe miqtë e tij e morën këtë ide ndërsa panë festivalin vjetor Dokufest në qytetin jugor të Kosovës, Prizren, i cili zuri rrënjë dhe rigjallëroi kinemanë e qytetit pas pesëmbëdhjetë vjetësh.
Në vitin 2009, Sanaja dhe shokët e tij organizatorë ia dolën me një buxhet prej 500 eurosh dhe 80 filma të siguruar nga miqtë dhe të njohurit.
Këtë vit, ata përzgjodhën 200 filma për t’u shfaqur nga 1,800 aplikime dhe festivali gjashtëditor u financua me një buxhet prej më shumë se 10 mijë eurosh.
Anibar vijon të rritet si një festival ndërkombëtar, me mijëra regjisorë dhe producentë nga Ballkani dhe ndërkombëtarë që aplikojnë çdo vit për t’i pasur filmat e tyre të shfaqur.
Festivali i këtij viti në gusht tërhoqi madje edhe miq specialë si Mike Reiss, një shkrimtar dhe producent i njohur i The Simpsons.
Ringjallja e kinemasë
[fact title=”Festivali ndryshon reputacionin e Pejës”]Vesa Qena, një skenariste e re nga Prishtina e cila qe në juri në festivalin e këtij viti, vizitoi Pejën për herë të parë në gusht. Ajo thotë se qyteti nuk qe çfarë ajo priste.
“Sa herë që mendoja për Pejën, mendoja për vrasjet dhe mrekullitë e malësisë së Rugovës, por arti as që më shkonte nëpër mend, megjithëse babai më ka pas treguar për kujtimet e tij mbi shumë artistë të njohur nga ky qytet,” thotë Qena.
Peja është një nga qytetet më famëkeqe të Kosovës. Qyteti qe skenë e vrasjeve të shumta pas luftës së vitit 1999, gjë që ka shkaktuar një ndjesi pasigurie masive në qytet.
Gjatë luftës së viteve 1998-9, qyteti vuajti një numër të madh viktimash dhe pësoi shkatërrime të shumta. Vrasjet vijuan edhe pas luftës ku grupet rivale politike dhe kriminale luftuan njëri-tjetrin, duke krijuar një situatë shumë të trazuar.
“Megjithëse Peja ka tashmë një festival muzike, Into the Park (Në Park), dhe MONOAKT, unë nuk kisha dëshirë të vija këtu më parë. Por Anibar më bëri të ndryshoj mendimin e keq për Pejën,” thotë Qena.[/fact]
I ulur në kinemanë e vetme të qytetit, Jusuf Gërvalla, e cila gjendet pranë urës që kalon lumin e ndotur Bistrica, Sanaja është i rrethuar nga postera të pluhurosur filmash që datojnë nga koha që disa e njohin si “epoka e artë” e filmit në Jugosllavi.
“Organizimi i një festivali për filmin e animuar në Pejë nuk synonte fillimisht vetë festivalin, por qe më shumë për ringjalljen e kinemasë së qytetit,” thotë ai ndërsa heq pluhurin nga një kino-projektor 35 milimetërsh që është vetëm një vit më i vjetër se ai.
Për Sanajën, çelësi në ringjalljen e zemrës kulturore dhe artistike të Pejës gjendet te rihapja e kinemasë së vjetër që nuk pati funksionuar prej shumë vitesh deri sa Anibar e mori atë në vitin 2013.
Ndërsa një festival mund ta vendosi qytetin në hartë, një kinema vendore e gjallë që shfaq çdo gjë, nga filmat e suksesshëm të Hollivudit te klasikët e prodhimit vendës mund të ndihmojë për të rikthyer në jetë anën kulturore të qytetit.
Organizatorët e Anibar shfaqin dy filma në ditë te Jusuf Gërvalla. Për vetëm 2 euro biletë, banorët mund të shohin çfarëdolloj filmi që Sanaja dhe miqtë e tyre mund të gjejnë, për sa kohë ato mund të shfaqen duke përdorur pajisjet e vjetërsuara të kinemasë.
Por, ndërsa festivali është gjithnjë e më popullor me të huajt, ai nuk tërheq shumë banorë vendës dhe kinemaja është ende larg të qenit një shtëpi e gjallë filmi që përmbush ambiciet e Anibar.
Kinemaja u ndërtua më 1955 dhe punoi me sukses deri në vitet 1990. Në këtë kohë konfliktesh etnike, shqiptarët nuk shkonin në kinema, pasi ajo menaxhohej nga serbët. Pas luftës më 1999, ajo u kontrollua nga partitë politike, por atyre nuk ua ndjente shumë për kulturën dhe e përdorën atë vetëm si zyra.
Kinemaja u rikthye në jetë në shkurt 2011 dhe dy vjet më vonë një kryetar komune i ri ia dha Anibarit për ta administruar.
“Kur ne e hapëm kinemanë dy vjet më parë, ne nuk mundëm ta kuptonim se pse ku vend qe nën mbrojtje. Çdo gjë qe e shkatërruar dhe ne nuk qemë në gjendje të kuptonim se çfarë kishte ndodhur këtu,” rikujton Sanaja.
Ai vë në dukje faktin se Peja nuk qe gjithmonë një vrimë e zezë në hartën kulturore të Kosovës, duke rikujtuar shkëlqimin kulturor të qytetit të tij të lindjes në vitet 1970.
Në atë kohë, njerëz si Faruk Begolli, aktori i famshëm Jugosllav, artistë bashkëkohorë si Erzen Shkololli dhe ai me bazë në Bruklin Sislej Xhafa dhe një nga artistët kryesorë të artit konceptual të Kosovës, Sokol Beqiri, që të gjithë ecnin në këto rrugë.
Peja rriti gjithashtu kitaristin dhe pedagogun e famshëm Luan Sapunxhiu dhe Ilir Bajrin, i cili sot është kompozitor i njohur xhazi, pianist dhe drejtor i Festivalit të Xhazit të Prishtinës.
Kinemaja pushtohet nga turbo-folku
Peja kaloi përmes ndryshimeve të stërmëdha ekonomike dhe shoqërore përgjatë dekadës së fundit. Më shumë se dhjetë fabrika që përbënin zemrën industriale të qytetit janë privatizuar tashmë dhe janë kthyer në qendra tregtare, supermarkete dhe objekte banimi.
Ndërkohë, banorët vendës nuk duken realisht të interesuar në ringritjen e jetës kulturore të qytetit.
[fact title=”Entuziazmi nuk mjafton”]Chiara Magri, një profesore e filmit vizatimor në Itali e cila vizitoi festivalin Anibar këtë vit, thotë se pavarësisht entuziazmit të të rinjve, nevojiten përpjekje sistemike për të themeluar festivale dhe për të mbështetur artet në terma afatgjatë.
Financimi i ngjarjeve kulturore dhe thjeshtë mbajtja e tyre, i tha Magri Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative, nuk është e mjaftueshme për t’i dhënë fund margjinalizimit të kulturës në shoqëri dhe kjo është e rëndësishme edhe për vende si Peja.
“Anibar është një aktivitet i jashtëzakonshëm por unë mund të shoh se këtu artet dhe kultura në realitet janë të margjinalizuara. Motivimi i pak të rinjve nuk është i mjaftueshëm për të shpëtuar prej kësaj,” vëren ajo.
Magri thotë se ndërsa festivalet mund të luajnë një rol pozitiv në emancipimin e shoqërisë në termat e artit dhe kulturës, organizime më të mëdha dhe mbështetje janë të nevojshme.
“Ne duhet të vlerësojmë kurajën e këtyre të rinjve që punojnë për të rikthyer kinemanë te qyteti dhe që kundërshtojnë indiferencën ndaj kësaj,” thotë ajo.[/fact]
Sanaja thotë se ata më shumë pëlqejnë të përkujtojnë përvjetoret tradicionale të luftës dhe festat kombëtare me shfaqje nga artistët tradicionalë dhe ato të muzikës pop puna e të cilëve rrallë herë del përtej kufijve të turbo-folkut. Fjalimet epike nga zyrtarët tërheqin më shumë njerëz se sa kinemaja.
Shumë nga të rinjtë që kanë ndihmuar Sanajën të fillonte festivalin Anibar janë dorëzuar dhe kanë ikur për në Prishtinë apo gjektë për të studiuar, pasi nuk kanë qejf të kalojnë kohën nëpër festivale turbo-folku apo të vrasin ditën nëpër kafene.
“Dikush duhet të qëndrojë këtu dhe t’i japë jetë këtyre aktiviteteve,” thotë ai ndërsa kryen punët e përditshme.
Por ai pranon se e gjen të vështirë të organizojë një festival që vështirë se plotëson nevojat e tij bazë në një vend ku ai nuk ka shumë çfarë të bëjë përgjatë të gjithë pjesës tjetër të vitit.
Festivali ka nevojë për më shumë mbështetje financiare dhe një strategji serioze për t’u ngritur, pa përmendur këtu se Sanaja dhe kolegët e tij nuk fitojnë para nga festivali. Pavarësisht kësaj, ai nuk ka ndër mend të heqë dorë.
“Unë kam vendosur të qëndroj me shpresë se ne do të krijojmë një seri aktivitetesh nga një [festival],” thotë Sanaja, duke e ditur se ai përballet me një betejë të vështirë.
Banorët vendës, shpjegon ai, nuk janë ekzaktësisht njerëz arti dhe për një periudhë të gjatë kohe, ata i vunë nofkën Anibar “Shfaqja Tom dhe Xherri”, dhe rrallë herë e vizituan.
Ndërsa festivali qe popullor për festat e tij pas shfaqjeve dhe për muzikën me DJ, ato festa shpesh ndërpriteshin kur iknin dritat, nga fqinjët e mërzitur nga zhurma dhe nga policia.
Festivali nuk është vetëm për art, gjithsesi. Së fundmi, organizatorët bashkë me të ftuarit dhe disa vullnetarë, vendosën të pastrojnë seksionin e ndotur të lumit pranë kinemasë.
Megjithëse ky qe një zhvillim i mikpritur, organizatorët ndjejnë se puna e tyre nuk u vlerësua mjaftueshëm. Njerëzit vijojnë të hedhin mbeturinat në lumë dhe askush nuk e pastron atë.
Nuk ka mjaftueshëm mbështetje
“Ne shpesh jemi të injoruar nga institucionet kulturore të Kosovës, pa përmendur njerëzit, të cilët e shohin këtë si një aktivitet dytësor,” thotë Sanaja.
Ai thotë se kinemaja ka nevojë për investime dhe ankohet se ata nuk kanë vizitorë të mjaftueshëm apo pajisje moderne, veçanërisht një projektor DCP për të zëvendësuar projektorin 25 vjeçar 35 milimetërsh, një sistem i vjetërsuar që rrallëherë përdoret në industrinë e filmit sot.
“Është e vështirë ta mirëmbash atë sepse teknologjia ka përparuar dhe njerëzit kanë harruar ndjesinë e të vajturit në kinema,” thotë Sanaja.
Megjithëse komuna e konsideron festivalin një projekt nga i cili Peja përfiton, dhe ia ka dhënë kinemanë e vjetër organizatorëve, Sanaja ende beson se Anibar është i margjinalizuar dhe shihet si i parëndësishëm.
Qeveria vendore nuk është dakord me idenë se Peja e ka margjinalizuar artin. Komuna argumenton se qyteti tashmë është një qendër kulturore si kurrë më parë.
“Tetë festivale të suksesshme zhvillohen këtu dhe PIGF (Festivali Ndërkombëtar i Kitarës në Pejë] dhe Anibar janë ngjarje ndërkombëtare,” thotë Engelbert Zefaj, drejtor i departamentit të Kulturës në komunë.
“Për herë të parë, ka një festival kulturor të shkollave të larta, me 950 artistë të rinj në zhanret e teatrit, poezisë, këngës dhe valles. Koncertet zhvillohen në ditë të rëndësishme, në ditën e pavarësisë, ditën e çlirimit dhe ditën e flamurit,” shton ai.
Ai vijon duke përmendur muzeun, bibliotekën publike dhe mjedise e aktivitete të tjera, të cilat ai beson se e bëjnë Pejën një destinacion për artin dhe kulturën.
“Mungesa e parave është arsyeja se pse shumë projekte nga artistët e rinj nuk mund të mbështeten. Buxhetet e komunave janë të vogla dhe politikat e qeverisë qendrore nuk janë mbështetëse për artet,” shpjegon Zefaj.
Ai thotë se komuna ka bërë më të mirën për të ndihmuar Anibar dhe do të vijojë ta bëjë këtë, duke shpjeguar se, përveç rëndësisë artistike, festivali sjell edhe përfitime ekonomike për qytetin.
Sërish, Sanaja nuk është i kënaqur. “Mbështetja financiare që ne marrim thjeshtë sa mbulon nevojat bazë të festivalit,” thotë ai, duke nënkuptuar koston e mikpritjes së të ftuarve, udhëtimin dhe strehimin, botimin e posterave, elektricitet dhe ujë, marrja me qira e projektorit dhe gjërat e tjera të nevojshme për zhvillimin e aktivitetit.
“Çdo gjë tjetër mbulohet nga vullneti i mirë i njerëzve por kjo nuk është e mjaftueshme për ta çuar idenë përpara, është thjeshtë e mjaftueshme për të mbajtur edhe një edicion tjetër,” thotë ai.
“Është jashtëzakonisht e vështirë të sjellësh një kinema moderne për shkak të mungesës së financave,” thotë ai duke këmbëngulur se ai nuk e ka humbur ende shpresën që bashkëqytetarët e tij do të vijnë dhe do ta kuptojnë rëndësinë e festivalit.
“Kjo është e nevojshme për krijimin e një shoqërie më të vetëdijshme, me më shumë mundësi për zhvillim shoqëror,” përfundon ai.
Ky artikull financohet nga projekti Invisible Art mbështetur nga Fondi Prince Claus.