Duke përdorur shprehje nga Pikaso te Kenedi dhe Majkëll Xhordan, kryeministri serb po përpiqet të krijojë një tymnajë fjalësh për të fshehur mesazhet e tij të papëlqyeshme politike.
Që kur Aleksandër Vuçiçi i ri dhe i reformuar hyri në qeverinë serbe dhe rrëmbeu karrigen e kryeministrit, mbajtja e pushtetit nga ana e tij është karakterizuar nga një valë shprehjesh nga personalitete të famshme.
Vuçiç, kokë (dhimbja) e padiskutueshme e politikës serbe, kuptoi se imazhi i tij i ri europian ka nevojë të pasurohet me referenca të buta dhe të rafinuara që do të ilustronin transformimin e tij ideologjik.
Është e ditur se referencat nga autorët e vlerësuar gjerësisht i shërbejnë si mbështetje dhe mburojë atyre që shpesh i përdorin.
Vuçiçi autoritar ka mbledhur një ushtri të vërtetë të shprehjeve të njerëzve të famshëm për të shërbyer si truproja të personalitetit të tij politik dhe për cektësinë e ideve të tij politike.
Sasia e citimeve të dala nga goja e tij motorike është e jashtëzakonshme. Ai i kthen fjalimet e tij në një grup referencash të projektuara për të heshtur kundërshtarët dhe që të veprojnë si tymues të veprimeve të tij politike.
Në urinë e tij të pangopshme për citime, ai përdor gjithçka dhe këdo, nga Pikaso te Nikolai Velimiroviç, një peshkop konservativ ortodoks serb.
Publikut i duket se Vuçiç gjithnjë mban afër një libër xhepi me citime që në çdo situatë të hedhë një “shprehje bombë”.
“Mos pyet se çfarë mund të bëj vendi yt për ty, por çfarë mund të bësh ti për vendin tënd,” tha ai një herë duke iu referuar fjalimit të famshëm të presidentit Xhon F Kenedi nga viti 1961.
Në kontekstin e trajektores politike të Serbisë, shprehja ngjan si një mënyrë ideale për të shmangur përgjegjësinë për veprimet politike të dikujt.
Në fakt, shfaqjet publike të kryeministrit zbulojnë një itinerar. Pas publikimit të një shprehje bombastike vjen një dozë e masave jo popullore.
Për shembull, kur ai donte të prezantonte masat e kursimit, citoi miliarderin Bill Gates.
“Është e rëndësishme të punosh shumë dhe të kesh pak nevoja, ndaj ne duhet të mësojmë të sakrifikojmë dhe të heqim dorë,” tha Vuçiç duke cituar këshillën e miliarderit.
Po, është një mënyrë e mirë të bindësh njerëzit se rrogat dhe pensionet e tyre janë tashmë shumë të larta dhe se ata jetojnë në luks me një mesatare prej 350 euro.
Sigurisht, Vuçiç nuk do të citonte statistikat e Agjencisë Anadolu, që tregojnë se vetëm Maqedonia ka mesatare të ulët pagash sesa Serbia në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Kur kryeministri do të shfaqej në 20-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës në korrik të këtij viti, ai përdori një nga frazat e famshme të Ernest Heminguej. “Guximi është krenaria nën presion,” tha ai, duke cituar shkrimtarin klasik, ndoshta me shpresën se pak nga guximi i tij do ta transformonte në dikë tjetër.
Shumica e referencave të përdorura nga Vuçiç janë lloji i gjërave që njerëzit sipërfaqësor dhe të pasigurt shkruajnë në Facebook për të treguar se janë më të zgjuar nga realiteti.
“E vetmja gjë të cilës duhet t’ia kemi frikën, është frika në vetvete,” ishte një shprehje e njohur e presidentit Rusvelt, që Vuçiç e përdori për të shprehur – në fakt, hiçgjë.
Dhe siç tha Uinston Çërçill dikur – një nga politikanët e preferuar të Vuçiç për t’u cituar – rruga drejt suksesit do të thotë të dështosh sërish e sërish, por të mos humbësh entuziazmin e përpjekjes. Është e qartë se Vuçiç jeton me këtë rregull.
Nga ana tjetër, kryeministri e përçmon kur dikush e citon atë si një anëtar 25-vjeçar i Partisë Radikale Serbe nga mesi i viteve ’90.
“Nëse vret një serb, ne do të vrasim 100 myslimanë,” tha në parlamentin serb më 20 korrik, 1995 një anëtar i ri i dobët i partisë radikale serbe, Aleksandër Vuçiç.
Disa kilometra në perëndim në atë korrik tragjik të 1995, disa mijëra boshnjakë u vranë në zonën e Srebrenicës.
Kryeministri nuk do të kujtojë atë Vuçiç të ri. Ai i ka varrosur të gjitha kujtimet e tij, në të njëjtën mënyrë si anëtarë të ushtrisë Republika Srpska varrosën trupat e boshnjakëve që ata vranë.
Sot, kryeministri drejton një qeveri sipas etikës protestante të Maks Veber dhe me imazhin e kuruar të një politikani modern europian.
Promovimi i Serbisë si një mekë e lirë e punës nga ana e tij, po e çon vendin drejt Bashkimit Europian.
Në mënyrë absurde, ai tani i referohet armikut të tij më të madh, ish-kryeminsitrit serb të vrarë, Zoran Djindjiç.
“Në Serbi, kur një burrë shtyn një gurë shumica e njerëzve bëjnë tifo për gurin,” tha Vuçiç duke cituar një nga shprehjet e Djindjiç.
Megjithatë, ndryshimi i Vuçiç është vetëm kozmetikë. Ai sapo hodhi një uniformë të vjetër ushtarake dhe bleu një kostum të ri të shkëlqyeshëm.
Pavarësisht se sa shumë të përpiqet, është e dukshme se kostumi nuk i përshtatet atij. Ai është gjithnjë i parehatshëm në kostumin që i vjen ngushtë.
Ndryshimi i tij është po aq i vërtetë sa liria e medias në Serbi. Transformimi i tij është i paqëndrueshëm aq sa edhe ekonomia serbe.
Në një intervistë, Vuçiç e krahasoi Serbinë me fjalët e Majkëll Xhordan rreth humbjes së një mundësie por me fitimin në fund.
“Serbia është si Xhordan. I ka humbur rastet shumë herë, por unë jam i bindur se pas shumë masave të vështira, ashtu si trajnimi i vështirë i Xhordan, sukses i paprecedentë do të vijë,” tha ai.
“I gjithë dokumentari rreth Xhordanit është i përbërë nga faktet e dështimeve të tij me një mesazh të shkurtër: ‘a e di sa herë duhet të përpiqesh dhe sa herë duhet të mos ia dalësh për t’u bërë Majkëll Xhordan?” përfundoi ai.
Ne mund ta rifrazojmë citimin. Sa herë duhet të mos ia dalësh, që të bëhesh politikisht Aleksandër Vuçiç, dhe për sa kohë do të vazhdojmë t’i japim atij mundësinë për t’u përpjekur?