Një pikturë e realizuar në vitet e Luftës së Parë Botërore nga Amedeo Modigliani, artisti italian që jetonte në Paris, u shit sot në Nju Jork për 170 milionë dollarë, duke u bërë vepra e dytë më e shtrenjtë në botë.
Amedeo Modigliani qe i droguar me hashash, i shkatërruar nga pija alkoolike Absinthe dhe i varfër deri në dëshpërim kur realizoi tablonë e tij të famshme “Nu Couché au coussin Bleu” në vitet 1917-1918. Autori e realizoi veprën e tij në Paris, një tribut për seksualitetin, ndërkohë që Europa qe zhytur në një luftë të tmerrshme.
Tabloja e tij u shit në ankand nga Christie në Nju Jork sot (10 nëntor) për 170.4 milionë dollarë. Vetëm një tablo e Picasso-s e shitur në maj të këtij viti ka marrë një çmim më të lartë prej 179 milionë dollarësh.
Kur u publikua për herë të parë, vepra shkaktoi skandal për mënyrën eksplicite joshëse të paraqitjes së një trupi gruaje nudo. Por ajo konsiderohet si një nga veprat më të rëndësishme të epokës kur u realizua, krahas veprave të Gustav Klimt dhe të Egon Schiele. Artisti që e realizoi veprën vdiq pak vite më vonë pasi kishte arritur famë, por jo pasuri nga veprat e tij.