Ish-ministri i Drejtësisë mendon drafti i amendamenteve kushtetuese i mbështetur nga maxhoranca si pjesë e reformës për drejtësi është hartuar në mënyrë të fshehtë dhe jo transparente.
Eduart Halimi dyshon shumë në suksesin e kësaj reforme. Sipas tij, është realisht e dukshme që maxhoranca ka shumë probleme me këtë reformë. Dhe, sikur të mos mjaftojë kjo, ai pohon se: “Drafti i amendamenteve kushtetuese është hartuar në mënyrë të fshehtë dhe aspak transparentë. Maxhoranca ka dështuar të krijojë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës”. Gishti i fajtorit vendoset tek kryeministri i vendit dhe tek sjellja e tij autoritare. Por nga ana tjetër dhe mungesa e pakët e vullnetit të Pozitës që të bashkëpunojë: Reformimi i sistemit duhet të vijë nëpërmjet një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual që Reforma të jetë konsistente. Sepse në të kundërt maxhoranca e re nesër do bëjë të njëjtën gjë dhe do kthehemi tek i njëjti proces, si tek historia e Penelopës në mitologji. Ndaj garanci për këtë do të ishte që procesi të udhëhiqej nga ekspertiza ndërkombëtare. Ekspertiza ndërkombëtare do të mbante procesin në shinat e një reforme reale, europiane dhe jetëgjatë, që të mos dalim nga status quo-ja ku ndodhemi dhe mos jemi si shembujt problematike të rajonit”.
Në fund, ka një gjatësi vale Pozitën. Ndryshimi i situatës në drejtësi është emergjent. “Krijimi i mekanizmave për të luftuar kundër korrupsionit në prokurori është i rëndësishëm”. Por, me këtë maxhorancë, sipas tij, nuk ka zgjidhje dhe sërish Reforma do mbetet e pazgjidhshme…
Ju keni propozuar se sistemi i drejtësisë duhet të mbahet sa më larg nga ndërhyrjet politike dhe duhet të udhëhiqet vetëm nga ekspertët ndërkombëtarë. Pse këmbëngulni kryesisht për këtë lloj forme?
Halimi: Edi Rama vuan nga autoritarizmi dhe arroganca ndaj Kushtetutës dhe ligjit. E ka treguar këtë në mënyrë permanente në këto 17 vite që është në politikë. Po kaq tipike është edhe sjellja e tij në këto 2 vitet e fundit. Vjet ai hartoi dhe miratoi tre ligje për drejtësinë brenda 10 ditësh, pa u konsultuar me askënd, dhe në kundërshtim të hapur me qëndrimin e Opozitës dhe partnerëve ndërkombëtarë (Ligjin për KLD, Gjykatën e Lartë dhe Shkollën e Magjistraturës). Justifikimi i tij se ishte në emergjencë ishte fals, sepse asgjë veç kapjes dhe ndërrimit të karrigeve nuk pati. U shkarkuan anëtarët e KLD-së, dhe u emëruan 3 njerëz me lidhje të forta politike me PS-në në KLD dhe një tjetër në Shkollën e Magjistraturës, u bllokuan emërimet në Gjykatën e Lartë, duke i hequr të drejtën kushtetuese Presidentit. Pra, rezultati i aktit kryeministror nuk ka të bëjë fare as me emergjencë dhe as me luftë kundër korrupsionit por vetëm me kapjen politike.
Autoritarizmi dhe arroganca si mënyrë sjellje nuk është zgjidhje për problemet e forta, që ka sistemi i drejtësisë me korrupsionin. Reformimi i sistemit duhet të vijë nëpërmjet një procesi transparent, gjithëpërfshirës dhe konsensual që Reforma të jetë konsistente. Sepse në të kundërt maxhoranca e re nesër do bëjë të njëjtën gjë dhe do kthehemi tek i njëjti proces, si tek historia e Penelopës në mitologji. Ndaj garanci për këtë do të ishte që procesi të udhëhiqej nga ekspertiza ndërkombëtare. Ekspertiza ndërkombëtare do të mbante procesin në shinat e një reforme reale, europiane dhe jetëgjatë, që të mos dalim nga status quo-ja ku ndodhemi dhe mos jemi si shembujt problematike të rajonit.
Pak javë më parë ju duke marrë shkas nga pozicionimi i deritanishëm i Pozitës, thatë se Reforma e Drejtësisë po bëhet vetëm me njerëzit që pëlqehen nga kryeministria. Ndërkohë në ditët tona janë përfshirë shumë aktorë. A mendoni se ka ndryshuar diçka dhe cili është qëndrimi juaj për konceptimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë?
Halimi: Reforma nuk po udhëhiqet nga ekspertiza ndërkombëtare. Është e vërtetë që disa misione janë ftuar të jenë pjesë e procesit dhe ata kanë dhënë mendime shumë të vlefshme për reformimin e sistemit. Por grupi i ekspertëve përbëhet në të shumtën e tyre nga njerëz afër PS-së. Nga 24 ekspertë, vetëm 6 janë ekspertë të huaj dhe procesi udhëhiqet ekskluzivisht nga PS-ja dhe përfaqësuesit e saj në komision dhe grupe pune.
Drafti i amendamenteve kushtetuese është hartuar në mënyrë të fshehtë dhe aspak transparentë. Maxhoranca ka dështuar të krijojë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës. Aktorët nuk janë pyetur asnjë minutë për draftimin e këtyre amendamenteve. Opozita po ashtu. Kjo përbën të parën herë në 25 vjet që amendamentet kushtetuese (58) hartohen pa pjesëmarrjen e Opozitës.
Deri më sot, asnjë tryezë nuk është thirrur për të diskutuar me aktorët për zgjidhjet dhe ekspertët e PS kanë refuzuar të përballen me aktorët dhe publikun për zgjidhjet që kanë bërë. Kam pasur takime intensive me faktorin ndërkombëtar lidhur me mungesën e transparencës dhe shpresoj që në ditët në vijim maxhoranca të ndryshojë qëndrim…”.
Dhe si e mendoni ju funksionin e KLD-së?
Halimi: Lidhur me KLD-në dhe mekanizmat për të luftuar korrupsionin padyshim që situata duhet ndryshuar. Korrupsioni në drejtësi është i përhapur. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, e të paaftë duhet të ikin nga sistemi. Mekanizmat e deritanishëm duhet të ndryshohen se nuk kanë pasur sukses. Por këto mekanizma duhet të garantojnë mbrojtjen e gjyqtarëve e prokurorëve të ndershëm. Lufta ndaj korrupsionit në mënyrë të njëkohshme duhet të garantojë dhe pavarësinë e drejtësisë. Mekanizmat e propozuara nuk janë garantiste. Provimi qeveritar për gjyqtarët e prokurorët nga një komision me influenca politike nuk është mënyra e duhur. Vlerësimi duhet të vijë nëpërmjet një procesi verifikues dosjesh dhe jo testim njohurish për aq kohë sa kemi prej 10 vjetësh një sistem vlerësimi profesional në Shqipëri. Procesi i provimit të jep përshtypjen e spastrimit sesa të ndarjes reale me gjyqtarët e prokurorët e ndershëm nga ata të korruptuar. Provimi ka ndodhur edhe më parë këtu, por dhe në vende të rajonit dhe nuk ka sjellë impaktin e duhur.
Ne kemi propozim konkret për rikonceptimin e KLD-së. E ka thënë para 1 viti kryetari i PD-së dhe para pak javësh edhe anëtarët e komisionit ad hoc të Opozitës. KLD-ja duhet të reformohet, anëtarët të jenë me kohë të plotë, procesi i disiplinimit, vlerësimit, emërimit dhe promovimit duhet të rishikohet plotësisht. Për ketë pjese duket se ka dakordësi. Por për në Ministri nuk duhet të jetë fare në asnjë nga këto procese. PS ka vendosur të kundërtën. Ministri është prezent në të gjitha fazat qe citova. Kjo nuk shkon në drejtim të forcimit të pavarësisë dhe as luftës ndaj korrupsionit.
Krijimi i institucioneve të reja kushtetuese, të cilat do bëjnë spastrimin, mbushjen e vendeve vakantë dhe kontrollin (9 institucione), duke ia besuar emërimin vetëm maxhorancës aktuale, e cila ka 88 deputetë sot (para me shumë se 3/5 e votave), çon në kapje totale të sistemit të drejtësisë. Për me tepër, ngritja e këtyre institucioneve të reja (plot 9 të tilla), të patestuara më parë, duket me tepër një eksperiment me sistemin, mekanizëm që siguron përfitimin nga maxhoranca aktuale për kapjen e tij, sesa një reforme reale. Fuqizimi dhe zgjidhja e problematikave të konstatuara në strukturat ekzistuese, duket një zgjidhje më e përshtatshme, sesa eksperimenti me krijimin e institucioneve të reja”.
Si e mendoni emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë? A duhet ndryshuar formula e zgjedhjes së tij?
Halimi: “Heqja e kriterit të përfundimit të Shkollës së Magjistraturës për t’u bërë gjyqtar, së bashku me heqjen e kriterit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë për të qenë gjyqtar karriere, kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të regjimit komunist shkon në të kundërt të forcimit të pavarësisë. Kjo është shumë shqetësuese. Emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga maxhoranca e radhës, heqja e filtrave (president, opozitë) shkon në të kundërt të balancave që duhet të kenë tre pushtetet në demokraci dhe e asgjëson krejt pushtetin gjyqësor.
Nga ana tjetër edhe teknikisht përzgjedhja e anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga komisioni i emërimeve, me prezencë ministrore, por me vendimmarrje të aktorëve, nuk shkon as në forcim të llogaridhënies. A e mendoni se çfarë përgjegjësie dhe llogaridhënie ka para publikut dhe qytetarëve propozimi që mund të japë për anëtar: Kryetari i Dhomës së Avokatisë, Prokurori i Përgjithshëm apo kryetari i Gjykatës Kushtetuese? Asnjë. Këtu koncepti i kontrollit, balancës dhe llogaridhënies shkatërrohet dhe kthehemi 20 vjet pas. Ndaj zgjidhja e dhënë është atipike dhe jo e dobishme. I shërben kryetarit të PS-së për të bërë emërimet e radhës, për ta kapur këtë gjykatë por jo sistemit”.
Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm është kthyer thjesht në akt konflikti politik. A mendoni se ka ardhur koha të ketë logjikë tjetër për zgjedhjen e tij?
Halimi: Më tepër se zgjedhja, konflikt ka qenë largimi, i cili me marrëveshjen PS-PD të vitit 2008 është zgjidhur me mandatin e prokurorit. Kështu Prokurori i Përgjithshëm para këtij aktual është i pari që është larguar pa u shkarkuar nga detyra, pra ka ikur konflikti. Është e vërtetë se problemet e korrupsionit në drejtësi janë të përhapura. Ndryshimi i situatës në drejtësi është emergjent. Krijimi i mekanizmave për të luftuar kundër korrupsionit në prokurori është i rëndësishëm. Padyshim që një prokurori me profesionistë, e pakorruptuar dhe e pavarur do të ndihmojë në luftën ndaj korrupsionit në qeveri që është befasues. Por shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm pa shkak, pa arsye, është shqetësues. Korrupsioni më i përhapur sot është në administratë dhe qeveri. Shumat që përfliten për korrupsionin qeveritar janë befasuese. Dhe në ketë moment pas denoncimeve dhe kallëzimeve të shumta të Opozitës dhe qytetarëve, kryeministrit i duhet patjetër prokuroria që t’i mbrojë njerëzit e vet. Kjo është sa e dukshme aq dhe shqetësuese. Decentralizimi i Prokurorisë është po aq difektoz dhe ka treguar se shkon në drejtim të kapjes. Shembujt në vendet fqinje për këtë nuk mungojnë.
Ndaj kujdesi në gjetjen e formulave të përshtatshme për prokurorinë duhet të jetë maksimal, për ta mbajtur larg ndikimit politik dhe për të garantuar një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit në pushtetit gjyqësor, por dhe 2 pushteteve të tjera, sidomos ekzekutivit. Për këtë arsye, reforma duhet të udhëhiqet nga ekspertiza ndërkombëtare.
Kjo intervistë është pjesë e një cikli intervistash nga BIRN Albania me ekspertë dhe përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar të përfshirë në procesin e reformës në drejtësi. Ky cikël artikujsh që synon të nxisë informimin dhe debatin publik mbi reformën, mbështetet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.