Tenderët e Autoritetit Rrugor Shqiptar u morën nën hetim të pavarur nga Autoriteti i Konkurrencës pasi u raportuan në media si tenderë ku kompanitë fituese kishin ndarë tregun dhe kishin fituar me oferta të shtrenjta.
Autoriteti i Konkurrencës njoftoi sot se ka hapur hetime për dy tenderë të Autoritetit Rrugor Shqiptar me dyshimin se në këto tenderë nuk ka pasur konkurrencë dhe se operatorët pjesëmarrës mund të kenë përdorur “skemën e rotacionit” për të shmangur konkurrencën dhe për të fituar tenderët me oferta të shtrenjta. Autoriteti, i cili thotë se i ka nisur hetimet në bazë të një shkrimi të raportuar në media, urdhëroi dje, (15 dhjetor), nisjen e hetimeve të thelluara mbi këto tenderë.
“Nga shqyrtimi i dokumentacionit lidhur me dy lotët e procedurës së mësipërme rezulton se firmat fituese në të dy lotët kanë qenë shumë pranë fondit limit (96 dhe 97%) si dhe ka një mungesë të pjesëmarrjes së operatorëve aktivë në tregun përkatës në procedurat e prokurimit në të dyja lotët,” thuhet në njoftimin e Autoritetit.
Pasi Autoriteti shqyrtoi dosjen e prokurimit, ai ngriti dyshimin se kompanitë nuk kanë konkurruar dhe se mund të kenë ndarë tregun me një metodë të njohur si “skema e rotacionit”.
Tenderët
Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkoi oferta për riparimet dhe rifreskimet e sinjalistikës rrugore për aksin rrugor veri-jug duke e ndarë atë në dy lote, loti i parë në aksin nga Rrogozhina deri në Kapshticë në kufi me Greqinë dhe loti i dytë nga Vora deri në Hanin e Hotit në kufi me Malin e Zi.
Për lotin e parë, ARSH pati përcaktuar fond limit në masën 869 milionë lekë (6.4 milionë euro). Sipas buletinit 42 të Agjencisë së Prokurimit Publik bashkimi i operatorëve “R.S.&M” & “I.D.K – Konstruksion”, konkurroi me operatorin “RSM COMPANY” Sh.p.k. Bashkimi i operatorëve hodhi ofertën prej 840 milionë lekësh, (96.6 për qind e fondit limit), ndërsa RMS hodhi ofertën 685 milionë lekësh, (79 për qind e fondit limit). Por autoriteti prokurues e skualifikoi RMS (kompani e regjistruar në Kosovë), me argumentin se dokumentet e saj nuk qenë të sakta.
Për lotin e dytë, me fond limit prej afro 500 milionë lekësh (3.57 milionë euro), konkurroi kompania Jubica shpk me RMS Company. Tenderi u fitua nga Jubica me ofertë prej 484 milionë lekësh, (97 për qind e fondit limit), ndërsa kompania RMS, me ofertë prej 394 milionë lekësh, u skualifikua sërish nga tenderi me të njëjtat argumente si me tenderin e parë.
Rotacioni
Autoriteti i Konkurrencës ka hetuar disa procedura tenderimi në të shkuarën dhe ka zbuluar se një nga mekanizmat e manipulimit të tenderëve në Shqipëri është kur disa kompani në një segment tregu vendosin të koordinojnë ofertat dhe të ndajnë tenderët, duke i fituar ato me oferta fare pranë fondit limit.
Në vitin 2010, Autoriteti i Konkurrencës zbuloi një skemë të ngjashme manipulimi të krijuar nga katër kompani që shisnin makina të reja për subjektet shtetërore. Sipas hetimit të Autoritetit, kompanitë “Classic” sh.p.k; “Ultra motors” sh.p.k; “Noti” sh.p.k; dhe “Hyundai Auto Albania”
sh.p.k. kishin fituar me rotacion tenderët shtetërorë për blerjen e makinave ndërsa dokumentet e pjesëmarrjes në tenderë dukej se qenë përgatitur nga e njëjta dorë për të gjitha kompanitë për shkak se në to u gjendën gabime të njëjta ortografike.
Sipas hetimit, falë këtij lloj bashkëpunimi, kompanitë në fjalë qenë në gjendje të fitonin tenderë me çmime që qenë vetëm pak qindarka poshtë fondit limit.
Por rasti tjetër i hetuar nga Autoriteti i Konkurrencës është ai i tenderit të Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Madhe të Tiranës ku gjithashtu rezultoi se disa kompani kishin shmangur konkurrencën duke bërë “bashkime operatorësh” dhe më pas, duke fituar secila nga një lot të punimeve me oferta që qenë pak qindarka nën fondin limit.
Sipas hetimit të Autoritetit të Konkurrencës, ky segment i autostradës u nda në tre lote në tenderin e zhvilluar ne vitin 2013 me një kosto të përgjithshme prej gati 42 milionë eurosh. Tetë kompani ndërtimi rrugësh u ndanë në tre “bashkime operatorësh” dhe secili prej tyre mori pjesë në tenderët mër dy apo tri lote, ku në fund, secila prej “bashkimeve të operatorëve” fitoi nga një lot me vlerë gati 2 miliardë lekë (14 milionë euro).
Lotin e parë të ndërtimit të autostradës rezultoi se e fitoi kompania Gener 2, oferta e së cilës qe e barabartë me 99.82 për qind të fondit limit ndërsa dy konkurrentët e tjerë kishin dhënë ofertat e pamundshme të barabarta me 99.91 dhe 99.96 për qind të fondit limit.
Lotin e dytë rezultoi se e fitoi “bashkimi i kompanive” Albavia & Favina & Alpin, me ofertën e pabesueshme prej 99.9 për qind të fondit limit, ndërsa dy konkurrentët në tender dhanë ofertë edhe më të lartë se kaq. Kompania Gener 2, e cila pati fituar tenderin e lotit 1, dha ofertën e barabartë me 99.99 për qind të fondit limit.
Në tenderin për lotin e tretë, fitoi “bashkimi i operatorëve” Gjoka Konstruksion dhe Gjikuria, bashkim që kishte “dështuar të fitonte në dy tenderët e tjerë. Oferta fituese qe e barabartë me 99.9 për qind të fondit limit.
Përveç shkeljes së ligjit për konkurrencën, sjellje të tilla në treg zakonisht përbëjnë edhe vepër penale. Në vendimin e vet final, Autoriteti i Konkurrencës deklaroi se nuk qe në gjendje të vërtetonte ekzistencën e një marrëveshjeje të fshehtë mes operatorëve, por theksoi se “sjellja e Autoritetit Kontraktor ajo që e ka bërë procesin dyshues për manipulime të mundshme të procedurave të prokurimit.”