Gjatë vitit 2015 Serbia çoi Kroacinë në Gjykatën e Hagës, u përpoq të bllokonte një rezolutë të OKB-së për Srebrenicën dhe loboi kundër kërkesës së Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s.
Serbia shpenzoi shumë kohë dhe përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me fqinjët e saj gjatë të gjithë vitit, por shpenzoi gjithashtu shumë energji dhe para për ta çuar çështjen e saj në skenën ndërkombëtare.
Në shkurt, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë refuzoi paditë për gjenocid të paraqitura nga Serbia dhe Kroacia kundër njëra-tjetrës.
Gjykata e Hagës tha se Serbia nuk mund të shpallej përgjegjëse për gjenocid për ngjarjet që ndodhën para 27 prillit 1992, kur Beogradi nënshkroi Konventën e OKB-së për Gjenocid.
Por ajo vendosi gjithashtu se pretendimi i Serbisë se Kroacia kishte kryer gjenocid në vitin 1995, gjatë Operacionit Stuhia, kur Zagrebi rimori pjesë të territorit që mbaheshin nga forcat rebele serbe, nuk u vërtetua.
Pavarësisht faktit se Serbia humbi, lidershipi i vendit u përpoq të nxirrtemë të mirën nga ky vendim i GJND-së. Sipas presidentit serb Tomislav Nikoliç, gjykata të paktën vendosi se Operacioni Stuhia çoi në dëbimin e civilëve serbë.
“Në këtë mënyrë, autoriteti më i lartë gjyqësor i OKB-së konfirmoi se forcat kroate kryen krime masive kundër serbëve në Kroaci,” tha Nikoliç.
[fact title=”Lideri pro-nazist pret rehabilitimin”]Seanca e parë dëgjimore për rehabilitimin e liderit qeveritar serb pro-nazist të Luftës së Dytë Botërore Milan Nediç, familja e të cilit këmbëngul që ai nuk ishte kriminel lufte, u mbajt në muajin dhjetor.
Gjykata e lartë e Beogradit në të kaluarën ka hedhur poshtë dy kërkesa për të pastruar emrin e Nediç, por Gjykata e Apelit në Beograd urdhëroi fillimin e procesit të rehabilitimit.
Kundërshtarët e rehabilitimit të Nediçit protestuan përpara gjykatës, duke shpërndarë fletushka për krimet e qeverisë së tij gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Protestuesit gjithashtu shprehën pakënaqësi për rehabilitimin e liderit çetnik Dragoljub Draza Mihailoviç në maj të këtij viti – një tjetër çështje që theksoi ndarjet e vjetra në Serbi.
Gjykata vendosi se gjyqi fillestar i Mihailoviçit nën regjimin komunist jugosllav ishte “politik dhe ideologjik” dhe se ai ishte shoqëruar nga gabime të rënda ligjore.[/fact]
Në qershor, Serbia ndërmori një ofensive diplomatike pasi dolën fjalë se Britania i kishte propozuar një rezolutë Këshillit të Sigurisë të OKB-së për të përkujtuar 20 vjetorin e gjenocidit të boshnjakëve nga Srebrenica në korrik të vitit 1995, kur forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 7,000 burra dhe djem myslimanë.
Për Serbinë, projektrezoluta ishte “e njëanshme” dhe “anti-serbe”, duke qenë se Beogradi s’i njeh vrasjet në Srebrenicë si gjenocid, pavarësisht disa vendimeve ndërkombëtare gjyqësore. Në këtë çështje, Serbia iu drejtua aleates së saj të vjetër Rusisë, e cila ushtroi veton e saj për rezolutën, duke e quajtur gjithashtu atë anti-serbe dhe duke thënë se kjo do të rriste tensionet në Bosnje.
Ndërkohë, në Beograd u ndaluan të gjitha tubimet e organizuara për të përkujtuar përvjetorin e Srebrenicës. Megjithatë, rreth 200 beogradas u mblodhën të ndiznin qirinj para zyrës së presidentit serb në kujtim të viktimave.
Pasi ndërroi mendje disa herë, kryeministri serb Aleksandër Vuçiç vendosi se do të merrte pjesë në ceremoninë përkujtimore të Srebrenicës më 11 korrik, por prania e tij atje përfundoi në kaos kur një grup pjesëmarrësish e qëlluan atë me gurë dhe shishe, duke bërë kështu që të largohej.
Më pas Vuçiç akuzoi ekstremistët se kishin planifikuar ta sulmonin atë, pavarësisht faktit se ai kishte ofruar “dorën e pajtimit”.
“Më vjen keq që njerëzit i pranuan qëllimet e mia të sinqerta për të ndërtuar një miqësi midis serbëve dhe boshnjakëve,” tha ai.
Edhe pse marrëdhënia midis Serbisë dhe Bosnjës u godit keq nga ky incident, tensionet u ulën kur presidentët e Bosnjës vizituan Beogradin dhjetë ditë më vonë.
Në gusht, Serbia shënoi një tjetër përvjetor, duke i bërë homazhe serbëve që u larguan nga Kroacia gjatë konfliktit atje. Si në Serbi ashtu edhe në entitetin serb të Republikës Srpska, në mesditën e 5 gushtit ranëkambanat e kishës dhe sirenat e sulmit ajror për të përkujtuar viktimat.
Shtatori dhe tetori e panë diplomacinë serbe me aktive ndërsa Beogradifilloi të lobonte ashpër kundër kërkesës së Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO. Këtë herë, shtysa diplomatike rezultoi në favor të Serbisë, dhe në nëntor aplikimi i Kosovës për t’iu bashkuar trupit kulturor të OKB-së nuk mori mjaftueshëm vota nga shtetet anëtare të UNESCO-s.
“Kjo është një fitore e justifikuar dhe morale në kushte pothuajse të pamundura,” tha presidenti serb Nikoliç.
Shesheli në harresë
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e kaloi çerekun e parë të vitit duke u përpjekur të kthente liderin e Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel në qendrën e paraburgimit në Hagë, pasi e liroi atë që të kurohej nga kanceri në nëntor të vitit 2014.
Edhe pse Shesheli, i cili po gjykohet për krime lufte në Kroaci dhe Bosnjë, shkeli rregullat e lirimit të tij në disa raste, duke mbajtur tubime nacionaliste dhe duke ofenduar viktimat e luftës, gjykata e OKB-së nuk gjeti ndonjë mekanizëm për ta detyruar qeverinë serbe ta kthente atë në Hagë.
Ndërkohë, Serbia u shpreh se shëndeti i Sheshelit ishte përkeqësuar aq shumë saqë ai s’ishte në gjendje të udhëtonte. I lënë në harresë, Shesheli vazhdon të jetë aktiv në politikë, ndërkohë që pret në Beograd për vendimin e tij, i cili pritet të merret në vitin 2016.
ICTY-ja liroi gjithashtu ish-liderin serb të Kroacisë Goran Haxhiç në prillpër të marrë kurim mjekësor pasi vendosi vitin e kaluar se ai ishte tepër i sëmurë për të ndjekur gjyqin.
Në ditët e para të vitit 2016, gjykata do të vendosë nëse ndjekjet penale kundër Haxhiçit do të vazhdojnë apo jo.
Dy të dënuar serbë të ICTY-së u liruan pasi kryen dy të tretat e dënimit të tyre – ish-zyrtarët Nikola Sainovic dhe Vladimir Lazareviç, të dy të dënuar për krime lufte në Kosovë.
Ditë pas uljes së tij në aeroportin e Beogradit në shtator, Sainovic, ish-kryeministri i Jugosllavisë, iu bashkua radhëve të larta të Partisë Socialiste, e cila është pjesë e koalicionit qeverisës të Serbisë.
Ndërkohë Lazareviç, ish-komandant i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, u prit si hero kur u rikthye në dhjetor.
Zyrtarë të lartë dhe qindra njerëz që thërrisnin “Lazareviç, heroi ynë!”,përshëndetën lirimin e të dënuarit për krime lufte pasi ai u soll në shtëpi me avion qeveritar.
Por lajmet më të habitshme nga ICTY-ja erdhën në javët e fundit të vitit 2015, kur dhoma e saj e apelit vendosi ta çonte çështjen kundër ish-zyrtarëve shtetëror serbë të sigurimit Jovica Stanisiç dhe Franko Simatoviç për rigjykim. Për herë të parë në historinë e saj, ICTY-ja vendosi ta dëgjojë çështjen përsëri nga fillimi.
Stanisiç dhe Simatoviç, të cilët akuzohen për krime lufte në Bosnje dhe Kroaci, në vitin 2013 u liruan nga akuzat. Ata e kanë deklaruar veten të pafajshëm.
Dështime brenda vendit
2015-ta ishte viti me numrin më të vogël të aktakuzave që nga themelimi i zyrës së prokurorit special për krime lufte në Serbi në vitin 2003. Prokuroria ka ngritur vetëm dy padi, të dyja për krime të kryera gjatë luftës në Bosnjë.
[fact title=”Vendimet e vitit 2015 nga gjykatat serbe”]Shkurt – Marko Crevar, një ish-anëtar i forcave serbe të Kroacisë, pranoi se ka torturuar civilë në një kamp burgimi në Sremska Mitrovica dhe u dënua me një vit e gjysmë burg.
Shkurt – Dhoma e apelit dërgoi për rigjykim një çështje kundër nëntë ish-luftëtarëve serbë të akuzuar për vrasjen më shumë se 118 shqiptarëve në afërsi të qytetit të Pejës të Kosovës në vitin 1999.
Mars – Ish-guerilasi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Mark Kasnjeti u lirua për krime lufte kundër civilëve në qershor të vitit 1999 në qytetin e Prizrenit.
Prill – Ish-luftëtari Mbrojtjes Territoriale Zarko Curbilo u dënua për vrasjen e 11 civilëve gjatë luftës në Kroaci.
Prill – Ish-luftëtari vullnetar Miodrag Zivkoviç u shpall i pafajshëm për krime në Bijeljina në Bosnjë.
Maj – Tre-ish oficerë policie, Zoran Vuksiç, Slobodan Strigiç dhe Branko Hrnjak, u dënuan me 40 vjet burg për vrasjen e katër personave në qytetin kroat të Beli Manastirit në vitin 1991.
Qershor – Gjashtë ish-anëtarë të grupit paraushtarak “Çetnikët Sima” u liruan nga akuzat për vrasjen e 28 civilëve romë, përfshirë fëmijë, pranë qytetit boshnjak të Zvornikut në vitin 1992.
Qershor – Dy ish-luftëtarë serb të Kroacisë, Dragan Mitroviç dhe Zarko Milosheviç, u dënuan me një total prej 24 vitesh burg për vrasjen e 16 civilëve në fshatin lindor kroat Sotin në vitin 1991.
Shtator – Ish-ushtari i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Miroslav Gvozden, u dënua me 10 vjet burg për vrasjen e gjashtë civilëve gjatë luftës në Bosnjë.
Shtator – Gjykata e Apelit dërgoi për rigjykim çështjen kundër Miograd Zivkoviçit për krime në Bijelina.
Nëntor – Ish-ushtari i Ushtrisë Serbe të Bosnjës Boban Pop Kostiç u lirua nga akuzat për torturim të një civili boshnjak në kampin e burgimit Luka në luftë në vitin 1992.[/fact]
Në mars, pesë ish-luftëtarë serbë të Bosnjës u akuzuan për vrasjen e 20 pasagjerëve që u rrëmbyen nga një tren në Strpci në Bosnje në vitin 1993. Megjithatë, gjykata e lartë ia riktheu çështje prokurorisë për punë shtesë, kështu që aktakuza po pret ende të konfirmohet në mënyrë që gjyqi të mund të fillojë.
Në shtator, prokuroria akuzoi tetë ish-policë serbë të Bosnjës për vrasjen e më shumë se 100 boshnjakëve nga Srebrenica në korrik 1995. Kjo ishte edhe padia e parë në lidhje me masakrat e Srebrenicës që u ngrit në Serbi.
2015-ta ishte gjithashtu viti i fundit në zyrë për prokurorin serb të krimeve të luftës Vladimir Vukçeviç, pasardhësi i të cilit do të caktohet në fillim të 2016.
Gjykata e lartë në Beograd mori tetë vendime për krime lufte gjatë vitit.
Dënimi më i lartë u dha për tre ish-oficerë policie, Zoran Vuksiç, Slobodan Strigiç dhe Branko Hrnjak, të cilët u dënuan me 40 vjet burg për vrasjen e katër njerëzve në qytetin kroat të Beli Manastir në vitin 1991.
Në gjyqin më të madh të mbajtur në vitin 2015,gjykata liroi nga akuzat gjashtë ish-anëtarë të grupit paraushtarak “Çentikët Sima” për vrasjen e 28 civilëve romë përfshirë edhe fëmijë pranë qytetit boshnjak të Zvornikut në vitin 1992.
Ndërkohë, Gjykata e Apelit liroi nga akuzat ish-guerilasin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Mark Kasnjeti për krime lufte kundër civilëve në qershor 1999 në qytetin e Prizrenit.
Në muajt e fundit të vitit 2015, qeveria serbe publikoi draftin e saj të shumëpritur të strategjisë së parë kombëtare për krimet e luftës, duke u zotuar të ndreq dështimet e kaluara dhe të ndjekë penalisht autorëve të rangut të lartë për krime në shkallë të gjerë.
Draft-strategjia për vitin 2016-2020 synon të jetë “një reflektim i qartë i angazhimit të pamohueshëm të Republikës së Serbisë për ndëshkimin efikas të krimeve të luftës,” thuhet në dokument.
Ministria e drejtësisë tha se strategjia ka tre qëllime kryesore: “Ndëshkimin e duhur të atyre që janë përgjegjës për krime lufte, drejtësi për viktimat dhe gjetjen e vendndodhjes së trupave të personave të zhdukur”.
Ajo u publikua pak para se Serbia të hapte negociatat e saj për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian dhe vënia e saj në zbatim ka gjasa të vlerësohet me kujdes nga Brukseli ndërsa bisedimet për anëtarësim vazhdojnë në vitet në vazhdim.