Mijëra persona janë dëbuar nga fshatrat e Kosovës që gjenden përreth një impianti të ri energjetik teksa Banka Botërore po heton rolin e saj në programin me “të meta” të rizhvendosjes.
“Nuk mund të flemë natën sepse kur buldozerët e mëdhenj lëvizin, zhurma që bëjnë është e padurueshme… dhe mund të dëgjojmë punëtorët ndërsa komunikojnë në radio,” thotë Sylejman Preniqi, kreu i një prej 60 familjeve që kanë qëndruar në fshatin që po shuhet në Hade.
Fshati kryesisht i braktisur, 15 milje nga kryeqyteti Prishtinë i Kosovës, kufizohet me një minierë gjigante që përmban një nga rezervat më të mëdha në Europë të qymyrit kaf.
Pjesa tjetër e fshatit është do të gëlltitet teksa miniera do të zgjerohet në vitet e ardhshme për të furnizuar një termocentral të ri që qeveria shpreson se do të zgjidhë mungesat kronike të energjisë elektrike të Kosovës.
Preniqi, fshatarët e tjerë dhe 7,000 persona nga zona përreth, e dinë se do të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre si pjesë e zhvillimit, por autoritetet refuzojnë të thonë se kur dhe ku do të zhvendosen.
Fshatarët, ashtu si dhe OJQ-të ndërkombëtare dhe vendase, ankohen se strategjia e Kosovës për risistemimin, hartuar për të ndihmuar Bankën Botërore, ka rezultuar e papërshtatshme.
Ata theksojnë problemet me të cilat përballen qindra familje të tjera nga Hade që janë zhvendosur me forcë në akomodim të papërshtatshëm për dekada që kur u hartuan planet për herë të parë.
Në një ankesë të bërë te Banka Botërore vitin e kaluar, ata që janë prekur thanë se kishin vuajtur “varfërim, mbete pa strehë, pasiguri ushqimore, mungesë të pronës, papunësi dhe stresi”, si dhe deklaruan se kishin frikë për të ardhmen e tyre.
Banka Botërore ka luajtur një rol aktiv në formësimin e planeve energjetike të Kosovës që nga viti 2001.
Ajo ka siguruar fonde dhe mbështetje teknike për zhvillimin e termocentralit të ri, për të zgjeruar minierën e linjitit, zhvendosjen e komuniteteve të prekura dhe ka monitoruar këtë proces.
Banka po shqyrton një kërkesë nga qeveria e Kosovës për të siguruar një garanci të rrezikut për të mbështetur firmën private që po ndërtn termocentralin e ri prej 500 MV, në rast se fondet e shtetit lëkunden.
Rrjeti Ballkanik i gazetarisë Investigative ka mësuar se Banka, që ka mohuar prej kohësh çdo borxh për dështimet e mëparshme, tani po heton rolin e vet në programin e rizhvendosjes pas ankesës.
Zënë në kurth mes minierës dhe impianteve energjetike
Problemet e Hades filluan në vitin 2004. Ndodhur pranë një prej minierave më të mëdha të linjitit në Europë, qeveria e Kosovës filloi rizhvendosjen e pjesëve të fshatit për të liruar hapësirë për minierën në zgjerim.
Misioni i OKB-së, që atëherë ushtronte autoritet në Kosovë, UNMIK-u, dhe Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes së Kosovës, IPVQ, urdhëruan dëbimin me emergjencë të 158 familjeve që banonin më afër minierës për shkak të kërcënimit nga rrëshqitjet.
Rreth 20 prej këtyre familjeve, fillimisht refuzuan të largohen por ata u evakuuan me forcë në fund.
Autoritetet i ofruan familjeve të zhvendosura shtëpi të përkohshme në Obiliq, disa kilometra në verilindje, derisa një fshat i ri për njerëzit e prekur të ndërtohej në Shkabaj, rreth dhjetë kilometra nga Hade.
Shumë njerëz nuk pranuan të jetonin në shtëpi të përkohshme, morën ofertën e paketave të kompensimit për të lëvizur në qytete të tjera, të tilla si Fushë Kosovë dhe Prishtina.
Ata që kanë mbetur në fshat sot, vetëm 15 kilometra në perëndim nga kryeqyteti, Prishtina, nuk kanë energji elektrike dhe furnizimin e duhur me ujë, një ambulancë apo transport publik.
Vetëm disa fëmijë kanë mbetur. Dhe si rezultat, pavarësisht moshës, ata të gjithë marrin pjesë vetëm në një klasë në shkollën fillore të rrënuar të Hades.
“Nuk ka drita nga mëngjesi e mbrapa dhe erëra të këqija vijnë nga ujërat e zeza,” tha për BIRN Preniqi, një nga banorët e mbetur.
“Nuk e di përse nuk jemi zhvendosur tashmë,” shtoi ai, duke iu referuar faktit se ndërsa shumica e fshatarëve janë lokalizuar gjetkë tashmë, ky opsion mbetet i mbyllur për pjesën e mbetur të fshatarëve.
Jetë e re, pa infrastrukturë:
Në vitin 2012, 62 familje të tjera u zhvendosën nga Hade në Shkabaj, që tani quhet Hade i Ri.
Qeveria deri më tani ka shpenzuar rreth 21 milionë euro në rizhvendosje.
Kjo shumë përfshin paratë që ishin ofruar për banorët vendas për shpronësimin e shtëpive dhe tokës së tyre, si dhe rreth 1.2 milionë euro që janë shpenzuar në ndërtimin e një lagje prej 80 hektarësh në Shkabaj.
Fondet gjithashtu mbulonin paketat e kompensimit që janë shpërndarë për banorët e Hades për faturat e tyre të energjisë elektrike dhe ujit, si dhe shpenzimet tjera komunale dhe ushqimin.
Por një nga banorët e Shkabajt, Aqif Shala, tha për BIRN se kushtet e tyre ishin të mjera. “Ne jetojmë pa ujë, kanalizime dhe energji elektrike”, tha Shala. “Shumë vite kanë kaluar dhe ende nuk i kemi.”
Përveç mungesës së infrastrukturës bazë, ky komunitet kryesisht mysliman nuk ka as xhami apo varreza. “Nuk ka asnjë vend të përshtatshëm për një varrezë”, theksoi Shala.
Ndërkohë, si qeveria dhe investitori duket se e kanë harruar Haden, që është lënë pa infrastrukturë dhe plane të mëtejshme zhvendosjeje.
Përfshirja e Bankës Botërore:
Qeveria kërkoi ndihmë dhe këshilla nga Banka Botërore menjëherë pasi filluan zhvendosjet në vitin 2004.
Në vitin 2006, Banka arriti në përfundimin se Kosova nuk kishte kornizën e duhur ligjore dhe institucionale për të kryer rizhvendosje të tilla.
Si rezultat, në vitin 2008, i ofroi Kosovës ndihmë në një formë granti, nën Projektin e Ndihmës Teknike për Energjinë e Linjitit, PATEL, me vlerë 10.5 milionë dollarë amerikanë.
Ky projekt e ndihmoi Kosovën për hartimin e legjislacionit dhe për të krijuar rregullore që do të siguroheshin që zhvendosjet e ardhshme jovullnetare të përmbushnin standardet ndërkombëtare.
Megjithatë, në vend të përdorimit të ndihmës financiare të Bankës Botërore për të përmirësuar kushtet e jetesës për njerëzit të cilët tashmë ishin rizhvendosur dhe për të ndërtuar kapacitete për rizhvendosjet e reja, qeveria – e cila ndërkohë e ka shpallur zonën si e një “zonë me interes të veçantë ekonomik” – ka ndaluar investimin në këtë rajon nga viti 2009.
Si rezultat, banorët e mbetur në Hade të vjetër, dhe ata në Hade të re, kanë mbetur pa infrastrukturën bazë dhe kushtet e tyre të jetesës janë përkeqësuar.
Përveç kësaj, rreth 50 familje janë bllokuar në strehim të përkohshëm në dy ndërtesa të shkatërruara në qytetin e afërt të Obiliqit.
Qeveria dhe investitori hartojnë plan të ri:
Ankesat nga banorët e Hade dhe e ardhmja e pasigurt e disa fshatrave fqinje nuk e ka ndaluar qeverinë që të hartojë plane të reja, më të mëdha të biznesit për rajonin.
Pasi kërkoi një investitor për të ndërtuar një termocentral të ri, qeveria në dhjetorin e kaluar nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me një kompani amerikane, Contour Global.
Ajo shpreson që marrëveshja të rezultojë në një kontratë sipas të cilit investitori amerikan do të ndërtojë një termocentral të ri me një kapacitet prej 500 megavat me një kosto prej më shumë se një miliardë euro.
Termocentrali i re do të varet nga furnizimi i linjitit nga një fushë e re minerare, që përfshin rreth 15,000 hektarë, duke përfshirë Haden e vjetër dhe disa fshatra të tjerë, me rreth 7,000 banorë. Ata të gjithë do të duhet të zhvendosen.
Detajet e marrëveshjes janë ende të paqarta dhe nuk janë plotësisht në dispozicion të publikut. Është ende e paqartë nëse qeveria apo investitori do të ketë fjalën e fundit në lidhje me fushën e re të minierave, dhe se cili – nëse ndokush – do të jetë përgjegjës për fatin e popullsisë që është rivendosur më parë, plus ata që ende duhet të zhvendosen.
Një raport i publikuar nga Ministria e Mjedisit në vitin 2011 mbi “Zonën Ekonomike Speciale të Interesit – Fusha e Re e Minierës 2010-2020″ nuk parashikon buxhet për rivendosjen e pjesës tjetër të fshatarëve të Hade deri në vitin 2020.
Ministria refuzoi të konfirmojë për BIRN se fshatarët e mbetur në Hade do të vazhdojnë të jetojnë në të njëjtat kushte për katër vite të tjera.
Fadil Maxhuni, nga zyra e shtypit e ministrisë, tha se pyetje të tilla duhet t’i drejtohen Ndërmarrjes Energjetike të Kosovës, KEK.
“Ata po planifikojnë zgjerimin e minierave [dhe mund të shpjegojnë] arsyet përse kjo pjesë e Hades] nuk do të zhvendoset,” tha ai.
Megjithatë, kur BIRN ia dërgoi pyetjet KEK, zyrtarët e kompanisë energjetike thanë se kishin autoritet vetëm mbi zonën e vjetër të minierës, jo te e reja.
“Pjesa e mbetur e fshatit Hade nuk ka lidhje me licencën tonë dhe është përtej kompetencave të KEK,” tha për BIRN Edmon Nulleshi, drejtor i shërbimeve të KEK.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila është në krye të sektorit të përgjithshëm të energjisë në Kosovë, po ashtu refuzoi të komentojë mbi fatin e njerëzve të cilët ende jetojnë në Hade dhe i drejtoi pyetjet përsëri te Ministria e Mjedisit.
Ankesa të shumta nga banorët vendas dhe OJQ-të më në fund tërhoqën vëmendjen e Bankës Botërore vitin e kaluar. Banka dërgoi ekspertët e saj të analizuar këto çështje gushtin e kaluar, të cilët më pas rekomanduan një hetim të plotë të çështjes.
Paneli i Bankës për Inspektimin, një mekanizëm i pavarur brenda Bankës Botërore, vizitoi Kosovën ën fund të janarit për të mbikëqyrur gabimet e mundshme apo shkeljet e këtij operacioni.
Komisioni u takua me të gjithë të interesuarit në procesin e rizhvendosjes dhe raporti pritet të dalë në muajt e ardhshëm.
“Ne kemi dokumentuar çfarë pamë dhe ajo do të jetë në raportin tonë,” tha për BIRN Gonzalo Castro de Mata, kreu i panelit.
Organizatat jo qeveritare vendase dhe të huaja kanë analizuar gjithashtu çështjen.
Banka Botërore është fajësuar gjithashtu:
Disa fajësojnë Bankën Botërore si edhe qeverinë për mossigurimin e kushteve të përshtatshme të rivendosjes, si pasojë e të cilës kanë vuajtur banorët e fshatit Hade.
Dy OJQ nga Kosova, Instituti për Politika Zhvillimore, INDEP, dhe Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qendrueshëm, KOSID, i kërkuan ekspertëve të pavarur ndërkombëtarë të konstatojnë nëse planet e zhvendosjes jovullnetare përmbushin standardet ndërkombëtare.
Theodor Downing, president i një organizate me bazë në SHBA, “Rrjeti Ndërkombëtar për Zhvendosje dhe Rivendosje”, e cila bën fushatë kundër varfërimit të njerëzve si rezultat i rivendosjeve ose shpërnguljeve, kritikon përfshirjen e Bankës Botërore në procesin në Kosovë.
“Menaxhimi i Bankës Botërore i keqdrejtoi agjencitë e Kosovës dhe ligjvënësit për përgatitjen e një plani jo në përputhje ligjore, politike dhe institucionale për të udhëzuar zhvendosjen e parashikuar,” thuhej në raportin prej 48 faqesh të Doëning, i cili u publikua në shkurt të vitit 2014.
“Qeveria iu përmbajt me dëshirë. Shumë gabime u bënë dhe vazhdojnë të bëhen,” shtoi raporti.
Në raportin e tij, Downing identifikoi një numër të metash dhe gabimesh të bëra në lidhje me zhvendosjen e fshatarëve nga fshati Hade.
Ai thotë se përgatitja e projektit mbivlerësoi kapacitetet institucionale të qeverisë së Kosovës dhe se kostot e zhvendosjes së pavullnetshme gjithashtu u keq llogaritën.
“Analiza tregon se marrëveshja e propozuar e politikave të zhvendosjes zor se ishte më shumë sesa një plan i maskuar dobët i kompensimit të parave, që ndjek nga afër modelin e kompanisë dikur shtetërore të minierave,” thuhej në raport.
“Menaxhimi i Bankës Botërore dhe qeveria janë përgjegjës për ndërtimin e skemave jo të besueshme që do të shkaktojnë vonesa dhe kosto shtesë në projektin e KPP-së.
“Vendimet e tyre të dobëta kanë rritur, në vend që të ulnin, rreziqet financiare, mjedisore, shoqërore dhe shëndetësore për kosovarët,” shkruhej në të.
Banka Botërore në të kaluarën k diskutuar pretendimet se ajo në një farë mënyrë ka kontribuar në vuajtjen në Kosovë. Ajo ka thënë gjithashtu se rivendosja është rezultat i aktiviteteve të vazhdueshme minerare në Kosovë dhe jo rezultat i projekteve të mbështetura nga Banka Botërore.
Banka ka refuzuar të komentojë mbi raportin e Downing derisa hetimi dhe raporti i saj të jenë gati.
“Çështjet që ju ngrini janë aktualisht subjekt i një çështje me të cilën po merret Paneli i Inspektimit. Banka nuk komenton në lidhje me çështjet që janë në vazhdim e sipër nga ana e Panelit të Inspektimit,” tha Heather Worley, nga zyra e marrëdhënieve me publikun dhe ajo e komunikimit në Bankën Botërore.