Qeveria shqiptare miratoi dy javë më parë një plan veprimi me koncepte novatore për mënyrat se si duhet të veprohet për të rehabilituar gratë dhe vajzat e identifikuara si viktima të trafikut të qenieve njerëzore. Por ka një problem…
Xhoi, 28 vjeç, jeton në verilindje të Tiranës. Disponon një hapësirë të vockël katër metra katrorë në një nga lagjet më të varfra të kryeqytetit ku gjenden tri tavolina dhe një banak, mjedis që ajo e quan lokal.
Në të vërtetë, përtej banakut, gjendet një kthinë e cila shfrytëzohet për ushtrim prostitucioni. Të ardhurat shërbejnë për të paguar qiranë e lokalit dhe thjeshtë sa për të jetuar.
E trafikuar në Itali në moshën 14 vjeçare, ajo arriti t’i shpëtojë kthetrave të tutorëve dhe u kthye në Shqipëri, ku u përpoq të krijojë një jetë normale, por deri tani, nuk ia doli.
Xhoi ka një vajzë, të cilën e la në përkujdesjen e Shtëpisë së Fëmijës në Tiranë shtatë vjet më parë, me shpresë që do t’i siguronte një jetesë më normale, ndërkohë që ajo përpiqet të dalë nga jeta që bën. Ëndrra e saj është që të nisë një jetë normale bashkë me vajzën. Por për momentin, nuk ka asnjë shpresë.
“Të kem një shtëpi, një vend për të futur kokën e do të jetoja dhe unë si gjithë të tjetër. Do mund ta rrisja vetë vajzën time” –të thotë Xhoi për BIRN, e cila, si shumica dërrmuese e viktimave të trafikut, e kanë shpesh të pamundur të krijojnë një jetë normale pasi shpëtojnë nga kthetrat e trafikantëve. Jeta normale kushton, duhet një punë me të ardhura të konsiderueshme për të paguar qiranë. Por shumë nga viktimat, me të cilat BIRN foli gjatë vitit të kaluar si pjesë e një investigimi të gjerë, thjeshtë nuk ia kanë dalë të realizojnë jetë normale.
Pas një viti konsultimesh, qeveria shqiptare ka miratuar një plan-veprimi “Për Riintegrimin Socio-Ekonomik të Grave dhe Vajzave, Viktima të Trafikimit”, plan që synon pikërisht të krijojë kushtet për jetë normale për disa mijëra viktima sakaq të identifikuara nga policia si dhe për mijëra të tjera, të cilat nuk janë identifikuar kurrë.
Përmes plani që mendohet të zbatohet në dy vitet e ardhshme, Qeveria Shqiptare premton dhënien e asistencës për riintegrimin e viktimave të trafikimit, duke përfshirë ndihmë për arsimin, punësimin, mbrojtjen sociale, dhe strehimin e tyre.
Vetëm se ka një problem. Strategjia nuk është e shoqëruar me fondet e nevojshme për zbatimin e saj.
Plani i veprimit u prezantua të hënën më 29 shkurt në Tiranë nga Zv.Ministrja e Punëve të Brendshme Elona Gjebre, e cila është njëkohësisht koordinatore kombëtare kundër trafikimit. Sipas saj, është vërejtur deri tani se shumica e viktimave të trafikimit janë me një formim arsimor të munguar dhe është konsideruar e rëndësishme që të ketë një angazhim konkret në këtë fushë. “Udhëheqja akademike është thelbësore për riintegrimin e efektshëm të vajzave së trafikuara. Dhe ato mund të vuajnë nga boshllëqet për një kohë të gjatë në arsimimin e tyre dhe kjo, e theksoj edhe për arsye se ato kanë qenë të trafikuara. Kjo udhëheqje do t’i ndihmojë të rifitojnë vitet e humbura të shkollës dhe pikërisht nëpërmjet një dokumenti politikash do të kemi mundësi që t’i ofrohet një sistem arsimor më i plotë, duke mos i detyruar ato që të paguajnë” – tha Elona Gjebrea.
Në më shumë se 50 faqe, qeveria premton se do të ndërmarrë veprime konkrete në përmasimin e jetës së viktimave të trafikimit.
Idetë e pasqyruara në Planin e Veprimit janë me të vërtetë novatore. Aktualisht, kontributi i shtetit për viktimat e trafikut kufizohet vetëm te veprimtaria e disa strehave të përkohshme për to si dhe te një ndihmë ekonomike mujore prej rreth 30 eurosh në muaj. Shteti financon njëkohësisht në mënyrë të pjesshme aktivitetin e disa qendrave sociale që punojnë për strehimin dhe riintegrimin e viktimave të trafikut.
Në planin e ri, premtohen masa konkrete për arsimim, punësim dhe strehim.
Kështu, plani parashikon që qeveria të subvencionojë punësimin e viktimave të trafikut nga bizneset private, ku fondet publike do të duhet të mbulojnë pagën minimale të përfituar nga viktima për katër muaj si dhe pjesën dërrmuese të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Biznesit i mbetet të paguajë efektivisht vetëm një pjesë të vogël të kontributit të sigurimeve në këmbim të një punonjëseje me kohë të plotë. Në rast se biznesi ofron një kontratë trevjeçare pune, shteti premton të paguajë për gjashtë muaj, të gjitha detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat zënë zakonisht një të katërtën e të gjithë kostos së punësimit.
Në rast se viktimat e trafikut kanë nevojë për trajnim para punësimit, shteti premton për bizneset mbulimin e deri në 70 për qind të kostove të lidhura me trajnimin e tyre.
Gjithashtu, punëkërkueset që marrin pjesë në trajnime, do të marrin 50 për qind të pagës minimale gjatë kohëzgjatjes së trajnimit, pagë që do të mbulohet nga shteti, me kushtin që trajnimi të mos zgjasë më shumë se gjashtë muaj.
Qeveria premton gjithashtu financimin e sipërmarrjeve të vogla duke vënë në dispozicion një “Fond për Gratë” dhe një “Fond Fillestar”, por në planin e veprimit është e paqartë nëse viktimat e trafikimit mund të plotësojnë kriteret formale të parashikuara në legjislacion për të përfituar nga këto fonde.
Por nuk ka faturë
Sipas një raporti policor të lexuar nga BIRN, rreth 5,400 gra dhe vajza janë identifikuar nga policia shqiptare si viktima të trafikut mes viteve 1992 dhe 2015. Gjatë vitit 2014, sipas Gjebreas, u identifikuan 108 raste të reja.
Supozohet numri total i viktimave të trafikut është më i lartë se sa ai i rasteve sakaq të identifikuara nga policia dhe se një program më i qenësishëm ndihme për viktimat mund të krijojë kushtet që më shumë vajza dhe gra të trafikuara të kërkojnë ndihmë.
Problemi është se Plani i Veprimit i miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në shkurt 2016, nuk ka kurrfarë vlerësimi për fondet që nevojiten për zbatim dhe shumë nga ekspertët druajnë se plani do të mbetet si një nga shumë masat efektivisht të pazbatuara të qeverisë shqiptare.
“Nëse nuk ka një kosto financiare për këtë plan veprimi ka shumë gjasa që kjo strategji do të mbetet në letër megjithatë është shumë e rëndësishme që për herë të parë qeveria shqiptare merr përsipër masa konkrete në riintegrimin e viktimave të trafikimit”, thotë Djana Kaso nga organizata “Tjetër Vizion”, një nga strehëzat sociale që punon për rehabilitimin e viktimave të trafikut.
Ndërsa drejtuesja e organizatës “Të ndryshëm dhe të Barabartë”, Mariana Meshi, shprehet se plani i veprimit duhet të mbështet te marrëveshje konkrete sidomos në rastet e punësimit të viktimave të trafikimit. “Nëse do të ketë marrëveshje konkrete asgjë nuk do të mbetet në dorë të vullnetit të mirë të biznesit. Ne jemi këtu për të ndërmjetësuar, por dhe ofrimi i lehtësirave nga ana e shtetit shqiptar është pozitive”, thotë Meshi.
Një pikë tjetër e planit të veprimit është klasifikimi i viktimave të trafikut si shtresë në nevojë për t’u trajtuar nga programet e strehimit social të qeverisë. Kjo është shumë e rëndësishme për një pjesë të madhe të viktimave, të cilat, për arsye të ndryshme nuk janë në gjendje të kthehen në shtëpi.
Problemi është se programet e shtetit shqiptar për strehimin, të cilat bazohen në ligjin nr. 9232 të vitit 2004, sakaq konsiderohen si programet më problematike dhe më pak të mbuluara me fonde. Programet e strehimit janë kritikuar vazhdimisht në të shkuarën për shkak se metodat e ndërhyrjes, si apartamente me qira të ulët apo subvencionimi i interesave të kredive për shtëpi, janë të tilla që i përjashtojnë nga përfitimi pjesën dërrmuese të popullsisë së varfër.
Nga vlerësimet e OJF-ve vërehet se vetëm një numër shumë i ulët i grave ka aplikuar ose lënë të kuptohet se mundësitë reale që një grua të përzgjidhet me anë të sistemit aktual është pothuajse zero.
E ndërsa organizatat në mbrojtje të viktimave të trafikimit janë shprehur skeptike në zbatimin e planit dy-vjeçar të qeverisë shqiptare, zv.Ambasadori i Komisionit Europian Jan Rudolph, i pranishëm të takim, tërhoqi vëmendjen në aspektin tjetër të problemit të trafikimit, atë të mungesës së ndëshkimit real të trafikantëve dhe mungesës së konfiskimit të aseteve të krijuara nga vepra penale e trafikimit, si të vetmet ilaçe reale kundër këtij krimi.
“Ne duhet të sigurohemi që autorët e krimit dhe përfituesit shfrytëzimin të qenieve njerëzore të përfundojnë pas hekurave. Është trafikanti ai që meriton dënimin dhe jo viktima, që për fat të keq shpesh herë, trajtohen si kriminelë. Viktimat duhet të shihet si bartësit e të drejtave që kanë nevojë për mbështetje e të riintegrohen në shoqëri dhe jo si kriminelë”, tha Rudolph.
Por edhe në këtë drejtim, shifrat flasin ndryshe. Ndërsa në vitin 2014 u identifikuan 108 viktima të trafikut, qenë vetëm 18 ata që u hetuan si trafikantë.