Duke e liruar Vojisllav Sheshelin nga të gjitha akuzat, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ndoqi një logjikë të gabuar, e kuptoi gabim historinë dhe tregoi mungesë humanizmi dhe mendimi praktik.
Vojisllav Shesheli është një njeri i lirë. Në fakt, ai ka qenë një njeri i lirë për shumë kohë tashmë. Që prej lirimit të tij tepër të diskutuar nga akuzat nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, në vitin 2014 për të marrë trajtim mjekësor në Serbi, Shesheli vazhdoi aty ku e kishte lënë 13 vjet më parë, kur ai u arrestua për herë të parë dhe ndaj tij u ngritën akuza të shumta për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjatë dy viteve të fundit, ai iu bashkua plotësisht vorbullës politike serbe, duke mbajtur tubime, duke bërë deklarata të vazhdueshme për çështje të ndryshme politike dhe duke përqafuar retorikën e tij të vjetër raciste, nacionaliste dhe luftë-nxitëse të viteve 1990.
Por që prej ditës së djeshme, ai është mëse i lirë. Ai u lirua nga çdo akuzë për krime gjatë luftërave jugosllave.
Për të nënta akuzat për krime kundër njerëzimit të cilat përfshinin vrasje, persekutime dhe dëbime të civilëve jo-serbë në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Serbi, trupi gjykues i ICTY-së arriti në përfundimin se ai ishte një politikan i thjeshtë dhe jo një kriminel lufte. Një politikan me pikëpamje disi të pakëndshme ekstreme të krahut të djathtë, por jo përgjegjës i drejtpërdrejtë për çdo vepër penale që mund t’i kenë frymëzuar këto pikëpamje ndjekësve të tij.
Për të ndihmuar të gjithë vëzhguesit e tronditur që të kuptonin këtë logjikë, gjyqtari Jean-Claude Antonetti shpjegoi: “Propaganda e ideologjive nacionaliste nuk është vepër penale”.
Por Vojisllav Shesheli nuk po gjykohej për propagandë dhe gjyqtari Antonetti sigurisht që duhet ta dijë këtë, nëse është shqetësuar të lexojë aktakuzën. Shesheli ishte në gjyq për veprat e tij, jo për fjalët e tij, akte që kanë marrë me qindra dhe qindra jetë.
Ai organizoi forca paraushtarake vrasëse që të dëbonin me dhunë civilët jo-serbë nga shtëpitë e tyre, të vidhnin pasuritë e tyre dhe të vrisnin ata që bënin rezistencë. Ai i kërcënoi jo-serbët me përdhunimin (por jo femrat shqiptare, sepse “ato janë shumë të shëmtuara për meshkujt serbë”), masakrim ( “me një lugë të ndryshkur që të mos e kuptonin nëse vdiqën nga fyti i prerë apo tetanosi”) dhe gjenocid (“nëse NATO-ja vendos të na bombardojë, në Kosovë s’do të ketë më asnjë shqiptar”). Dhe këto nuk ishin thjesht fjalë. Ai kishte një milici të armatosur dhe të organizuar dhe e quante veten gjenerali i saj – të cilën ai e dërgoi të vinte në zbatim planet e tij vrasëse.
Dhe për secilin nga këto dhe shumë e shumë shembuj të tjerë të atyre që Shesheli bëri dhe jo vetëm tha, trupi gjykues i ICTY i hodhi poshtë. Për akuzën e spastrimit etnik, si në fjalët e thëna nga vetë Shesheli, “duhet ta spastrojmë Bosnjën nga myslimanët”, gjyqtarët arritën në përfundimin se ai thjesht “po nxiste forcat serbe. Për akuzën e nxitjes së krimeve të luftës në Vukovar, duke urdhëruar trupat e tij “të mos kursenin asnjë”, gjyqtarët arritën në përfundimin se ai “po i ngrinte moralin trupave të tij”. Për akuzën se ai po dërgonte një milici vullnetare të luftonte në emër të forcave rebele serbe në Kroaci, gjyqtarët arritën në përfundimin se ata y dërguan në Kroaci “për të mbrojtur serbët”. Për akuzën se trupat e tij dëbuan me dhunë të gjithë kroatët nga një fshat në veri të Serbisë, gjyqtarët arritën në përfundimin se milicët e Sheshelit thjesht po kërkonin strehim për refugjatët serbë. Për akuzën se Shesheli organizoi transferime të popullsisë në Bosnjë dhe Serbi, duke larguar civilët jo-serbë nga territori i kontrolluar serb, gjyqtarët arritën në përfundimin se këta civilët duhet të jenë larguar me dëshirën e tyre për të jetuar me të afërmit e tyre etnikë.
Sa keq që gjykata nuk pyeti ndonjë të mbijetuar të këtij “transferimi humanitar” nëse ata ndoshta i ishin mirënjohës “Shqiponjave të bardha” të Sheshelit për këtë akt mirësie.
Pas rreth një duzine shembujsh të tillë – në të cilat mungonin jo vetëm fakte historike, por gjithashtu bazë logjike dhe mirësjellje njerëzore – jeni të falur nëse menduat se një makinë kohe ju ktheu pas në vitin 1993 dhe po shikonit Sllobodan Millosheviçin duke shpjeguar përpjekjet e luftës në televizionin kombëtar serb. (Nëse makina e kohës e mban edhe pak më gjatë ndezur televizionin serb, mund të shikoni vetë Vojisllav Sheshelin, duke bërë shaka vulgare raciste dhe një djalosh të ri gjithmonë pranë tij, duke e parë me adhurim dhe duke pohuar gjithmonë me kokë. Po, ai do të ishte kryeministri aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiç).
Por le t’i kthehemi vitit 2016. Ajo që ndodhi dje ishte një turp për gjykatën. Turp nuk është vetëm lirimi i tij nga akuzat – pas 13 vjetësh të këtij gjyqi të sajuar, sjellje joprofesionale gjyqësore, zëvendësim të gjyqtarëve në gjyq, lirim për arsye mjekësore dhe urdhrat e tyre të kthyer mbrapsht – kjo nuk do të kishte qenë tronditje nëse gjyqi do të kishte përfunduar në gjykim të pavlefshëm. Turpi është në rishkrimin e historisë së ndarjes së Jugosllavisë në një mënyrë që është jo vetëm jashtë konsensusit të çdo dijetari të madh, por bie gjithashtu në kundërshtim të drejtpërdrejtë me ato vendime që vetë ICTY-ja ka marrë në çështjet e saj të mëparshme.
Javën e kaluar, ICTY-ja dënoi Radovan Karaxhiçin për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit në Bosnjës. Pas vendimit të ditës së djeshme, duhet të pyesim veten nëse ICTY-ja ende beson se Karaxhiçi dhe Shesheli luftuan në të njëjtën luftë? Në të njëjtin vend? Në të njëjtin shekull? Në të njëjtin planet?
Vendimi që u mor dje nga kjo gjykatë ishte një sulm ndaj të dhënave historike dhe ndaj transkriptimeve historike që vetë ICTY-a ka krijuar këto dy dekadat e fundit. Vendimi i Sheshelit e ndryshon aq shumë interpretimin e karakterit të luftërave jugosllave, saqë ndryshon zinxhirin kryesor të ngjarjeve krejtësisht pas.
Ndërsa pjesa më e madhe e interpretimeve historike të luftës theksojnë politikat ekspansioniste serbe nën Sllobodan Millosheviçin (shpesh duke e ngatërruar dhe e quajtur në mënyrë të pasaktë plani për Serbinë e madhe) si një nga shkaqet kryesore të luftës, vendimi i djeshëm e ndryshoi këtë pretendim dhe bëri që politikat serbe të quhen thjesht pasoja të ndarjes së Jugosllavisë. Pasi dëgjuan këtë variant të të kaluarës së tyre të treguar nga gjykata më e lartë ndërkombëtare, historianët nacionalistë serbë duhet të kenë hapur shishen e tyre të tretë të shampanjës.
Ndërsa absurditeti dhe kontradikta e brendshme e vendimit të djeshëm mund të na përgatisin për një përmbysje të vendimit në apel, ne shpesh lihemi me ndjesinë se ICTY-ja duke se ka vendosur se i ka ardhur në majë të hundës nga Shesheli dhe s’do ta shohë më atë. Sa keq që kjo zgjedhje nuk është një opsion për të gjitha viktimat e mizorive të Sheshelit dhe për qytetarët e Serbisë, të cilët, përsëri, u duhet të jetojnë në makthin e të pasurit Vojisllav Sheshelin mes tyre.