Pas përfundimit në mars të një moratoriumi dy-vjeçar në gjueti, qeveria shqiptare po përgatitet të zgjasë ndalimin për pesë vite të tjera, gjë që të pasionuarit pas jetës së egër e mbështesin fuqishëm.
Shqiptarët po përgatiten të fusin në fuqi një ndalim të ri mbi gjuetinë e kafshëve dhe shpendëve për pesë vite të tjera.
Ministria e Mjedisit i tha BIRN se projektligji i ri po bëhet dhe pritet të kalojë në parlament në korrik dhe të hyjë në fuqi në fillim të vjeshtës.
Moratoriumi i fundit, vetëm dy-vjeçar për gjuetinë skadoi më 15 mars dhe u konsiderua gjerësisht si një sukses i përgjithshëm. Grupet e të drejtave të kafshëve thonë se ai pati një efekt pozitiv.
Tani qeveria po përgatitet për një ndalim më të gjatë, megjithëse do të ketë një hendek për disa muaj nga marsi në shtator përpara se shpendët dhe kafshët të përfitojnë nga rinovimi i ligjit të mbrojtjes.
Pavarësisht moratoriumit, raste të gjuetisë së paligjshme janë raportuar në mënyrë rutinë nëpër Shqipëri.
Në dy javët e fundit, gjithashtu, megjithëse gjuetia është e ndaluar nën ligjin aktual, grupet e të drejtave të kafshëve kanë raportuar të njëjtin fenomen.
Taulant Bino, që drejton Shoqërinë Orintologjike Shqiptare i tha BIRN se në muajt e fundit gjuetia e paligjshme u rrit për shkak se institucionet shtetërore vonuan fuqizimin e një moratoriumi të dytë.
“Vonesa në përgatitje të këtij moratoriumi të ri zbehu vigjilencën e institucioneve shtetërore dhe motivoi gjuetarët e paligjshëm,” tha ai.
Bino tha se kishte hasur personalisht gjuetarë shpendësh teksa vepronin gjatë javëve të shkuara megjithëse gjuetia e tyre ishte e ndaluar nga ligji.
“Ata madje po i qëllonin në periudhën e shumëzimit dhe pasojat nga kjo janë katastrofike,” vazhdoi ai.
Megjithatë, Bino ende mirëpret idenë e një moratoriumi të dytë më të gjatë, pasi beson se i pari kishte një efekt përfitues për shpendët dhe kafshët.
“Efekti më pozitiv i moratoriumit të gjuetisë ishte ndalimi i gjahtarëve italianë që vijnë në Shqipëri për të qëlluar dhe më vonë i shesin ca shpendë të veçantë si lauresha dhe të tjerë,” tha ai.
“Shoqëria Orintologjike Shqiptare ka vlerësuar se ata qëllojnë rreth 170,000 shpendë në vit dhe më pas ndaluan që të gjithë,” shtoi ai.
“Sigurisht, ka ende raste të gjahtarëve të paligjshëm, por tani kjo bëhet vetëm nga fanatikët dhe në mënyrë më të kufizuar”, përfundoi ai.