Ushtria dhe policia serbe po pengojnë sistematikisht qasjen e publikut për informacione që mund të nxjerrin në dritë përfshirjen e oficerëve të tyre në krime të kryera gjatë luftërave të viteve 1990, sipas gazetarëve dhe studiuesve.
“Sekret shtetëror”. “Tepër konfidenciale.” “Nuk e kemi atë informacion.” “Duhet të jepni më shumë detaje.”
Këto janë katër përgjigjet më të zakonshme që studiuesit e të drejtave të njeriut marrin nga Ministria e Brendshme dhe ajo e mbrojtjes e Serbisë kur kërkojnë dokumente që kanë të bëjnë me angazhimin e forcave të Beogradit në ndonjë nga konfliktet në Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë apo Kosovë në vitet 1990.
Serbia është pjesë e konventave ndërkombëtare që rregullojnë lirinë e fjalës dhe të drejtën e informimit, e cila duhet ta lejojë publikun të zbulojë të vërtetën në lidhje me atë që ndodhi në një periudhë të shënuar nga shkelje të mëdha të të drejtave të njeriut.
Por institucionet serbe rregullisht gjejnë mënyra për të penguar ligjin e vendit mbi lirinë e informimit dhe për të mos lejuar qasjen e publikut në dokumente që tregojnë rolin e ushtrisë apo policisë në luftërat në Ballkan.
Ekspertët argumentojnë se edhe pse këto janë dokumente shumë konfidenciale shtetërore, shumica e vendimeve të marra nga ministritë serbe, kur u kërkohen informacione, bazohen në interpretime arbitrare të ligjeve.
Në shumicën e rasteve, edhe kur jepet urdhër që të jepen dokumente, ministritë nuk i binden vendimeve të marra nga Komisioneri i vendit për Informacione me Rëndësi Publike dhe Mbrojtje të të Dhënave Personale.
Sipas një raporti të ri të titulluar “Sekretet Shtetërore Mbizotërojnë mbi të Drejtën për të Mësuar të Vërtetën”, të publikuar të martën nga Qendra për të Drejtën Humanitare e me bazë në Beograd, këto dokumente nuk u janë mohuar vetëm studiuesve dhe OJQ-ve, por gjithashtu edhe organeve qeveritare përgjegjëse për ndjekjen penale të krimeve të luftës.
Po fshehin një të fshehtë?
Gjatë hetimit dy vjeçar të BIRN për dokumentarin “Të Paidentifikuarit”, i cili zbuloi identitetin e komandantëve përgjegjës për disa nga sulmet më brutale të luftës në Kosovë dhe operacionin pasues që synonte të fshihte trupat e viktimave, pothuajse të gjitha institucionet shtetërore nuk pranojnë të japin informacione dhe dokumente, duke përmendur arsye të ndryshme.
BIRN mundi të marrë vetëm aktakuzën serbe e cila akuzon 11 ish-ushtarë të Ushtrisë Jugosllave për sulme në katër fshatra të Kosovës me anë të Ligjit për të Drejtën e Informimit.
Gjykata e Lartë e Serbisë në disa raste refuzoi të dërgojë vendimin për këtë çështje, duke pretenduar se “kjo mund të vërë në rrezik, pengojë ose dëmtojë gjyqin”.
BIRN paraqiti ankesa dhe pavarësisht disa urdhrave nga Zyra e Komisionerit për Informacione me Rëndësi Publike dhe Mbrojtje të të Dhënave Personale për të marrë vendimin, duke qenë se ishte informacion me rëndësi publike, gjykata nuk veproi mbi këtë vendim.
Ndryshe nga Gjykata e Lartë, e cila u shpreh se nuk mund t’i siguronte të dhënat për shkak se ato mund të rrezikojnë gjyqin, institucionet e tjera serbe, të tilla si ministria e brendshme, argumentuan se ata nuk e kishin informacionin që u kërkohej.
Gazetarët e BIRN po përpiqeshin të zbulonin emrat e komandantëve të Njësive Speciale të Policisë, PJP, sa më shumë dëshmitarë, si viktima ashtu edhe luftëtarë, që pretendohet se ishte e përfshirë në krimet dhe largimin e trupave të shqiptarëve të Kosovës në Serbi gjatë përpjekjes pr të mbuluar krimin.
Njësia PJP nuk ishte një njësi paraushtarake, dhe që prej krijimit të saj në vitin 1990, ka qenë nën komandën zyrtare të ministrisë së brendshme. Megjithatë, në gjyqe të shumta para gjykatave serbe dhe ndërkombëtare, komandantët e dyshuar të saj kanë mohuar të kenë pasur kontroll mbi njësinë.
BIRN e pyeti ministrinë e brendshme se cilët ishin komandantët e PJP-së nga janari 1998 deri në vitin 2000, por në një përgjigje të saj në shtator 2014, ministria tha se nuk e kishte këtë informacion.
Në lidhje me të njëjtat ngjarje, gazetarët e BIRN e pyetën ministrinë e brendshme se kush ishte shefi i qendrës stërvitore policore në Batajnica më 13 maj në Beograd, ku u gjetën së fundmi trupat e 700 shqiptarëve të Kosovës.
Në përgjigjen e saj në tetor 2014, ministria tha se nuk kishte ndonjë dokument që e përmbante këtë informacion.
Megjithatë, kjo lloj pengese nga ministria e brendshme nuk është një rast i izoluar.
Gjatë gjyqit katër vjeçar të 11 luftëtarëve serbë të akuzuar për krime rreth qytetit të Pejës gjatë konfliktit në Kosovë, prova kryesore që i lidh njerëzit në gjyq me komandantët e tyre ishte ditari i luftës i njësisë 177 të Ushtrisë Jugosllave.
Ditari iu dha gjykatës nga prokuroria dhe Agjencia Serbe e Sigurimit nga të dhënat e ushtrisë. Megjithatë, kur BIRN i kërkoi dokumentet ministrisë së mbrojtjes, ajo u përgjigj se ministria “nuk e ka ditarin e luftës” dhe këmbënguli se nuk kishte asnjë informacion se kjo njësi “kishte një ditar lufte”.
Ministria më tej argumentoi se ditari që po përdorte gjykata ishte “një bllok shënimesh” që nuk mund të konsiderohej si një dokument zyrtar, pavarësisht faktit se ai kishte një vulë dhe një firmë zyrtare.
Zyra e Komisionerit për Informacione me Rëndësi Publike dhe Mbrojtje të të Dhënave Personale e urdhëroi ministrinë në disa raste, pas një kërkese nga BIRN, të siguronte ditarin sepse ai përbën një dokument zyrtar, por deri më tani ministria nuk e ka bërë këtë.
Klasifikime tepër sekrete
Kërkesa nga studiues të të drejtave të njeriut të interesuar në rolin e policisë dhe ushtrisë serbe gjatë kohës së luftës janë injoruar në të njëjtën mënyrë, sipas raportit të ri të publikuar nga Qendra për të Drejtën Humanitare.
Sandra Orloviç, drejtoresha e Qendrës për të Drejtën Humanitare, HLC, tha se raporti ishte bazuar në përvojën disa vjeçare të dokumentimit të krimeve të luftës në ish-Jugosllavi.
“Ne donim të tërhiqnim vëmendje ndaj pengesave sistematike nga ana e institucioneve shtetërore për të siguruar dokumente dhe se si pengimi i tyre mund të bllokojë edhe më tej ndjekjen penale të krimeve të luftës”, tha Orloviç.
Orloviç tha se këto institucione janë të detyruara të respektojnë rezolutat ndërkombëtare që Serbia ka nënshkruar, por edhe ligjet vendore.
“Ministria e mbrojtjes dhe ajo e mbrojtjes po shkelin detyrimet e tyre ligjore duke interpretuar në mënyrë arbitrare ligjin dhe duke vendosur nëse mund të sigurojnë qasje në këto dokumente apo jo,” tha Orloviç.
Sipas raportit, HLC ka paraqitur rreth 300 kërkesa në polici dhe shumica e tyre janë refuzuar me arsyetim se ata nuk kanë informacione ose se u nevojiten më shumë detaje.
Njësoj si me BIRN, kërkesat për çdo informacion në lidhje me Njësitë Speciale të Policisë janë refuzuar me arsyetim se “nuk e kishin informacionin e kërkuar”, thotë raporti.
Rreth 100 kërkesa janë paraqitur në ministrinë e mbrojtjes dhe në shumicën e rasteve, HLC ka marrë përgjigje se janë informavione sekrete, duke përmendur mbrojtjen e të dhënave personale, ose duke këmbëngulur se ministria nuk kishte informacione.
“Veçanërisht alarmante janë shembuj të keqpërdorimit të rregullave për mbajtje sekret të të dhënave që mund të gjenden në vendimet për t’i mbajtur të gjitha arkivat e disa njësive të Ushtrisë Jugosllave larg syrit të publikut,” thotë raporti.
Në vitin 2014, ministria nxori një vendim për të klasifikuar të gjitha arkivat që kanë lidhje me Brigadat e Motorizuara 125 dhe 37 të Ushtrisë Jugosllave si tepër sekrete. Komandantët e këtyre njësive, përfshirë edhe shefin aktual të shtabit të Ushtrisë Serbe Ljubisa Dikoviç, janë akuzuar më parë për përgjegjësi për krime lufte në Kosovë, dhe ata aktualisht po hetohen nga prokuroria serbe e krimeve të luftës.
Vendimi për t’i deklaruar sekrete këto arkiva shtetërore, sipas Orloviçit, erdhi menjëherë pas HLC-ja filloi të dërgonte kërkesa në lidhje me përfshirjen e Dikoviçit në luftën e Kosovës.
Eksperienca e HLC-së tregon se këto institucione refuzojnë të sigurojnë informacione mbi përfshirjen e njësive të tyre në luftërat e viteve 1990 – informacione që mund të vërtetojnë se kush ishte përgjegjës për krime të kohës së luftës dhe mund të ndihmojnë për të gjetur disa nga personat që mbeten ende të zhdukur, nga të cilët 10, 860 janë aktualisht në Ballkan.
“Arkivat e ministrisë së mbrojtjes dhe asaj të brendshme kanë të dhëna që mund të na ndihmojnë për të përcaktuar faktet mbi ngjarjet e viteve 1990. Pa këto dokumente, nuk ka gjyqe krimesh lufte dhe nuk ka gjetje të të zhdukurve. Varri masiv në Batajnicë u zbulua në fakt falë këtyre dokumenteve,” tha Orloviç.
Nuk lejohen inspektime
Në shumicën e këtyre rasteve, Zyra e Komisionerit për Informacione me Rëndësi Publike dhe Mbrojtje të të Dhënave Personale ka urdhëruar institucionet të sigurojnë të dhënat e kërkuara, duke thënë se ata nuk po e interpretonin në mënyrë korrekte ligjin.
Në raportin e fundit vjetor, ai tha se “duhet theksuar veçanërisht se autoritetet gjithnjë pretendojnë se nuk i kanë të dhënat e kërkuara dhe se pretendime të tilla si rregull nuk janë as të arsyetuara dhe as të mbështetura me prova”.
Komisioneri serb për informacione me rëndësi publike dhe mbrojtjen e të dhënave personale, Radoljub Sabiç, thotë megjithatë se zyra e tij ka burime të kufizuara dhe ndonjëherë nuk ka mekanizmat e nevojshëm për të marrë masa.
“Në disa raste në të cilat një institucion pretendon se nuk kanë disa të dhëna të caktuara dhe ne ngremë dyshime për këto pretendime, nuk kemi autoritet për të inspektuar, kështu që nga zyra ime nuk mund të bëhet një kontroll nëse ekziston apo jo ndonjë dokument i till,” tha Sabiç.
Në shumë raste, zyra e Sabiç ka gjobitur institucione që kanë refuzuar të japin dokumente. Përtej kësaj, aktivistët mund t’i çojnë ankesat e tyre në gjykatat administrative, ndërsa disa organizata si Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut ka apeluar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila tha se Agjencia e Sigurimit të Shtetit duhet të japë të dhënat që i kërkohen.
Në vitin 2015, zyra e Sabiç pati të bënte me rreth 9,000 çështje lirie informimi, nga të cilat 3764 ishin ankesa se institucionet nuk u siguronin atyre të dhënat që kërkonin.
Zyra e tij klasifikoi 3,227 prej tyre si të justifikuara – pothuajse të gjitha kishin të bënin me kërkesa të injoruara nga institucione shtetërore apo mohim qasjeje në të dhënat e kërkuara.
Pavarësisht urdhrave nga zyra e tij për të ofruar të dhëna, shumë institucione refuzuan t’i binden këtyre urdhrave dhe u gjobitën. Si rezultat, u paguan rreth 3,000,000 dinarë (rreth 25,000 euro) në gjoba, me një shtresë prej 1,000,000 dinarë (rreth 8,200 euro) ende të ngelura pezull.
Ligj i ri, të njëjtat probleme të vjetra?
Sasa Djordjeviç nga OJQ-ja Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë, thotë se sektori i sigurisë serbe mund të jetë transparent në letër, por kur bëhet fjalë për të siguruar të dhëna, ka pasur probleme të vazhdueshme.
“Interesi publik dhe transparenca u zotuan në ligjin e sapo miratuar për policinë nga janari 2016. Ligji i ri duhet të inkurajojë qasje publike në arkivat që kanë të bëjnë me shkeljen masive të të drejtave të njeriut gjatë luftërave të viteve 1990,” tha Djordjeviç.
“Megjithatë, është e vështirë të presësh që ministria e brendshme do të jetë efikase në këtë fushë të ndjeshme, sidomos kur bëhet fjalë për hetim krimesh të kryera nga policia, nëse disa gjëra të tjera që janë më të lehta për t’u treguar nuk janë bërë ende publike,” tha Djordjeviç.
Ai citoi shembullin e faqes së internetit të ministrisë së brendshme, e cila nuk përditësohet rregullisht dhe nuk përmban ndonjë informacion në lidhje me raportet e saj vjetore, ose në lidhje me departamente të ndryshme të policisë dhe komandantët e tyre.
Zbulimi i informacioneve në lidhje me personelin specifik të policisë duket të jetë një nga detyrat më të vështira për studiuesit e të drejtave të njeriut. Pothuajse të gjitha kërkesat e paraqitura nga HLC dhe BIRN për pozitat aktuale ose të kaluara të disa punonjësve të policisë të përfshirë në krime lufte u janë mohuar sepse policia kërkoi një numër personal mjeti identifikimi për t’i identifikuar ata. Pavarësisht faktit se u dha mjaftueshëm informacion për të treguar se kush ishte oficeri i policisë.
Ndërsa BIRN po hetonte zhvendosjen e trupave të viktimave nga Kosova në Serbi, disa nga dokumentet në lidhje me transportimin e kufomave u nënshkruan nga oficeri i policisë Slobodan Borisavljeviç.
Borisavljeviç tani punon për ministrinë e brendshme dhe nuk është hetuar kurrë për fshehjen e kufomave.
BIRN po përpiqej të zbulonte pozicionin e tij aktual në ministri, por pavarësisht se dha datën e tij të lindjes dhe adresën e tij, ministria e refuzoi kërkesën, duke thënë se duke zbuluar identitetin e tij, kjo “do të vinte në rrezik të drejtën e tij për privatësi dhe reputacion”.
Një shkak për probleme të mëtejshme është se shumë ushtarë dhe policisë që mund të kenë qenë të përfshirë në krime lufte ende punojnë në polici. Të dhënat e HLC tregojnë se rreth 10 për qind e njerëzve të akuzuar për krime lufte aktualisht punojnë për aparatin e sigurimit shtetëror.
Shumë organizata ndërkombëtare kanë paralajmëruar se shumë kriminelë të dyshuar lufte janë ende aktivë si oficerë të ushtrisë dhe policisë, duke përfshirë edhe disa që punojnë në njësinë e mbrojtjes së dëshmitarëve të policisë, dhe po parandalojnë hetime të mëtejshme krimesh lufte.
Sipas Djordjeviçit, kontrollet e sigurisë për të kaluarat e punonjësve të ministrisë së brendshme bëhen vetëm kur ata punësohen. Edhe pse është e detyrueshme të kontrollosh nëse dikush ka qenë i përfshirë në luftë, pjesa më e madhe e ministrive shprehen se ata nuk i kanë ato të dhëna.
Duke iu përgjigjur BIRN nga korriku 2015, njësia e mbrojtjes së dëshmitarëve tha se nuk ka ndonjë informacion në lidhje me nëse ndonjë nga punonjësit e saj ka marrë pjesë në ndonjë konflikt, edhe pse disa nga stafi i saj kanë folur hapur për përfshirjen e tyre në konfliktet në vitet 1990.
Ministria e mbrojtjes, ajo e drejtësisë dhe ministritë e jashtme ndërkohë kanë thënë për BIRN vitin e kaluar se ata nuk kanë informacione nëse ndonjë prej stafit të tyre ka qenë pjesë e Njësisë Speciale të Policisë, shumë prej anëtarëve të të cilës ose dyshohen se kanë kryer krime lufte dhe vrasje ose janë dënuar për gjëra të tilla.
Sipas Djordjeviçit, ligji i ri i policisë mund t’i ndryshojë gjërat.
“Ligji i ri parashikon kontrolle më të shpeshta sigurie, çdo pesë apo dy vjet, në varësi të pozitës. Dhe parashikohet që kjo të bëhet nga një organ i pavarur,” tha Djordjeviç.
Derisa Serbia të fillojë vënien në zbatim të ligjeve të saj për të siguruar kontrolle sigurie dhe të lejojë lirinë e informimit, studiuesit e të drejtave të njeriut do të duhet të vazhdojnë t’i drejtohen arkivave të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, me bazën e saj unike të të dhënave të gjykatës dhe dokumente të ushtrisë dhe policisë nga luftërat e viteve 1990.
Ndërkohë, ata kanë gjasa të vazhdojnë të marrin të njëjtën përgjigje zhgënjyese për kërkesat për informim që kanë për qëllim të hedhin më shumë dritë në atë që ndodhi vërtet brenda institucioneve shtetërore serbe gjatë konflikteve: “Nuk e kemi atë informacion.”