Demokracia u ul në rajonin e Ballkanit për gjashtë vite me radhë, teksa liderët e “fortë” morën kontroll thuajse të pasfiduar mbi institucionet shtetërore në disa vende, pretendon një raport i ri i Freedom House.
Pas progresit substancial nga viti 2004 deri në vitin 2010, demokracia në Ballkan ka rënë në gjashtë vitet e fundit, sipas raportit vjetor të OJQ me bazë në SHBA Freedom House mbi demokracinë në Europën Lindore dhe Euroazinë Qendrore, i cili u botua të martën.
“Me përjashtim të Shqipërisë, rezultatet e kandidatëve të Ballkanit për në BE dhe kandidatëve potencialë janë në rënie, jo në përmirësim, gjë që është një tregues shqetësues i nivelit të tyre të angazhimit me standardet e BE-së”, thotë raporti “Vendet në tranzicion 2016”.
Udhëheqësit e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi kanë kthyer rrëmujë e BE-së në favor të tyre, duke besuar se dëshira e saj për stabilitet do ta sfumojë provën e qartë të politikanëve individualë dhe të partive që marrin kontrollin e institucioneve shtetërore për të nxitur interesat e tyre, sipas raportit.
Në Maqedoni, në Malin e Zi dhe Serbi, “të fortët politikë” kanë ushtruar presion ndaj BE-së që ta tolerojë sjelljen e tyre të keqe, duke argumentuar se nuk ka zgjidhje më të mirë, thotë raporti.
Në Maqedoni, hilet e partisë në pushtet çuan në korrupsion dhe në skandale masive të manipulimit të zgjedhjeve në vitin 2015 dhe në një krizë të vazhdueshme politike, argumenton raporti.
BE ka shpenzuar kapital të madh politik në vitin 2015 për të sjellë qeverinë maqedonase në tryezë me opozitën dhe për të ndërmjetësuar zgjedhjet e parakohshme.
Por pasi pranoi një marrëveshje në verën e vitit 2015, partia në pushtet ka penguar hetimet dhe reformat që janë të nevojshme për të bërë zgjedhje të parakohshme të lira dhe të ndershme, pretendon raporti.
Me gjithë akuzat për manipulim të votave, korrupsion dhe mashtrim që nxitën protestat më të mëdha të Maqedonisë në vite, ish-kryeministri Nikola Gruevski ka penguar zbatimin e marrëveshjes së reformës të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe ka të ngjarë të kthehet në pushtet në zgjedhjet e parakohshme të planifikuara për në qershor, sugjeron raporti.
Në Serbi, kryeministri Aleksandër Vuçiç i krahut të djathtë hapi me sukses negociatat e pranimit me BE, edhe pse e akuzoi Brukselin për financim të gazetarëve investigativë për ta dëmtuar atë, sipas Freedom House.
Vuçiç argumentoi se vetëm ai mund të mbajë nacionalistët më radikalë në kontroll, ndaj BE-ja dukej e pafuqishme për ta sfiduar atë, kur ai denoncoi mbështetjen e saj për mediat e pavarura, ndërsa bashkëpunimi në menaxhimin e flukseve të refugjatëve dhe emigrantëve i ka dhënë kryeministri serb fuqinë negociuese shtesë në Bruksel, sugjeron raporti.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë , shtet-ndërtimi ka arritur në një rrugë pa krye, thotë Freedom House.
Strukturat qeveritare të ndërtuara për të ruajtur paqen në të dy vendet po parandalojnë progresin, dhe stanjacioni politik dhe ekonomik kanë nxitur zemërimin popullor, thotë raporti.
Ndërsa “dialogu i Brukselit” mes Prishtinës dhe Beogradit ka bërë disa përparime, rezultatet janë gjithnjë e më të papëlqyeshme brenda Kosovës dhe çështja tani ka shkëputur vëmendjen nga reformat shumë të nevojshme, veçanërisht ato që lidhen me luftën kundër korrupsionit, thotë raporti.
Mali i Zi ka hapur gjashtë kapituj të rinj në negociatat për pranimin në BE dhe ka marrë një ftesë zyrtare për t’iu bashkuar NATO-s , por është zhytur edhe në korrupsion nën kryeministrin Milo Gjukanoviç, i cili ka drejtuar vendin që nga viti 1991, sipas Freedom House.
Qeveria malazeze nuk ka bërë asnjë progres në 2015-ën drejt pavarësisë së vërtetë për organet anti -korrupsion apo transparencës në prokurimin publik, thotë raporti.
Forcat opozitare, me një përzierje të krahut të djathtë dhe të agjendave të qeverisjes së mirë janë përpjekur të sfidojnë Gjukanoviçin përmes protestave në gjysmën e dytë të vitit, por ishin të pasuksesshëm.
Raporti arrin në përfundimin se paqja e qëndrueshme në Ballkan nuk është një arritje e vogël, por paqja pa progres ka çuar në stanjacion potencialisht të rrezikshëm.
“Një zgjidhje e qëndrueshme do të kërkonte që BE-ja të përcaktonte përparësitë te pavarësia e medias, te sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë në këto vende mbi çdo objektiv gjeopolitike afatshkurtër”, thotë raporti.
Raporti paralajmëron se mbylljet e kufirit europian për të parandaluar emigrantët nga mbërritja në BE përmes rrugës së Ballkanit gjithashtu mund të rrezikojë perspektivat për reforma afatgjata në rajon.
“Kriza e migracionit nuk duhet të bëhet një justifikim për të izoluar Ballkanin nga pjesa tjetër e Europës,” tha Nate Schenkkan, drejtor i projektit të “Shteteve në tranzicion”.
“Me një papunësi te të rinjtë mbi 50 për qind në shumicën e rajonit, kthimi i Ballkanit në një ishull brenda Europës do të ishte katastrofik për zhvillimin e rajonit. BE-ja nuk duhet të priviligjojë stabilitetin afatshkurtër mbi reformat afatgjata në Ballkan,” shtoi Schenkkan.