Kërkimi për shtigje të përshtatshme për ecje dhe biçikletë më dërgoi në një udhëtim 45 kilometërsh dhe në “zbulimin” e një fshati ku as rruga e traktorit nuk ka vajtur ende dhe ku shtëpitë prej guri të fshehura pas gjelbërimit të harlisur duket sikur kanë dalë nga një libër me përralla.
“Atje shkohet vetëm më këmbë,” më tha një mezoburrë në kafen modeste në qendër të fshatit Fushas në zonën ë Baldushkut në Tiranë, kur e pyeta se nga duhej të shkoja për në drejtim të fshatit Dorëz, një toponim emrin e të cilit e kisha dalluar në Google Maps si një shteg i mundshëm për të kaluar nga lugina e Baldushkut te lugina e Pezës në një si sport të sajuar që kombinon biçikletën me ecjen në mal, ose konkretisht, ecjen nëpër kodra.
Banorët e Fushasit e diskutuan mes tyre kërkesën time për të kaluar kodrat me biçikletë dhe në fund më sugjeruan që të mos merrja rrugën më të shkurtër më këmbë për në Dorëz, por të ndiqja fillimisht një rrugë traktori, e cila do të më shpinte në Qafën e Belbëz, nga ku kisha dy shtigje për të zbritur në Pezë, njëra që kalonte përmes Liqenit të Fjollës dhe tjetra që zbriste në fshatin Ballashej, gjithsej nja 15 kilometra.
“Te përroi, mos vazhdo djathas, por ktheu majtas dhe ndiq rrugën,” më thanë.
Kështu nisi etapa e dytë e një udhëtimi ku në etapën e parë, më kishte çuar nga Liqeni i Thatë në Tiranë, përmes Qafës së Lapidarit, në kuotën 297 metra mbi nivelin e detit.
Runtastic, një shërbim në internet që krijon hartë udhëtimi duke ndjekur impulset e Pozicionimit Gjeohapsinor (GPS) të emetuara nga një celular, tregoi se kjo fazë e parë qe 13.2 kilometra e gjatë dhe zgjati një orë e treçerek, duke përfshirë këtu kohën e shpenzuar për të ngjitur maloren më këmbë apo për të ndaluar vazhdimisht për të bërë fotografi.
Pamja e Tiranës që ofrohet nga Lapidari është gjithmonë goditëse….
Që kur rruga e Lapidarit u asfaltua disa vite më parë, një pamje që dikur qe e disponueshme vetëm për ata që nuk përtonin të ecnin, tashmë është e aksesueshme edhe për dembelat me makinë…
Rruga ka një çudi më vete, nga ato allashqiptarçe. Në të dyja anët e kodrës, ajo është fare e re dhe e asfaltuari më së miri, por në majë të kodrës, një distancë prej rreth 500 metra, punimet janë lënë. Rrjedhimisht, dy rrugë që ma ha mendja, kanë kushtuar ndonjë milionë eurosh të mira, mbetet në pjesën më të madhe e papërdorshme në të dyja krahët për shkak se punimet janë ndërprerë për nja 500 metra.
Nejse.
Pamja që ofrohet matanë kodrës së Lapidarit është shumë e këndshme në pranverë. Gjelbërimi është në kulm dhe pas lodhjes në ngjitjen e kodrës, zbritja ngjan një shëtitje e këndshme deri në lumin Erzen.
Etapa e dytë
Shtegu nga fshati Fushas për në Pezë të shpie përmes një lugine me ujë të bollshëm, të pyllëzuar dhe gjelbëruar dendur. Balta në rrugë është e shkelur më së shumti vetëm nga thundrat e bagëtisë.
Runtastic tregon se etapa e dytë zgjati për 13 kilometra dhe për ta përshkruar atë u deshën tre orë e gjysmë, kuptohet, bashkë me ndalesat e shumta, përveç faktit që shumica e rrugës u bë më këmbë.
Pasi mbërrita në fund të luginës, më ngjan se dy barinj më ngatërruan a unë nuk arrita të sqarohem. Ata më thanë: “Varu djathtas” ndërkohë që po ta kisha shikuar me vëmendje hartën, do të duhej të ndiqja një shteg majtas.
….
Ngatërresa më dërgoi përmes një grushti shtëpish në majë të një kodre dhe te një shteg i vlefshëm vetëm për kafshë transporti deri sa dola në Qafë, ku zbrita në fshatin Dorëz, një grumbull me nja dhjetë shtëpi guri.
Shtëpitë e gurit të mbledhura nën gjelbërimin e dendur të zonës qëndronin nën hijet e ullinjve shekullorë dhe qenë tërësisht të paprekura. Ndryshe nga pjesa tjetër e vendit, aty nuk kishte asnjë kolonë betoni, asnjë modifikim të dukshëm, duke e bërë Dorëzin ndoshta të vetmin vendbanim të paprekur nga ndërtimet në Tiranë.
….
Pas afro një kilometri zbritje në një shteg të ngushtë, një gurore që po punon mbi liqenin e Fjollës është pikënisja e një rruge të shtruar me çakull që të shpie deri në Pezë.
Etapa e tretë, nga Peza për në Tiranë, qe 16 kilometra dhe zgjati 1 orë e 20 minuta.
Fotot janë në rend kronologjik