Dështimi i Rumanisë për të tërhequr një investim shumë të rëndësisëm nga gjigandi gjerman i makinave shpjegohet me infrastrukturën e keqe dhe mungesën e krahut të lirë të punës ndërsa vendësit ankohen për humbjen e një mundësie tjetër punësimi.
Agjentja e pronave të patundëshme Alexandra Suciu qe nga të parët njerëz që përfitoi kur prodhuesi gjerman i makinave Daimler ndërtoi në prill të këtij viti një fabrikë për kambiot automatike në Sebes, një qytezë me rreth 25 mijë banorë, katër orë larg me makinë në veri-perëndim të Bukureshtit.
Sebes, apo Mühlbach siç quhet në gjermanisht – u ndërtua nga kolonë gjermanë të cilëve iu referoheshin si “Saksonë” – tashmë kjo qytezë ka dy njësi të Star Assembly, një kompabi bijë e Daimler në Rumani.
“Gjermanët po marrin shtëpi dhe apartamente me qira përkundrejt çmimeve më të larta se sa e zakonshmja,” tha Suciu. “Megjithëse nuk ka shumë prej tyre, prania e tyre është e dukshme gjithkund dhe është shumë pozitive për qytezën,” shtoi ajo.
Njerëzit në Sebes po shpresonin se më shumë gjermanë do të vinin, për shkak të lajmit që thoshte se Daimler po kërkonte për një vend të përshtatshëm për një fabrikë të re në Europën Lindore.
Bashkë me Poloninë, Hungarinë, e madje edhe Rusinë, Rumania po shpresonte të përzgjidhej për investimin e ri, duke menduar për mundësitë që do krijoheshin.
Media rumune raportoi deri më 3 maj se vendi qe ende në garë.
Gjithsesi, vetëm një ditë më pas, Daimler njoftoi se Polonia e pati fituar garën dhe se kjo kompani do të investonte 500 milionë euro në një fabrikë në Javor. Investimi do të krijojë rreth 1,500 vende të reja pune.
Siç pritej, lajmi shkaktoi zhgënjim në Rumani. Ndërsa zyrtarët nuk dhanë deklarata publike mbi çështjen, shumë analistë shprehën pakënaqësi ndaj vendimit të kompanisë gjermane.
Për shumë prej tyre, Rumania dështoi të thithte një investim, gjë që e kthen atë në një situatë të ngjashme me vitin 2008, kur Daimler zgjodhi Hungarinë dhe jo Rumaninë si vend për ndërtimin e një fabrike të rej për pjesë makinash.
“Tetë vjet më parë, Rumania humbi investimin kryesisht për shkak të infrastrukturës së keqe në vend. Pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar që nga ajo kohë për shkak se Rumania nuk e ka ende një autostradë për ta lidhur jugun e vendit me Europën Perëndimore,” tha analisti ekonomik Constantin Rudnitchi.
“Lidhje të tilla merren gjithmonë parasysh kur kompanitë e mëdha planifikojnë investimet,” shtoi ai.
Një projekt për të ndërtuar një autostradë 160 kilometra të gjatë për të lidhur qytetin Pitesti, ku grupi francez Renault ka një fabrikë makinash, me Orastie, është diskutuar prej shumë vitesh.
Por qeveria ka shtyrë për më vonë shumë herë projektin për shkak të mosmarrëveshjes mbi atë se cili është shtegu më i përshtatshëm. Disa punëmarrës në Pitesti kanë frikë se Renault mund ta mbyllë fabrikën dhe ta lëvizë prodhimin e markës Dacia në Turqi apo në Marok në rast se autostrada nuk ndërtohet.
Autostrada është planifikuar si pjesë e Korridorit Pan-Europian numër IV, i cili ligj portin Kostanca në Detin e Zi me Arad në Rumaninë perëndimore pranë kufirit me Hungarinë.
Prillin e kaluar, qeveria e mëparshme e kryeministrit Victor Ponta tha se synonte ta përfundonte autostradën nga viti 2020. Kostoja e projektit qe 1.6 miliardë euro.
Duke u rikthyer te dështimi i Rumanisë për të tërhequr investimin e Daimler, Rudnitchi tha se një faktor tjetër është mungesa e forcës së kualifikuar të punës.
“Daimler do rë ndërtojë një fabrikë të re motorësh në Poloni, gjë që jo vetëm që krijon vlerë më të lartë të shtuar për ekonominë, por kërkon edhe inxhinjerë dhe punonjës shumë të kualifikuar,” tha ai.
“Rumania nuk ka forca të tilla punëtore për shkak se mungesa e trajnimit përgjatë të gjithë jetës ka sjellë mungesë aftësish,” shtoi Rudnitchi.
Kompanitë në Rumani thonë se ata vuajnë nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar për shkak se më pak të rinj po ndjekin shkollat e inxhinjerisë.
Nga ana e saj, qeveria e Rumanisë është përpjekur përgjatë viteve të fundit të tërheqë më shumë investitorë të huaj duke ofruar incentiva dhe duke promovuar krahun e lirë të punës.
“Star Assembly, kompania bijë e Daimler në Rumani, ka përfituar nga skema bujare e ndihmave e qeverisë. Incentiva të tilla duket se nuk qenë të mjaftueshme për kompaninë gjermane kur ajo zgjodhi vendin për fabrikën e re,” tha gazetari Ciprian Mailat.
Star Assembly mori ndihmë shtetërore me vlerë 37.4 milionë euro për të hapur fabrikën e kambiove automatike në Sebes – rreth 15 për qind e investimit total.
Qeveria i dha paratë pasi Star Assembly premtoi të krijojë 500 vende pune.
Por ky nuk është rasti i vetëm. Vitin e kaluar, Rumania dha ndihma shtetërore me vlerë 538 milionë lei, 123 milionë euro.
Këto dhe investime të tjera u mbështetën përmes dy skemave të ndihmave të qeverisë: njëra, e cila mbështet investimet dhe zhvillimin rajonal përmes krijimit të vendeve të punës dhe një tjetër që stimulon investimet që kanë ndikim të madh në ekonomi.
Programet e incentivave kanë tërhequr interes nga investitorët. Për rrjedhojë, Ministria e Financave është duke planifikuar të rrisë buxhetin për skemën e ndihmës shtetërore nga 100 milionë në 145 milionë euro këtë vit.
Investimt e Huaja të Drejtpërdrejta në Rumani u rritën me 25 për qind më 2015 në krahasim me vitin 2014 në 3.03 miliardë euro, kuota më e lartë në pesë vjet, pavarësisht se janë ende më të ulëta nga sa qenë në vitin 2008.
Vendi përjetoi një recesion të thellë në vitet 2009 dhe 2010 kur aktiviteti i biznesit u kontraktua me 9.1 për qind. Që nga viti 2014, gjithsesi, ekonomia është rritur me rreth 3 për qind në vit.
Por, Romania ka ende shumë për të bërë për t’u bërë një histori e vërtetë suksesi në rajon.
“Deri tani, shumica e investitorëve vijnë në këtë vend për shkak të punës së lirë. Kjo duhet të ndryshojë dhe Rumania duhet të kthehet nga të qenit shtojcë e Europës, duke prodhuar diçka që është e lirë, duke prodhuar gjëra të lira, në një vend ku puna me cilësi të lartë vlerësohet,” vërejti Rudnitchi.
“Dështimi i Bukureshtit për të tërhequr investimin e Daimler është një shembull,” shtoi ai.