Dëshira për të provuar një biçikletë të re më çoi në rrugët e buta të Pezës, që rezultoi një destinacion i shkëlqyer stërvitjeje, por gjithashtu një pikë mjaft tërheqëse me disa ‘sekrete’ të fshehura pak kilometra larg rrugës së shtruar.
Në një ditë përvëluese korriku, ndërmarrja e një udhëtimi rreth 40 kilometra të gjatë me biçikletë për në Pezë, në orën 11 të mëngjesit, mund të mos jetë një mendim që i shkreptin gjithkujt në mendje.
Megjithatë, entuziazmi i një biçiklete të re për rrugë të gjata dhe dëshira për ta sprovuar atë dhe veten përballë një sfide të ardhshme më të madhe, më bëri të hedh krahëve çantën e mbushur me dy shishe uji nga 750 ml dhe një çokollatë energjike dhe të nisem.
Trafiku i zakonshëm i kryeqytetit dhe vështirësia për të çarë nëpër vargun e makinave që presin përballë një semafori, përkeqësuar nga çlirimi i tymit të secilës marmitë, nuk është ndonjë motivim i madh, por ideja që së shpejti do ta lësh pas, të bën t’i lëvizësh pak më shpejt pedalet.
Deri në zonën e Kombinatit koka të lëviz sa majtas-djathtas për t’u ruajtur nga çdo e papritur e ndonjë makine me shpejtësi, ndërsa boritë e shpeshta të kujtojnë vazhdimisht se bën mirë të mbash cepin tënd për dyrrotakët, në një rrugë jo mikpritëse për transportin e gjelbër.
Me të kaluar në Vaqarr makinat vijnë e rrallohen dhe fushat e gjelbra e ato të mbjella, që punohen nga fshatarët që largësia i bën të duken në miniaturë, të hapin sytë për soditje dhe njëkohësisht i japin kokës mundësinë e çlodhjes.
Fillon dhe sheh “fytyra” të njohura të atyre që të mësuan Abetaren, lopë, gomerë, kuaj, pula, dhen… Mendimet fillojnë të të enden, stresi mbetet pas dhe çdo pedalim e nxjerr trupin nga plogështia e qëndrimit ulur gjithkund: në kafene, në zyrë apo në divanin e shtëpisë.
Rruga deri në lapidarin e Pezës zgjat rreth 15 kilometra dhe sipas të dhënave të ruajtura nga një aplikacion që përdoret për matjen e shëtitjeve me biçikletë, Strava, mua mu deshën 1 orë 24 minuta për të mbërritur.
Lapidari i Pezës, kryeqendrës së Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Shqipërisë (shtator 1942 – maj 1944) është vetëm gjurma e parë e partizanëve në Pezë. Eksplorimi me biçikletë lë pas rrugën me shtresë të varfër asfalti nga Kombinati në Lapidar dhe vazhdon përgjatë rrugës së asfaltuar të Pezës për 5 kilometra të tjera.
Në pamje të parë, fshati Pezë e Madhe nuk është ndryshe nga qendrat e tjera rurale, që ofrojnë disa lokale të vogla, dy-tre dyqane, një qendër muze dhe një grusht banesash.
Dy vendas të ulur në hije janë në këtë rast guida më e mirë që mund të gjesh.
Pyetjes sime për atraksionet e zonës ata i përgjigjen menjëherë me parkun, ku çdo shtator mbahet për disa ditë Festa e Pezës, një ndërthurje e përkujtimit të Konferencës së Pezës dhe koncerteve rinore me birrë e muzikë rok.
Megjithatë, harta në celular më tregon një pikë të vogël blu që dy djemtë më thonë se është liqeni i Fjollës, në fund të një rruge me guriçka, që rrezikojnë të më shpojnë gomën dhe që të ha të paktën një orë të mbërrish.
“Megjithatë liqeni është mjaft i bukur dhe i pastër”, më sqaron njëri prej tyre.
Kjo premisë për aventurë e sfidon edhe më tej vapën dhe më jep energji të çoj përpara kërkimet e mia për liqenin e Fjollës, tërheqës për aventurierët.
Katër kilometrat deri te liqeni karakterizohen nga rrugë e pashtruar dhe me guriçka. Ulje-ngritjet e kodrave janë të buta dhe nuk ta vështirësojnë punën, ndërsa dheu i ngritur nga shpejtësia e biçikletës dhe puhia që fryn të krijojnë edhe më shumë ndjesinë e një aventure.
Buzë liqenit, dy makina të ndaluara paralajmërojnë praninë e dëgjueshme të një grupi vendasish që ia kishin marrë këngëve folklorike në hije të një peme (e vetmja hije në të gjithë liqenin), ndërsa dy syresh laheshin më tej.
Ujërat e thellë e të pastër të Liqenit të Fjollës, prej 14 hektarësh janë padyshim një destinacion që ia vlejnë lodhjen dhe që përbëjnë një peizazh të bukur për ata që pëlqejnë shkrepjet.
Pas një pushimi të shkurtër në freskun e një prej lokaleve të zonës dhe konsumit të drekës me vakte të bollshme, destinacioni i radhës është Parku Memorial i Dëshmorëve të Pezës.
Fusha e gjelbër e parkut, lapidari, shtëpitë e partizanëve dhe bunkerët marrin rreth 10 minuta për t’i ardhur përreth, pas kësaj me diellin që ka kaluar në të djathtë vazhdon eksplorimi i Pezës së Madhe.
Në tre kilometrat e ardhshëm të vetmit kalimtarë me të cilët ndava rrugën ishin një pulë e një gjel, dhe disa dhen që kaluan një përrua të vogël për t’u kthyer në shtëpi udhëhequr nga bariu.
Në vetvete, rruga e pashtruar që vazhdon pas qendrës së Pezës është një pistë e mirë për këdo që do të stërvitet për përshkrimin e disa kilometrave përpara se të ndërmarrë ndonjë distancë më të largët. Gjelbërimi të ofron hije të shkurtra, por mbi të gjitha terreni nuk arrin më shumë se 150 metra mbi nivelin e detit.
Soditja e fushave përreth dhe vëzhgimi i jetës së qetë të banorëve të zonës, ku të dyja duart janë të zëna në timonin e biçikletës, të jep mundësinë të shkëputesh nga virtualja dhe ankthi i përditshëm i të qenët online.
Nëse energjitë shkojnë drejt shterrimit, mjafton të ktheni timonin majtas dhe të ndërmerrni rrugën e kthimit. Me 40 kilometra në shpinë, të gjitha të mundësuara nga forca ime trupore, vendosa t’i jepja fund aventurës për t’u kthyer në jetën e zhurmshme të Tiranës. Pas pak do të isha rrethuar nga gumëzhimat e bisedave të të rinjve në lokalet tërheqëse të ish-Bllokut, duke konsumuar një Margarita, ideale pas një aventure verore mbi biçikletë.
Ndonjë këshillë praktike?
Sa më shumë ujë të freskët, mundësisht në shishe termus dhe vini krem dielli.