Debatet e pafundme për jetën dhe aktivitetet e Kardinalit Stepinaç janë një tregues dëshpërues se Lufta e Dytë Botërore mbetet një çështje ende e pambyllur në një pjesë të ish-Jugosllavisë.
Kur do të vijë ai çast që kroatët dhe serbët të mos debatojnë më për kardinalin Stepinaç? Siç duken gjërat, jo së shpejti. Shumë kohë pasi pjesa tjetër e Europës dhe e botës e lanë pas vitin 1945, kroatët dhe serbët kanë ngecur atje, sikur t’u kishte ngelur ora, ende duke luftuar për gjyqe-spektakël të kohës së komunizmit, fashizmit, antifashizmit dhe shumë më tej.
Pjesa më pak e diskutueshme e sagës së fundit të Stepinaçit është – ose duhet të ketë qenë – vendimi që u dha ditën e premte nga Gjykata e Qarkut të Zagrebit, e cila e shfajësoi Stepinacin nga akuza për bashkëpunim. Nëse ai bashkëpunoi apo jo me Gjermaninë naziste – fillimisht përkufizoni fjalën “bashkëpunoj” – është e qartë se asnjë gjyq i zhvilluar në Jugosllavinë Komuniste të vitit 1946 nuk ishte një “gjyq” në kuptimin e dobishëm të fjalës.
Në një gjyq të vërtetë, i pandehuri ka një mundësi të lirohet nga akuzat pasi provat të testohen në gjykatë – por asnjë nga gjyqet-spektakël të kryera në regjimet në Europën Lindore nuk përmbushnin asnjë kriter. Ata gjyqe synonin të poshtëronin dhe frikësonin kundërshtarët e mbetur të regjimeve të reja komuniste. Vendimet ishin përcaktuar paraprakisht.
Stepinaçi ishte relativisht me fat. Homologu i tij serb, Draza Mihajloviç, u ekzekutua, njësoj si shumë të tjerë. Edhe nga standardet e bllokut sovjetik, regjimi jugosllav në vitet 1940 ishte i dhunshëm. Përveç të gjitha masakrave të dokumentuara më së miri, ai ekzekutoi me mijëra njerëz rreth Triestes gjatë pushtimit të shkurtër jugosllav të këtij qyteti në vitet 1944-1945 – një masakër që pothuajse është harruar jashtë Italisë.
Për arsye komplekse, regjimet sovjetike ishin më të kujdesshëm për ekzekutimin e kryepeshkopëve sesa italianëve në Trieste apo liderëve politikë si Mihaljoviç. Në vend të kësaj, Stepinaç iu bashkua një grupi kryepeshkopësh të bllokut lindor që ishin burgosur, duke përfshirë Mindszenty i Hungarisë – burgosur në vitin 1949 – dhe Wyszinski i Polonisë – i cili u desh të priste deri në vitin 1953 për qelinë e tij në burg.
Të tre u burgosën për të njëjtën vorbull të turbullt krimesh – bashkëpunim, aktivitet anti-shtetëror e kështu me radhë – që sajonin gjithmonë komunistët. Ajo që është interesante për Stepinaçin është se lideri fitimtar jugosllav komunist, Tito, në fakt, i kishte bërë atij një vizitë miqësore publike në vitin 1945 – një gjest i çuditshëm për ta bërë për një bashkëpunëtor të njohur. Por më pas Titoja i tradhtoi vitin që pasoi kur tha, në një fjalim më 26 shtator 1946: “Arrestuam Stepinaçin dhe do të arrestojmë të gjithë ata që i bëjnë rezistencë punëve aktuale të shtetit, u pëlqen apo jo.” Në atë kohë krahu i djathtë i Titos, malazezi Milovan Djilas, këmbënguli për të njëjtën gjë. Ai më vonë shkroi se Stepinaçi “nuk do të ishte nxjerrë në gjyq për sjelljen e tij në luftë, nëse nuk do të kishte vazhduar të kundërshtonte regjimin e ri komunist.” Kështu që ja ku e keni!
Sa keq që gjërat nuk ndalen këtu. Në vend të kësaj, për ta bërë edhe më absurde, legjioni i të përkushtuarve ndaj kardinalit të ndjerë vazhdojnë ta trazojnë situatën dhe të nxirin në drejtimin e kundërt, duke bërë presion për kanonizimin e tij.
Ata nga ne që nuk janë katolikë sigurisht që nuk kanë të drejtë të thonë se kë duhet të shenjtërojë dhe kanonizojë Kisha Katolike. Por s’mund të mos e pyesim veten nëse shenjtërimi zhvlerësohet nga një nismë e tillë. Ai mund të ketë qenë i guximshëm që ndenji në postin e tij në vitin 1945 kur mund të ishte arratisur drejt Spanjës ose Argjentinës, siç bënë pjesa më e madhe e ustashve. Por ai ishte më pak trim në verën e vitit 1941 – kohë në të cilën ai ishte në dijeni të vrasjeve masive të serbëve dhe shumë të tjerëve të kryer nga ustashët.
Ne e dimë që ai ishte në dijeni sepse ai i shkroi disa peshkopëve të tjerë duke e dënuar atë – e megjithatë nuk bëri asgjë në publik përveçse shmangu kontaktet me liderët ustashë dhe mbajti disa predikime në kufijtë e katedrales së tij.
Dikush mund të thotë se ai mund të rrezikonte jetën e tij nëse denonconte publikisht vrasjet, por a s’është kjo pjesë e të qenit një shenjtor? Gatishmëria për t’u ngritur mbi një çështje të caktuar dhe të vësh jetën tënde në rrezik?
Është gjithashtu e qartë se, ndryshe nga paraardhësit e tij gjermanë dhe polakë, papa aktual argjentinas nuk bindet nga fushata pro shenjtërimit të Stepinaçit, në të kundërt Françesku s’do të kishte ngritur një komision ku përfshihen edhe klerikë nga Kisha Ortodokse Serbe për ta studiuar këtë çështje. Duke e bërë këtë, ai e ka bërë të qartë se dëshiron ta ngrijë gjatë çështjen e Shën Alojzijes.
Është e qartë që ai është më i interesuar për të kanonizuar Oscar Romeron, kryepeshkopi i ndjerë i El Salvadorit, i cili e pagoi me një plumb vrasës për denoncimet e tij publike për vrasjet e skuadrave të krahut të djathtë në vitin 1980.
Jeni apo jo dakord me politikat e Romeros, ai duket se i përshtatet përkufizimit “martir për besimin”. Ndërsa përsa i takon Stepinaçit, ka ardhur koha që të gjithë ta lënë pas krahëve këtë temë jo produktive, të lodhshme dhe sterile. Dilemat, zgjedhjet dhe shqetësimet e Stepinaçit ishin të një kohe dhe të një vendi të caktuar dhe pothuajse nuk kanë asnjë rëndësi për botën moderne apo për nevojat e Kishës Katolike moderne. Qoftë demon apo shenjtor, është koha që ai të prehet në paqe dhe, për hir të Zotit, le të vazhdojmë të gjithë para jetën tonë!