Nga ishujt kroatë te fshatrat e vjetra të Bosnjës dhe manastiret e pikturuara të Rumanisë, Ballkani është plot bukuri natyrore, që nuk janë të mbipopulluara nga turistët.
Për ata lexues që po mendojnë të vizitojnë një vend që është ndryshe nga pikat e zakonshme turistike, gazetarët e BIRN kanë përgatitur guidën e mëposhtme nga secili vend për t’ju çuar në zona që do t’ju lënë pa frymë, të cilat nuk do t’i gjeni në hartat e zakonshme turistike.
Shpellat dhe kalatë e Shqipërisë
Nga plazhet e Vlorës në jug të Shqipërisë, turistët mund të udhëtojnë me varkë drejt Gadishullit të Karaburunit, më i madhi në vend. Ai ndodhet në zonën lindore të Ngushticës së Otrantos, ku deti Adriatik takon detin Jon.
Turistët filluan të eksploronin gadishullin e zbrazët vetëm tre vite më parë, të tërhequr nga gjiret me bukuri natyrore dhe shpellat.
Një vizitë në shpellën e Haxhi Aliut, që e ka marrë emrin nga një pirat shqiptar i shekullit të 16-të është e domosdoshme, ndërsa Gjiri i Gramës ofron pamje të bukura dhe ujë të pastër kristal.
Disa kilometra nga qyteti bregdetar i Himarës, turistët do të gjejnë kalanë e Ali Pashë Tepelenës, e ndodhur në Gjirin Porto Palermo.
Kalaja besohet se është ndërtuar nga venecianët gjatë shekullit të 17 dhe u përdor në shekullin 19 nga Ali Pasha i Tepelenës, një pasha shqiptar gjatë pushtimit otoman që qeverisi shumicën e asaj që është tani Shqipëria e jugut dhe Greqia veriore.
Kalaja është e hapur për turistët që duan të shijojnë historinë e saj dhe pamjet madhështore nga tarracat dhe pamjen e detit Jon. Vizitorët mund të notojnë gjithashtu pranë mureve të kalasë.
Fshatrat e vjetra të Bosnjes
Pocitelj është një vendbanim i vjetër që daton në shekullin e 14-të. I ndodhur në rajonin jugor të Mostarit, ky fshat i vogël nuk është banuar nga më shumë se disa qindra njerëz. Pas luftërave ballkanike të viteve 1990, vendi u braktis krejtësisht.
Megjithatë, njerëzit kanë filluar ta vizitojnë fshatin kohët e fundit, pasi ndërtesat dhe shtëpitë e tij të vjetra e bëjnë atë një nga vendet më interesante për t’u vizituar në Bosnje. Për më tepër, vendi mund të vizitohet lehtësisht, pasi shtrihet përgjatë një prej rrugëve kryesore që lidhin qytetin e Mostarit me qytetin kroat të Metkoviçit.
Ndërsa mbetet kryesisht i braktisur, fshatarët vendas në vitet e fundit kanë të zhvillojnë turizmin, përfshirë restorantet dhe dyqanet.
Ata që kërkojnë një udhëtim interesant një-ditor nga kryeqyteti i Sarajevës duhet të shkojnë në Lukomir – shpesh i përshkruar si fshati më i izoluar i vendit.
I ndodhur mes qytetit të Konjic dhe malit Bjelasnica, Lukomiri është 20 kilometra nga Sarajeva dhe shtrihet në një lartësi prej rreth 1500 metra. Gjatë dimrit fshati është i braktisur, por disa banorë qëndrojnë gjatë stinëve të ngrohta dhe jetojnë në shtëpitë tradicionale të ndërtuara nga shkëmbi.
Ujërat e Bullgarisë
Iskari është lumi më i gjatë që rrjedh vetëm brenda territorit bullgar. Një degë e Danubit, lumi 368-kilometër i gjatë kalon përmes kodrave dhe maleve të bukura, dhe është i pasur me shumë vende që ia vlejnë për t’u vizituar, disa prej të cilave janë ideale për ecje dhe vëzhgim të kafshëve të egra.
Lumi rrjedh nëpër shtatë krahina dhe është burimi kryesor i ujit për Sofiyskavoda-n, kompaninë e ujësjellësit dhe kanalizimit në kryeqytetin Sofje.
Iskar është lumi më i vjetër në Ballkan dhe po ashtu i vetmi që ka ruajtur kursin e tij origjinal, pavarësisht ndryshimeve të rëndësishme gjeologjike të kohëve të mëvonshme.
Shtatë Liqenet Rila, që ndodhen në rajonin Dangskiya të maleve Rila në veri-perëndim, janë gjithashtu me vlerë për t’u vizituar. Të gjitha janë liqene akullnajore dhe secili prej tyre rrethohet nga kodrat malore dhe mban emrin dhe cilësitë e veta. Në 2,535 metra lartësi, Liqeni Tear është më i larti dhe është njihet për ujin e tij kristal.
Në disa liqene jetojnë peshq, mes tyre edhe trofta, por këto vende nuk janë realisht një habitat i përshtatshëm për jetën detare për shkak të ujit të tyre të ftohtë, që vjen nga shkrirja e borës dhe shiu.
Ishujt e fshehtë të Kroacisë
Palagruža është më i largëti i ishujve të Kroacisë dhe shtrihet mes detit Adriatik, afërsisht në gjysmë të rrugës për në Itali. Ishulli nuk është më i banuar nga njerëzit, por ka një far që mund të merren me qira nga turistët. Në fakt, i vetmi banor i përhershëm kohët e fundit është një gomar.
Lastove, një nga ishujt më jugor të Kroacisë, është disa orë me traget nga qyteti bregdetar i Splitit. Lastove, si dhe ishulli Vis, kanë qenë baza ushtarake gjatë epokës jugosllave dhe si të tilla, ishin të izoluara nga ndikimet e turizmit modern.
Ishulli është i ruajtur mirë, bashkë me disa vepra arkitekture ushtarake dhe qytetin kryesor, i quajtur gjithashtu Lastove, i cili duket si një fshat i magjepsur mbi kodër i Rilindjes. Shtëpitë kanë oxhaqe të veçanta dhe ka disa taverna që ofrojnë peshk të freskët me një çmime të volitshme.
Ndërkohë Mrežnica, një lumë në Kroacinë qendrore, në jug të qytetit Karlovaç dhe vetëm një orë me makinë nga kryeqyteti Zagreb, ofron ujë të freskët dhe të pastër. Lumi është i pasur me ujëvara të vogla, ku vizitorët mund të bëjnë banjo dielli.
Disa qytete dhe fshatra të vogla – Duga Resa, Belavici, Zvecaj, Generalski Stol – ofrojnë arrati të bukura nga të nxehtit e verës së Zagrebit dhe janë një mjedis i përsosur për një barbekju, piknik ose për të konsumuar drekë në restorantet aty pranë.
Më të mirat e Kosovës
Një nga vendet më të bukura për t’u vizituar në Kosovës është Kalaja mesjetare e Prizrenit, e njohur edhe si Kalaja e Dushanit, që dikur shërbente si kryeqendër e Perandorisë Serbe.
Kalaja u ndërtua fillimisht nga biznantinët dhe u zgjerua më shumë nga perandori Dushan në shekullin 14. Kalaja më pas u mor në kontroll nga osmanët për katër shekujt në vazhdim.
Kalaja sheh nga lart të gjithë qytetin dhe disa thonë që është veçanërisht e bukur gjatë lindjes së diellit.
Një tjetër vend që duhet të vizitoni gjatë qëndrimit në Kosovë është resorti i Brezovicës – një nga resortet më të mëdha të skive në Ballkan, që ia vlen të vizitohet edhe në verë. Kompleksi turistik ndodhet në malin Sara, ku pika më e ulët arrin 900-950 metra mbi nivelin e detit. Ai ndodhet në një pllajë në pjesën më të gjerë të luginës së lumit Lepenc.
Shumica e turistëve shkojnë në nivelet më të ulëta të kompleksit ku mund të përdorin hotelet, restorantet, dyqanet dhe ndërtesat e tjera. Resorti është plot livadhe dhe pyje, ndaj përgatituni të takoheni edhe me kafshë të egra.
Megjithatë, nëse zgjidhni Brezovicën këtë verë, sigurohuni të keni marrë me vete disa rroba të trasha për shkak se temperaturat nuk janë shumë të larta në verë.
Liqeni Prespë i Maqedonisë
Turistët preferojnë më shumë liqenin e famshëm të Ohrit dhe neglizhojnë liqenin i Prespës, i cili shtrihet disa kilometra larg në jug-perëndim të Maqedonisë. Ai ofron plazhe me rërë dhe ujë të freskët ku ndodhen nëntë lloje autoktone të peshkut.
Ata që preferojnë kulturën mund të bëjnë një vizitë në fshatin e afërt të Kurbinovos, i njohur për manastirin e tij ortodoks të shekullit të 12. Afresket e tij konsiderohen si shembujt më të mirë të pikturave bizantine që datojnë në të ashtuquajturën Rilindje Maqedonase.
Për vizitorët më aventurierë, një udhëtim me varkë në ishullin Golem Grad (Qyteti i Madh), i njohur gjithashtu si Ishulli i Gjarprit, do t’ju zbulojë natyrën e pacenuar ku ndodhen disa rrënoja të lashta dhe disa kisha.
Përveç liqenit, ju gjithashtu mund të vizitoni Berovën, një qytet i vogël lindor në Maqedoni, që ndodhet në afërsi të malit Maleshevo. Ai është vetëm 160 kilometra larg nga Shkupi dhe është i famshëm për ajrin e freskët malor dhe pamjet e mrekullueshme.
Hoteli Manastir ndodhet në periferi të qytetit dhe ofron shumë gatime tradicionale. Për ata që kërkojnë relaksim pak më larg nga qyteti, hoteli dhe resorti turistik Aurora krenohet me pamjet piktoreske mbi liqenin Berovo.
Manastiri i Shën Arkangjelit që është ndërtuar në vitin 1815 është gjithashtu mes vendeve më të rekomanduara të zonës për t’u vizituar.
Xhevahirët e fshehur të Malit të Zi
Virpazar është një vendbanim i vogël në Liqenin e Shkodrës, që është pjesë e komunës bregdetare të Tivarit. Vetëm 15 kilometra nga deti, Virpazari dikur njihej si “qyteti mbi tre urat”, pasi qyteti i vjetër lidhej nga urat mbi lumenjtë Orahovstica dhe Virstica.
Gjatë verës, qyteti vizitohet nga shumë turistë, të cilët janë kryesisht dashamirës të natyrës që vizitojnë parqet kombëtare dhe zonat e mbrojtura. Ka edhe disa restorante që ofrojnë kuzhinë tradicionale, ndaj mund të provoni një shumëllojshmëri të gjerë të peshkut nga Liqeni i Shkodrës dhe verërat e famshme të Malit të Zi.
Qyteti gjithashtu organizon një numër të madh eventesh kulturore dhe argëtuese, përfshirë edhe Ditët e Liqenit të Shkodrës, lojërat sportive Crmnica, mbrëmje letrare, një koloni artistësh, dhe performanca në Festivalin Kronik të Tivarit.
Një tjetër vend që ia vlen ta vizitoni është Crno hezero, or Liqeni i Zi, në rajonin e Zabljakut në veriun e Malit të Zi. Është një liqen i akullt që ndodhet 1416 metra mbi malin Durmitor.
Liqeni në vetvete përbëhet nga dy pjesë – Liqeni i Madh dhe i Vogël – që ndahen nga një rrip i vogël toke i quajtur Struga. Liqeni i vogël është 50 metra i thellë ndërsa Liqeni i Madh është 24.5 metra i thellë.
Gjatë verës, temperatura e ujit është rreth 22 gradë celsius, gjë që e bën perfekt për turistët gjatë muajve të verës.
Bukuritë e Rumanisë
Manastiret e Pikturuara të Bukovinës, që ndodhen në veri të vendit, ia vlejnë të shihe. Muret e jashtme janë të dekoruara me afreske të shekullit 15 dhe 16 ku paraqiten portrete të shenjtorëve dhe të profetëve, imazhe të engjëjve dhe demonëve, qielli dhe ferri, si dhe skena nga jeta e Jezusit.
Të gjitha nga arti bizantin, këto manastire janë vende arkitekturore të veçanta në llojin e tyre në Europë. Të ruajturat më mirë gjenden në Humor, Moldovita, Patrauti, Probota, Suceava, Sucevita dhe Voronet.
Nëse nuk keni qenë kurrë në bregun e Detit të Zi të Rumanisë, vera është një arsye e mirë për ta bërë këtë. Gura Portitei është një nga resortet më të qeta dhe ndodhet në një rrip të ngushtë rëre rrethuar nga Deti i Zi, kompleksi lagunor Razim-Sinoe dhe delta e Danubit.
Këtu mund të kryeni aktivitete të ndryshme rekreative, si lundrimi, tenisi, futbolli dhe udhëtimet me në kanalet e Danubit. Ka edhe disa programe për peshkatarët, ornitologët dhe gjuetarët.
Kalaja e vjetër e Serbisë
Kalaja Golubaç ndodhet në veri-lindje të Serbisë pranë Parkut Kombëtar të Djerdap dhe është ndër më të bukurat në vend. Kjo kala është ndërtuar gjatë shekullit të 14 dhe përmendet fillimisht në vitin 1335. Gjatë shekujve, kalaja ka qenë në pronësi të ndryshme nga serbët, hungarezët dhe turqit.
Aktualisht kalaja po rinovohet, por turistët mund të gëzojnë akoma zonën përreth dhe pamjen nga shtrati i lumit Danub.
Të pasionuarit e adrenalinës duhet të shkojnë direkt te kompanitë që organizojnë aventura përgjatë lumenjve Drina, Ibër, Lima dhe Tara që rrjedhin në Serbi, Bosnje dhe Mal të Zi.
Shumica e firmave ofrojnë gjatë fundjavës udhëtime që përfshijnë lundrim në lumenj, krah profesionistëve të trajnuar, si dhe ushqim tradicional dhe muzikë gjatë mbrëmjeve.